Hazret Talha r.a. dhe Beteja e Devesë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Hazret Talha r.a. dhe Beteja e Devesë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të teshehudit, te’avvudhit dhe sures El-Fitha, Huzur tha:

Këto ditë për shkak të situatës dhe për shkak të rregullave që caktoi qeveria këtu, nuk mund të mbaj hutben duke pasur përpara meje të gjithë njerëzit, pra pjesëmarrësit që vinin. Prandaj, duke qëndruar brenda ligjit, shfrytëzojmë masën që ka lejuar shteti, dhe po mbajmë këtu sot xhumanë. Është e nevojshme që unë të mbaj hutben po nga xhamia. Pavarësisht se këtu a kam apo nuk kam njerëz që më ndjekin hutben, por përpara ekranit ka qindra mijëra anëtarë të Xhematit anembanë botës, të cilët po më ndjekin. Duhet të përpiqemi për ta ruajtur këtë unitet të Xhematit dhe gjithashtu edhe të lutemi për të. Allahu përmirësoftë situatën, e largoftë pandeminë dhe bëftë t’i kthehet sërish gjallëria kësaj xhamie.

Tani, do të vij te tema kryesore e hutbes. Para dy xhumave kam folur rreth sahabit të Profetit Hazret Talha bin Ubejdullah dhe po vijonte tema. Ju kisha thënë se do të flas në hutben tjetër rreth martirizimit të tij që ndodhi në Betejën e Devesë. Ndaj, sot do të flas për këtë temë. Do të trajtoj deri diku edhe disa pyetje që ngrihen rreth Betejës së Devesë.

Hazret Omeri r.a., përpara se të ndërronte jetë, hartoi një këshill. Sahihu i Buhariut sjell një rrëfim që tregon detajet e këtij këshilli. Shkruhet:

Kur iu afrua koha e vdekjes Hazret Omerit, njerëzit i thanë:

O Emiri i besimtarëve! Bëni testamentin. Caktoni Kalif dikë.

Unë nuk gjej dikë të denjë për Kalifat, përveç atyre njerëzve të pakët, para të cilëve ndërroi jetë Profeti Muhammed s.a.v.s., ndërkohë që ai ishte i kënaqur me ta. Më pas, Hazret Omeri caktoi disa sahabë që janë: Hazret Aliu, Hazret Osmani, Hazret Zubejri, Hazret Talha, Hazret Sa’di dhe Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi. Dhe gjithashtu tha:

“Edhe ‘Abdullah bin Omeri do të jetë me ju, por ai nuk do të ketë të drejtën e Kalifatit.”

Në njëfarë mënyre, Hazret Omeri këtë e tha për ta qetësuar ‘Abdullahun.

Hazret Omeri vijoi: Nëse Kalifatin e gjen Sa’di, ai do të jetë Kalif, përndryshe, kushdo që do të jetë prijës mes jush, t’i kërkojë ndihmë Sa’dit. Unë e kam shkarkuar Sa’din, jo sepse ishte i paaftë, as sepse ishte i pabesueshëm.

Amaneti i Hazret Omerit për Kalifin pasardhës

Hazret Omeri r.a. shtoi:

I lë porosinë pasardhësit tim që do të jetë Kalif, që ai të kujdeset për muhaxhirët, t’u japë atyre të drejtat dhe nderimin që u takon.

I lë porosinë që të sillet mirë edhe me ensarët, sepse ata i parakaluan muhaxhirët për të sjellë besimin në shtëpitë e tyre. Kushdo që është punëmirë prej tyre, duhet të respektohet.

I lë porosinë Kalifit të ardhshëm të ketë mirësjellje edhe ndaj të gjithë qytetarëve të tjerë, pasi ata janë mbështetje e Islamit, burim të ardhurash, shkak i inatit të armikut. Atyre t’u merrni vetëm tepricën me pëlqimin e tyre.

Gjithashtu, i lë porosinë që ai të ketë mirësjellje edhe ndaj beduinëve arabë, pasi ata janë rrënja e arabëve, materia e Islamit, që t’ua marrë tepricën që nuk u nevojitet dhe më pas atë t’ua kthejë përsëri nevojtarëve të tyre.

Unë ia dorëzojë Kalifin e ardhshëm Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Atyre që u janë bërë premtime, t’ua plotësohen dhe ata të mbrohen dhe atyre t’u merret vetëm aq sa kanë kapacitet.

Varrimi i Hazret Omerit r.a.

Rrëfimtari thotë:

Kur Hazret Omeri ndërroi jetë, dhe ne tek sa po e mbartim trupin e tij, po ecnim në këmbë, Hazret Abdullah bin Omeri i tha Hazret Ajshes: Es-selamalejkum! Mandej tha: Omer ibn Hatabi ju kërkoj leje për të hyrë. “Po” iu përgjigj ajo. Kështu që, e sollëm Hazret Omerin brenda dhe e vendosëm midis dy shokëve të tij.

Zgjedhja Hazret Osmanit r.a. si Kalif

Kur përfundoi varrimi, mblodhën ata të cilët i kishte caktuar Hazret Omeri.  Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi tha: Çështjen tuaj dorëzouani tre njerëzve midis jush.

Hazret Zubejri tha: Unë po ia dorëzoj të drejtën time ‘Abdurrahman bin ‘Aufit.

Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi u tha Hazret Aliut dhe Hazret Osmanit: Nga ju të dy, ai që tërhiqet, ne ia dorëzojmë të drejtën tonë dhe Allahu dhe Islami do të jenë mbikëqyrës i tij. Ai do të caktojë vetëm atë për të cilin mendon se është më i miri, pra tek Allahu i Madhërishëm.

Kërkesa e ‘Abdurrahman bin ‘Aufit i bëri pafjalë të dy sahabët. Pra, ata nuk dhanë asnjë përgjigje. Më pas Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi u tha: A ma dorëzoni mua ju këtë çështje, ndërkohë që Allahu është Mbikëqyrësi im, dhe unë të zgjedh më të mirin prej ju të dyve, duke mos lënë asnjë mangësi në këtë zgjedhje?

“Po” i thanë ata të dy.

Më pas ‘Abdurrahman bin ‘Aufi mori përdore njërin prej të dyve dhe u manjanua me të për të biseduar vetëm për vetëm dhe i tha: Keni lidhje farefisnore me Profetin Muhammed s.a.v.s. dhe keni një pozitë edhe në Islam, gjë që e dini edhe ju. Allahu është Mbikëqyrësi juaj. Më jepni përgjigje nëse unë ju caktoj ju si Prijës, a do të bëni drejtësi me çdo kusht? Dhe nëse e bëj Osmanin Prijës, a do t’i bindeni atij dhe a do të zbatoni urdhrat e tij?

Pastaj, Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi mori tjetrin dhe e pyeti të njëjtën gjë në të njëjtën mënyrë. Kur mori betim të fortë prej të dyve, i tha Osmanit: Zgjatni dorën! Dhe bëri bejtin (besëlidhjen) në dorën e tij. Atëherë edhe Hazret Aliu bëri bejtin e tij. Anëtarët e shtëpisë erdhën dhe edhe ata bënë bejtin e tij.

(Sahih Buhari, Kitab Fadail es-habun-Nebi s.a.v.s., bab kis-setul be’ah, nr. Hadithit 3700)

Rrëfim i mësipërm përmendet në Buhari.

Duke u bazuar te burimet e historisë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., përmend ngjarjen e zgjedhjes së Hazret Osmanit si Kalif me këto fjalë:

Kur u plagos Hazret Omeri dhe ai ndjeu që i erdhi koha e fundit, caktoi gjashtë njerëz që ata të zgjedhin Kalif njërin prej tyre. Këta gjashtë persona ishin: Hazret Osmani, Hazret Aliu, Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi, Hazret Sa’d bin Vakasi, Hazret Zubejri dhe Hazret Talha. Gjithashtu, ai përfshiu në këshill edhe Hazret Abdullah bin Omerin (të birin), por e përjashtoi nga e drejta për t’u bërë Kalif. Hazret Omeri gjithashtu i porositi që brenda tri ditësh të marrin vendimin. Suhejbin e caktoi imamin për të drejtuar namazet gjatë kësaj periudhe tri-ditore. Mbikëqyrës të këshillit e caktoi Mikdad bin Esvedin dhe e porositi që ai të detyronte të gjithë të mblidheshin për vendimmarrje dhe vetë të merrte shpatën e të rinte rojë te dera. Dhe tha: Ai që zgjidhet me shumicë, të gjithë të bëjnë bejtin e tij. Nëse ndokush kundërshton, të vritej. Por nëse ndahen në dy palë me tre anëtarë secila, atëherë do të jetë Kalif ai, të cilin e cakton Abdullah bin Omeri prej tyre. Nëse nuk pajtohen me vendimin e tij, të bëhet Kalif ai që mbështetet nga ‘Abdurrahman bin ‘Aufi.

Të pesë sahabët u këshilluan, sepse Talha nuk gjendej në Medinë. Diskutimi u zgjat por pa rezultat. Më në fund, Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi tha:

Kush dëshiron të tërhiqet?

