Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

Mesihu i Premtuar, Imam Mehdiu a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë të shkëputura nga kjo hutbe. Për hutben e plotë, ju lutemi, ndiqeni videon)

Dje ka qenë data 23 mars, e cila në historinë e Xhematit Musliman Ahmedia është një datë shumë e rëndësishme, sepse në këtë datë, Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s. e themeloi Xhematin Ahmedia, duke pranuar zyrtarisht bejtin (anëtarësimin). Ai tha:

“Unë jam ai Mesih i Premtuar dhe Imam Mehdi që do të vinte sipas parashikimit të Profetit Muhammed s.a.v.s..”

Ai tha:

“Unë jam dërguar që ta vendos teuhidin e Zotit dhe të krijoj dashurinë ndaj Zotit në zemrat e njerëzve”.

Ai tha:  

“Zoti dëshiron që të gjitha shpirtrat e pastra që jetojnë në vende të ndryshme të botës, qofshin ata që janë Evropë, qofshin ata që janë në Azi e gjetkë, t’i tërheqë drejtë njëshmërisë dhe t’i mbledhë robërit e Tij në një fe të vetme. Ky është qëllimi i Zotit të Madhërishëm, për të cilin jam dërguar. Andaj, ndiqeni këtë synim, por me butësi dhe duke forcuar virtyte dhe lutje”

Ai gjithashtu tha:

“Këtë pozitë dhe këtë gradë kam marrë vetëm duke e ndjekur Profetin Muhammed s.a.v.s. dhe duke pasur dashuri të sinqertë ndaj tij.

Andaj, këtu ka një mesazh për të gjithë botën që, duajeni të Dërguar dhe ndiqeni atë, sepse në këtë mënyrë do të arrini të krijoni lidhje me Zotin e Madhërishëm dhe gjithashtu do të bëheni adhurues të vërtetë të Tij.

“Të gjithë bijtë e Ademit tashmë nuk kanë ndonjë të dërguar dhe ndërmjetës tjetër, përveç Muhammedit Mustafa s.a.v.s.. Andaj, përpiquni që të keni dashurinë e sinqertë ndaj këtij Profeti madhështor dhe mos i jepni asnjë lloj epërsie ndokujt tjetër mbi të, në mënyrë që të shënoheni në qiell si të shpëtuar. Mbajeni mend! Shpëtimi nuk është diçka që ju shfaqet vetëm pas vdekjes. Madje, shpëtimi i vërtetë tregon dritën e tij që në këtë botë. Kush është i shpëtuar? Ai që beson me bindje që Zoti është i vërtetë dhe Muhammedi Mustafa s.a.v.s. është ndërmjetës midis Atij dhe të gjitha krijesave dhe që nën qiell nuk ekziston asnjë i dërguar i barabartë në pozitë me të dhe asnjë libër i barabartë në pozitë me Kuranin dhe që për askënd tjetër Zoti nuk dëshiroi të jetojë përjetësisht, përveç këtij dërguari, që do të jetojë përjetësisht”.

Kjo është ajo pozitë dhe dashuri që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i kushton Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s., gjë të cilën ai gjithmonë e ka treguar fuqimisht dhe i ka porositur edhe anëtarët e Xhematit të tij që në këtë mënyrë ta duan Profetin s.a.v.s.. Janë të padrejtë dhe mizorë ata që thonë se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dhe ndjekësit e tij ia ulin, neudhubil-lah, pozitën Profetit Muhammed s.a.v.s. karshi pozitës së Mesihut të Premtuar a.s..

Këto ditë, pikërisht me këtë akuzë, mizorët në Algjeri i fusin ahmedianët në burg. Aq saqë, ata kanë filluar të nëpërkëmbin edhe gratë ahmediane. Ngrenë gjyqe kundër tyre, kundër grave që kanë fëmijë disamuajsh, të mbajtur në gji, të cilat detyrohen të udhëtojnë për orë të tëra nga një qytet në tjetrin, të përballen me gjyqe dhe më në fund të burgosen. Por këto gra më dërgojnë mesazhe duke thënë:

Ne si mund të tërhiqemi nga besimi ynë, për sa kohë që pikërisht duke e pranuar Mesihun e Premtuar a.s., ne kemi kuptuar Teuhidin e vërtetë, pozitën e lartë të Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe kemi ndierë dashurinë e sinqertë ndaj tij?!

….

Duke iu drejtuar Zotit të Madhërishëm, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Shiko se si shpirti im po fluturon me besim të plotë drejt Teje me, ashtu sikur një zog që shkon drejt folesë së tij. Dua një shenjë të fuqisë Sate, jo për vete e as për nderin tim personal, por që njerëzit të të njohin Ty dhe të zgjedhin rrugët e Tua të dëlira dhe të mos e braktisin udhëzimin Tënd, duke mohuar atë që ke dërguar Ti. Unë dëshmoj që Ti më ke dërguar mua dhe ke shfaqur shenja madhështore në mbështetjen time, aq saqë i urdhërove edhe diellin dhe hënën të eklipsoheshin gjatë ramazanit mu sipas datave që ishin të parashikuara në profeci. Unë Të njoh Ty, sepse Ti je Zoti im. Andaj, me emrin Tënd shpirti im kërcen nga gëzimi, ashtu siç kërcen një fëmijë qumështor kur sheh nënën e vet. Por shumica e njerëzve nuk më kanë njohur dhe nuk më kanë pranuar”.

…..

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Sa fatkeq është ai njeri, që ende nuk di se ai ka një Zot, i cili ka fuqi mbi çdo gjë. Parajsa jonë është Zoti ynë. Kënaqësitë tona më të larta gjenden në Zotin tonë, sepse ne e pamë Atë dhe çdo lloj bukurie e gjetëm në Të. Kjo pasuri është me vlerë ta marrësh nëse e gjen duke dhënë edhe jetën. Dhe ky rubin është me vlerë ta blesh edhe sikur të kushtojë sa e gjithë qenia jote. O të humbur, vraponi drejt këtij burimi se ky do t’jua shuajë etjen tuaj. Ky është burimi i jetës që do t’ju shpëtojë. Ç’të bëj unë? Si mund ta gdhend në zemrat e njerëzve këtë lajm të gëzuar? Me çfarë daulle t’i njoftoj njerëzit se Ky është Zoti juaj? Dhe me çfarë ilaçi t’ua kuroj veshët që ata të fillojnë ta dëgjojnë?”

Duke këshilluar për adhurimin ndaj Zotit dhe për të pasur dashurinë ndaj Tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Nëse bëheni të Zotit, dijeni se Zoti është juaji. Ju do të jeni në gjumë, kurse Zoti i Madhërishëm për ju do të rrijë i zgjuar. Ju do të jeni të shkujdesur nga armiku, kurse Zoti do ta vëzhgojë atë dhe do ta shpartallojë planin e tij. Ju ende nuk e dini se çfarë forcash ka Zoti juaj. Sepse nëse do ta dinit, nuk do t’ju vinte asnjë ditë, kur të brengoseshit thellë për botën. Një njeri që mban një thesar me vete, vallë, a do të qajë, a do të bërtasë, a do të bëhet gati të vdesë, duke humbur vetëm një qindarkë? Po ta njihnit këtë thesar, që Zoti ju vjen në ndihmë në çdo nevojë tuajën, përse do të binit në kaq melankoli të thellë ndaj botës?! Zoti është një thesar i bukur. Çmojeni Atë, sepse Ai është Ndihmësi juaj në çdo hap të jetës. Pa Atë, ju jeni asgjë dhe as planet dhe mjetet tuaja nuk mund të bëjnë ndonjë gjë.

Mos i ndiqni popujt e tjerë, të cilët kanë përqafuar vetëm mjetet dhe ashtu siç gjarpri lëpin dheun, kanë lëpirë mjetet tokësore dhe ashtu siç hutat dhe qentë hanë ngordhësira, edhe ata kanë kafshuar ngordhësira. Ata kanë mbetur shumë larg Zotit.

Unë nuk ju ndaloj të përdorni mjetet deri në një masë të baraspeshuar, por ju ndaloj të bëheni robër të mjeteve, sikur popuj të tjerë, dhe ta harroni Zotin, që rregullon mjetet. … Po të keni sy, do të shikoni se ekziston vetëm Zoti dhe gjithçka tjetër është hiç.

….

“Asgjë nuk më ka lënduar zemrën kaq shumë, siç ma kanë lënduar përbuzjet dhe sharjet që njerëzit i kanë drejtuar të Dërguarit fisnik s.a.v.s.. Sharjet dhe përbuzjet e tyre therëse që ata i bënë ndaj krenarisë së njerëzimit s.a.v.s. më kanë plagosur rëndë zemrën. Pasha Zotin! Nëse do të më vrisnin të gjithë fëmijët, fëmijët e fëmijëve, të gjithë shokët dhe ndihmësit mu para syve të mi dhe nëse edhe mua do të më pritnin duart dhe këmbët e të më nxirrnin bebëzat e syve dhe të më bënin të dështoja në të gjitha dëshirat e mia e të humbisja të gjitha gëzimet dhe rehatinë time, prapëseprapë nuk do të më lëndonin kaq shumë, siç më kanë lënduar duke bërë sulme të pahijshme ndaj të Dërguarit fisnik s.a.v.s.. Andaj, o Zoti ynë qiellor! Na mëshiro, na ndihmo dhe na shpëto nga kjo sprovë kaq e rëndë!”

…..

Kur ndërroi jetë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. Gazeta “Vekil” e Amritsarit, shkroi:

Largimi i z. Mirza, pavarësisht nga dallimet shumë të mëdha bindjesh që ekzistonin mes nesh, muslimanët, po muslimanët e ndritur, e kanë ndierë se një njeri i madh u nda nga ata. Gjithashtu, bashkë me largimin e tij, ka marrë fund edhe mbrojtja madhështore e Islamit nga kundërshtarët e tij që ai e bënte… Sot jemi të detyruar të pranojmë vlerën dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të literaturës së z. Mirza, kur ajo ka mbaruar misionin e saj. Në të ardhmen, mbrojtja jonë sado e gjerë të bëhet, është e pamundur të anashkalojmë shkrimet e z. Mirza.

…..

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Po të mos isha nga umeti i Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe po të mos e ndiqja atë, kurrsesi nuk do ta gëzoja bekimin e komunikimit me Zotin, edhe sikur t’i kisha veprat sa krejt malet e botës”.

…..

Unë deklaroj për të gjithë myslimanët, të krishterët, hindutë dhe arjët se unë nuk kam asnjë armik në këtë botë. Unë i dua njerëzit me atë dashuri që mund ta ketë një nënë e mëshirshme për fëmijët e saj, madje edhe më shumë. Vetëm se jam armik i doktrinave të pavërteta që përdhosin të vërtetën. Dashamirësia për njerëzimin është detyra ime, ndërsa shpërfillja ndaj gënjeshtrës, shirkut, mizorisë dhe çdo vepre të keqe, padrejtësisë e keqsjelljes, janë parime të mia.

 ….

“Dëgjoni, o njerëz! Kjo është profecia e Atij që ka krijuar tokën dhe qiellin. Ai do ta përhapë këtë Xhemat të Tij në të gjitha shtetet dhe anëtarëve të tij do t’u japë triumf përmes provës dhe argumentit. Po vijnë ditët, madje janë afër, kur në botë do të mbetet vetëm kjo fe, që do të kujtohet me nderim. Zoti do ta bekojë jashtëzakonisht shumë këtë fe dhe këtë xhemat dhe do të bëjë të dështojë çdokënd që përpiqet ta asgjësojë atë. Ky triumf do të vijojë, derisa të vijë kiameti”.

Duke iu referuar ajetit të Kuranit:

یٰحَسْرَۃً عَلَی الْعِبَادِ ۚؑ مَا یَاۡتِیۡہِمۡ مِّنۡ رَّسُوۡلٍ اِلَّا کَانُوۡا بِہٖ یَسْتَہۡزِءُوۡنَ

“Ah, sa mjerim për njerëzit! Kurdo që u vjen ndonjë i dërguar, ata nuk bëjnë tjetër, vetëm se tallen me të”. (Jasin 36:30)

Ai thotë:

“Pra, kjo është një shenjë prej Zotit që çdo profet përqeshet e përbuzet. Por, njeriun, që prej qiellit zbret me shoqërinë e engjëjve në mesin e të gjithë njerëzve, kush do ta përqeshë?! Edhe me këtë argument, një njeri i mençur mund të kuptojë se zbritja fizike e Mesihut të Premtuar nga qielli është një besim i rremë.

Mbani mend! Askush nuk do të zbresë nga qielli. Të gjithë kundërshtarët tanë që sot janë të gjallë, do të vdesin, por asnjëri nga ata nuk do ta shohë Isain birin e Merjemës duke zbritur nga qielli. Pastaj pasardhësit e tyre që do të mbeten, edhe ata do të vdesin, por asnjeri prej tyre nuk do ta shohë Isain birin e Merjemës duke zbritur nga qielli. Pastaj edhe fëmijët e fëmijëve të tyre do të vdesin, por edhe ata nuk do të mund ta shikojnë birin e Merjemes duke zbritur nga qielli.

Atëherë Zoti do të fusë frikë në zemrat e tyre dhe ata do të detyrohen të reflektojnë: “edhe ditët e mbizotërimit të kryqit kanë kaluar dhe bota ka ndryshuar krejtësisht, por biri i Merjemes ende nuk zbriti nga qielli”! Atëherë, njerëzit e mençur do ta braktisin këtë besim. As tre shekuj nga sot nuk do të kenë kaluar, kur ata që po presin Isain, qofshin muslimanë, qofshin të krishterë, duke u dëshpëruar dhe u pikëlluar, do ta lëshojnë këtë besim të rremë. Atëherë në botë do të mbetet vetëm një fe dhe vetëm një udhërrëfyes. Unë kam ardhur sa për të mbjell një farë, e cila tashmë është mbjellë nga dora ime. Tani ajo do të rritet, do të lulëzojë dhe askush nuk mund ta pengojë atë.”