Misioni dhe vërtetësia e Mesihut të Premtuar a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Misioni dhe vërtetësia e Mesihut të Premtuar a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të teshehudit, te’avvudhit dhe sures El-Fitha, Huzur tha:

Pas tri ditësh është 23 marsi. Është dita kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nisi të pranonte bejtin dhe kështu zyrtarisht u themelua Xhemati Ahmedia bashkë me deklaratën e tij për të qenë Mesih i Premtuar. Kjo ditë në Xhemat festohet si Dita e Mesihut të Premtuar. Mbajme xhelse në vende të ndryshme, ku hedhim dritë mbi deklaratën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe mbi qëllimet e ardhjes së tij. Pavarësisht se ka akoma tri ditë, por ngaqë xhumaja e ardhshme do të jetë pas kësaj date, mendova të udhës t’ju paraqes disa citime nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në lidhje me këtë temë.

Këtë vit për shkak të përhapjes së virusit, ka mundësi që në shumicën e vendeve dhe xhemateve të mos zhvillohen mbledhjet, prandaj, përveç hutbes sime, në kanalin MTA do të keni transmetime të ndryshme për këtë temë. Çdo ahmedian duhet të përpiqet për t’i ndjekur ato, duke qëndruar në shtëpinë, së bashku me fëmijët.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u dërgua si shërbëtor i Profetit Muhammed s.a.v.s. për ta vijuar misionin e tij dhe për ta përhapur fenë e tij. Në lidhje me këtë, ai thotë:

“I dërgoj salavate Profetit Muhammed s.a.v.s. që në saje të tij, Allahu i Madhërishëm ngriti këtë Xhemat. Të gjitha ndihmat e Zotit që shohim, janë bekime të atij Profeti.”

Ai gjithashtu tha:

“Unë dua t’ju them shumë qartë dhe pikërisht kjo është edhe bindja dhe feja ime se asnjë njeri nuk mund të gëzojë asnjë bekim shpirtëror, pa e ndjekur Profetin Muhammed s.a.v.s..”

(“Lekçer Lud’hiana” “Ruhani Khazain”, vëll. 20, f. 267)

Për shkak të bekimit që ai ka përfituar nga Profeti Muhammed s.a.v.s., Zoti i Madhërishëm e dërgoi atë për reformën e njerëzve në botë në këtë kohë, për të vendosur edhe një herë madhështinë e Islamit në botë. Ai thotë:

وارسلنی ربی لاصلاح الخلق

Zoti më dërgoi mua për të përmirësuar gjendjen e njerëzve.

(“E’xhaz-e-Ahmedi, damima Nuzulul-Mesih”, “Ruhani Khazain” vëll. 19, f. 178)

Diku tjetër, duke treguar qëllimin e ardhjes së tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. pohon:

“Unë këtë do ta them vazhdimisht dhe nuk mund të ndalem pa e treguar se unë jam ai që është dërguar në kohën e duhur për reformën e njerëzve, në mënyrë që besimi të vendoset edhe një herë në zemrat e tyre. Unë jam dërguar porsi ai që ishte dërguar pas atij njeriu të Zotit, komunikuesit me Allahun. Po, ai që shpirti i të cilit u ngjit në qiell pas shumë sfilitjeve gjatë qeverisjes së Herodit.”

(Hazret Mirza Ghulam Ahmed, “Fitorja e Islamit” Tiranë, 2017, f. 16)

Duke deklaruar se Mesihu i Premtuar për të cilin kishte parashikuar Profeti Muhammed s.a.v.s., erdhi në kohën e vet, ai thotë:

“Prandaj, o vëllezër! Për hir të Zotit mos u nxitoni dhe mos kundërshtoni! Ishte e caktuar që unë t’ju paraqisja disa gjëra, për të cilat keni qenë në gabim. Po të ishin në rrugë të drejtë, nuk ishte fare nevoja për ardhjen time. Unë e kam thënë se kam ardhur si Biri i Merjemes për përmirësimin e këtij umeti, mu ashtu siç Hazret Mesihu biri i Merjemes kishte ardhur për përmirësimin e hebrenjve. Pikërisht për këtë arsye jam i ngjashmi i tij. Unë jam i ngarkuar me të njëjtën punë, siç ishte ngarkuar ai.

Mesihu kur erdhi i pastroi hebrenjtë nga shumë gabime e mendime të pabaza. Njëra prej tyre ishte që hebrenjtë kishin varur shpresat me ardhjen e dytë në botë të Profetit Elia, njësoj siç muslimanët sot kanë varur shpresat me ardhjen e dytë të Mesihut të birit të Merjemes të dërguarit të Allahut. Atëherë Mesihu duke pohuar se Profeti Elia nuk mund të zbriste më prej qiellit, deklaroi se Jahja i biri i Zakariasë është Elia dhe se kushdo që ka dëshirë ta pranojë atë. Kështu, ai ua largoi hebrenjve gabimin e vjetër, por në këmbim mori nga hebrenjtë akuzat se ishte i pafe dhe i larguar nga Librat e shenjtë. Por nuk reshti për ta treguar të vërtetën.

E njëjta gjë ndodhi me të ngjashmin e tij. Njësoj si Hazret Mesihun, edhe mua njerëzit më akuzuan të isha i pafe. A nuk është kjo një ngjashmëri e plotë?!

(“Izala-e-euham”, pj. II, “Ruhani Khazain” vëll. 3, f. 394)

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u tregoi rëndësinë e ardhjes së tij jo vetëm muslimanëve, por popujve të çdo feje. Në një vend ai tha:

“Dua të bëj të qartë se ardhja ime prej Zotit të Madhërishëm në këtë kohë nuk është vetëm për reformën e muslimanëve, por për reformën edhe të muslimanëve, edhe të hinduve dhe edhe të krishterëve. Dhe ashtu siç Zoti më dërgoi si Mesih të Premtuar për muslimanët dhe të krishterët, në të njëjtën mënyrë, Ai më dërgoi si avatar për hindutë. Unë e deklaroj prej më shumë se njëzet vitesh se kam ardhur si Mesih biri i Merjemes për të larguar gjynahet nga kjo botë, ku bota është e zhytur, jam edhe si Raxha Krishen, i cili ishte një prej avatarëve kryesor të fesë hindu. Madje, në këndvështrimin shpirtror jam po ai. Kjo nuk është mendimi a hamendja ime, por këtë ma tregoi Ai Zot që është Zoti i qiellit dhe i tokës, dhe jo një herë por shumë herë duke thënë: Ti je Krishna për hindutë dhe Mesih i Premtuar për muslimanët dhe të krishterët.

Unë e di që me të dëgjuar këtë, muslimanët e paditur do të pohojnë menjëherë për mua: Ky qafir haptas po emërtuaka veten me një qafir. Por kjo është shpallja e Zotit dhe unë nuk mund të rri pa e treguar atë. Sot është hera e parë që po e them këtë në një mbledhje ku marrin pjesë njerëzit kaq shumë në numër, sepse ata që janë prej Zotit, nuk frikësohen nga mallkimet e njerëzve.”

(“Lekçer Sialkot”, “Ruhani Khazain” vëll. 20, f. 228)

Këtë deklaratë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e bëri në ligjëratën e tij në qytetin Sialkot, ku ishin mbledhur në një numër të madh muslimanët dhe hindutë.

Duke treguar rëndësinë e ardhjes së tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Çdo gjë që njeriu bën në kundërshtim me porositë e Zotit, quhet mëkat. Shteti dërgon një ushtar të thjeshtë me një mesazh, dhe ai që nuk i bindet atij, quhet fajtor dhe ndëshkohet. Kështu ndodh veprojnë gjyqtarët e kësaj bote, atëherë imagjinoni çfarë shkelje e rëndë është kur e fyen dhe nënçmon atë që vjen nga Gjykatësi i të gjithë gjykatësve! Zoti i Madhërishëm ka shumë sedër. Me urtësinë e Tij, Ai dërgoi një njeri mu në krye të shekullit të prishur, në mënyrë që ai t’i thërrasë njerëzit drejt udhëzimit. Është një mëkat shumë i madh të shkelësh nën këmbë urtësitë e Zotit të Madhërishëm.”

Më tej ai thotë:

“Mendja e njeriut nuk matet me urtësinë e Zotit të Madhërishëm. Çfarë është njeriu që të pretendojë të kuptojë më shumë sesa urtësia e Zotit?! Në këtë kohë urtësia e Zotit është e qartë dhe e pastër. …

Më përpara, bëhej nami nëse qoftë një njeri largohej nga feja Islame. Tani Islami po nëpërkëmbet aq keq, saqë jo një por ka njëqind mijë të larguar. Një fe kaq e pastër dhe e shenjtë si feja Islame u sulmua fuqishëm. Botohen libra me qindra mijëra të nxirë me sharjet ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.. Disa revista të kësaj natyre botohen me miliona kopje. Nëse do të grumbullonim gjithçka që shkruhet kundër Islamit, do të bëhej një mal i lartë. Nga ana tjetër, muslimanët janë bërë të tillë, sikur nuk kanë jetë dhe sikur të kenë vdekur që të gjithë. Çfarë do të ndodhë në këtë situatë, nëse edhe Zoti do të heshtë? Një sulm i Zotit është i barabartë me më shumë se një mijë sulme të njeriut dhe vetëm me atë sulm, Ai mund ta shquajë fenë e Tij gjithkund.

Të krishterët trumbetojnë prej nëntëmbëdhjetë shekujsh se Isai është Zoti. Feja e tyre vetëm po përhapet dhe muslimanët po i ndihmojnë akoma më shumë. Arma kryesore e të krishterëve është që Mesihu është i gjallë dhe Profeti juaj, s.a.v.s., ka vdekur. …

Lord Bishopi në Lahor në një turmë të madhe pikërisht këtë argument e paraqiti. Asnjë musliman nuk kishte mundësi t’i përgjigjej atij. Por aty ishte i pranishëm Mufti Muhamed Sadiku, një nga anëtarët e Xhematit tonë. Ai u ngrit dhe provoi me argumente nga Kurani i Shenjtë, nga hadithet, nga historia dhe nga Bibla se Hazret Isai ka ndërruar jetë dhe se Profeti ynë Muhammed s.a.v.s. është i gjallë, sepse në Islam gjithmonë ka pasur njerëz, të cilët përfituan nga bekimi i Tij dhe treguan mrekulli dhe ngjarje të jashtëzakonshme. Atëherë ai nuk kishte të jepte asnjë kundëpërgjigje.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Njëherë u dhashë një njoftim të krishterëve në qytetin Lud’hiana duke u thënë se ne dhe ju nuk kemi shumë ndarje. Mjafton të pranoni një gjë të vogël se Isai ka ndërruar jetë dhe se ai nuk shkoi në qiell. Ata u tronditën dhe thanë: Po të pranojmë se Isai ka vdekur dhe nuk ka shkuar në qiell, sot nuk do të mbetet asnjë i krishterë në botë.

Shikoni, Zoti është i Gjithdishëm dhe i Urtë. Ai zgjodhi një metodë që e mund armikun. Përse muslimanët e kundërshtojnë këtë?! Vallë, Isai a ishte më i madh se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s.? Unë u them: nëse keni grindje me mua, mos e kaloni kufirin dhe mos e bëni atë që e dëmton fenë Islame. Zoti i Madhërishëm nuk zgjedh një metodë të dobët, dhe ju pa pasur këtë metodë [atë të vdekjes së Hazret Isait a.s.], nuk mund ta thyeni dot kryqin.”

(“Malfuzat” vëll. 8, f. 174-175)

Në një libër tjetër Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Detyra që më ka caktuar Zoti mua është që të largojë zhulin e krijuar në lidhje mes Zotit dhe njerëzve dhe ta rivendos atë duke e zëvendësuar me dashurinë e sinqeritetin; të shfaq të vërtetën duke u dhënë fund luftrave fetare dhe duke vendosur themelin e pajtimit; t’i tregoj botës ato vërtetësi fetare, të cilat i janë bërë të fshehta; të tregoj shembullin e spiritualitetit që u gropos poshtë errësirave të nefsit; të tregoj jo thjesht me fjalë por me përvojë ato fuqi të Zotit që mund të hyjnë te njeriu dhe që arrihen përmes përqendrimit dhe lutjes; dhe mbi të gjitha, të mbjell edhe njëherë mes njerëzve njëshmërinë e pastër dhe të shndritshëm që gjendet larg çdolloj shirku dhe që tani është e zhdukur nga bota.

E gjithë kjo nuk do të bëhet me forcën time, por me forcën e Atij Zoti që Zoti i qiejve dhe i tokës. Unë shoh që nga njëra anë, Zoti me dorën e Vet më edukoi, më bekoi me shpalljen e Tij dhe më dha një vrull kaq të madh, që të ngrihem për reforma të tilla dhe, nga ana tjetër, Ai përgatiti edhe zemra të tjera që janë të gatshme për të më ndjekur mua. Unë shoh që kur Zoti më dërgoi duke caktuar për njerëzit e gjithë botës, bota ka filluar të ketë një revolucion.”

(“Lekçer Lahor”, “Ruhani Khazain”, 20, f. 180-181)

Kjo ishte një pjesë nga ligjërata e tij që u mbajt në Lahor.

Pastaj, duke treguar se Zoti i Madhërishëm dërgon mëshirën e Tij dhe shpëton robërit e Tij, duke dërguar një të dërguar, reformator ose një rob të zgjedhur të Tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Praktika e hershme e Zotit të botëve është që kur një vështirësi a fatkeqësi, arrin kulmin e vet në botë, mëshira e Zotit vjen për ta larguar atë. Sikundër thatësira që kur bie tej mase, saqë njerëzit vetëm sa vdesin, Zoti i Madhërishëm përmes Bujarisë së Tij lëshon shi.

Po kështu, kur përhapet një sëmundje duke marrë qindra mijëra jetë njerëzish, del ndonjë erë, ose zbulohet ndonjë ilaç që e largon sëmundjen

Kur një popull vjen në kthetrat e një diktatori të egër, më në fund lind ndonjë i drejtë që u përgjigjet halleve të njerëzve.

Në të njëjtën mënyrë, kur njerëzit harrojnë rrugën e Zotit, kur braktisin adhurimin e Zotit dhe njëshmërinë e Tij, Zoti i Madhërishëm Vetë i jep dritë të përsosur ndonjë robi të Tij, e bekon atë me Fjalën, Shpalljen dhe komunikimin e Tij dhe e dërgon atë për udhëzimin e njerëzve, në mënyrë që ai ta ndreqë gjithë lëmshin e krijuar. Sekreti në këtë praktikë të Zotit është që Ai që është Mbajtësi i gjithësisë, Vendosës i botës dhe jeta dhe mbijetesa e botës varen pikërisht nga mbështetja e Tij, nuk dëshiron të privojë krijesat nga bekimet e Tij dhe Ai as nuk qëndron i papunë duke e lënë botën të shkatërrohet. Përkundrazi, në kohën e vet çdo atribut i Tij vepron menjëherë.”

(“Berahin-e-Ahmedia” pj. II, “Ruhani Khazain”, vëll. 1, f. 113-114)

Në një vend tjetër Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Shumë i bekuar shumë fatlumë është ai që ka zemrën të pastër dhe kërkon të shfaqen madhështia dhe nderi i Allahut të Madhërishëm, sepse Allahu i Madhërishëm e zgjedh atë mbi të tjerët. Ata që më kundërshtojnë mua, gjykimi mes nesh dhe atyre është tek Allahu i Madhërishëm. Ai na e di mirë zemrën edhe neve, edhe atyre dhe shikon se kush e ka zemrën për dynjanë dhe për dukjen e saj dhe kush është ai që i përvëlohet zemra vetëm për Allahun e Madhërishëm. …

Mbajeni mend mirë! Ngritja shpirtërore kurrsesi nuk bëhet, derisa njeriu nuk e ka të pastër zemrën. Kur pastërtia dhe dëlirësia lindin në zemër, njeriu vetvetiu fiton një forcë dhe një fuqi për të përparuar. Më pas, ai gjen çdo mjet për të ecur përpara. Shikoni Profetin Muhammed s.a.v.s.. Ishte tërësisht i vetëm, dhe po në atë pafuqi deklaron:

یا ایھا الناس انی رسول اللہ الیکم جمیعا

“O njerëz! Pa dyshim, unë jam i dërguari i Allahut për ju të gjithë!” (El-A’raf:159)

Kush mund të mendonte në atë kohë se deklarata e një njeriu kaq të shkretë, do të kishte sukses?! Madje, menjëherë pas kësaj ai u përball me kaq shumë vështirësi, që ne nuk kemi hasur as njëmijtën e tyre.”

(“Malfuzat” vëll. 8, f. 157-158)

Duke këshilluar në përgjithësi gjithë botën, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Këshilla ime e fundit për ju është që të merreni me besimin tuaj. Të mos ndodhë që duke u treguar krenarë dhe të shkujdesur, të dilni rebelë në sy të Zotit të Madhërishëm. Shikoni, Zoti ju është drejtuar në një kohë, në të cilën ju kishit nevojë për ndihmën e Tij, që ju të trashëgonit bekimet shpirtërore. Zoti e pa nga lart që njerëzit po e nëpërkëmbnin atë, të cilit ai i kishte dhënë nder dhe po e shanin Profetin që ishte më i miri prej njerëzve, duke e quajtur keqbërës, gënjeshtar dhe trillues; Librin e Tij që është Kurani Famëlartë njerëzit e përmendin me fjalë të padenja, duke e cilësuar si fjalë njeriu. Në këtë situatë, Ai e mbajti mend premtimin e Tij. I njëjti premtim që Ai përmend në ajetin:

انا نحن نزلنا الذکر ونا لہ لحافظون

“Sigurisht, Ne e kemi zbritur këtë kujtim (Kuranin) dhe Ne Vetë do ta mbrojmë atë!” (El-Hixhr:10)

Prandaj, sot është koha e përmbushjes së pikërisht këtij premtimi. Ai ka provuar para jush me sulme shumë të ashpra dhe me gjithfarë shenjash se ky Xhemat që u ngrit është Xhemati i Tij. Vallë, sytë tuaj a kanë parë më përpara shenjat kaq të forta e vendimtare të Zotit të Madhërishëm, që keni parë tani?! Për ju Zoti luftoi si një mundës me popujt e tjerë dhe arriti fitoren mbi ta. Shikoni, a nuk ishte një mundje puna e At’hemit? Kërkojeni sot, ku është At’hemi? Dëgjoni, ai është në dhe. Ai u la i lirë për pak ditë mu sipas kushteve që janë treguar në shpalljen e Zotit dhe përsëri sipas shpalljes u ndëshkua me vdekje.

Mundja e dytë ishte puna e Lek’hramit. Mendoni pak sesi Zoti i Madhërishëm doli Triumfues edhe në këtë mundje. E keni parë me sytë tuaj se siç ishin përmendur detajet në profecinë e shpallur prej Zotit, të gjitha u plotësuan Shenja e llahtarisë së Zotit e futi një popull të tërë në zi të madhe! Vallë, a keni parë më përpara që të ndodhë një shenjë kaq madhështore e Zotit mes jush dhe para syve tuaj?! Prandaj, o bijtë e muslimanëve! Mos i fyeni punët e Zotit të Madhërishëm.

Mundja e tretë ishte puna e Mbledhjes së Madhe të Feve. Shikoni si Zoti i Madhërishëm e dalloi Islamin dhe ju shfaqi shenjën e Tij, duke i treguar para kohe robit të Vet që pikërisht tema e tij do të mbizotëronte. Dhe pikërisht kështu e realizoi. I futi në habi gjithë audiencën përmes ndikimit të bekuar të kësaj teme. Vallë, kjo a ishte puna e Zotit apo e dikujt tjetër?”

Mbledhja e Feve që përmendi Hazret Mesihu i Prmetuar a.s. është ajo ku u lexua tema e tij që sot është në formë libri Filozofia e mësimeve të Islamit. Zoti i Madhërishëm i kishte treguar para kohe se tema e tij do të mbizotëronte, profeci të cilën Hazret Mesihu i Premtuar a.s. edhe e kishte botuar. Përfundimisht, kur u lexua ajo, të gjithë njëzëri pohuan suksesin e pakrahasueshëm të saj. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Mundja e katërt ishte gjyqi me Doktor Martin Klarkun, në të cilin ishin bashkuar tre popuj: arjët, të krishterët dhe muslimanët kundërshtarë. Të gjithë u përpoqën të provonin se kam bërë atentat vrasjeje. Zoti i Madhërishëm para kohe më kishte treguar se ata do të dështonin dhe unë këtë shpallje ua tregova rreth dyqind njerëzve. Përfundimisht unë fitova.

Mundja e pestë ishte gjyqi me Mirza Ahmed Begun e Hoshiarpurit. Të afërmit dhe shokët e tij talleshin me Islamin dhe disa prej tyre që ishin bërë renegatë, e kundërshtonin ndyrazi Kuranin e Shenjtë dhe e fyenin Islamin vazhdimisht. Më kërkonin mua t’u tregoja ndonjë shenjë të vërtetësisë së Islamit dhe këtë gjë e publikonin përmes njoftimeve në gazeta. Atëherë Zoti u dha shenjën duke thënë:

Ahmed Begu do të shohë disa vdekje të të afërmve të vet dhe disa fatkeqësi të tjera e më pas, brenda tre vjetësh, do të vdesë edhe vetë.

Dhe pikërisht kështu ndodhi. Ai vdiq brenda afatit, në mënyrë që njerëzit të kuptonin se çdo shkelje e ka një ndëshkim.”

(“Ejjamus-Suleh”, “Ruhani Khazain”, vëll. 14, f. 325-327)

Kështu që, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i tërhoqi vëmendjen gjithë botës që të mos luftojnë me të dërguarin e Zotit të Madhërishëm. Kur Allahu i Madhërishëm dërgon dikë, Ai edhe e ndihmon atë duke shfaqur shenjat. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

Allahu i Madhërishëm më tha me fjalë jashtëzakonisht të fuqishme:

“Në botë erdhi një alarmues, por bota nuk e pranoi atë. Por Zoti do ta pranojë dhe do të shfaqë vërtetësinë e tij me sulme shumë të ashpra.”

(“Berahin-e-Ahmedia”, pj. IV, “Ruhani Khazain”, vëll. 1, fusnota e fusnotës, nr. 4, f. 665)

Pra, sot Xhemati Ahmedia që është përhapur në më shumë se 200 vende të botës, njofton tërë botën se Allahu i Madhërishëm po provon në mënyrë të vijueshme vërtetësinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s..

Allahu i Madhërishëm na mundësoftë ta përhapim siç duhet misionin e tij, bëftë edhe të tjerët që të bashkohen me të, na e forcoftë besimin dhe bindjen dhe na mundësoftë të kuptojmë përgjegjësitë tona!

Tani, dua t’ju tregoj disa opinione dhe analiza të njerëzve të botës në lidhje me pandeminë dhe situatën e krijuar në botë.

Philip Johnston në Daily Telegraf me datën 18 mars 2020 shkruan:

Netflix dhe platforma të tjera raportojnë se një prej filmave më të shikuar në këtë kohë është “Contagion”, një film i vitit 2011.

Komplot i filmit  ka të bëjë me përhapjen e një virusi, përpjekjet e dëshpëruara të studiuesve të mjekësisë dhe nga zyrtarët e shëndetit publik për të identifikuar dhe përmirësuar sëmundjen, humbjen e rendit shoqëror dhe më në fund prezantimin e një vaksine për të ndaluar përhapjen e saj.

Ai shton:

Mendoj se nëse predikimi ynë për filmat apokaliptikë është një reaksion ndaj një periudhe të gjatë stabiliteti dhe prosperiteti, i cili, të paktën në Perëndim, shumica prej nesh kanë supozuar me vetëkënaqësi se do të vazhdonte përgjithmonë. Është e jashtëzakonshme të mendosh që vetëm në dy javë, bota jonë është kthyer tërësisht përmbys, të gjitha planet tona janë stopuar, shpresat tona për të ardhmen janë bërë të pasigurta.

Ai më tutje shkruan:

As kërcënimi i dimrit bërthamor gjatë Luftës së Ftohtë, dhe as ndikimi i krizave të ndryshme ekonomike, përfshirë edhe ato më të fundit, nuk ishte diçka e tillë. Edhe gjatë luftës së fundit, këtu njerëzit dilnin në teatër dhe kinema, në restorante dhe kafene, në klube dhe pabe. Pra, ata kishin diçka të paktën, me të cilën ata kalonin kohë. Por, ne nuk mund të bëjmë asgjë.

Shumica prej nesh që janë rritur pas Luftës së Dytë Botërore, kemi pritur një gjendje të qëndrueshme prosperiteti, stabiliteti dhe kënaqësie, gjë që shumica e gjeneratave të mëparshme kurrë nuk e imagjinuan të mundshme – dhe as nuk ishin në gjendje të mendonin diçka të tillë.

Më tej, ai thotë:

Shpresa është se shkenca do të vijë në shpëtim me një vaksinë ose kurë, dhe mbase do të vijë. Përpjekjet filluan sot në Seattle mbi vullnetarët njerëzorë, duke anashkaluar testimin e zakonshëm të kafshëve për shkak të urgjencës. Lajmi i keq, do të duhen muaj për të ditur nëse do të funksionojë.

Më pas ai shkruan:

Përgjatë historisë, njerëzit iu mbështetën besimeve të tyre për të dalë nga ngjarjet si kjo dhe për t’i dhënë kuptimin asaj çka ndodhi me ta dhe me të dashurit e tyre. Ateistët priren të marrin një pikëpamje laike, humaniste, në parim një pikëpamje iluministe, … që proceset e natyrës gjithmonë mund të përmirësohen nga përpjekja e njeriut dhe se nuk është e nevojshme ta lidhim këtë me fatin ose me mallkimin e Zotit.

Më pas, ai vijon:

Sa shumë herë kemi dëgjuar njerëz që thonë: “Gjithçka do të rregullohet, sepse shkencëtarët do t’ia dalin”, qoftë në lidhje me ngrohjen globale apo pandeminë? Jemi gati të zbulojmë nëse një optimizëm i tillë është i justifikuar. Nëse nuk është kështu, më duhet të kthehem në kishë.

Pra, e ka fjalën që ngaqë tani gjendet larg fesë, larg Zotit për shkak të provave që ai ka në dispozicion, por nëse nuk do të ndodhë ashtu siç thonë shkencëtarët, ai thotë se detyrohet të kthehet te feja.

Në këtë mënyrë, virusi i detyroi njerëzit të mendojnë të kthehen te Zoti. Por Zoti i Vërtetë dhe i Gjallë gjendet vetëm në Islam, në të cilin Ai ka deklaruar se kushdo që vjen në rrugën e Tij, Ai ia tregon rrugën. Për ata që shkojnë një hap tek Ai, Ai thotë si u afrohet shumë hapa dhe i kap përdore. I fton për t’i marrë në mbrojtje.

Në këtë situatë, ne duhet të përmirësojmë veten tonë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër duhet të bëjmë më shumë ndikuese mënyrën tonë të Tabligut. Kemi nevojë t’i tregojmë botës për Islamin më shumë se përpara. Çdo ahmedian duhet të përpiqet t’i tregoj botës përreth që nëse doni të shpëtojnë, njihni Krijuesin tuaj. Nëse doni një fund të mbarë, njihni Krijuesin tuaj, sepse pikërisht Ai ka në dorë fundin e mbarë. Nëse doni një fund të mbarë, Atë adhurojeni pa shoqëruar dikë me Të dhe shërbejuni krijesave të Tij siç duhet. Kjo duhet të jetë përpjekja e gjithsecilit prej nesh. Zoti na e mundësoftë këtë.

Fatkeqësitë do të vijojnë në botë, dhe edhe vetë njerëzit e botës pohojnë se këto do të shtohen, prandaj, siç ju thashë më herët, kemi nevojë të punojmë për fundin e mbarë, që edhe ne të tërhiqemi drejt Zotit dhe t’i tregojmë edhe botës se fundi i vërtetë është fundi që vjen në botën tjetër dhe për këtë atyre do t’u duhet patjetër të vijnë drejt Zotit.

Një tjetër analist në një artikull të tij të botuar në gazetën “The Times”, të datës 6 mars, ngriti alarmin se viruset e rrezikshme ka shumë mundësi të pësojnë mutacione gjenetike, duke i bërë ato më të shpeshta, gjë që mund t’i hapë rrugën për të përhapur në vitet e ardhshme një tjetër coronavirus në botë. Sipas tij, ndoshta pas çdo tre vjetësh bota do të ketë një sëmundje të re.

Gazeta “Bloomberg” në një postim të saj shkruan:

Shkencëtarët mund ta mposhtin coronavirusin, megjithatë, njeriu do të mbetet në një luftë të pandalshme kundër sëmundjeve ngjitëse. Në garën e evolucionit mes njeriut dhe mikrobeve, po dalin në krye këto të fundit. Sipas OBSH-së që nga viti 1970 deri më sot, janë zbuluar më shumë se 1500 viruse të reja. Në shekullin XXI, sëmundjet ngjitëse po përhapen më shumë sesa në të kaluarën.

Më pas, thotë:

Sëmundjet ngjitëse që më përpara mbeteshin të kufizuara në një zonë të caktuar, tanimë shumë shpejt marrin përmasa globale.

Pra, ka shumë të tilla që nuk mund zgjatem këtu, por ajo që dua të theksoj se kemi nevojë të përqendrohemi për fundin e mbarë dhe për këtë është e domosdoshme të forcojmë kontaktin tonë me Zotin e Madhërishëm. Allahu na e mundësoftë këtë.

Unë kam dhënë udhëzime edhe më herët në lidhje me coronavirusin dhe do t’ju rikujtoja edhe një herë, pasi ai po përhapet me shpejtësi të madhe në të gjithë botën. Edhe këtu [në Angli] tanimë është përhapur shumë. Qeveria po detyrohet të marrë masa të rrepte dhe ekstreme.

Sëmundjet kur përhapen, mund të përfshijnë çdokënd, prandaj çdokush duhet të ketë kujdes. Zbatoni udhëzimet që ju jep shteti juaj. Njerëzit e moshuar, të sëmurët ose ata që kanë ndonjë sëmundje që ua ul imunitetin, duhet të kujdesen jashtëzakonisht shumë për veten e tyre. Të moshuarit të dalin sa më pak nga shtëpia, siç e thotë edhe qeveria këtu. Përveç atij që gëzon një shëndet të mirë, të tjerët më mirë të rrijnë brenda.

Kini kujdes edhe për ardhjen në xhami. Xhumatë falni në xhaminë tuaj të zonës. Edhe pjesëmarrja sot në këtë xhami tregon se shumica e njerëzve po e falin xhumanë në zonat e veta. Edhe kjo do të vijojë vetëm deri në kohën kur shteti e ndalon edhe grumbullimin për namazin e së premtes. Gratë nuk duhet të vijnë në xhami këto ditë, të cilat më përpara vinin me gjithë fëmijët.

Mjekët këshillojnë të bëni edhe gjumin e mjaftueshëm për ta rritur imunitetin. Prandaj, filini mjaftueshëm këto ditë edhe vetë, edhe fëmijët tuaj. Për të rriturit është e nevojshme të flejnë deri në shtatë orë, kurse fëmijët deri në dhjetë orë. Kushtojini rëndësi kësaj gjëje. Mos rrini zgjuar deri në mesnatë duke parë televizor, që ta humbni edhe namazin e sabahut e pastaj të zgjoheni pa bërë gjumin e plotë për të shkuar në punë. Kjo rutinë ju mban të lodhur gjithë ditën dhe ju fizikisht jeni të dobët në këtë gjendje, dhe në këtë gjendje ju sulmojnë sëmundjet.

Edukoni fëmijët të bëjnë shprehi të flenë herët dhe të zgjohen herët, natyrisht, pasi ta plotësojnë gjumin e tyre të përcaktuar.

Gjithashtu, ruhuni nga ushqimet e jashtme (Junk Food). Edhe ato sjellin sëmundje. Sidomos patatinat etj., që njerëzit u japin fëmijëve të tyre, kanë disa konservues që janëtë rrezikshme pëe shëndetin e tyre. Këto ngadalë-ngadalë e dobësojnë shëndetin e njeriut. Duhet të ruheni nga këto ushqime.

Këto ditë mjekët gjithashtu këshillojnë të pini ujë herë pas here. Pas çdo një ore, ose pas çdo gjysmë ore, të pini një ose dy gllënjkë uji. Edhe kjo është një metodë për t’iu shmangur sëmundjes.

Duart duhet t’i lani shpesh. Edhe nëse nuk gjeni dezinfektues duarsh, lajini me ujë e sapun. Dhe siç ju kam thënë edhe më parë, ata që marrin abdes të paktën pesë herë, vetvetiu kanë një vëmendje për pastrimin e duarve.

Për tështitjen ju kam thënë edhe më përpara. Jo vetëm në xhami, por edhe jashtë, madje edhe në shtëpi, vendosni shami ose facoletë përpara se të tështini, ose siç thonë mjekët, vendosni bërrylin, në mënyrë që të mos spërkatni pikat përreth. Sidoqoftë, pastërtia është e domosdoshme, prandaj duhet të kujdeseni shumë për këtë.

Por, arma përfundimtare është lutja. Lutuni që Zoti të na mbrojë të gjithë ne nga e keqja e kësaj sëmundjeje. Lutuni edhe për ata ahmedianë, të cilët për një arsye apo tjetër, u përfshinë në këtë sëmundje, ose mjekët dyshojnë se ata janë me coronavirus, ose qoftë me ndonjë sëmundje tjetër. Lutuni edhe për ta. Siç ju thashë, edhe për shkak të sëmundjeve të tjera që mund të ketë njeriu, e sulmun virusi. Prandaj, lutuni edhe për ta që Zoti t’i ruajë!

Në përgjithësi, lutuni për të gjithë që Allahu i Madhërishëm ta shpëtojë botën nga kjo pandemi! Ata që janë të sëmurë, t’i shërojë plotësisht dhe çdo ahmediani, t’i japë shërimin dhe bashkë me të, t’ia forcojë besimin dhe bindjen!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp