
Pjesa e tretë e kësaj pyetjeje është që cilat janë gjendjet shpirtërore. Kemi thënë edhe më parë që sipas Kuranit Famëlartë, burimi i gjendjeve shpirtërore është “shpirti i qetësuar” (nefsun mutmeinneh), i cili e çon njeriun nga gjendja e moralit në një gjendje ku ai bëhet i Zotit, siç Zoti i Madhërishëm thotë:
یٰۤاَیَّتُہَا النَّفۡسُ الۡمُطۡمَئِنَّۃُ ﴿٭ۖ۲۸﴾ ارۡجِعِیۡۤ اِلٰی رَبِّکِ رَاضِیَۃً مَّرۡضِیَّۃً ﴿ۚ۲۹﴾ فَادۡخُلِیۡ فِیۡ عِبٰدِیۡ ﴿ۙ۳۰﴾ وَ ادۡخُلِیۡ جَنَّتِیۡ ﴿٪۳۱﴾ 1
O shpirt i qetësuar me Zotin! Kthehu te Zoti yt! Ai është i kënaqur me ty dhe ti je i kënaqur me Të. Hyr në grupin e robërve të Mi dhe hyr në parajsën Time.
Për të shpjeguar gjendjet shpirtërore, këtu është e udhës të komentojmë në detaje këto ajete. Shkalla më e lartë e gjendjes shpirtërore të njeriut në këtë botë është që ai të gjejë qetësinë te Zoti dhe e gjithë lumturia e tij të jetë vetëm te Zoti. Kjo është pikërisht ajo gjendje, e cila me fjalë të tjera është quajtur jetë parajse, sepse njeriu i kësaj shkalle, në këmbim të vërtetësisë, çiltërsisë dhe besnikërisë së përsosur, fiton një parajsë në dorë. Pra, të tjerët presin parajsën e premtuar, kurse ky gjendet në të. Duke arritur pikërisht këtë gradë, njeriu e kupton që barra e adhurimit me të cilën ai ishte i ngarkuar, në të vërtetë është ushqimi që atij ia rrit shpirtin dhe që përbën një mbështetje të fuqishme për jetën e tij shpirtërore dhe që rezultatin e vet nuk e kushtëzon me ndonjë botë tjetër, por e jep që në këtë botë. Të gjitha qortimet që shpirti qortues (nefsun levvāmeh) i bën njeriut për jetën e tij të papastër, por pa arritur ta nxisë mjaftueshëm për të bërë mirësinë, pa arritur t’i japë urrejtjen e duhur ndaj dëshirave të këqija dhe forcën e plotë që ai të tregohet i qëndrueshëm në mirësi, të gjitha këto, me ardhjen e shpirtit të qetësuar që në këtë botë zëvendësohen me një frymë të pastër. Duke arritur këtë shkallë, përfundimisht vjen koha që njeriu të gëzojë gjithë suksesin. Të gjitha dëshirat vetjake fillojnë të shuhen vetvetiu. Shpirti gëzon një frymë të tillë fuqidhënëse, me të cilën njeriu i sheh me keqardhje dobësitë e mëparshme. Atëherë qenia e tij pëson një revolucion të jashtëzakonshëm, shprehitë e tij ndryshojnë rrënjësisht, ai largohet shumë nga gjendjet e tij të mëparshme, lahet dhe pastrohet dhe Zoti me dorën e Vet ia shkruan në zemër dashurinë e mirësisë dhe me dorën e Vet e ia flak nga zemra ndyrësinë e ligësisë; e gjithë ushtria e së vërtetës rreshtohet në zemrën e tij, drejtësia pushton në të gjitha kullat e natyrës së tij, e vërteta triumfon dhe e rrema ikën duke dorëzuar armët e saj. Njeriu i tillë ka dorën e Zotit mbi zemrën e tij dhe çdo hap hedh nën kujdesin e Zotit. Këto gjëra thotë Zoti i Madhërishëm në ajetet e mëposhtme:
اُولٰٓئِکَ کَتَبَ فِیۡ قُلُوۡبِہِمُ الۡاِیۡمَانَ وَ اَیَّدَہُمۡ بِرُوۡحٍ مِّنۡہُ 2
وَ زَیَّنَہٗ فِیۡ قُلُوۡبِکُمۡ وَ کَرَّہَ اِلَیۡکُمُ الۡکُفۡرَ وَ الۡفُسُوۡقَ وَ الۡعِصۡیَانَ ؕ اُولٰٓئِکَ ہُمُ الرّٰشِدُوۡنَ ۙ﴿۸﴾ فَضۡلًا مِّنَ اللّٰہِ وَ نِعۡمَۃً ؕ وَ اللّٰہُ عَلِیۡمٌ حَکِیۡمٌ ﴿۹﴾ 3
جَآءَ الۡحَقُّ وَ زَہَقَ الۡبَاطِلُ ؕ اِنَّ الۡبَاطِلَ کَانَ زَہُوۡقًا 4
Zoti ka shkruar besimin në zemrat e besimtarëve me dorën e Tij dhe i ka ndihmuar me shpirtin e shenjtë. O besimtarë! Ai e bëri besimin të dashur për ju dhe gdhendi bukurinë e tij në zemrat tuaja, kurse mohimin, ligësinë dhe mosbindjen i bëri të urryera në zemrat tuaja dhe gdhendi urrejtjen për rrugët e këqija. E gjithë kjo u bë nga bekimi dhe mëshira e Zotit. Erdhi e vërteta dhe u zhduk e rrema, dhe si mund të qëndronte e rrema përballë së vërtetës?!
Të gjitha këto shenja janë të gjendjes shpirtërore që njeriu gëzon në shkallën e tretë. Ai kurrë nuk mund të ketë aftësinë e vërtetë të të parit, derisa nuk e arrin këtë gjendje. Kjo që thotë Zoti i Madhërishëm se “Unë e kam shkruar besimin në zemrat e tyre dhe i kam ndihmuar me Shpirtin e shenjtë”, tregon që njeriu asnjëherë nuk mund të arrijë pastërtinë dhe dëlirësinë e vërtetë, derisa nuk i vjen ndihma Hyjnore. Në shkallën e shpirtit qortues, njeriu vazhdimisht pendohet dhe vazhdimisht rrëzohet, madje nganjëherë humb shpresën tek aftësia e tij dhe e konsideron të pashërueshme sëmundjen që ka. Kështu vijon për një kohë të gjatë.
Më pas, kur përmbushet koha e caktuar, një ditë, gjatë natës ose gjatë ditës, përnjëherë i zbret një dritë, e shoqëruar me fuqinë Hyjnore. Me ardhjen e kësaj drite, atij i vjen një ndryshim i çuditshëm. Ai ndien kontrollin e një Dore të fshehtë dhe i del përpara një botë e çuditshme. Atëherë njeriu kupton me bindje se Zoti ekziston. Sytë e tij fitojnë dritën që nuk e kishin deri më parë. Por si mund ta gjeni këtë rrugë dhe si mund ta gëzoni këtë dritë? Duhet të dini që në këtë botë, që është bota e mjeteve, çdo pasojë e ka një shkak, çdo lëvizje e ka një lëvizës dhe për çdo dije e ka një metodë, e cila quhet rruga e drejtë (sirātal-mustekīm). Asgjë nuk mund të arrihet në këtë botë, pa i ndjekur metodat që natyra ka caktuar për të që nga fillimi. Ligji i natyrës tregon që për të arritur çdo gjë ka një rrugë të drejtë, një rregull të natyrshëm. Për shembull, nëse jemi në një dhomë të errët dhe kemi nevojë për dritën e diellit, rruga e drejtë për ne është që të hapim dritaren që gjendet në drejtim të diellit. Sapo ta hapim atë, drita e diellit hyn brenda dhe na ndriçon. Nga kjo kuptojmë që duhet të ketë ndonjë dritare edhe për të gjetur bekimet e vërteta dhe reale të Zotit dhe duhet të ketë ndonjë metodë për të arritur spiritualitetin e pastër. Dhe ajo është të kërkojmë rrugën e drejtë (sirātal-mustekīm) edhe në çështjet shpirtërore, siç ndjekim rrugën e drejtë për të pasur sukses në të gjitha çështjet tona të kësaj bote.
Por vallë, a është kjo rruga që ne ta kërkojmë manifestimin e Zotit thjesht me mendjen tonë dhe vetëm me gjërat që kemi sajuar ne vetë? Me retorikën dhe filozofinë tonë, a mund të na hapen vallë dyert e Tij, që mund të hapen vetëm me Dorën e Tij të fuqishme? Sinqerisht më besoni, kjo nuk është e vërtetë. Ne kurrsesi nuk mund ta gjejmë Atë Zot të Gjallë e të Qëndrueshëm vetëm me manovrat tona. Përkundrazi, rruga e drejtë në këtë çështje është që ne së pari t’ia dedikojmë jetën tonë me të gjitha forcat tona rrugës së Zotit dhe më pas të angazhohemi duke u lutur për ta takuar Atë, në mënyrë që ta gjejmë Zotin, përmes Zotit.
[1] “O shpirt i qetësuar (Nefsun mutmeinneh)! Kthehu te Zoti yt, i kënaqur dhe duke gjetur kënaqësinë (e Tij)! Hyr te robërit e Mi dhe hyr në xhenetin Tim!” (El-Fexhr 89:28-31).
[2] “Janë pikërisht këta, në zemrat e të cilëve Allahu ka shkruar besimin dhe i ka ndihmuar me shpirtin prej Tij”. (El-Muxhadile 58:23).
[3] “… dhe Ai jua bëri të bukur besimin në zemrat tuaja dhe ju dha urrejtje për mohimin, ligësinë dhe mosbindjen. Pikërisht këta janë të udhëzuar. Si bekim dhe si dhuratë prej Allahut. Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë”. (El-Huxhurat 49:8-9).
[4] “Erdhi e vërteta dhe u zhduk e rrema; sigurisht, e rrema është për t’u zhdukur!” (Beni Israil 17:82).