Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme
kurani famelarte kandili

(Komentimi i Kuranit)

Interpretimi i ajeteve të para  të suresë el-Bekare 

Allahu i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë, thotë:

“Alif.Lam.Mim. Ky është ai libër; nuk ka dyshim në të; është udhëzim për njerëzit që kanë takua, të cilët besojnë në të padukshmen, ngjallin namazin dhe shpenzojnë nga çdo gjë që Ne u kemi dhënë; të cilët besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhammed), besojnë edhe në atë që janë shpallur para teje dhe me bindje i besojnë edhe ahiretit. Të tillët janë ata që gëzojnë udhëzim prej Zotit të tyre dhe pikërisht të tillët janë të shpëtuarit”.

(El-Bekare 2:2-6)

Duhet shtjelluar ajeti i parë që thotë:

“Alif.Lam.Mim. Ky është ai libër; nuk ka dyshim në të; është udhëzim për njerëzit që kanë takua[1]

dhe shohim se në çfarë mënyre të bukur, të përmbledhur dhe estetike Zoti i Madhërishëm i ka dhënë përgjigje pyetjes së ngritur[2]. Së pari përmendi faktorin autorial që zbriti Kuranin Famëlartë dhe tregoi për madhështinë e Tij duke thënë:

“Alif.Lam.Mim.” Unë jam Zoti i Gjithëdijshëm.

Domethënë, Jam Unë i Gjithëdijshmi dhe i Urti që zbrita këtë libër dhe askush tjetër nuk mund të barazohet në dije me Mua.

Pastaj Zoti përmendi faktorin material dhe duke treguar madhështinë e tij, tha:

“Ky është ai libër”

Domethënë ky është një libër aq i lartë dhe madhor saqë burimi material i tij është dija Hyjnore. Si argument është thënë që origjina dhe burimi i tij është Zoti i Përjetshëm dhe i Urtë.

Duke përdorur përemrin “ai”, që përdoret për largësinë, Zoti i Madhërishëm ka treguar që ky libër buron nga dija e Tij, që ka atribute të përsosura, që është i Pashoq dhe i Pakrahasueshëm, dijet e përsosura dhe misteret e thella të të Cilit janë shumë larg nga kufijtë e mendjes së njeriut.

Pastaj përmendi vlerën e faktorit strukturor të tij dhe tha:

“nuk ka dyshim në të”

domethënë, struktura e Kuranit është aq e përsosur për sa u përket argumenteve dhe logjikës së saj, saqë nuk ka vend për dyshim në të. Kjo do të thotë që, Kurani nuk mbështetet në tregime e legjenda, si librat e tjerë, por ai përfshin argumente bindëse e përfundimtare, jep prova të qarta e të mjaftueshme për kuptimet e tij dhe në vetvete është një mrekulli, e cila vepron si një shpatë e mprehtë për të larguar dyshimet dhe për një kërkimtar, çështjen e ekzistencës së Zotit nuk e lë vetëm deri tek pohimi i hamendshëm “Ai duhet të jetë”, madje e çon deri te përfundimi i sigurt “Ai është”.

Deri këtu, Zoti ka përmendur tre faktorë dhe rëndësinë e tyre, të cilët edhe pse janë madhorë dhe janë shumë të rëndësishëm për të sjellë efektin dhe reformimin te njeriu, megjithëkëtë Ai nuk rresht pa përmendur edhe faktorin e katërt, i cili është faktori objektiv-kulminant i zbritjes së tij, e që është mundësia e udhëzimit, gjë që u jepet vetëm njerëzve me takua, ashtu siç Zoti thotë:

“është udhëzim për njerëzit me takua”.

Domethënë, ky libër është zbritur për udhëzimin e atyre, të cilët, për shkak të pastërtisë së brendshme, racionalitetit, qëndrueshmërisë mendore, etjes për të kërkuar të vërtetën dhe qëllimeve të drejta, përfundimisht do të arrijnë në shkallën e lartë të besimit, të njohjes së Zotit dhe të përsosmërisë së takuasë.

Me fjalë të tjera, ata, për të cilët Zoti di që natyrshmëria e tyre përputhet me këtë udhëzim dhe që mund të përparojnë në njohjen e Zotit, përfundimisht do të udhëzohen nga ky libër, i cili medoemos do t’i gjejë të tillët, dhe Zoti do të mundësojë që ata të përudhen para se të largohen nga kjo botë. Në këto fjalë, Zoti i Madhërishëm ka treguar shumë qartë që ata të cilët, sipas dijes së Zotit të Madhërishëm, meritojnë të udhëzohen dhe që kanë takua në natyrshmërinë e tyre, patjetër do të gjejnë udhëzimin.

Pastaj, në pjesën tjetër të ajetit, kjo temë sqarohet edhe më shumë dhe na informon që të gjithë ata që, (sipas dijes së Zotit) do të fitojnë besimin, edhe pse aktualisht nuk janë nga muslimanët, gradualisht do të hynë në këtë grup dhe jashtë do të mbeten vetëm ata, për të cilët Zoti e di shumë mirë që nuk do të pranojnë rrugën e vërtetë të Islamit, të cilët edhe nëse këshillohen, nuk do të pranojnë besimin e nuk do të arrijnë shkallët e larta të takuasë dhe njohjes së Zotit.

Kështu që, Zoti i Madhërishëm e ka bërë shumë të qartë në këto ajete që udhëzimin e Kuranit mund ta gjejnë vetëm ata që kanë takua, natyrshmëria e të cilëve është e pastër nga errësirat vetjake, dhe që ky udhëzim patjetër do të arrijë tek ata…

Nëse bëhet pyetja se çfarë do të ndodhë me ata, që nuk e kanë gjetur këtë udhëzim, atëherë përgjigjja e saj është, që nëse njerëzit e tillë janë krejtësisht të egër dhe privohen nga intelekti njerëzor, atëherë atyre nuk do t’u kërkohet llogari, pasi hyjnë në kategorinë e të marrëve. Por, ata që kanë sadopak mend, atyre do t’u kërkohet llogari sipas shkallës së intelektit të tyre.

(“Ruhani Khezain”, vëll. 1, “Barahin-e-Ahmedia”, f. 200-203 në fusnotë)

Katër faktorë të përsosmërisë

Në një fjalim të tij, duke shpjeguar këto ajete, Mesihu i Premtuar a.s.  thotë:

Çdo gjë duhet të ketë katër faktorë për të qenë e përsosur, e ata janë: (1) faktori autorial, (2) strukturor, (3) material dhe (4) objektiv-kulminant. Edhe në këtë ajet, janë përmendur këta katër faktorë të Kuranit Famëlartë.

Faktori autorial i Kuranit është ai që përmendet në shkronjat Alif.Lam.Mim, të cilat, sipas meje, nënkuptojnë

Unë jam Zoti që di më shumë se të gjithë. Faktori material i tij është në fjalët “ky është ai libër”, domethënë, ky libër buron prej Zotit që di më shumë se të gjithë. Faktori strukturor i Kuranit është ai që përmendet në fjalët “nuk ka dyshim në të”, domethënë merita dhe e veçanta e këtij libri është që nuk ka asnjë lloj dyshimi në të. Çdo fjalë e tij është e qëndrueshme dhe çdo pohim që bën ai është i argumentuar dhe i qartë. Pastaj, faktori objektiv-kulminant i Kuranit përmendet në fjalët: “është udhëzim për njerëzit që kanë takua”, domethënë qëllimi dhe synimi i këtij libri është që të udhëzojë ata që kanë takua.

Pasi i përmend këta katër faktorë, Zoti i Madhërishëm tregon vetitë e përgjithshme të njerëzve me takua dhe sqaron se kush janë ata, që do të udhëzohen:

Njerëzit me takua janë ata, të cilët besojnë në Zot, edhe pse është i Padukshëm, ngjallin namazin, shpenzojnë nga çdo gjë që Ne u kemi dhënë, besojnë edhe në librin që të kemi dhënë ty (o Muhammed), po ashtu në librat që janë zbritur më parë, dhe gjithashtu ata besojnë edhe në ahiret.

Këto gjëra Kurani ia atribuon atyre njerëzve që janë me takua. Tani, lind pyetja: përderisa qëllimi dhe synimi i këtij libri është përcaktuar që ai do të udhëzojë njerëzit që kanë takua, ndërkohë edhe atributet e njerëzve të tillë që janë përmendur, duken sikur u përkasin njerëzve të Zotit, domethënë, që besojnë në Zot, falin namaz, japin sadaka, besojnë në librin e Allahut, besojnë edhe në ahiret, pra, nëse ata i kanë këto veti, atëherë çfarë udhëzimi tjetër do të fitojnë ata nga ky libër? Pra, edhe një herë, çfarë udhëzimi më shumë ata do të fitojnë nga ky libër, për të cilin pretendohet zbritja e këtij libri? Pra, kjo tregon shumë qartë që udhëzimi i përcaktuar është diçka tjetër përveç këtyre atributeve që janë përmendur në këto ajete, pasi ato janë përcaktuar si kushte për të arritur udhëzimin që ka sjellë Kurani. Pra, udhëzimi që sjell Kurani është diçka tjetër dhe ajo është një gjë shumë e lartë, të cilën Zoti ma ka treguar dhe do ta përmend këtu.

Vetia e parë e njerëzve me takua: “ata besojnë në të padukshmen”

Atributi i parë i njerëzve me takua që është përmendur këtu është: “ata besojnë në të padukshmen”. Kjo është gjendje fillestare e besimtarit, në të cilën, ai beson edhe ato gjëra që nuk i ka parë vetë. I Padukshëm është emri i Allahut të Madhërishëm, po ashtu edhe xheneti, xhehenemi, ringjallja dhe të gjitha gjërat që ende nuk janë zbuluar, përfshihen në të padukshmen. Në gjendjen fillestare, besimtari i beson ato gjëra, por përmes udhëzimit që ai merr nga Kurani, fiton një shpërblim, në atë mënyrë saqë besimi i tij, nga e padukshmja, kalon tek e dukshmja. Ai kalon në një gjendje, ku do t’i njohë gjërat që deri më përpara i besonte si të padukshme. Tani, Zotin nuk e mendon të jetë i padukshëm, por e sheh Atë dhe gjithmonë e ka parasysh manifestimin e Tij. Kështu që, pas gjendjes së të padukshmes, atij i jepet gjendja e dukshme, ashtu siç njohja (erfani) vjen pas besimit (imanit). Që në këtë botë, ai e sheh Zotin. Po të mos ndodhte kështu, atëherë ata që besojnë në të padukshmen, nuk mund të fitojnë ndonjë udhëzim apo shpërblim tjetër nga Kurani, rrjedhimisht, edhe Kurani Famëlartë nuk do të quhej udhëzues për ta. Por, kjo nuk është e vërtetë dhe udhëzimi për besimtarin që beson në të padukshmen është pikërisht kalimi i tij nga e padukshmja në gjendjen e së dukshmes. Një argument për këtë është ajeti

“Ai që është i verbër në këtë botë, do të ringjallet  i verbër edhe në botën tjetër”.[3]

Kjo quhet verbëri, pasi njeriu nuk arrin ta shohë që në këtë botë manifestimin e Zotit si dhe gjërat e tjera që janë përtej së dukshmes dhe pikërisht sipas fjalëve

 “është udhëzim për njerëzit me takua”,

ai që merr udhëzim prej Kuranit, përparon në një gjendje të lartë dhe atij i largohet verbëria. Pra, zhvillimi që njeriu pëson nga ky libër bën që besimi i tij, nga shkalla e së padukshmes kalon në atë të dukshme dhe ky bëhet një udhëzim për të.

Vetia e dytë e njerëzve me takua: “ata ngjallin namazin”

Vetia e dytë e besimtarëve me takua që përmendet këtu është: “ata ngjallin namazin”.[4] Domethënë, një njeri që ka takua në besimin e tij, vazhdimisht përpiqet ta ngjallin namazin e tij, edhe pse herë pas here atij i bie namazi. Kjo do të thotë që ai që ka takua, frikësohet prej Zotit, por ndërkohë zemra e tij herë pas here sulmohet nga lloj-lloj dyshimesh e rreziqesh që e pengojnë, por pavarësisht nga ky dyluftim i brendshëm, ai mundohet të ngjallë namazin e tij. Herë i bie namazi, herë ai e ngjall atë. Kështu do të mbetet gjendja e atij që me përpjekje vazhdon të ngjallë namazin, derisa Zoti e udhëzon përmes librit të Tij. Çfarë udhëzimi ai merr prej Zotit në këtë rast?[5]

Në fakt, ata përparojnë nga gjendja që është përmendur në fjalët “ata ngjallin namazin” dhe dalin nga dyshimet dhe dyluftimi i brendshëm, sepse përmes këtij libri, Allahu i Madhërishëm u dhuron atë status, për të cilin thotë që namazi bëhet ushqimi i disa njerëzve për shkak të përsosmërisë së tyre. Pra, ata fitojnë një kënaqësi të tillë në namaz siç i eturi fiton nga uji i ftohtë dhe nga kënaqësia nuk e lë atë derisa të ngopet, ose si i urituri që gjen atë kënaqësi kur i jepet një ushqim shumë i shijshëm. Pra, këtë gjendje ai pëson edhe në namaz. Në një farë mënyre, ai dehet me namaz dhe pa të ai ndihet shumë i shqetësuar, por, kur fal namazin fiton një kënaqësi dhe ëmbëlsi në zemër, të cilën nuk mund ta gjejë çdokush dhe që as nuk mund të përshkruhet. Njeriu duke përparuar gradualisht arrin në një gjendje, ku do të ketë dashuri personale me Zotin. Më, ai nuk do të ketë nevojë të ngjallë namazin e tij, pasi namazi gjithmonë i mbetet i ngjallur dhe i vjen si një gjendje e tij e natyrshme. Pëlqimi i njeriut të tillë përputhet me pëlqimin e Zotit. Pra, ai kalon në një gjendje, ku dashuria e tij ndaj Zotit bëhet personale dhe pjesë e jetës së tij e nuk mbetet asnjë formalitet në të. Ashtu si shtazët, edhe njerëzit shijojnë ushqimet e pijet dhe gjejnë kënaqësi në epshet e tyre, në të njëjtën mënyrë, madje në një shkallë akoma më të lartë besimtari që ka takua gjen kënaqësi në namaz. Prandaj, namazin duhet ta falni duke e zbukuruar. Namazi është rrënja dhe shkaku i të gjitha përparimeve. Prandaj është thënë që “namazi është meraxhi i besimtarit”. Në fenë Islame kanë kaluar mijëra e mijëra eulija të Zotit, njerëz të dëlirë, të vërtetë dhe revolucionarë. Vallë, si mund të kenë arritur ata deri në atë nivel?! Pikërisht përmes namazit. Edhe vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë:

Kënaqësia dhe prehja e syve të mi gjendet në namaz. Me të vërtetë, kur njeriu arrin në atë stad, atëherë për të, kënaqësia më e përsosur gjendet pikërisht në namaz. Ky është kuptimi i thënies së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Pra, duke shpëtuar nga një dualizëm i nefsit, njeriu vendoset në nivelin më të lartë të zhvillimit të tij.

Mbani mend, që, në ajetin “ata ngjallin namazin”, bëhet fjalë për nivelin fillestar, në të cilin besimtari e fal namazin jo me kënaqësinë e duhur, por me një dualizëm të brendshëm. Por, ky libër e udhëzon atë dhe e çon deri në shkallën, ku namazi bëhet kënaqësia e syve të tij. Të mos harrojmë që me nivelin fillestar që kemi përmendur këtu, bëhet fjalë për nefsin qortues (leuamah).

Tri nivelet e nefsit

Nefsi ka tri nivele: nefsi amarah (nxitës për të keqën), nefsi leuamah (qortues) dhe nefsi mutmainah (i qetësuar). Ai amarah është nefsi që është i përfshirë në gjërat e këqija, të cilin e sundon mosbindja. Në këtë gjendje, njeriu nuk mund të përkushtohet tërësisht për të bërë vepra të mira, madje pushtohet nga një lloj rebelizmi dhe mosbindjeje. Vetëm kur përparon drejt së mirës, atëherë gjendet në nivelin e nefsit qortues, sepse tani nëse bën ndonjë vepër të keqe, pendohet, e qorton vetveten dhe gjithashtu, mendon për të bërë diçka të mirë. Megjithatë, edhe në këtë nivel, ai tërësisht nuk mund ta mundë nefsin e tij, madje gjithnjë vazhdon një luftë midis atij dhe nefsit, në të cilën herë ai e mbizotëron, e herë mbizotërohet nga ai. Kjo luftë vazhdon pa pushim, derisa bekimi i Allahut të Madhërishëm e përkrah atë duke i dhënë përfundimisht fitore dhe sukses mbi nefsin e tij. Atëherë njeriu kalon në nivelin e tretë, i cili quhet nefs i qetësuar dhe vetëm atëherë, të gjitha ligësitë e nefsit të tij i pastrohen dhe të gjitha rebelimet vetjake i zhduken. Faza e fundit e nefsit të qetësuar është si ajo gjendje, kur pas një beteje të fortë, njëra nga dy mbretëritë e fiton luftën, e cila vendos paqe, duke larguar të gjitha çrregullimet. Çdo gjë ndryshon pas fitores, siç edhe Kurani Famëlartë e cek këtë gjë:

Kur mbretërit hyn në ndonjë vend, e prishin gjithë sistemin e mëparshëm. Më së pari, kap autoritarët e lartë dhe i ndëshkon.[6] Në të njëjtën mënyrë, kur arrin në pushtet mbretëria shpirtërore, edhe ajo e shkatërron mbretërinë e mëparshme. Kapen shërbëtoret e shejtanit. Dërrmohen dhe poshtërohen të gjitha ndjenjat dhe epshet që sjellin çrregullime në mbretërinë shpirtërore dhe nis një monedhë e re dhe atëherë, nefsi gëzon paqe të plotë. Pikërisht kjo është ajo gjendje që quhet nefs i qetësuar, në të cilën nuk mbetet asnjë dualizëm dhe çrregullim brenda njeriut, por ai gëzon qetësi dhe kënaqësi të plotë, sepse, tashmë ka mbaruar lufta dhe u vendos mbretëria e re duke larguar çdo element çrregullues. Zemra e njeriut, në mënyrë të plotë, triumfohet nga Zoti, i Cili e zgjedh atë si fron për Vete. Kjo quhet gjendje e përsosur. Kurani Famëlartë thotë:

Padyshim Allahu i Madhërishëm ju urdhëron për drejtësi, pastaj, ju urdhëron të bëni favor dhe kur përparoni akoma më shumë, ju urdhëron për itaidhil kurba.[7], 8

Faza e drejtësisë

Faza, kur njeriu është urdhëruar të bëjë drejtësi me gjendjen e tij për ta përmirësuar atë, është ajo kur ai jeton me nefsin që e nxit për të keqen. Në këtë fazë, atij i duhet ta kundërshtojë nefsin e tij. Për shembull, kur i vjen momenti për t’i kthyer huan huadhënësit, ai dëshiron ta përlajë atë. E nëse i mbaron afati për ta larë, atëherë nefsi i tij bëhet akoma më i guximshëm duke menduar se tashmë s’ka kufizime. Por, drejtësia kërkon që kjo nuk duhet të ndodhë. Huan medoemos duhet t’ia kthejë huadhënësit, pa bërë hile.

Këtu shpreh keqardhjen time që disa njerëz nuk merakosen për këtë gjë. Madje ka disa edhe në Xhematin tonë që shumë pak i kushtojnë vëmendje detyrimit që ata kanë ndaj huadhënësit. Kjo është kundër drejtësisë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk falte xhenazen e një personi të tillë. Prandaj, të gjithë nga ju, duhet të mbani mend, që mos të tregoheni përtacë në larjen e borxheve dhe ruhuni nga çdo pabesi dhe mashtrim që mund të bëni, sepse kjo është kundër porosisë së Zotit, që përmendet në ajetin e cituar më lart.

Faza e favorit (ihsan)

Pas fazës së drejtësisë, vjen faza e favorit. Ai që vazhdimisht i përmbahet drejtësisë dhe nuk i shkel kufijtë e saj, Zoti i mundëson një forcë për të përparuar edhe më shumë, derisa ai jo vetëm që bën drejtësi, por ai që i bën një të mirë të vogël, ia kthen me një shpërblim më të mirë. Megjithatë, edhe në fazën e ihsanit, njeriu nuk shpëton nga një e metë, që ndonjëherë ai e tregon favorin e tij. Për shembull, një njeri ushqen dikë për dhjetë vjet, i cili, ndonjëherë nëse nuk i bindet për ndonjë gjë, ai ia kujton favorin duke thënë: “Me bukën time je rritur për dhjetë vjet”, dhe kështu e humb vlerën e së mirës që ka bërë. Në të vërtetë, edhe te njeriu që gjendet në fazën e favorbërjes, ekziston një dukje e fshehtë. Por, në fazën e tretë, ai pastrohet nga çdolloj papastërtie, fazë e cila, quhet itaidhil kurba.[8]

Faza e tretë: “itai dhil kurba”

Kjo fazë përputhet me natyrshmërinë e njeriut të përsosur, sepse njeriu, në këtë fazë, veprat e mira i bën natyrshëm. Për shembull, nëna, që i jep gji fëmijës së saj dhe e rrit atë, kurrë nuk e merr parasysh faktin nëse fëmija, kur të rritet, a do të kujdeset për të apo jo. Madje, edhe nëse ndonjë mbret i thotë: “Do të shpëtosh nga dënimi nëse nuk i jep gji fëmijës tënd dhe e lë të vdesë”, ajo kurrsesi nuk mund ta pranojë urdhrin e mbretit. Aq më tepër, ka mundësi që ta mallkojë mbretin në sy. Kjo ndodh, sepse kujdesi ndaj fëmijës është në natyrën e saj dhe nuk bazohet në ndonjë shpresë apo frikë. Në të njëjtën mënyrë, kur njeriu përparon duke bërë vepra të mira dhe arrin në atë nivel, në të cilin ato vepra i bën në mënyrë të natyrshme, pikërisht kjo quhet gjendje e qetësuar.

Kështu që, derisa nefsi nuk qetësohet, gjendja e ngjalljes së namazit vazhdon të jetë e pranishme me një dualizëm të brendshëm te njeriu. Herë nefsi e mbizotëron atë dhe herë ai nefsin. Kur çohet, për shembull, për sabah, shikon që uji është i ftohtë dhe ai ka nevojë të lahet para se të falë namazin. Atëherë, nëse i bindet nefsit, lan duart nga namazi, e nëse tregohet i guximshëm, e mbizotëron nefsin. …

Do t’i rikthehem sërish temës kryesore dhe them se kuptimi i fjalëve “ata ngjallin namazin” është pikërisht ky, që besimtarët, duke dalë nga kjo fazë, gëzojnë një gjendje të qetësuar.

Mbani mend mirë, nëse besimi mbetet vetëm deri tek e padukshmja, është shumë i rrezikshëm. … Në të vërtetë, derisa nuk fiton dritën shpirtërore, s’ka asnjë dobi. Por, këtë dritë mund ta fitosh vetëm përmes bekimit të Zotit. Gjithashtu, edhe kjo është e vërtetë që të gjithë njerëzit nuk janë njësojë dhe Zoti nuk i ka bërë të gjithë profetë.

Ndikimi i shoqërisë

Megjithatë, shoqëria ka ndikim të madh dhe ajo patjetër sjell dobi.[9] Nëse dikush është i parfumosur, edhe shoqëruesi i tij përfiton nga ai. Në të njëjtën mënyrë, shoqëria e njerëzve të vërtetë frymëzon të tjerët me një shpirt të vërtetë. Sinqerisht ju them të vërtetën, shoqëria e gjatë me ndonjë të dërguar, e njëtrajtëson shoqëruesin me të dërguarin. Për këtë arsye Kurani Famëlartë thotë:

d.m.th. “bëhuni me ata që janë të vërtetë”.[10] Një ndër meritat e pashembullta të fesë Islame është edhe kjo që në çdo kohë ka njerëz të tillë në këtë fe. Por, çfarë dobie mund të marrin arjat dhe të krishterët nga kjo metodë, pasi tek ata, më asnjë njeri nuk mund ta arrijë Zotin për të marrë shpallje të freskëta, në mënyrë që ai, përmes tyre, t’i pastrojë ata që janë të zhytur në mëkate…. Mbani mend mirë, Zoti, në asnjë mënyrë nuk ndihmon një fe të verbër. Argument shumë i fuqishëm i vërtetësisë së fesë Islame është pikërisht fakti që Zoti e ndihmon në çdo kohë. Edhe në këtë kohë, Ai më dërgoi mua, në mënyrë që t’ju tregoj dëshmi të freskëta të ndihmës së Tij. Asnjëri ndër ju nuk mund të mohojë se nuk ka parë dëshmi të tilla nga unë.

Pra, Islami është një fe e pastër, që është burimi i vërtetë i të gjitha mirësive, sepse ai është vetë rrënja e tyre. Besimin e përsosur në Allahun e Madhërishëm nuk mund ta fitosh, derisa nuk dëshmon vetë shenja dhe çudira të freskëta të fuqisë dhe madhështisë së Tij, gjë që nuk gjendet tek askush, përveç fesë Islame, e nëse gjendet edhe te ndonjë tjetër, le ta paraqesë!

Përveç kësaj, një tjetër dobi e fesë Islame është që, ajo stimulon, shton dhe përsos mirësitë që ka njeriu në natyrshmërinë e tij. Për këtë shkak Kurani thotë që “është udhëzim për njerëzit me takua”, dhe nuk thotë që “është udhëzim për njerëzit mizorë apo mohues”. Para shumë kohe, një klerik brahman (hindu) më kishte thënë: “Edhe ne themi “nuk ka zot tjetër përveç Allahut”, po ju përse shtoni “Muhammedi është i Dërguari i Tij”?”. Unë i thashë: “Sepse me këtë, njeriu nuk bëhet ateist”. Çuditërisht, ai klerik tashmë është ateist i hapur. Nëse ai do të kishte besim edhe në Muhammedin paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, nuk do të bëhej i tillë.

Sinqerisht ju them të vërtetën, Kurani Famëlartë është një libër i përsosur dhe i kompletuar, saqë asnjë libër tjetër nuk mund të ballafaqohet me të. A ka ndonjë varg në Vedat e hinduve që mund të ketë vlerën e ajetit të Kuranit që thotë “është udhëzim për njerëzit me takua”? Nëse thua sa për të thënë dhe kujton se nuk ka nevojë për rezultatet dhe frytet e saj, atëherë e gjithë bota, në një mënyrë apo në tjetrën, beson në Zot. Po ashtu, përkushtimin, devotshmërinë, bamirësinë, të gjithë i konsiderojnë si gjëra të mira, madje dashje pa dashje edhe i praktikojnë. Atëherë çfarë të rejash kanë sjellë Vedat?! Ata, ose duhet të provojnë që popujt që nuk besojnë në Veda, nuk kanë asnjë mirësi, ose të tregojnë ndonjë shenjë dalluese për to.

Kurse Kurani Famëlartë, që në fillim premton përparimet e mundshme, të cilat i kërkon shpirti i njeriut. Kështu që, në suren El-Fatiha, ai jep mësimin “Ehdines siratal mustakim”, dhe tha që lutuni: “O Allah, na udhëzo që të jemi në rrugën e drejtë, në atë rrugë që është e atyre të cilët i bekove”. Menjëherë pas kësaj lutjeje, që në ajetin e parë të suresë El-Bekare, Kurani jep myzhdenë: “Ky është ai libër; nuk ka dyshim në të; është udhëzim për njerëzit që kanë takua”. Me një fjalë, shpirtrat bëjnë një lutje dhe menjëherë fillon pranimi i saj dhe premtimi i pranimit të saj, plotësohet në formën e zbritjes së Kuranit Famëlartë. Pra, nëse në fillim është lutja, atëherë menjëherë pas saj është rezultati. Padyshim, është bekimi dhe bujaria e Zotit që ka treguar këto gjëra, por mjerisht, bota e injoron dhe tregohet e pakujdesshme ndaj Tij dhe po shkatërrohet duke i qëndruar larg. Përsëri e theksoj që, vetitë e njeriut me takua, që Zoti i Madhërishëm ka treguar, janë të një shkalle fillestare, por njeriu, kur beson në Kuranin Famëlartë dhe e zgjedh atë si kod veprimi për udhëzimin e tij, atëherë ai i arrin nivelet e larta të udhëzimit që janë të përcaktuara për të. Vetëm duke e kujtuar këtë qëllim kulminant të Kuranit Famëlartë ndiej një kënaqësi e gëzim të tillë, që nuk mund ta përshkruajë me fjalë. Këtu fshihet bekimi i veçantë i Zotit dhe përsosmëria e Kuranit Famëlartë.

Vetia e tretë e njerëzve me takua: “ata shpenzojnë në rrugën e Zotit”

Pastaj, një tjetër shenjë e njerëzve me takua është përmendur në fjalët në vijim:

“Ata shpenzojnë nga çdo gjë që Ne u kemi dhënë”. Edhe kjo është një shkallë fillestare, të cilën e arrijnë të gjithë, sepse është vetë në natyrën e njeriut që nëse vjen ndonjë nevojtar për t’i kërkuar ndihmë, ai patjetër i jep diçka. Nëse ke shumë bukë në shtëpi dhe të troket derën një lypës i uritur, patjetër do t’i japësh një pjesë edhe atij dhe kjo nuk është nga udhëzimi, por është vetë në natyrën e njeriut. Një gjë tjetër të mos harrojmë që, fjalët “nga çdo gjë që Ne u kemi dhënë” i përfshin të gjitha gjërat. Nuk janë përcaktuar, për shembull, vetëm paratë, buka, rrobat, etj. Pra, ata shpenzojnë nga çdo gjë që Zoti i Madhërishëm u ka dhënë.

Dy nivelet e të shpenzuarit në rrugën e Zotit

Shpenzimi që sapo përmendëm është një shpenzim i zakonshëm, të cilin e bën çdo njeri, qoftë musliman apo jo. Duke u nisur nga kjo, mund të themi se janë dy lloje të të shpenzuarit: e para është ai që është i zakonshëm dhe që gjendet te çdo njeri dhe e dyta është ai që bëhet me ndikimin e profetizmit. Nivelin e parë, siç e kam shpjeguar edhe më lart, çdokush e arrin. Kush nga ju nuk i jep diçka atij që është i uritur nga shumë ditë ose është i zhveshur dhe i vuajtur kur ju vjen për të kërkuar ndihmë?! Vetë ndërgjegjja e njeriut i kërkon ta ndihmojë atë. Gjithashtu, kam sqaruar edhe një gjë që në fjalët “nga çdo gjë që Ne u kemi dhënë”, nuk janë përcaktuar vetëm paratë. Madje, të gjitha dhuntitë janë përfshirë në to. Dijetari jep diçka nga dija e tij, i pasuri nga pasuria e tij, mjeku nga mjekësia e tij e kështu me radhë. Por, fjalët “është udhëzim për njerëzit me takua”, tregojnë se të gjithë këta ende nuk kanë arritur stadin  më të lartë, deri ku Kurani i Madhërishëm synon t’i çojë. Pra, bëhet fjalë për stadin ku njeriu tërësisht ia përkushton jetën e tij Zotit. Ky quhet përkushtim për hir të Zotit.

Ai që arrin në këtë nivel, nuk i nevojiten fjalët “nga çdo gjë që Ne u kemi dhënë”, sepse derisa ai qëndron brenda kufijve të tyre, ai nuk është i kompletuar dhe nuk ka arritur aty ku Kurani synon ta çojë atë. Ai përsoset vetëm atëherë, kur e gjithë qenia e tij, çdo lëvizje, veprim dhe qëndrim i tij realizohet vetëm me urdhrin e Zotit për mirëqenien e njerëzve. Me fjalë të tjera, përsosmëria e atyre që përmendet në fjalët “ata shpenzojnë nga çdo gjë që Ne u kemi dhënë”, gjendet tek ajeti “është udhëzim për njerëzit me takua”.[11]

Pas kësaj, është përmendur një tjetër veti e njerëzve me takua, që është:

“ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhammed) dhe besojnë edhe në shpalljet që janë zbritur para teje”. Lind pyetja: Nëse ky është besimi, atëherë çfarë udhëzimi tjetër do t’u mundësohet besimtarëve? Udhëzimi që vjen prej Kuranit është që, vetë njeriu arrin në nivelin, ku atij i hapet dera e shpalljes dhe komunikimit prej Zotit. Përmes shpalljes së Zotit, besimi i tij arrin në nivelin e njohjes (ma’rifet) duke fituar kështu përsosmërinë e tij që është qëllimi i udhëzimit, i cili mundësohet nga Kurani. Ai fillon të marrë bekime e shpërblime që vijnë bashkë me komunikimin me Zotin. Mbajeni mend! Allahu i Madhërishëm nuk e ka mbyllur derën e shpalljes dhe komunikimit. Ata që e quajnë këtë umet, të privuar nga bekimet e shpalljes dhe të komunikimit, e kanë shumë gabim dhe nuk e kanë kuptuar fare qëllimin e vërtetë të zbritjes së Kuranit Famëlartë. Sipas tyre, njerëzit e këtij umeti janë si të egër dhe ndikimet dhe bekimet e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., larg qoftë, kanë marrë fund dhe se Ai Zot, që përherë ka folur, pushoi së foluri në këtë kohë. Ata nuk e dinë se nëse mungon komunikimi me Zotin, atëherë fjalët “është udhëzim për njerëzit me takua” nuk do të kenë asnjë kuptim. Pa komunikimin me Të, nuk mund të argumentohet Qenia e Tij. Përse atëherë Kurani Famëlartë thotë:

“Ata që mundohen për Ne, sigurisht Ne do t’i udhëzojmë drejtë rrugëve Tona”.[12]

Në një ajet tjetër, Kurani Famëlartë pohon:

Domethënë, “ata që, përmes fjalës dhe veprës së tyre, treguan “Zoti ynë është Allahu”, dhe pastaj u treguan të qëndrueshëm në këtë rrugë, atëherë atyre do t’u zbresin engjëjt”[13]. Tani, nuk mund të ndodhë që të zbresin engjëjt e të mos bëhet ndonjë komunikim. Jo. Madje, ata engjëj do t’u japin lajme të gëzueshme. Pikërisht kjo është merita dhe përsosmëria e Islamit, që nuk e kanë fe të tjera.

Qëndrueshmëria është shumë e vështirë në këtë rrugë. Do të thotë, ata qëndrojnë të patundur edhe sikur t’u bien tërmete, probleme ose edhe sikur të kalojnë ata nga çdolloj vështirësie apo ankthi, madje, sinqeriteti dhe besnikëria e tyre forcohen më shumë se përpara. Njerëzit e tillë janë të denjë që t’u zbresin engjëjt e Zotit e t’u japin lajme të gëzueshme duke thënë “Mos u pikëlloni!”. Mbajeni mend mirë! Allahu i Madhërishëm ka premtuar në Kuran në shumë vende për vazhdimësinë e shpalljes dhe të komunikimit me Zotin dhe këtë e ka kushtëzuar vetëm me Islamin, sepse, të krishterët kaherë e kanë vulosur që asnjëri prej tyre nuk mund të gëzojë komunikimin me Zotin, ndërsa besimi i Vedave tregon që, pas ardhjes së tyre, dera e komunikimit me Zotin u mbyll përgjithmonë. Thonë se gjoja Zoti dikur fliste, por tani hesht si memec. Unë pyes, nëse tani Ai nuk flet dhe asnjëri nuk mund të bekohet nga komunikimi i tij, atëherë çfarë dëshmie mund të japësh për të provuar që Ai fliste më përpara, ose të paktën për të provuar se Ai dëgjon dhe sheh edhe tani? Pikëllohem kur dëgjoj fjalë të tilla edhe nga muslimanët që thonë se bekimi i komunikimit me Zotin, tashmë, nuk mund t’i jepet askujt. Vallë, përse edhe muslimanët, si të krishterët dhe hindutë i vënë kapakun kësaj çështje? Nëse Islami nuk do të kishte këtë përsosmëri dhe meritë, atëherë për çfarë do të krenohej ai para feve të tjera?!

Vetëm besimi i thatë në njëshmërinë e Zotit asgjë nuk të jep. Edhe brahmu[14], beson në një Zot, ai gjithashtu jep sadaka, kujton Zotin në mënyrën e tij, përpiqet të ketë morale që janë të përbashkëta me muslimanët, atëherë çfarë ndryshimi ka një brahm me një musliman? Këto gjëra edhe mund të kopjohen. Atëherë cila është përgjigjja? Asgjë! Përveç se të tregojmë fytyrën e ndritur të fesë Islame me anë të shenjave dalluese, që vijnë si rrjedhojë e komunikimit me Zotin. Besojeni! Bekimi që vjen prej qiellit, nuk mund të vidhet a kopjohet nga askush. Nëse Islami nuk do të kishte komunikimin me Zotin, atëherë edhe ai nuk do të ishte aspak i vlefshëm. Vlera e tij është pikërisht kjo, që një musliman të vërtetë ai e bën trashëgimtar të këtyre bekimeve dhe shpërblimeve, dhe kështu, ai me të vërtetë bëhet dëshmues i Zotit. Që në këtë botë, Islami na mundëson ta shohim Zotin dhe pikërisht ky është qëllimi i tij, sepse vetëm duke kapur këtë qëllim, njeriu mund t’i japë fund jetës mëkatare të tij, mund të pastrohet tërësisht dhe vetëm atëherë mund t’i hapet dera e shpëtimit të vërtetë, sepse derisa njeriu nuk do të ketë besimin e përsosur në Zot, kurrsesi nuk mund shpëtojë nga mëkatet. Sikundër dihet, që ai, i cili, e di shumë mirë që në filan vend është një gjarpër helmues, kurrsesi nuk do të shkojë atje, ose nuk do të pijë një helm, kur është i bindur që do të vdesë nga ai. Në të njëjtën mënyrë, kur beson fuqimisht në Zot dhe është i bindur plotësisht se Ai është i Gjithëdëgjueshëm (Semi), Gjithëshikues (Besir) dhe i shpërblen për veprat e mira dhe urren mëkatin, atëherë, duke pasur një bindje të tillë, ai si mund të guxojë të bëjë mëkat? E vërteta është që shpirti i Islamit dhe vërtetësia e tij është pikërisht kjo që ai e bën njeriun të aftë për të gjetur bekimin e komunikimit me Zotin. Kështu ka premtuar Zoti i Madhërishëm, që njeriu do të fitojë bekime dhe shpërblime prej qiellit. Kur njerëzit e tillë arrijnë në këtë nivel, atëherë për ta thuhet:

pikërisht janë ata që gëzuan zhvillim të plotë dhe udhëzim prej Zotit dhe pikërisht janë ata që gjetën shpëtimin.[15]

 (E përktheu në shqip: Samad Ghori)


[1]. Takua, në arabisht, do të thotë frikë prej Zotit. Ajo gjithashtu nënkupton që një besimtar i vërtetë, duke qenë i devotshëm, gjithmonë i shmanget mospëlqimit të Zotit dhe mundohet ta kënaqë Atë. [Përkthyesi]
[2]. Bëhet fjalë për një pyetje të nrgitur më lart në librin nga është marrë ky tekst. [Përkthyesi]
[3]. El-Isra 17:73
[4]. Porosinë për faljen e namazit, Kurani Famëlartë e përmend me fjalët: “akimus selat”, që fjalë për fjalë do të thotë “ngreni namazin” ose “ngjallni namazin”. Por, zakonisht në shqip këto fjalë përkthehen “falni namazin”. Në të vërtetë, fjalët origjinale të Kuranit për namazin tregojnë një karakteristikë të veçantë të namazfalësit, i cili, në një fazë të caktuar të jetësë së tij shpirtërore, herë gjen kënaqësi në namaz e herë nuk e gjen, edhe pse vazhdimisht qëndron në kërkim të saj. Për këtë arsye edhe ne i përmbahemi asaj që thotë Kurani Famëlartë dhe si rrjedhojë, do të përdorim fjalët “ngjallni namazin”. [Përkthyesi]
[5]. Gazeta “El-Hakam”, vëll. 10, f. 5-6, data 17 janar 1906.
[6]. En-Neml 27:35.
[7]. En-Nehl 16:91.
[8]. Fjalët “itai dhil kurba” do të thotë që Zoti i jep porosi besimtarit që ai të ndihmojë të tjerët, ashtu siç i ndihmon njerëzit e tij më të afërm.
[9]. Bëhet fjalë për shoqërinë e njerëzve të Zotit. [Përkthyesi]
[10]. Et-Teube 9:120.
[11]. Gazeta “El-Hakam”, vëll. 10, numri 3, data 24 janar 1906, f. 4-5.
[12]. El-Enkabut 29:70.
[13]. Fussilet 41:31.
[14]. Një degë e fesë hindu, që nuk beson në politeizëm. [Përkthyesi]
[15]. Gazeta “El-Hakam”, vëll. 10, numri 4, data 31 janar 1906, f. 2.