Kur nuk foli askush, ai vetë tha: Së pari unë po tërhiqem (nga e drejta për t’u bërë Kalif). Më pas, Hazret Osmani tha të njëjtën gjë. Atë e ndoqën edhe dy të tjerë dhe mbeti vetëm Hazret Aliu. Ai i mori premtim Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufit që nuk do të lërë mangët asgjë në vendimmarrje. ‘Abdurrahman bin ‘Aufi bëri betimin. Kështu e gjithë çështja iu dorëzua ‘Abdurrahman bin ‘Aufit. Për tri ditë ai shkoi derë më derë në Medinë, pyeti burrat dhe gratë se cilin prej këtyre ata mendonin të denjë për të qenë Kalif. Ata zgjodhën Hazret Osmanin dhe ai u bë Kalif.

Në librin Fet’hul Bari Sherh Buhari shkruhet:

Hazret Talha nuk ishte i pranishëm në kohën kur Hazret Omeri la testamentin. Mundet që ai të ketë mbërritur deri në kohën kur Hazret Omeri kishte ndërruar jetë. Thuhet gjithashtu se ai mbërriti vetëm pasi kishin përfunduar diskutimet. Dhe sipas një rrëfimi tjetër, që mendohet se është më i sakti, ai erdhi pas bejtit të Hazret Osmanit. Sidoqoftë, Hazret Osmani u zgjodh Kalif dhe sistemi filloi të normalizohej.

Zgjedhja Hazret Aliut r.a. si Kalif

Kur Hazret Osmani ra dëshmor, të gjithë njerëzit u nxituan drejt Hazret Aliut. Ndër ta ishin edhe sahabë, edhe tabeinë. Të gjithë njëzëri pohonin se Aliu është Emir i besimtarëve. Më në fund, ata mbërritën deri te shtëpia e tij dhe i thanë se donin të bënin bejtin e tij. Zgjatni dorën, o Ali, sepse jeni më i denjë për këtë detyrë, thoshin ata.

Hazret Aliu iu përgjigj: Kjo nuk është puna juaj, por e sahabëve të betejës së Bedrit. Për atë që sahabët e Bedrit bien dakort, ai do të jetë Kalif. Atëherë, sahabët e Bedrit erdhën te Hazret Aliu dhe i kërkuan të njëjtën gjë duke thënë: Sipas nesh nuk ka asnjëri përveç juve, i denjë për këtë detyrë. Zgjatni dorën dhe pranoni bejtin tonë!

Ku janë Talha dhe Zubejri?, i pyeti Hazret Aliu.

(Bejtin e parë me gojë ndaj Hazret Aliut e bëri Hazret Talha, kurse dorazi e bëri Hazret Sa’di.)

Duke parë situatën, Hazret Aliu hyri në xhami dhe u ngjit në minber. I pari që iu afrua po në minber dhe bëri bejt ishte Hazret Talha. Atë e pasuan Hazret Zubejri dhe të gjithë sahabët e tjerë.

Hazret Talha, Hazret Zubejri dhe Hazret Ajshja a bënë bejtin e Hazret Aliut?

Hazret Talha, Hazret Zubejri dhe Hazret Ajshja a bënë bejtin e Hazret Aliut apo jo, në lidhje me këtë Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., në një fjalim të tij duke iu përgjigjur disa akuzave të Khvaxha Kemaluddinit, thotë:

(Këtë po jua tregoj, pasi është shumë e nevojshme)

Mos gjeni justifikim duke thënë se edhe Talha, Zubejri dhe Hazret Ajshja nuk e kishin bërë bejtin. Ata nuk e refuzonin Kalifatin, por ngrinin çështjen e ndëshkimit të vrasësve të Hazret Osmanit. Pas kësaj, ju them se ai që ju tha se ata nuk e kishin bërë bejtin e Hazret Aliut, ju ka thënë gabim. Hazret Ajshja pranoi fajin e vet dhe u largua drejt Medinës. Kurse Talha dhe Zubejri nuk vdiqën pa e bërë bejtin. Kështu që, do t’ju sjell disa referenca në vijim:

Në librin “Khasaisul-Kubra”, në vëllimin e dytë shkruhet:

(Po e lë arabisht dhe ju lexoj vetëm përkthimin)

Hakimit i rrëfeu Thur bin Mexhra duke thënë: – Ditën kur ndodhi Vakia e Devesë, kalova pranë Talhasë. Ai ishte afër gjendjes së agonisë. Nga cili grup je? – më pyeti ai. Nga grupi i Aliut, Emiri i besimtarëve, iu përgjigja.

– Zgjatmë dorën, që të bëj bejtin tim në dorën tënde, më tha Talha.

Atëherë, ai bëri bejtin (ndaj Hazret Aliut) në dorën time dhe më pas ndërroi jetë. Kur u ktheva ia tregova gjithë ngjarjen Hazret Aliut.

– Allahu Ekber! Tha Hazret Aliu dhe tha: U vërtetua fjala e të Dërguarit të Allahut. Allahu i Madhërishëm deshi që Talha të mos hyjë në xhenet pa bejtin tim. Ai ishte njëri prej “Ashere mubesh-shere-ve” (Dhjetë të përgëzuarit me Xhenet nga Profeti s.a.v.s.)

Njëherë Ajshes dikush i përmendi Vakinë e Devesë. Ajo pyeti: Njerëzit po pyesin për Ndodhinë e Devesë? Po, i tha njëri. Hazret Ajshja r.a. tha:

Ah, sikur unë të qëndroja në shtëpi atë ditë, si ata që qëndruan nëpër shtëpi! Këtë do ta doja shumë shumë sesa të lindja dhjetë fëmijë prej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe secili prej tyre të ishte ‘Abdurrahman bin Harith bin Hashami.

Argumenti i dytë është që Talha dhe Zubejri janë nga “Ashere mubesh-shere”, pra dhjetë sahabët të përgëzuarit me Xhenet nga Profeti s.a.v.s., dhe nuk vihet asnjë pikë dyshimi që përgëzimi i Profetit s.a.v.s. është tërësisht i vërtetë. Shto edhe faktin se ata u penduan gjatë jetës së tyre nga dalja për përballje.

Ishin këto referenca që Hazret Kalifi i Dytë ia kishte dhënë.

Martirizimi i Hazret Osmanit r.a. dhe Beteja e Devesë

Duke treguar rreth martirizimit të Hazret Osmanit, rreth bejtit të Hazret Aliut dhe rreth Betejës së Devesë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

“Vrasësit e Hazret Osmanit u shpërndanë në shumë drejtime dhe për të shpëtuar veten nga akuza e vrasjes, filluan të akuzonin të tjerët. Kur morën vesh se Hazret Aliu u mori bejt muslimanëve, ata gjetën mundësi optimale për ta akuzuar atë. Madje, ishte edhe i vërtetë fakti që disa prej vrasësve të Hazret Osmanit ishin grumbulluar rreth Hazret Aliut. Për këtë arsye, hipokritët gjetën një mundësi të mirë për të ngritur këtë akuzë.

Po nga ky grup, pra që ishin vrasësit e Hazret Osmanit, disa prej tyre iu bashkuan grupit të Hazret Ajshes, që tashmë ishte nisur drejt Mekës. Ata arritën ta bindnin Hazret Ajshen që ajo të shpallte xhihad për t’u hakmarrë për gjakun e Hazret Osmanit. Ajo e shpalli xhihadin dhe u kërkoi sahabëve për ndihmë.

Këtej Talha dhe Zubejri kishin bërë bejtin e Hazret Aliut me kushtin që ai të hakmerrej sa më parë për vrasjen e Hazret Osmanit. Mënyra siç e kuptonin ata të dy shpejtimin e hakmarrjes, sipas Hazret Aliut ishte kundër urtësisë. Hazret Aliu mendonte që së pari t’i sistemonte të gjitha shtetet dhe pastaj t’i drejtohej edhe hakmarrjes, sepse mbrojtja e Islamit ishte e para dhe se nuk kishte gajle nëse hakmarrja do të vonohej. Përveç kësaj, ende nuk ishte e qartë si cilët ishin vrasësit. Ata që erdhën të parët te Hazret Aliu duke u sjellë si fytyrëprishur dhe i shprehnin rrezikun e rebelimit në Islam, Hazret Aliu natyrisht që nuk mund t’i dyshonte menjëherë se pikërisht këta të ishin ngatërrestarët. Kurse të tjerët i dyshonin. Për shkak të mospajtimeve të tilla, Talha dhe Zubejri menduan se Hazret Aliu po tërhiqej nga zotimi i tij. Pra, ngaqë ata e kishin bërë bejtin me një kusht, të cilin, sipas tyre, Hazret Aliu nuk e plotësoi, ligjërisht e mendonin veten të lirë nga bejti i tyre. Dhe kur u erdhi njoftimi nga Hazret Ajshja, asaj iu bashkuan.

Pastaj, të gjithë këta u nisën drejt Basrasë. Guvernatori i Basrasë i ndaloi të hynin, por kur mësoi se ata e kishin bërë bejtin e kushtëzuar ndaj Hazret Aliut, shumë njerëz i pranuan. Kur Hazret Aliu u njotua për ushtrinë që po përgatitej, edhe ai rregulloi një ushtri dhe u nis drejt Basrasë.

Me të mbërritur në Basra, Hazret Aliu dërgoi një njeri te Hazret Ajshja, Talha dhe Zubejri. Ai së pasi shkoi te Hazret Ajshja dhe e pyeti synimin e saj. Synimi ynë është vetëm përmirësimi, iu përgjigj ajo. Më pas, ai thirri edhe Talhanë dhe Zubejrin dhe i pyeti nëse edhe ata u rreshtuan për të luftuar pikërisht për këtë qëllim. Përgjigjja ishte me pohim. Ai u tha: Nëse synoni përmirësimin, nuk është kjo rruga e duhur që po ndiqni ju, përkundrazi, pasoja do të jetë vetëm sherr. Situata e vendit është e tillë që nëse vrisni qoftë një njeri, një mijë të tjerë do të ngrihen për të luftuar për të. Përmirësimi do të vijë nëse do të bashkojmë së pari shtetin e më pas të ndëshkojmë keqbërësit. Në këtë gjendje lufte, ndëshkimi i dikujt do të shkaktojë vetëm fitne në vend. Lëreni të ngrihet shteti në radhë të parë.

Duke e dëgjuar lajmëtarin, ata (Talha dhe Zubejri) thanë: Nëse Hazret Aliu kështu mendon, ne pajtohemi me të. Ai le të vijë dhe ne jemi gati t’i bashkohemi. Lajmëtari e njoftoi Hazret Aliun. Përfaqësuesit e të dyja palëve u takuan me njëri-tjetrin. U vendos që nuk duhet të luftojnë, por të pajtohen.

Ky lajm u përhap dhe kur mbërriti te Sabaitë, pra te grupi i Abdullah bin Saba-it, të cilët në fakt ishin vrasësit e Hazret Osmanit, ata u shqetësuan shumë. Një grup i tyre u grumbullua fshehtas për t’u këshilluar. Panë që pajtimi mes mulismanëve do të jetë rreziku i madh për ta dhe se ata mund të shpëtonin nga krimi i vrasjes së Hazret Osmanit, derisa muslimanët do të vijonin të luftonin me njëri-tjetrin. Vendosën të bënin gjithçka që të mos arrihej marrëveshja.

Ndërkohë Hazret Aliu gjithashtu mbërriti në Basra. Që të nesërmen ai e takoi Hazret Talhanë.

– Paskeni përgatitur një ushtri për të luftuar kundër meje, i tha Hazret Aliu Talhasë, por a keni përgatitur edhe ndonjë justifikim për t’i paraqitur Zotit të Madhërishëm? Pse doni ta shkatërroni Islamin me duart tuaja, të cilit i kishit shërbyer me mish e me shpirt? A nuk jam vëllai juaj? Atëherë për çfarë arsye na lejohet të derdhim gjakun e njëri-tjetrin, që deri më parë ishte e ndaluar. … Çfarë është ajo që justifikon këtë përballje?

Hazret Talha r.a. që ishte me Hazret Zubejrin i tha Hazret Aliut: Ju keni nxitur njerëz për vrasjen e Hazret Osmanit.

– I mallkoj të gjithë ata që morën pjesë në vrasjen e Hazret Osmanit, iu përgjigj Hazret Aliu.

Më pas, Hazret Aliu iu drejtua Hazret Zubejrit: A nuk mban mend, o Zubejr, se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të kishte thënë: “Pasha Zotin! Ti do të luftosh kundër Aliut dhe ti do të jesh i padrejtë!”

Duke i dëgjuar fjalët e Hazret Aliut, Hazret Zubejri u kthye në ushtrinë e tij, u betua se kurrë nuk do të luftonte kundër Hazret Aliut dhe pra të gjithëve pranoi se arsyetimi i tij ishte i gabuar.

Ky lajm u përhap në ushtri. Të gjithë u qetësuan duke menduar se nuk do të bëhej lufta, dhe do bëhej pajtimi. Por ngatërrestarëve vetëm se u shtohej frika. Kur ra natë, ata zgjodhën të bënin një tentativë tjetër: grupi i tyre që ishte në pjesën e Hazret Aliut, e sulmoi natën pa paralajmërim ushtrinë e Hazret Ajshes, të Talhasë dhe të Zubejrit dhe ata që ishin në këtë pjesë, e sulmuan në të njëjtën mënyrë ushtrinë e Hazret Aliut. Si rrjedhojë turmat u çorientuan. Secila palë mendonte se pala tjetër e ka gënyer. Ndërkohë i gjithë komploti ishte i gërshetuar nga sabaiinët (grupi i Abdullah bin Saba).

Lufta filloi. Hazret Aliu thirri: Dikush të njoftojë Hazret Ajshen, ndoshta nëpërmjet saj Allahu i Madhërishëm do ta largojë këtë fitne. Njerëzit e sollën përpara devenë e Hazret Ajshes, por situata u përkeqësua edhe më shumë. Duke parë se përsëri komploti po dobësohet, ngatërrestarët zunë të vërshonin me shigjeta në drejtim të devesë së Hazret Ajshes. Këtej ajo bërtiste me të madhe: Ndalni luftën dhe kujtoni Zotin dhe Ditën e Gjykimit. Por ngatërrestarët nuk reshtnin dhe vijonin t’ia shigjetonin devenë.

Banorët e Basrasë që ishin në krah të Hazret Ajshes u provokuan tej mase duke parë këtë sjellje me nënën e besimtarëve. Ngrehën shpatat dhe e sulmuan ushtrinë e Hazret Aliut. Gjendja u përshkallëzua deri në pikën që deveja e Hazret Ajshes u bë epiqendra e luftës. Sahabët dhe trima më të mëdhenj të muslimanëve e rrethuan devenë për ta mbrojtur. Por në këtë pozicion, ata vriteshin njëri pas tjetrit, megjithatë, nuk e lëshuan gojëzën e devesë.

I distancuar nga lufta që në fillim, Hazret Zubejri rrinte i mënjanuar. Ndërsa po falte namazin, një fatlig e burracak erdhi nga mbrapa dhe e martirizoi. Kurse Hazret Talha u martirizua nga ngatërrestarët mu në fushëbetejë. Lufta vetëm ashpërsohej. E vetmja gjë që mund ta ndalte atë ishte largimi i Hazret Ajshes prej atje. Duke e matur këtë situatë, disa njerëz i prenë këmbët devesë së saj, dhe froni i Hazret Ajshes u vu përtokë. Vetëm atëherë lufta u ndal. Duke parë këtë pamje, Hazret Aliut iu skuq fytyra nga pikëllimi, por nuk kishte ndonjë rrugë tjetër.

Pasi mbaroi lufta, ndër të rënët u gjet trupi i Hazret Talhasë. Hazret Aliu shprehu keqardhje të thellë. Ngjarjet tregojnë se nuk ishin sahabët ata që e nisën luftën, por këtë sherr e kishin ndezur pikërisht vrasësit e Hazret Osmanit dhe se Talha dhe Zubejri vdiqën duke qenë brenda bejtit të Hazret Aliut, sepse ata ishin distancuar nga synimi që kishin dhe ishin zotuar ta mbështesnin Hazret Aliun, megjithatë, u vranë nga duart e disa sherrxhinjve. Hazret Aliu i mallkoi vrasësit e tyre.”

Në një libër tjetër, duke përmendur Betejën e Devesë dhe martirizimin e Hazret Talhasë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

Kur vijnë Profetët në botë, ata që i pranojnë në ditët e para, mbahen si më të fortët në besim për të ardhmen. Muslimanët e dinë se pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Hazret Ebu Bekri, Hazret Omeri, Hazret Osmani, Hazret Aliu, Hazret Talha, Hazret Zubejri, Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi, Hazret Sa’di dhe Hazret Se’idi ishin ata që mbaheshin si më të mëdhenj. Por kjo pozitë e tyre nuk ishte për shkak se ata gëzonin ndonjë luks, por për shkak se, për hir të fesë, ata kishin hequr shumë vështirësi në krahasim me të tjerët.

Hazret Talha jetoi edhe pasi ndërroi jetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Dhe pas martirizimit të Hazret Osmanit, kur muslimanët patën përçarje, njëri grup donte të hakmerrej me vrasësit e Hazret Osmanit. Ky grup udhëhiqej nga Hazret Talha, Hazret Zubejri dhe Hazret Ajshja. Kurse grupi tjetër thoshte se muslimanët tashmë janë ndarë dhe se vrasja e njerëzve të ndryshëm është diçka që ndodh, më e rëndësishmja është rivendosja e themelit dhe e madhështisë së Islamit dhe se hakmarrja mund të bëhej edhe më vonë. Ky grup udhëhiqej nga Hazret Aliu.

Përçarja ishte kaq e madhe saqë Hazret Talha, Hazret Zubejri dhe Hazret Ajshja e akuzuan Hazret Aliun se gjoja ai i strehoi vrasësit e Hazret Osmanit. Këtej Hazret Aliu i akuzoi se ata synonin vetëm interesa personale dhe jo dobinë e Islamit. E thënë ndryshe, përçarja kishte arritur kulmin. Përfundimisht u ndez edhe lufta mes tyre, një luftë të cilën e komandoi Hazret Ajshja.

Në luftë morën pjesë edhe Hazret Talha dhe Hazret Zubejri.

(Siç ju kam thënë më herët për Hazret Zubejrin dhe Hazret Talhanë, se ata në fillim ishin pro luftës, por pas diskutimit me Hazret Aliun, Hazret Zubejri u trëhoq dhe edhe i dyti donte të bënte kompromis, por ngatërrestarët ndezën sherr. Sidoqoftë, këta ishin dy palë dhe tanimë ishte plasur lufta.)

Njëri sahab shkoi te Hazret Talha dhe i tha:

– “A mban mend se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të kishte thënë: O Talha! Ti do të jesh në një ushtri dhe Aliu në ushtrinë tjetër dhe ti do të jesh i padrejtë!?”

Hazret Talhasë i erdhën mendtë dhe e pranoi se iu kujtua profecia e Profetit s.a.v.s.. Ai menjëherë shprehu distancimin nga ushtria. Tek sa po largohej nga beteja, në mënyrë që t’i bindej porosisë së Profetit Muhammed s.a.v.s., një fatlig që ishte ushtar në ushtrinë e Hazret Aliut, i erdhi nga mbrapa dhe e qëlloi me hanxhar duke e martirizuar atë.

Hazret Aliu ishte ulur në vendin e tij. Vrasësi erdhi pranë Hazret Aliut dhe ndihej i gëzuar se do të merrte një çmim pasi, sipas tij i kishte vrarë “armikun”, i tha: – O Emir i besimtarëve! E kam vrarë armikun tuaj.

Cilin armik?! – e pyeti Hazret Aliu.

– Talhanë!, iu përgjigj ai.

– O ti, edhe unë po të jap lajmin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., do hysh në xhehenem, sepse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë, ndërkohë isha edhe unë, edhe Talha, që, o Talha, ti do të pranosh humbjen për hir të së drejtës dhe një njeri do të të vrasë ty, të cilin Zoti do ta flakë në xhehenem!

Përpara se të ndodhte vrasja e Hazret Talhasë, kur ushtritë e Hazret Aliut dhe ato të Talhasë dhe të Zubejrit ishin rreshtuar përballë njëra-tjetrës, Hazret Talha filloi të jepte argumente për të mbështetur kauzën e tij. Njëri prej ushtarëve të Hazret Aliut e thirri me përçmim duke thënë – “Pusho, o sakat!”

Hazret Talhasë nuk i punonte një dorë. Ai iu drejtua ushtarit: A e di se përse jam bërë sakat?! Në betejën e Uhudit kur muslimanët u mundën, dhe pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. kishin mbetur vetëm dymbëdhjetë veta, mohuesit na kishin rrethuar me tre mijë ushtarë të tyre. Ata po e vërshonin me shigjeta të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Duke ditur se po të vritej Profeti, gjithçka do të merrte fund, çdo ushtar i mohuesve e kishte përqendruar sulmin në drejtim të tij. Atëherë unë e ruajta fytyrën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. duke nxjerrë këtë dorë përpara tij. Kaq shumë shigjeta të mohuesve m’u shpuan në këtë dorë, saqë u shkatërrua dhe jam sakatuar. Megjithatë, nuk e largova dorën nga fytyra e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Po Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke folur rreth Betejës së Devesë dhe Hazret Talhasë, në një libër tjetër thotë:

Dikush tha për Hazret Talhanë – U vra sakati! Një sahab që po e dëgjonte, iu drejtua: O fatlig! A e di ti se si u bë ai sakat? Në luftën e Uhudit kur ushtria e sahabëve u shpërnda për shkak të një keqkuptimi, mohuesit mësuan se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbeti në fushëbetejë vetëm me disa veta. Afërisht tre mijë ushtarë iu vërsulën nga të katërta anët. Qindra shigjetarë e shënjestruan fytyrën e Profetit Muhammed s.a.v.s., që me shigjetat e tyre ta shqyenin atë. Në këtë kohë, ai që u ngrit për mbrojtjen e Profetit s.a.v.s. ishte pikërisht Talha. Ai vendosi dorën e tij përpara fytyrës së Profetit s.a.v.s. dhe çdo shigjet që do ta godiste atë, në vend të saj, e ka goditur dorën e Talhasë. Talha mori plagët që ishin kaq të shumta dhe kaq të thella, saqë iu shkatërruan gjithë muskujt duke ia bërë dorën të paralizuar. Ai tha: Atij që i thua sakat, është kaq i bekuar saqë çdokush prej nesh do ta ëndërronte ta kishim sakatllëkun e tij.

Rabi’ bin Hiraxhi rrëfen: Isha ulur pranë Hazret Aliut, ndërkohë erdhi ‘Emran bin Talha (djali i Hazret Talhasë). – Es-selamalejkum i tha ‘Emrani Hazret Aliut.

– Mirë se erdhe o ‘Emran i biri i Talhasë! Iu përgjigj Hazret Aliu.

– O Emir i besimtarëve! Po më bëni mirëseardhje mua, ndërkohë më keni vrarë babin dhe ia morët pasurinë!

Hazret Aliu i tha – Pasuria jote është e veçuar në Bejtul-Mal dhe që nesër merreni.

Sipas një rrëfimi tjetër, Hazret Aliu i tha – Unë e kam marrë pasurinë tuaj nën kontroll, që askush të mos e merrte. Dhe për sa i përket vrasjes së babait tënd, shpresoj se unë dhe prindërit tuaj do të jenë ndër ata, për të cilët Allahu i Madhërishëm ka thënë:

وَنَزَعْنَا مَا فِي صُدُورِهِم مِّنْ غِلٍّ إِخْوَانًا عَلَىٰ سُرُرٍ مُّتَقَابِلِينَ

“Ne do t’ua heqim çfarëdo urrejtje (qoftë) në kraharorët e tyre. Do të jenë të ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.” (Kurani Famëlartë 15:48)

Muhammed Ensariu rrëfen nga babai i tij: Ditën e luftës së Devesë, një njeri erdhi te Hazret Aliu dhe tha – Lejoni të hyjë vrasësi i Talhasë.

E kam dëgjuar Hazret Aliun duke thënë: – Jepji lajmin e xhehenemit atij vrasësi!

Kur Hazret Talha ra dëshmor, dhe Hazret Aliu e pa të rënë, filloi të pastronte dheun që Hazret Talha e kishte në fytyrë dhe tha:

– O Ebu Muhammed (Bababi i Muhemmedit)! E kam shumë të vështirë të të shohë të përlyer me dhe nën yjet e qiellit!

Më pas tha:

– Përgjërohem pranë Allahut për dobësitë dhe brengat e mia.

Më pas, Hazret Aliu u lut për mëshirë ndaj Talhasë dhe tha:

– Ah, sikur të kisha vdekur njëzet vjet përpara ditës së sotme!

Hazret Aliu dhe shokët e tij qanë shumë. Njëherë Hazret Aliu dëgjoi dikë duke recituar këto vargje:

فتی کان یدینہ الغنی فی صدیقہ
اذا ھوا استغنیٰ ویبعدہ الفقر

Ishte djalë që shoqërohej me shokët kur ishte i pasur
Por u rrinte larg nga vetëmjaftueshmëria kur ishte i varfër

Hazret Aliu u shpreh:

Këto vargje plotësohen në personalitetin e Ebu Muhammed Talha bin Ubejdullahut! Allahu e mëshiroftë! Këtu e mbarojmë përmendjen e Hazret Talhasë r.a..

Rreth pandemisë Covid-19

Për situatën e krijuar këto ditë, do të doja të lexoja dhe një citatë nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Njëherë ai i tha Mufti sahibit:

– Ndriçoni shtëpitë. Këto ditë (pra në kohën kur ishte përhapur murtaja) mbani sa më pastër edhe shtëpitë, edhe rrobat.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijoi:

– Janë ditë të vështira këto. Era është helmuese. Pastërtia është praktika e Profetit. Edhe në Kuranin Famëlartë Zoti tha.

وَثِيَابَكَ فَطَهِّرْ وَالرُّجْزَ فَاهْجُرْ

“Pastroji rrobat e tua! Ndyrësisë largoju!”

(Kurani Famëlartë 74:5-6)

Njëherë tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

Në qytetet dhe fshatrat ku murtaja është përhapur masivisht, njerëzit e tyre nuk duhet të udhëtojnë në vende të tjera, të mbajnë shtëpitë e tyre të pastra e të ngrohta, të zbatojnë masat parandaluese dhe mbi të gjitha të bëjnë pendesën e sinqertë. Duke sjellë ndryshim të pastër, të bëjnë pajtimin me Zotin e Madhërishëm. Të çohen gjatë netëve dhe të luten në tehexhud (namazin e natës).

Njëherë tjetër ai tha:

Vetëm ndryshimi i sinqertë i gjendjes së njerëzve, mund t’i shpëtojë ata nga ky ndëshkim i Zotit! ولنعم ما قیل

Allahu i Madhërishëm bëftë çdo ahmedi të përqendrohet në lutje gjatë këtyre ditëve në mënyrë të veçantë!

Zbatoni porositë që ju jep shteti juaj. Mbani të pastër shtëpinë. Duhet ta dezinfektoni me tymues. Spërkatni herë pas here me Dettol etj..

Allahu i Madhërishëm çdokënd e mbajttë nën bekimin e Tij, e mëshiroftë!

Sidoqoftë, gjatë këtyre ditëve përqendrohuni në lutje në mënyrë të veçantë! Allahu këtë na e mundësoftë të gjithëve!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp