Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Keqkuptimi i disa muslimanëve për çështjen e Hazret Isait dhe ajeti “as nuk e vranë, as nuk e kryqëzuan”

Teolog, gjuhëtar dhe përkthyes
keqkuptimi

Pasi lexuat argumente të pathyeshme nga Kurani i Shenjtë dhe nga hadithet e Profetit Muhammed s.a. për vdekjen e Hazret Isait a.s., shtrohet pyetja, se përse u devijuan muslimanët rreth kësaj çështjeje? Një nga arsyet është se kur shumë prej të krishterëve u kthyen në myslimanë, ata sollën me vete edhe konceptin e gabuar rreth Hazret Isait a.s. Të krishterët, që para kohës se Profetit Muhammeds.a.v.s. ishin devijuar dhe besonin se Hazret Isai a.s. pas kryqëzimit u ringjall dhe u ngrit fizikisht në qiell. Mijëra e mijëra njerëz që kishin besime të tilla, u kthyen në muslimanë; por nuk ndodhi vetëm kaq; ata gjetën premtimin e ardhjes së dytë të Hazret Isait në hadithet e të Dërguarit të Allahuts.a.v.s. Gjithashtu, rreth ardhjes së tij të dytë, edhe gjetën fjalët si “zbritja e tij” apo “ngjitja e tij”. Pastaj, dijetarë muslimanë, me kalimin e kohës, keqinterpretuan disa ajete, duke u ngatërruar me besimet e të krishterëve. Nëse provohet nga Kurani që Hazret Isai a.s. ka ndërruar jetë, atëherë detyrimisht fjalët “zbritja” dhe “ngjitja” kanë kuptimin metaforik. Përveç kësaj, nuk është vetëm Hazret Isai a.s. rreth të cilit janë përdorur këto fjalë, por, siç do të shohim më vonë, këto fjalë përdoren për çdo profet, madje edhe për njerëz të tjerë të devotshëm të Zotit.

Kuptimi i vërtetë i ajetit: “Ata as nuk e vranë atë, as nuk e kryqëzuan, por ashtu u është dukur”

Një nga ajetet kryesore, në bazë të të cilit, joahmedianët mendojnë që është dëshmi për jetën e jashtëzakonshme të Hazret Isait, është pikërisht ajeti i suresë En-Nisa, në të cilin, Allahu pohon se hebrenjtë nuk e vranë Isain a.s. e as nuk e kryqëzuan, por atyre u është dukur ashtu dhe Allahu e ngriti atë drejt Vetes. Pra, sipas joahmedianëve, ky konsiderohet ajeti më kryesor që i bën të besojnë se Hazret Isai a.s. nuk vdiq, por u ngrit në qiell. Prandaj, këtë ajet dhe ajetet që janë në kontekst të tij, do t’i trajtomë veçmas në rreshtat e mëposhtëm.

Allahu i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë, thotë:

“Dhe për deklarimin e tyre: Ne e vramë Mesihun Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut. Por, ata as nuk e vranë, e as nuk e kryqëzuan, por ashtu u është dukur; dhe ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të; ata s’kanë dijeni për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata me siguri nuk e kanë vrarë atë.
Përkundrazi, Allahu e ngriti drejt Vetes. Dhe Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
Dhe secili nga ithtarët e Librit do ta besojë atë para vdekjes së tij; dhe në Ditën e Kiametit ai do të jetë dëshmitar kundër tyre.” (En-Nisa 4:158-160)

Në këto ajete thuhet se hebrenjtë as nuk e vranë Hazret Isain a.s. dhe as nuk qenë të suksesshëm që ta kryqëzonin atë. Nëse Hazret Isait a.s. nuk i erdhi vdekja as nga atentati vrasjes së bërë nga hebrenjtë dhe as nga kryqëzimi, kjo nuk do të thotë se ai nuk pati një vdekje të natyrshme. Kurani nuk flet aspak për shumicën e profetëve se si u erdhi vdekja. A do të thotë kjo që edhe ata janë të gjallë deri më sot?! Kurrsesi jo.

Më tutje, Allahu i Plotfuqishëm thotë: “…por u është dukur ashtu…”. Për këtë, shumë muslimanë joahmedianë e komentojnë, pa ndonjë hadith autentik dhe pa asnjë provë historike apo logjike, duke thënë se Hazret Isai a.s. ishte në një shtëpi me dishepujt e tij, ushtarët romakë e rrethuan shtëpinë, atëherë në mënyrë të mrekullueshme një person i përngjau Hazret Isait a.s. aq shumë saqë ushtarët atë e morën dhe e kryqëzuan në vend të Isait. Kurse Hazret Isait iu hap tavani dhe më pas ai fluturoi në qiell.

Në arabisht folja është joveprore “u është dukur” (“shub-biha”). Kjo nuk do të thotë se i tërë Isai është zëvendësuar me një njeri tjetër që mori pamjen e Hazret Isait. Po të ishte kështu, Kurani patjetër do ta përmendte atë personin e dytë.

Kryqëzimi ishte një lloj pushkatimi

Joahmedianët akuzojnë se Xhemati Musliman Ahmedia nuk e beson këtë ajet, pasi pohon se Isai a.s. u kryqëzua. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Xhemati Ahmedia komenton sipas fjalëve të Kuranit Famëlartë. Pra, Isai u vendos në kryq, por Kurani dhe Bibla, si dhe argumentet  logjike vërtetojnë faktin se Isai a.s. nuk ndërroi jetë në kryq, por i shpëtoi kryqëzimit.

Në arabisht fjala është “salaba”, që sipas të gjithë fjalorëve të famshëm të gjuhës arabe do të thotë:

“Var dikë në kryq derisa ai të vdesë, t’i hiqet palca e tij”.  (Lisanul Arab)

Kryqëzimi nuk ishte diçka tjetër veçse një lloj pushkatimi. Ai që nuk vdes në kryq, por qëndron vetëm i varur në kryq për disa orë dhe pastaj hiqet i gjallë, i shpëton kryqëzimit. Ashtu si, për shembull, ne nuk themi “ai u mbyt”, për një njeri që zhytet në ujë, por shpëton, ose “ai u vra”, për atë që qëllohet me armë, por nuk vdes. Këtu fjalët “ai u kryqëzua” përdoren vetëm për atë njeri që gozhdohet në kryq, e që i thyhen kockat, i cili lihet për ditë të tëra në kryq deri sa të vdesë përfundimisht. Edhe fjalët e ajetit që vijojnë e theksojnë këtë fakt:

“Ata me siguri nuk e kanë vrarë atë.”

Për të kuptuar çështjen e kryqëzimit duhet të kemi parasysh edhe prapavijën e kësaj ngjarjeje. Pse çifutët janë përpjekur ta kryqëzonin Hazret Isain a.s.? Në Dhjatën e Vjetër është përmendur se ai që vdes në kryq është i mallkuar, siç thuhet në një vend:

“…sepse ai që rri varur është i mallkuar nga Perëndia…” [Ligji i Përtërirë – Kapitulli 21;23]

Njihet edhe historikisht, se çifutët u përpoqën deri në fund për të provuar se Hazret Isai a.s. (neudhubillah) ishte i mallkuar dhe si i tillë, nuk mund të ishte i dërguar prej Zotit. Pikërisht për këtë arsye, hebrenjtë nuk e pranojnë Isain a.s. deri më sot, sepse ata thonë që ai pësoi një vdekje të mallkuar. (Edhe të krishterët e pranojnë këtë fakt, por e përdorin në favor të tyre duke thënë se, ai pranoi vdekjen e mallkuar për t’ua marrë mëkatet.)

Ndërsa Kurani Famëlartë pohon që ai nuk u kryqëzua dhe i shpëtoi vdekjes së mallkuar dhe në këtë mënyrë Zoti e lartësoi atë dhe nuk e la të bëhet i mallkuar. Kurani Famëlartë gjithashtu heq perden duke treguar faktet historike që Zoti i Madhërishëm i dha mundësi të mërgonte nga Perandoria Romake dhe me gjithë nënën e tij, i dha strehim në një vend rrafshnaltë. Ky mërgim medoemos kishte ndodhur menjëherë pas ngjarjes së kryqëzimit, sepse nuk gjejmë asnjë ngjarje tjetër në jetën e Hazret Isait, për shkak të së cilës ai të detyrohej ta linte vendin e tij. Kurani Famëlartë pohon:

“Dhe birin e Merjemes dhe nënën e tij e kemi bërë një shenjë, dhe u kemi dhënë strehim në një vend të lartë me plot lugina e burime me ujë të rrjedhshëm.” (El-Muminun 23:51)

Profeti Muhammeds.a.v.s. raportohet të ketë thënë:

“Allahu, i Lartësuari i shpalli Isait a.s.: – “O Isa,  vazhdo të lëvizësh nga një vend në tjetrin në mënyrë që të mos persekutohesh pasi të të njohin.” (Kanzulumal,Babul Euel fil akhlak, vëll. 3,  faqe 158)

Vetë Hazret Isa a.s. e pranon se ai ishte i ngarkuar për t’u kujdesur për delet e humbura të Izraelit. Është provuar historikisht se 12 fise izraelite rreth gjashtëqind vjet pas Hazret Musait, kanë lëvizur drejt Afganistanit dhe Indisë së Veriut. Prandaj, Hazret Isa a.s. e vazhdoi misionin e tij dhe jetoi në Indi, në luginën e Kashmirit. Të interesuarit me këtë çështje tani kanë në dispozicion edhe përkthimin e librit “Mesihu në Indi”.

Ngritja fizike apo shpirtërore?

Pastaj vjen pohimi i Allahut:

“Përkundrazi, Allahu e ngriti drejt Vetes. Dhe Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.”

Duhet të dimë se ngritja e njeriut, në Kuranin Famëlartë, gjithmonë është përmendur me kuptimin e ngritjes shpirtërore, pra, bëhet fjalë për ngritjen e statusit. Veç kësaj ngritja drejt Allahut nuk mund të konceptohet si ngritje fizike, pasi për ta provuar këtë, së pari duhet të përcaktojmë vendin statik të Allahut të Madhërishëm. Ndërsa në Kuranin Famëlartë, Ai thotë:

“Allahu është në qiej dhe në tokë.” (El-En’am 6: 4)

Në një vend tjetër, Ai thotë:

“Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi, pra, ngado që të ktheheni është Fytyra (ana) e Allahut. Vërtet, Allahu është Gjithëpërfshirës dhe i Gjithëdijshëm.” (El-Bekare 2:116)

Në suren Kaf thotë:

“Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet.” (Kaf 50:16)

Pra është absurde të mendosh se Allahu është vetëm në qiell dhe jo në tokë. A është e drejtë të mendosh se një njeri që është në avion duke fluturuar në qiell është më afër Zotit sesa ai që është në tokë duke e mbështetur ballin e tij në sexhde për hir të Allahut? Kurrsesi jo. Profeti Muhammeds.a.v.s. vetë thotë në një hadith:

“Kur robi përulet, Allahu e ngre atë në qiellin e shtatë.” (Kenzulummal, vol. 2, f. 52)

Realisht, Zoti e përmendi me fjalë të veçanta ngritjen e Hazret Isait po për atë arsye që përmendëm pak më lart. Hebrenjtë u përpoqën deri në fund që ta kryqëzonin atë, që ta provonin se ai qe një njeri i mallkuar. I mallkuari do të thotë ai që nuk mund t’i afrohet kurrë Allahut dhe i përngjan shejtanit. Pikërisht për ta hedhur poshtë akuzën e tyre, Allahu i Madhërishëm në këto ajete, së pari tregon se Hazret Isai nuk u kryqëzua dhe për shkak të planit të Allahut, atyre iu duk sikur ata e kryqëzuan me sukses, por Ai e shpëtoi atë nga kryqëzimi. Në këtë mënyrë, Allahu pohon se ai (Isai) nuk qe i mallkuar, madje Ai e ngriti atë në status akoma më lart.

Disa shembuj nga Kurani për ngritjen shpirtërore

Në Kuran ka shumë ajete, në të cilat flitet për ngritjen drejt Zotit. Por, të gjithë dinë se ato nuk mund të kuptohen me kuptimin e tyre statik. Më poshtë do të tregojmë disa:

  1. Allahu i Madhërishëm i thotë të Dërguarit të Tij që t’i urdhërojë besimtarët:

“Ikni me vrap drejt Zotit, sepse unë vërtetë jam dërguar te ju prej Tij si një alarmues i qartë”! (Edh-Dharijat 51:51)

Tani, në cilin drejtim duhet të ikin besimtarët?! Djathtas, majtas, poshtë apo lart?! Jo, në asnjërën anë, por vetëm drejt përparimit shpirtëror.

  1. “Tregoju atyre (hebrenjve) për njeriun, të cilit Ne i mësuam shpalljet Tona, por ai u largua prej tyre. Kështu, djalli e pushtoi atë dhe ai u bë nga të humburit. Sikur të donim, do ta ngrinim atë, por ai u mbërthye pas tokës.” (El-Araf 7:176-177)

Bëhet fjalë për një nga pasuesit e Hazret Musait që ishte një njeri i devotshëm, por egoizmi i tij e devijoi nga rruga e drejtë. Të gjithë dijetarët janë të mendimit se në këtë ajet Sikur të donim, do ta ngrinim atë” do të thotë ngritja e tij në status dhe “u mbërthye pas tokës” do të thotë ai u mbërthye pas jetës tokësore dhe u dha pas dëshirave të veta.

  1. “Trego në Libër për Idrizin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet. Ne e ngritëm atë në vend të lartë.” (Merjem 19:57-58)

Të gjithë e dinë se Hazret Idrisi nuk është ngritur në qiell. Ndërsa sipas këtij ajeti, ai do të ishte më i denjë për të qenë në qiell, pasi këtu Allahu qartazi thotë se “Ne e ngritëm atë në vend të lartë.

  1. “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt i kënaqur dhe i pranuar! Hyr në grupin e robërve të Mi! dhe hyr në xhenetin Tim.” (El-Faxhr 89: 29-31)

Pas këtyre shembujve të qartë, le t’i kthehemi përsëri komentimit të ajeteve të suresë En-Nisa. Vijon ajeti:

Dhe secili nga ithtarët e Librit do ta besojë atë para vdekjes së tij; dhe në Ditën e Kiametit ai do të jetë dëshmitar kundër tyre. (En-Nisa 4:160)

Edhe me këtë ajet, joahmedianët kot mundohen ta provojnë jetën e Hazret Isait duke thënë se deri sa të vijë Isai përsëri, vetëm atëherë të gjithë ithtarët e Librit do ta besojnë. Nëse ky ajet ka këtë kuptim, atëherë ky është vetëm një deklarim dhe asgjë tjetër. Sepse, deri tani miliona hebrenj kanë vdekur që kurrë nuk e pranuan Isain. Po ta përkthejmë fjalë për fjalë këtë ajet, do të jetë kështu:

“Dhe secili nga ithtarët e Librit do ta besojë atë para vdekjes së tij; dhe në Ditën e Kiametit ai do të jetë dëshmitar kundër tyre”. (En-Nisa 4:160)

Kjo mund të ketë dy kuptime: (1) S’ka asnjë besimtar nga ithtarët e Librit që nuk do ta besojë atë para vdekjes së tij. (2) S’ka asnjë grup (sekt) të ithtarëve të Librit që nuk do ta besojë atë para vdekjes së tij.

Sikundër e sqaruam më lart se kuptimi i parë kurrë nuk mund të realizohet, sepse miliona hebrenj kanë vdekur deri më sot pa e pranuar Isain. Vetëm kuptimi i dytë mund të jetë i saktë, sepse Hazret Isai mërgoi atje ku ishin fiset izraelite dhe mendohet që njerëz nga të gjitha fiset e pranuan Isain a.s. para vdekjes së tij.

Kuptimi i ardhjes së dytë të një profeti, të shpjeguar vetë nga Hazret Isai alejhiselam

Hazret Isai a.s. nuk është profeti i parë për të cilin shumica e njerëzve mendojnë se ai është akoma i gjallë diku në qiell. Hebrenjtë edhe sot e presin Iliasin (Elianë, siç e quajnë në Bibël) të vijë nga qielli. Madje, ky besim është një nga argumentet kryesore të çifutëve për ta mohuar Isanë a.s. në të kaluarën dhe sot, pasi që kjo rrjedh pikërisht nga mospërmbushja e kësaj profecie në atë mënyrë siç e interpretuan ata.

Por Hazret Isai, duke iu përgjigjur pyetjes së çifutëve, u kishte thënë se ardhja e dytë e Iliasit u plotësua me ardhjen e Hazret Jahjasë (Gjonit, siç e quajnë në Bibël). Jahja ishte Iljasi, dhe sipas Isait a.s. paralajmërimi ishte plotësuar me të dhe se ishte tek hebrenjtë çështja e besimit ose mosbesimit. Le ta ndjekim këtë histori në Bibël:

Për ngritjen e Elias (Iljasit), Bibla thotë:

“Ndërsa ecnin duke folur, ata u ndanë nga njeri tjetri nga një qerre e zjarrtë dhe nga kuaj të zjarrtë, dhe Elia u ngjit në qiell në një shakullinë.

Eliseu e pa këtë dhe filloi të bërtasë: “O ati im, o ati im, qerre e Izraelit dhe kalorësia e tij”. Pastaj nuk e pa më. Atëherë kapi rrobat e tij dhe i grisi më dysh.” (4 i Mbretërve, në Septuaginta (2 i Mbretërve, në tekstin mazoretik) – Kapitulli 2: 11,12)

Elia duhet të kthehej përpara ditëve të fundit të Izraelitëve, shkruhet në Bibël:

“Ja, unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit.”  (Malakia – Kapitulli 4:5)

Tani, kur Hazret Isai a.s. erdhi dhe tha se unë jam ai profet që duhet të vinte te Izraelitët në fund, atëherë hebrenjtë i bënë pyetjen e duhur Isait a.s.:

                Nëse ti je Mesihu i Premtuar, atëherë ku është Elia?

Ajo çfarë iu përgjigj Isai a.s. ruhet gjithashtu në Bibël. Ai tha:

“Sepse të gjithë profetët dhe ligji kanë profetizuar deri te Gjoni. Dhe, në daçi ta pranoni, ai është Elia, që duhej të vijë. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!” (Mateu – Kapitulli 11 : ajet 13-15)

Në Bibël, në një vend tjetër kjo çështje është përmendur si më poshtë:

Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: “Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?”.
Dhe Jezusi u përgjigj: “Vërtet Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.
Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t’i duhet të vuajë prej tyre”.
Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin. (Mateu – Kapitulli 17; 10-13)

Mohimi i çifutëve i deritanishëm është pikërisht mbi këtë bazë, se ata nuk mund të pranojnë Isain si Mesih i tyre i Premtuar, pa ardhur Elia prej qielli.

  • Por argumenti që dha Jezusi, ngre pyetjet:Nëse Isai a.s. dha argumentin e tij duke thënë se i njëjti profet nuk mund të kthehet fizikisht, atëherë si është e mundur që ai vetë ta thyejë të njëjtin argument me ardhjen e tij të dytë fizike?
  • Nëse ai (i njëjti Isa) vjen përsëri, atëherë hebrenjtë do të kenë të drejtën ta pyesin atë: Nëse ti vjen përsëri, atëherë përse na ke dhënë një argument të tillë për Elian?
  • Nëse Gjoni mund të vijë në vend të Elias, atëherë përse një shërbëtor i Profetit Muhammeda.v.s. nuk mund të vijë në vend të Isait a.s. birit të Merjemes?
  • Nëse Bibla ka të drejtën të përdorë emrin e një profeti të mëparshëm për ardhjen e tij të dytë, atëherë përse Profeti ynë Hazret Muhammedis.a. nuk mund të përdorë këtë metaforë?

Myslimanët që mendojnë për ardhjen fizike të Isait, po ndjekin rrugën e hebrenjve

A nuk është e vërtetë që sot muslimanët duan të njëjtën gjë që hebrenjtë e donin përpara 2000 vjetësh? Shikojini hebrenjtë! Ata akoma janë duke e pritur Elian, i cili duhet të vijë nga qielli sipas mendimit të tyre, dhe pikërisht për këtë ata vazhdimisht po luten te Muri i Shenjtë. Por ai që duhej të vinte, erdhi në kohën e tij dhe kaloi, dhe kështu ata janë bërë pre e zemërimit të Zotit. Ahmedianët i përmbahen argumentit të Hazret Isait, ndërsa muslimanët që dëshirojnë zbritjen e tij fizike prej qiellit mbajnë qëndrimin e devijuar të hebrenjve. Kjo ishte pikërisht ajo që ishte parashikuar. Le të shikojmë se çfarë thotë i dashuri ynë, Profet Muhammedis.a.v.s. rreth kësaj:

Buhari përmend një profeci të tillë.

 “Abu Saeed r.z. tregon se i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka thënë: Jam i sigurtë se do të ndiqni rrugët e të parëve, hap pas hapi, pëllëmbë pas pëllëmbe. Ata edhe nëse hynë në vrimën hardhucës, edhe ju do të hyni në të!

O i Dërguar i Allahut – e pyetëm – keni fjalën për hebrenjtë dhe të krishterët?

-Kush tjetër?! – tha ai.” (Sahih Bukhari Libri Ahadithul Ambiya Kreu çka përmendet për Beni Israilët )

Sa qartë profecitë u përmbushën! Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin gjithnjë mbi Profetin e vërtetë, thëniet e të cilit u përmbushën fjalë për fjalë. Kurani dhe hadithet pohojnë njëzëri që Hazret Isai a.s. ndërroi jetë. I Dërguari i Allahuts.a.v.s. është shumë i qartë në paralajmërimin që Mesihu i Premtuar është quajtur Isa i biri Merjemes për shkak të ngjashmërisë së plotë që do të kenë ata. Pikërisht ajo ngjashmëri kërkonte që Mesihu i Premtuar duhej të vinte në fillim të shekullit katërmbëdhjetë pas të Dërguarit të Allahuts.a.v.s. Përveç kësaj, sot cili musliman mund të mohojë që muslimanët kanë nevojë për një Imam prej Zotit. Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s. themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia deklaroi që ai është Mesihu i Premtuar, që erdhi në kohën e duhur për të shpëtuar muslimanët nga devijimet e keqinterpretimet dhe për t’u mundësuar atyre kontakt të gjallë me Zotin. Po e mbyll këtë temë me fjalët e tij të bekuara, në të cilat, ai duke dhënë edhe një argument tjetër për mos ardhjen fizike të Hazret Isait prej qiellit, na fton të mendojmë sinqerisht rreth kësaj çështjeje. Duke iu referuar ajetit të Kuranit:

یٰحَسْرَۃً عَلَی الْعِبَادِ ۚؑ مَا یَاۡتِیۡہِمۡ مِّنۡ رَّسُوۡلٍ اِلَّا کَانُوۡا بِہٖ یَسْتَہۡزِءُوۡنَ

“Ah, sa mjerim për njerëzit! Kurdo që u vjen ndonjë i dërguar, ata nuk bëjnë tjetër, vetëm se tallen me të”. (Jasin 36:30)

Ai thotë:

“Pra, kjo është një shenjë prej Zotit që çdo profet përqeshet e përbuzet. Por, njeriun, që prej qiellit zbret me shoqërinë e engjëjve në mesin e të gjithë njerëzve, kush do ta përqeshë?! Edhe me këtë argument, një njeri i mençur mund të kuptojë se zbritja fizike e Mesihut të Premtuar nga qielli është një besim i rremë.

Mbani mend! Askush nuk do të zbresë nga qielli. Të gjithë kundërshtarët tanë që sot janë të gjallë, do të vdesin, por asnjëri nga ata nuk do ta shohë Isain birin e Merjemës duke zbritur nga qielli. Pastaj pasardhësit e tyre që do të mbeten, edhe ata do të vdesin, por asnjeri prej tyre nuk do ta shohë Isain birin e Merjemës duke zbritur nga qielli. Pastaj edhe fëmijët e fëmijëve të tyre do të vdesin, por edhe ata nuk do të mund ta shikojnë birin e Merjemes duke zbritur nga qielli.

Atëherë Zoti do të fusë frikë në zemrat e tyre dhe ata do të detyrohen të reflektojnë: “edhe ditët e mbizotërimit të kryqit kanë kaluar dhe bota ka ndryshuar krejtësisht, por biri i Merjemes ende nuk zbriti nga qielli”! Atëherë, njerëzit e mençur do ta braktisin këtë besim. As tre shekuj nga sot nuk do të kenë kaluar, kur ata që po presin Isain, qofshin muslimanë, qofshin të krishterë, duke u dëshpëruar dhe u pikëlluar, do ta lëshojnë këtë besim të rremë. Atëherë në botë do të mbetet vetëm një fe dhe vetëm një udhërrëfyes. Unë kam ardhur sa për të mbjell një farë, e cila tashmë është mbjellë nga dora ime. Tani ajo do të rritet, do të lulëzojë dhe askush nuk mund ta pengojë atë.” (Ruhani Khezain, vol. 20: Tazkiratush Shahadatain faqe. 67 )

7 argumente të pathyeshme nga Kurani përvdekjen e Hazret Isait a.s.

 

Argumente nga hadithet e Profetit Muhammed s.a. për vdekjen e Hazret Isait a.s.

 

Shpëtimi i Krishtit nga kryqëzimi, nga vdekja e mallkuar – Faktet Biblike