Shembulli i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. në lutje
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Shembulli i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. në lutje

Mesihu i Premtuar

Lutje me pasion

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Ashtu siç deti ka forcë, Zoti më dha forcë të tillë në lutje”. “Unë lutem kaq shumë, saqë bëhem i pafuqishëm duke u lutur. Nganjëherë më bie të fikët dhe gati vdes kur lutem”.[1]

El-Fatiha në fillim të lutjes

Hazret Mufti Muhammed Sadiku thoshte se gjatë lutjes Hazret Mesihu i Premtuar a.s. më së pari thoshte El-Fatihanë dhe më pas lutej për ndonjë gjë tjetër.

Lutje për udhëzimin e botës

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Lutja jonë është që Zoti ta mbrojë xhematin, bota të shohë se Profeti fisnik s.a.v.s. ishte i dërguar i vërtetë dhe njerëzit të fitojnë besimin në Zot”.[2] 

Lutje për t’u pastruar nga mëkatet

“Lutja e parë dhe më e rëndësishme e njeriut duhet të jetë që ai të pastrohet nga mëkatet. Edhe rrënja, edhe dega e të gjitha lutjeve është po kjo, sepse nëse i pranohet kjo lutje dhe ai pastrohet e lahet nga çdolloj papastërtie dhe në sy të Zotit të Madhërishëm vlerësohet si i pastruar, ai nuk do të ketë më nevojë të lutet për kërkesat e tij të tjera. Ato do t’i përmbushen vetvetiu. Lutja më e vështirë dhe më e mundimshme është pikërisht kjo që njeriu të pastrohet nga mëkatet dhe në sy të Zotit të Madhërishëm të vlerësohet i druajtur dhe i sinqertë”.[3]

Lutje për miqtë

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Në mënyrë të përsëritur kam marrë shpalljen:

D.m.th. “Do të të pranohet çdo lutje e dobishme”. … Fillimisht kur e kam marrë këtë shpallje … u gëzova shumë, duke menduar se Allahu i Madhërishëm patjetër do të më pranojë të gjitha lutjet e mia që unë do t’i bëja për veten time dhe për miqtë e mi … Prandaj, për miqtë e mi e kam si parim që, medoemos lutem për të mirën e tyre në çështjet e besimit e të botës, edhe sikur ata të më kujtojnë a të mos më kujtojnë, edhe sikur të më tregojnë ndonjë problem të tyre apo të mos më tregojnë”.[4]

“Kushdo që dëshiron që unë të kem dashuri ndaj tij dhe lutjet e mia përgjëruese e të dhembshura për të të shkojnë në qiell, le të më bindë se ai ka aftësi për t’u bërë shërbëtor i fesë”.[5]

“ Ajo që më tërheq vëmendjen dhe që më motivon për të bërë lutje është vetëm të mësoj për dikë që ai është i denjë për t’i shërbyer fesë dhe është i dobishëm për Zotin e Madhërishëm, për të Dërguarin e Tij, për librin e Tij dhe për robërit e Tij. Njeriu i tillë kur ndien dhimbje e shqetësohet, edhe unë ndiej dhimbje e shqetësohem”.[6]

“Unë gjithmonë qëndroj i angazhuar në lutje dhe lutja kryesore e imja është që Zoti të m’i ruajë miqtë nga shqetësimet dhe brengat, sepse pikërisht shqetësimet dhe problemet e tyre më shqetësojnë mua. Përveç kësaj, këtë lutje e bëj edhe në mënyrë të përgjithshme që, nëse ndokush ka ndonjë shqetësim a brengë, Allahu i Lartësuar ta shpëtojë atë nga problemi i tij. E gjithë vëmendja dhe angazhimi im është që t’i lutem Allahut të Lartësuar”.[7]

Lutje për armikun

“Qëndrimi im është që as armikun nuk duhet ta përjashtoj nga lutjet e mia. Sa më e gjerë të jetë lutja, aq më e dobishme do të jetë ajo për lutësin dhe sa më shumë që lutësi tregohet koprrac në lutjen e tij, aq më shumë largohet ai nga Allahu i Madhërishëm”.[8]

Lutje për besimin

“Anëtarët e xhematit tonë duhet të luten duke qarë gjatë natës … Për lutjen në përgjithësi njerëzit mendojnë se ajo është vetëm për botën. Ata janë si krimbat e tokës që nuk mund të kalojnë përtej. Lutja e vërtetë bëhet për besimin.[9]

Sipas gazetës “El-Bader”, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë:

“Lutja e vërtetë bëhet për besimin dhe besimi i vërtetë qëndron në lutje. Duhet të luteni shumë në namaz edhe për besimin, edhe për botën.

Namazi ndryshe quhet lutje. Prandaj, lutuni në të, që Zoti t’ju shpëtojë nga shqetësimet e botës e të ahiretit dhe t’ju mundësojë fundin e mbarë”.[10]

Lutje për fëmijët dhe bashkëshorten

“Përveç lutjeve që bëni për të pasur ndryshim të pastër në veten tuaj, duhet të luteni edhe për fëmijët dhe për bashkëshorten, sepse shumica e gjëmave njeriut i vijnë prej fëmijëve. Nëse dikush dëshiron të ketë fëmijë, le të dojë … që të ketë një, që bëhet shkak i ngritjes së emrit të Islamit. Nëse njeriu ka një dëshirë të pastër si kjo, Allahu i Madhërishëm është i Plotfuqishëm t’i dhurojë fëmijë, njësoj siç i kishte dhuruar Zakariasë”.[11]

Lutja më e dobishme

“Lutja më e dobishme është që të keni pëlqimin e Zotit të Madhërishëm dhe shpëtimin nga mëkatet. Sepse, mëkatet e ngurtësojnë zemrën dhe njeriu bëhet krimb i tokës. Lutja jonë duhet të jetë që Zoti i Madhërishëm të na largojë nga mëkatet që na ngurtësojnë zemrat dhe të na udhëzojë drejt pëlqimit të Tij”.[12]

Lutje për të kërkuar pëlqimin e Zotit

“Lutjet, së pari, duhet t’i bëni për të kënaqur Allahun e Lartësuar. Lutjet e tjera do t’ju pranohen vetvetiu, sepse bekimet do t’ju vijnë vetë, kur të largoheni nga mëkatet. Kështu lutja që bëhet vetëm për hir të kësaj bote, nuk pranohet”.[13]

“Duhet t’i luteni Zotit të Madhërishëm me shumë dhimbje e me shumë pasion, që, ashtu siç ju ka mësuar shijet nga më të ndryshme të frutave e të gjërave të tjera, t’ju japë një herë edhe shijen e adhurimit dhe të namazit”.[14]

Pasi pa hënën e muajit Rebiul-evvel, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Çdo muaj ka gjërat e tij të mira e të këqija, prandaj duhet të luteni”.[15]

Lutja e përditshme e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

“Disa lutje që bëj çdo ditë rregullisht, janë:

Së pari: lutem për veten time, që Zoti Bujar të më mundësojë të bëj atë punë, e cila shfaq nderin dhe madhështinë e Tij dhe të më dhurojë pëlqimin e plotë të Tij.

Së dyti: lutem për anëtarët e familjes, që Zoti të më mundësojë prej tyre prehjen e syve dhe ata të ndjekin pëlqimet e Zotit të Madhërishëm.

Së treti: lutem për fëmijët e mi që ata, që të gjithë, të bëhen shërbëtorë të fesë.

Së katërti: lutem për miqtë e mi të sinqertë, duke i përmendur emrin secilit.

Së pesti: lutem për të gjithë ata që janë të lidhur me këtë xhemat, edhe ata që i njoh, edhe ata që nuk i njoh”.[16]


[1]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 389.
[2]. “Malfuzat”, vëll. 4, f. 261.
[3]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 617.
[4]. “Malfuzat”, vëll. 1, f. 67.
[5]. “Malfuzat”, vëll. 1, f. 311.
[6]. “Malfuzat”, vëll. 1, f. 215.
[7]. “Malfuzat”, vëll. 1, f. 66.
[8]. “Malfuzat”, vëll. 1, f. 353.
[9]. “Malfuzat”, vëll. 5, f. 132.
[10]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 435.
[11]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 579.
[12]. “Malfuzat”, vëll. 4, f. 30.
[13]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 602.
[14]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 28.
[15]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 323.
[16]. Gazeta “El-Hakem”, vëll. 4, f. 2-11, data 17 janar 1900; nr. i letrës 4, drejtuar Maulana Abdul Kerimit.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp