Pandemia e Coronavirusit: Përgjegjësitë dhe detyrat tona
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Pandemia e Coronavirusit: Përgjegjësitë dhe detyrat tona

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Këto ditë, për shkak të pandemisë së Koronavirusit, gjendja e botës ka ndryshuar plotësisht, duke sjellë vështirësitë, si për ne edhe për të tjerët. Shumë njerëz më shprehin hallet e tyre përmes letrave. Disa janë në ankth, pasi të dashurit dhe të afërmit e tyre vuajnë nga sëmundje të ndryshme, dhe më shprehin frikën që trupi nga imuniteti i dobët të mos bjerë viktimë e kësaj sëmundjeje. Disa nga anëtarët e xhematit janë gjithashtu prekur nga virusi. Kjo është ajo frikë e madhe, e cila ka pushtuar krejt botën. Një murabi më shkroi se nuk po kuptojmë asgjë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po bëhet. Unë pajtohem me atë, sepse me të vërtetë nuk kuptohet se çfarë i ka ndodhur botës. Allahu i Madhërishëm ka përshkruar këtë gjendje, që ne po përjetojmë me këto fjalë:

وَقَالَ الْإِنسَانُ مَا لَهَا

 Dhe njeriu do të thotë “Çfarë i ka ndodhur asaj?” (ez-Zilzal 99:4)

Një qind vjet përpara, në shkurt 1920, Hazret Kalifi i Dytë r.a. kishte komentuar këtë ajet. Duke folur për pandemitë, thatësirat, fatkeqësitë dhe stuhitë, ai kishte thënë që përpara rrallëherë ndodheshin këto fatkeqësi apo epidemi, ndërsa ka ardhur koha që ato vijnë aq dendur, sikur janë çelur portat e fatkeqësive. Unë gjithashtu gjatë këtyre viteve, kam thënë në mënyrë të përsëritur se pas ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s. dhe pas deklaratave të tij, në të cilat ai e paralajmëroi botën për fatkeqësitë dhe ndodhitë e tjera natyrore, me të vërtetë është përshkallëzuar ndjeshëm numri i stuhive, tërmeteve dhe epidemive në botë. Të gjitha këto sëmundje dhe fatkeqësi po shfaqen për të alarmuar njeriun që t’i kushtohet Zotit dhe t’u shërbejë njerëzve të tjerë. Andaj, në këtë kohë duhet t’i përkulemi Zotit më shumë se kurrë, po ashtu të paralajmërojmë të tjerët. Disa sëmundje, pandemi apo fatkeqësi janë të tilla, që prekin çdokënd.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. ka thënë që ndonëse disa nga këto fatkeqësi nuk kanë asnjë lidhje me ne, por derisa jetojmë në këtë botë, ne gjithashtu i pasojmë ato dhe duhet të marrim hisenë tonë në shumë çështje, p.sh. në epidemi apo thatësirë. Këto na prekin edhe ne njësoj. Me të vërtetë, bashkësitë fetare nuk kanë ndonjë imunitet të veçantë kundër tyre, përderisa kjo nuk i shkon përshtat vullnetit të Zotit. Megjithatë, besimtari kalon të gjitha sprovat si një rob mirënjohës, i cili nuk i largohet pragut të Zotit. Andaj, ne si muslimanë ahmedianë gjithashtu duhet t’i përulemi Allahut të Madhërishëm më shumë se kurrë. Disa njerëz bëjnë komente gjoja kjo pandemi është një shenjë prej Zotit, prandaj nuk na duhen masat mbrojtëse e ilaçet dhe nganjëherë komentet e tilla janë ofenduese për të tjerët.

Ne nuk dimë se a është kjo ndonjë shenjë e veçantë apo jo. Megjithatë, mund të shprehemi në linja të përgjithshme për këtë pandemi, njësoj siç kam thënë para disa hytbeve qysh në fillim të shpërthimit se fatkeqësitë tokësore e qiellore janë shtuar ndjeshëm pas ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s.. Ndonëse mund të bëhet një përqasje në mënyrë të përgjithshme, do të jetë e gabuar nëse të krahasohet kjo pandemi me murtajën që ishte shpërthyer në kohën e Mesihut të Premtuar a.s., aq më tepër të konsiderohen ahmedianët që janë prekur nga virusi apo kanë ndërruar jetë prej tij, meazallah si të dobët në besim. Asnjëri nuk ka të drejtë të shprehet në këtë mënyrë.

Murtaja që u shpërthye në kohën e Mesihut të Premtuar a.s. mban tjetër rëndësi, sepse ajo u shfaq si një shenjë për vërtetësinë e tij, edhe pse i Dërguar i Allahut s.a.v.s. e ka quajtur martir, atë njeri që vdes nga murtaja. Ajo murtajë ishte shenjë sepse Allahu i Madhërishëm e kishte njoftuar Mesihun e Premtuar a.s. për shpërthimin e saj. Mesihu i Premtuar a.s. jo vetëm që botoi këtë paralajmërim, por ai gjithashtu u kishte dhënë anëtarëve të xhematit të tij udhëzime të posaçme. Njëherë Mesihu i Premtuar a.s. i kishte thënë Mufti sahibit që ta botonte njoftimin në gazetë se ai po lutej shumë për xhematin e tij që Allahu ta mbrojë atë. Megjithatë, Kurani Famëlartë na tregon se kur zbret ndëshkimi i Zotit, bashkë me keqbërësit, preken dhe robërit mirëbërës, të cilët do të japin llogari sipas veprave të tyre. Ai ka theksuar se ky është ligji i Zotit, i cili prek çdokënd. Kataklizmi i madh në kohën e Nuhut a.s. përmbyti çdokënd dhe shumë njerëz, burra, gra e fëmijë nuk kishin dëgjuar asgjë për Nuhun a.s. e as për shpalljet e tij, por u përfshijnë nga uji.

Sahabët morën pjesë në betejë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe fitoret në xhihad, ishin prova për vërtetësinë e Islamit. Pas tij, luftërat u zhvilluan edhe në kohën e kalifëve të drejtë, dhe përveç disa humbjeve, ata gjithashtu në përgjithësi shënuan fitore të mëdha. Të gjitha këto janë shenja për vërtetësinë e Islamit. Por, përpos mosbesimtarëve edhe ushtarët muslimanë ranë në këto luftëra. Ndonëse këto fitore ishin shenja të qarta për vërtetësinë e Islamit, por përveç mosbesimtarëve, muslimanët gjithashtu pësuan humbje njerëzore në radhën e tyre, të cilët fituan gradën e dëshmorëve. Në të njëjtën mënyrë, murtaja është një shenjë për vërtetësinë tonë dhe ka të ngjarë që disa prej xhematit tonë të bien dëshmorë nga kjo sëmundje.

Së pari, besoni sinqerisht në Allahun e Madhërishëm dhe lutjuni në pragun e Tij me zemër të ngashëryer. Mos e lini asnjë ditë pa iu lutur Zotit me lutje përgjëruese. Pas tyre, nuk duhet t’i shmangni as mjetet materiale, pra t’i merrni masat mbrojtëse. Shprehni dashamirësi dhe tregoni dhembshuri të plotë ndaj personit i cili sipas vullnetit të Zotit preket nga murtaja po ashtu ndaj të afërmve të tij. Jepuni atyre çdo ndihmë e bëni çdo përpjekje dhe mos kurseni asgjë në kujdesin mjekësor. Por, dhembshuria nuk do të thotë të bini në kontakt me frymën e tij helmuese apo me rrobat e tij. Tregoni dhembshuri por duke respektuar të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse.

Nga këto porosi duhet të marrim mesazhin që personat të cilët ofrojnë ndihmë, duhet t’u përgjigjen masave të nevojshme. Duhet të kemi parasysh p.sh. mbajtjen e maskave mbrojtëse, siç po theksohet këto ditë, po ashtu masa të tjera mbrojtëse. Duhet t’u shmangemi vizitave të panevojshme në shtëpitë e të tjerëve, pasi shteti e ka ndaluar atë. Këtu në Angli, pavarësisht rregullave të vendosura nga shteti për të kufizuar lëvizjen, qytetarët vijojnë të dalin nëpër parqe, duke krijuar kontakte me të tjerët. Shteti ka lejuar vetëm shëtitje në natyrë, e jo të organizohet pikniku e të drekohet në natyrë me të tjerët. Kjo është një qasje e gabuar, për të cilën shteti vazhdimisht ka tërhequr vërejtje. Nëse shteti ju ka lënë liri për të shëtitur apo për të bërë ushtrime fizike në natyrë, atëherë dilni me këmbë ose me biçikleta e jo të dilni me vetura, me të tjerët. Disa njësi bashkiake kanë njoftuar për mbylljen e hapësirave të parkingut, me qëllim që të shmanget qarkullimi i veturave. Ahmedianët gjithashtu duhet t’u shmangen veprimeve të tilla.

Ata që ofrojnë ndihma këto ditë, siç po bëjnë një numër i madh vullnetarësh të Khuddamul Ahmedia, gjithashtu duhet të kryejnë detyrat e tyre duke zbatuar të gjitha masat mbrojtëse dhe duke bërë lutje. Ata duhet t’i shmangen çdolloj pakujdesie dhe nuk duhet të çojnë veten në situata të rrezikshme. Kjo nuk është aspak trimëri, por është injorancë, andaj veproni me shumë kujdes.

Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë që nëse fatkeqësisht ndonjë person vdes nga kjo sëmundje, ai vdes si dëshmor. Atij nuk i nevojitet as larja (gusli) e as të mbështillet me qefin, por rasti i tij trajtohet si i një dëshmori.

Ai kishte thënë këto fjalë, në lidhje me murtajën, e cila ishte shpërthyer në kohën e tij. Ndërsa në këtë kohë në Angli, shteti ka lënë disa lëshime, sipas të cilave i vdekuri mund të lahet si dhe mund të mbështillet në qefin. Ai gjithashtu ka porositur duke thënë: “Kushtojini shumë vëmendje pastërtisë në shtëpitë tuaja, si ashtu rrobat i mbani të pastra. Kontrolloni rregullisht kanalizimet e ujërave të zeza. Këtu, i gjithë sistemi i kanalizimit të ujërave të zeza është shtrirë nëntokë, por në vende të pazhvilluara, ku në përgjithësi kanalizimet e hapura përbëjnë një problem serioz, ka nevojë për pastrimin e tyre në mënyrë sistematike.

Mesihu i Premtuar a.s. na kërkon vëmendje në mënyrë të veçantë duke thënë: “Më e rëndësishmja është të pastroni zemrat tuaja e të pajtoheni plotësisht me Zotin e Madhërishëm”. Në këtë situatë, në të cilën gjendemi ne tani, si pasojë e kësaj pandemie, duhet t’u kushtojmë vëmendje këtyre çështjeve. Duhet të kemi parasysh që rruga e lutjes është gjithmonë e hapur. Ne duhet të përulemi në pragun e Allahut me bindjen se Ai na ka çelur këtë rrugë, dhe gjithmonë u përgjigjet lutjeve. Nëse robi i përkulet me dëlirësinë dhe çiltërsinë shpirtërore, Zoti me siguri i pranon lutjet, në mënyrat që i di më së miri. Në përgjithësi duhet të lutemi për të dashurit tanë, për të afërmit tanë, për xhematin si dhe për mbarë njerëzimin në përgjithësi.

Në këtë botë, ka shumë njerëz, përfshirë dhe ahmedianët, të cilëve u mungojnë ilaçet dhe mjetet e duhura mbrojtëse dhe nuk kanë ushqime të mjaftueshme. Duhet të lutemi që mëshira e Allahut të përfshijë ata dhe ne nën mbrojtjen e saj. Ne mundohemi, nëpërmjet strukturave të xhematit për të furnizuar çdo ahmedian me ushqim etj., por mundet që pavarësisht këtyre përpjekjeve, nuk u janë plotësuar nevojat. Ne jemi përpjekur që këto ndihma si ushqime apo ilaçe etj. t’u sjellim jo vetëm anëtarëve të xhematit, por edhe njerëzve jashtë xhematit, dhe u shërbejmë njerëzve me frymë dhembshurie, pa pasur asnjë lloj interes material. Megjithatë, burimet e disa kompanive mediatike të papërgjegjshme dhe të ashtuquajturit dijetarë akuzojnë që ahmedianët kanë ndërmarrë aksionet humanitare si furnizim me ilaçe apo me ushqime, vetëm për të predikuar ideologjinë e tyre. Kësisoj akuzash nuk na ndikojnë aspak, derisa Allahu i Madhërishëm di më së miri qëllimet dhe nijetet tona. Prandaj, dua të them sërish që këto ditë duhet t’u kushtohemi lutjeve, lutjeve dhe shumë lutjeve. Allahu e ruajttë xhematin në çdo aspekt dhe e mbrojttë atë si në nivel individual po ashtu në tërësi! Allahu më mundësoftë mua dhe juve të bëjmë sa më shumë lutje, dhe përfitojmë nga pranimi i tyre!

Disa porosi për sipërmarrësit ahmedianë

Dua t’u drejtohem atyre ahmedianëve, të cilët merren me ndonjë tregti që gjatë këtyre ditëve të pandemisë, ata nuk duhet të nxjerrin fitime të padrejta mbi produktet e tyre, madje në vend të fitimeve të pandershme, u duhet të shesin produktet ushqimore si dhe artikujt themelorë jetësorë me fitimin minimal. Këto janë ditë për t’iu shërbyer njerëzimit. Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu na ka porositur: “Ngjallni frymën e dhembshurisë”. Këto ditë janë për të përmbushur të drejtat e njerëzve dhe për të fituar afërsinë e Zotit përmes tyre. Allahu i mundësoftë të gjithë tregtarët që t’u shmangen fitimeve abuzive e të punojnë me ndjenjën e dashurisë në këtë kohë krize!

Disa kujtime nga jeta e të ndjerit Nasir Ahmed Sa’idi

Tani do të flas rreth një punonjësi të përkushtuar e një shërbëtori besnik të xhematit, të nderuar Nasir Ahmed Sa’id, i cili ka ndërruar jetë më 5 prill 2020. Ina lil-lahi va ina ilejhi raxhiun (Ne jemi të Allahut, dhe tek Ai do të kthehemi).

Nasir Ahmed Sa’idi sahibi ka lindur në një fshat të Daskas, Silakot të Pakistanit në 1951. Babai i tij quhej Taxhdin. Kishte kryer vetëm shkollën tetëvjeçare dhe në 1973 u caktua si punonjës në sektorin e sigurisë speciale pranë drejtorisë Umuri Ama (të çështjeve të përgjithshme). Më duket se Hazret Kalifi i Katërt r.a. kishte bërë hixhret nga Pakistani në prill 1983, dhe dy vjet pas largimit të Kalifit në Londër, Nasir Sa’id sahibi iu bashkua në 1985 për t’i shërbyer si truprojë. Sipas rregullave të punës, ai kishte dalë në pension në tetor 2010, por ai vijoi detyrat e tij njësoj, dhe kështu qysh prej Kalifit III r.a. deri në periudhën time, ai vijoi këtë detyrë si truprojë.

I ndjeri Nasir Sa’id ishte njeri me veti të shumta. Ai kryente detyrën e tij me përkushtim e në mënyrë të shkëlqyer. Ai ushqehej me një dashuri të sinqertë ndaj Kalifatit. I ndjeri ka lënë pas bashkëshorten e tij znj. Kulthum Begum, djalin Khalid Sa’id dhe nipat e mbesat prej djalit. Djali i tij Khalid Sa’id gjithashtu po shërben në stafin e sigurisë. Allahu e bëftë atë besnik si babai i tij dhe e mundësoftë të ndjekë rrugën e të ndjerit! Allahu i dhëntë durim dhe kurajë bashkëshortes së të ndjerit!

Mahmud sahibi është djali i dajës së të ndjerit Nasir Sa’id dhe është moshatar me të dhe ka shërbyer në ushtrinë pakistaneze. Ai shkruan nga Rabvah se prindërit e Nasir Sa’id sahibit i kishin thënë që të bëhej ushtar ose të fillonte një punë, por ai u përgjigj se nëse do të punonte diku, do të punonte për xhematin, për ndryshe do të merrej me bujqësi.

Kështu pas disa vjetësh, ai nisi shërbimin në xhemat. Pothuaj të njëjtat përshtypjet kanë shkruar të afërmit e tij se i ndjeri sillej me ta me shumë dashuri dhe i ndihmonte fshehurazi disa prej të afërmve të tij në nevojë.

I nderuar Shukur sahibi është punonjës në stafin e sigurisë speciale në Rabvah. Ai shkruan se ka shërbyer si truprojë bashkë me Nasir Sa’id sahib në Londër prej 1990 deri në 1998. Gjatë kësaj periudhe, ai e ka gjetur të ndjerin si një shërbëtor besnik të kalifatit. Ai vepronte me shumë korrektësi në detyrën e tij dhe gjithmonë vinte para orarit. Nëse i besohej ndonjë çështje sekrete, ai nuk ia zbulonte askujt, dhe këtë porosi ua jepte dhe kolegëve të tij.

Major Mahmud sahibi është përgjegjës i sigurisë speciale. Ai shkruan se i nderuar Nasir Sa’idi ishte një shërbëtor jashtëzakonisht i përkushtuar dhe i gjithë boshti i qenies së tij ishte vetëm e vetëm Kalifati ahmedia. Ai ishte i lirë nga kënaqësitë e kësaj bote. Qëllimi i tij kryesor ishte vetëm shërbimi dhe nuk mendonte asgjë përtej shërbimit. Dëshira e tij ishte të jepte frymën e fundit në pragun e kalifatit, qëllim ky që e arriti të realizonte. Ai shquhej për mikpritje dhe sillej me çdokënd me respekt e dinjitet. U kushtonte një respekt të veçantë eprorëve dhe kurrë nuk ankohej për diçka, madje çdo porosi e konsideronte një detyrë, që duhej përmbushur në çdo mënyrë. I ndjeri qe një shembull i rrallë i dedikimit të jetës. Me të vërtetë, ai ka shërbyer në mënyrë vetëmohuese.

Harun sahibi është student në Xhamia Ahmedia të Gjermanisë. Ai shkruan se disa herë kam parë duke luajtur rolin e pajtuesit për mosmarrëveshjet midis palëve. Njëherë Harun sahibi e pyeti se a shkonte diku ai për të kaluar pushimet, ai u përgjigj se të jesh gjithmonë i pranishëm në shërbimin e kalifit dhe të realizosh detyrën tënde, nuk është më pak se pushimet për dikë që ka dedikuar jetë. Madje, një njeri i tillë nuk duhet të ketë qëllime të tjera.

Mjaft njerëz më kanë shkruar për virtytet e tij të larta si mikpritje, mirësjellje, dashuri dhe dhembshuri. Ndonëse, nuk kishte ndonjë detyrë të lartë në xhemat dhe i përgjigjej një detyre të thjeshtë, megjithatë gëzonte një dashuri dhe respekt nga të gjithë.

Nasir Baxhva sahibi nga Gjermania ka shkruar që i ndjeri kishte veti të larta njerëzore. Ai gjithnjë mendonte pozitivisht dhe kënaqej duke ndihmuar të tjerët.

Sjed Uvejs sahibi nga ShBA-ja ka shkruar se sa herë që vinte i ndjeri në Amerikë gjatë turneve, takohej plot gëzim e gjallëri. Me të rinjtë bisedonte me butësi dhe i këshillonte me urtësi dhe mundohej t’i inkurajonte ata.

Feroz Alem sahibi gjithashtu ka përshkruar vetitë e të ndjerit dhe veçanërisht ka dalluar përulësinë, thjeshtësinë dhe mikpritjen që spikateshin në karakterin e tij. Duke folur për përkushtimin ndaj Zotit, ai tregon se si i ndjeri i lutej Zotit me mallëngjim në namazin e tehexhudit, gjatë periudhës kur ishte i sëmurë kalifi i katërt r.a..

Ish-kryetar i Khuddamul Ahmedia të Gjermanisë, Hasanat sahibi ka shkruar se ai gjithmonë habitej nga niveli i përkushtimit të tij në përmbushjen e detyrës si dhe në besnikërinë ndaj kalifatit. Nëse në një anë ai shquhej për një modesti të skajshme, në anën tjetër spikatej për njohurinë e tij të thellë. Ai tregon se si kryetar i Khudamul Ahmedia ka mësuar mjaft prej tij lidhur me shërbimin e sigurisë. I ndjeri nuk ankohej kurrë për moshën apo shëndetin, dhe gjatë shërbimit dukej i shkathët dhe i zhdërvjellët si të tjerët. Nuk i pëlqente të trajtohej ndryshe nga të tjerët, për shkak të moshës, dhe kërkonte trajtim të njëjtë. Me të vegjlit, sillej me aq shumë dashuri e respekt, saqë bëheshim me turp nga mirësjellja e tij. Ai gjithmonë inkurajonte vullnetarët tanë. Nëse të tjerët bënin trajnim përmes leksioneve apo kampit të posaçëm, ai na mësonte përmes mendjemprehtësisë, përkushtimit dhe lutjeve. Sa herë që takoheshim, ai gjithnjë më shprehej të lutesha për përfundimin e tij të mirë.

Khalid sahibi nga Redaksia Ruse ka shkruar që i ndjeri jo vetëm që ndihmonte heshtas njerëzit në nevojë, por i nxiste anëtarët e kamur të xhematit për të mbështetur vëllezërit dhe motrat në kushte të vështira.

Ai gjithashtu shquhej për mikpritjen e tij shembullore, veti kjo që shfaqej dukshëm gjatë ditëve të Xhelsa Salanës. Ai priste mysafirët e xhelsës me një respekt të thellë dhe i ftonte ata në shtëpi për gosti. Pa marrë parasysh, a vinin nga qendra apo nga vende të tjera, ai i grishte mysafirët përditë në shtëpi, në mëngjes e në darkë dhe zhvillonte biseda të këndshme dhe u bënte të gjitha hyzmetet. Në fund, i jepte çdo mysafiri si dhuratë nga një sexhade që shtrohej në xhami.

Et’her Zubejr sahibi ka shkruar nga Gjermania se i ndjeri kishte një lidhje të sinqertë e besnike ndaj kalifatit, dhe në të folur kishte një ëmbëlsi e butësi. Ai tregon se shpesh e kishte parë të ndjerin, që nëse kolegu tjetër po vonohej në marrjen e ndërresës, ai në vend që të ankohej, falënderonte Zotin se ka gjetur më shumë kohë për t’i shërbyer Kalifit. Edhe nëse ishte i paqejf, nuk donte të largohej nga turni para kohe. Kam dëgjuar se në sëmundjen e tij të fundit, i ndjeri e kishte pyetur djalin për kohën. Kur i treguan kohën, ai shprehu keqardhje se i kishte ikur orari i shërbimit. Pra, edhe në gjendjen e rëndë shëndetësore, ai brengosej për detyrën.

Hamza Rashid sahibi ka shkruar nga Anglia se i ndjeri ishte njeri i dashur, i dhembshur dhe inkurajues. Ai qe një shëmbëlltyrë e përkryer për khudam. I përgjigjej detyrës me profesionalizëm, efikasitet dhe diligjencë. Ushqehej me një dashuri të papërshkrueshme ndaj Kalifatit, dhe inkurajonte të rinjtë për të kryer detyrën duke pasur të njëjtën dashuri.

Sjed Nur Taha sahib shërben si misionar në Indonezi. Ai shkruan se sa herë takoheshim, i ndjeri kujtonte me mall kohën kur në vitin 2000, ai kishte shoqëruar Hazret Kalifin IV r.a. në turneun e Indonezisë. Njëherë gjatë këtij turneu, ai ishte në një xhami, ku nuk kishim lavatriçe. Ne u thamë që të na jepte rrobat, që t’i lanim nga jashtë. Por, ai dhe kolegët e tij refuzuan kategorikisht dhe thanë që ata i lanin vetë. Ata gjithashtu thanë që janë shërbëtorë të thjeshtë dhe nuk gëzojnë ndonjë pozitë të lartë që të tjerët t’i lajnë rrobat e tyre. Ne u përpoqëm mjaft, por ata nuk na dhanë rrobat e tyre. Ndonëse këto janë ngjarje të papërfillshme, por tregojnë karakterin parimor të dedikimit të jetës në rrugën e Zotit. Të rinjtë gjithashtu mund të nxjerrin mësim nga shembulli i tij.

Adnan Zafar sahibi është Muhtemim Mukami (kryetar lokal i Khudamul Ahmedia të Anglisë). Ai shkruan se i ndjeri vazhdimisht na tërhiqte vëmendje ndaj mënyrës së shërbimit, duke përmendur edhe artikujt ushqimor që duhet t’u jepnin vullnetarëve. Ai më mësoi etikën e kalifatit dhe disa rregulla për të forcuar lidhjen me kalifatin. I ndjeri ishte njeri largpamës dhe sa herë i kam kërkuar ndonjë këshillë, nuk kam mbetur pishman.

Et’her sahibi është pjesëtar i grupit të sigurisë. Ai shkruan se po shërben me këtë detyrë prej 9 vjetësh, pra nga 2011 e deri më sot. Unë e pyeta të ndjerin Nasir Sa’id sahib “Ju keni shërbyer për 48 vjet, si truprojë duke filluar nga koha e Kalifit të Tretë e gjer më sot. Më jepni ndonjë këshillë, që ta bëj më mirë detyrën time”. Ai më tha: “Këtu mbani sytë dhe veshët të hapur, ndërsa gojën mbajeni të mbyllur. Po ashtu, veproni gjithmonë me lutje”. Kjo këshillë, i vlen çdo njeriu i cili ka dedikuar jetë në rrugë të Allahut. Zbatimi i kësaj porosie është një obligim për çdo punonjës dhe shërbëtor të xhematit. Më tej ai shkruan: Njerëzit e quanin Lalaxhi. Duke shërbyer me të, kam mësuar se çdo urdhër që vjen nga lart, duhet zbatuar ashtu siç është. Ai jo vetëm që e zbatonte urdhrin vetë, por i nxiste të tjerët të zbatojnë urdhrin njësoj, pa i shtuar apo i hequr diçka, apo duke e interpretuar sipas mendjes së vet. Ai gjithmonë vepronte aq sa i thuhej. Nëse i thoshim se filan përgjegjës vepron në këtë mënyrë, ai përgjigjej kështu “Unë nuk di se si vepron filani. Unë do të veproj ashtu siç jam urdhëruar”. I ndjeri shpesh më kërkonte të lutesha për të që të mbetet mirë i shëndoshë deri në fund të jetës, dhe të largohet nga kjo botë duke ecur, e jo t’i bjerë në qafë dikujt.

Allahu e faltë të ndjerin dhe ia lartësoftë gradat shpirtërore. Allahu i dhëntë jetë plot shëndet bashkëshortes së tij dhe i dhuroftë durim e kurajë! Allahu e mundësoftë edhe djalin e tij t’i qëndrojë besnik kalifatit dhe kjo lidhje besnike të vazhdojë edhe në brezat e ardhshëm!.

Unë e njoh atë, qëkur ai kishte ardhur në Rabvah, për t’i shërbyer xhematit. Fjalët që kanë shkruar njerëzit për të, janë plotësisht të vërteta. Ai shërbente me një përulësi dhe vetëmohim të skajshëm dhe ishte besnik i sinqertë. Vdekja e tij ka rastisur në një kohë, kur shumë pak njerëz mund të marrin pjesë në xhenazen e tij. Ai vuante nga zemra dhe para pak kohësh i ishte nënshtruar angioplastisë. Para pak ditësh, për shkak të gjendjes shëndetësore ai u shtrua sërish në spital. Mjekët njoftuan se ai kishte pësuar një sulm të fort kardiak. Më vonë doktorët konfirmuan se ai ishte infektuar edhe nga Koronavirusi. Allahu e di më së miri, a ishte infektuar përpara apo e kishte marrë virusin gjatë kohës që ishte në spital. Sidoqoftë, pasi që ishte shtruar në spital për disa ditë, ai ndërroi jetë.

Për shkak të masave kufizuese, trupi i të ndjerit nuk mund të sillej këtu (në xhami) dhe përveç disa anëtarëve të ngushtë të familjes, të tjerët nuk mund të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. Përveç kësaj, sipas rregullave, namazi i xhenazes mund të zhvillohet vetëm në varrezë. Në këto kushte, Insha-Allah unë do të udhëheq namazin e tij të xhenazes në mungesë, më vonë.

Shumë njerëz më kanë shkruar duke shprehur ngushëllime për të ndjerin dhe duke përshkruar vetitë e tij të larta. I ndjeri është ndarë nga jeta, duke e përmbushur betimin e tij deri në çastin e fundit. Çdo premtim që i dha Zotit, ka përmbushur në këtë jetë. Në këtë mënyrë, ai konsiderohet prej atyre robërve, për të cilët Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë që janë dëshmorë. Allahu e bashkoftë atë me grupin e dëshmorëve! Allahu i mëshiroftë dhe i faltë ata ahmedianë, që kanë ndërruar jetë nga kjo sëmundje! Allahu e di më së miri çështjen e çdo njeriu, por ne lutemi vetëm këtë se secili prej nesh të tërheqë mëshirën dhe faljen e Allahut. Amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp