Jeta e Mesihut të Premtuar a.s. | (1835-1908)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Mesihut të Premtuar a.s.

Mesihut të Premtuar

Jeta e Mesihut të Premtuar a.s.

Jeta e Mesihut të Premtuar

Mëshira e Tij shndërroi një pikë uji në një lumë.
si një grimcë e vogël isha dhe Ai më bëri sa plejada yjesh.
Njeri i varfër isha, i papërkrahur, i panjohur dhe i paaftë,
se ku ndodhej Kadiani, nuk dinte njeri.
Njerëzit nuk kishin kurrfarë interesi për të,
as për qenien time askush nuk kishte dijeni.
A nuk shikoni se si po mblidhet njerëzia këtu
e Kadiani është bërë vendkthimi i të veçantëve
Ai më plotësoi çdo dëshirë që kisha pasur.
njeri i varfër isha e Ai më fali pafundësisht.

Historia njerëzore ka dëshmuar që sa herë bota kaplohet nga terri i injorancës dhe paudhësisë dhe humbet drejtimin e zhvillimit moral, mendor e shpirtëror, zbret mëshira e Zotit për ta përudhur atë sërish drejt mbarësisë e begatisë.

Profetët, për shkak të lidhjes së tyre të përsosur dhe personale me Zotin, shërbejnë si urë midis Krijuesit e krijesës. Duke përcjellë mesazhin hyjnor, ata ringjallin shpirtrat e vdekur, dhe me urdhrin e Zotit krijojnë një botë të re. Dora e mëshirshme e Zotit prek zemrat e tyre dhe i pastron ato nga çdo ndyrësi dhe përmes besimit të pastër dhe veprave të dëlira, Ai sjell një revolucion shpirtëror në botë. Ky popull i zgjedhur i Zotit vendos sërish madhështinë e Zotit në Tokë dhe i shpëton të tjerët nga një jetë e pakuptimtë dhe e paqëllimtë.

Fundi i shekullit 18-të dhe fillimi i shek. 19-të shënojnë periudhën më revolucionare në botën fetare, politike e filozofike. Kjo periudhë solli zhvillimin industrial dhe bashkë me të edhe filozofitë socio-ekonomike si kapitalizmi, socializmi, materializmi etj. Kjo kohë dëshmoi vërshimin e veprimtarisë në çdo fushë të jetës njerëzore, përfshirë edhe botën fetare. Dominimi i shkencës dhe filozofisë lypte për një paraqitje të re të kuptimit hyjnor, ndërkohë ithtarët e feve po ballafaqoheshin me njëri-tjetrin duke mos lënë asnjë shpresë për një zgjim të gjithanshëm shpirtëror.

Feja islame ishte në gjendjen më të mjerueshme, sepse shtrembërimi i koncepteve dhe rënia morale e shpirtërore e muslimanëve, e kishin vënë atë në shënjestër të sulmeve nga të gjitha drejtimet.

Ishte pikërisht kjo kohë, për të cilën lajmëtari i vërtetë, Profeti madhor Muhammedi s.a.v.s. kishte dhënë parashikime të qarta. Rënia e besimit, përhapja e imoralitetit dhe lakmisë, përçarja dhe dobësimi i muslimanëve, mësymja e dexhallit përmes intrigave dhe mjeteve më të rrezikshme dhe shumë shenja të tjera ishin paralajmëruar prej Profetit të Islamit s.a.v.s.

Mosbesimi po vlon në çdo anë, sikur ushtritë e Jezidit
Besimi i vërtetë po lëngon, i papërkrahur, sikur Zejnul Abidini
Burrat e fuqishëm të zënë pas salltaneteve
Të gëzuar e të ngazëllyer pranë bukurosheve
“Dijetarët”, në luftë me njëri-tjetrin natë e ditë
Të dëlirët, krejtësisht në harresë nga nevoja e besimit
Çdo shpirt po pushtohet nga dëshirat e veta
E besimin e lënë mënjanë, e sulmojnë armiqtë nga prita
Besimi po ju shkatërrohet, po ju mbërthen bota e vdekshme
Eh, kjo qenka shenjë islame, o muslimanë?![1]

Profeti a.s. kishte theksuar që umeti musliman do të pësojë rënie, aq sa do të zhduket besimi nga kjo botë; Kurani do të mbetet sa për shkrim e këndim; xhamitë do të jenë të shumta e të mbushura me njerëz, por të zbrazëta nga udhëzimi; “dijetarët” do të jenë sherrxhinjtë më të këqij nën kupën e qiellit[2]; muslimanët do të ndahen në 73 grupime, edhe pse do të besojnë në të njëjtin profet e të njëjtin libër. Ai gjithashtu tha që vetëm një grup do të jetë i shpëtuar i cili do të ndjekë rrugën e tij dhe të sahabëve të tij dhe që do të jetë i denjë për t’u quajtur “El-xhema’ah” (bashkësi që ka një udhëheqës në krye)[3]. Fatkeqësisht, sot umeti musliman, që ishte formuar për dobinë e mbarë njerëzimit, lëngon pikërisht nga këto trazira.

Hazret Mesihu i Premtuar Imam Mehdiu a.s.

Ishte pikërisht kjo kohë, kur u dëgjua një zë i fuqishëm në mbrojtje të Islamit dhe për asgjësimin e gënjeshtrave. Ky ishte zëri i Hazret Mirza Ghulam Ahmedit i cili dekarloi:

“Betohem për Zotin e Nderuar e të Plotfuqishëm, që është armik i gënjeshtrës dhe që shkatërron gënjeshtarin, që unë jam prej Tij. Kam ardhur prej Tij në kohën e duhur”.[4] “Përmes shpalljes hyjnore më është njoftuar qartësisht, se unë jam ai Mesih, që i ishte premtuar këtij umeti që nga fillimi, dhe ai Mehdi përfundimtar që ishte caktuar prej Zotit, i cili në kohën e rënies së Islamit dhe të devijimit të muslimanëve, do të udhëzohej drejtpërdrejt prej Zotit dhe do t’ua paraqiste njerëzve sofrën shpirtërore edhe një herë, ardhja e të cilit ishte parashikuar nga vetë i Dërguari i Allahut a.s. një mijë e treqind vjet më parë”.[5]

Sinqeriteti e druajtja, drejtësia e mirësjellja, dhembshuria e bujaria, butësia dhe mirësia e karakterizonin atë që nga fëmijëria. Sjellja e tij ishte aq tërheqëse e magjepse, saqë e bënte për veten çdokënd që takohej me të.

Ai i kushtohej tërësisht dashurisë ndaj Zotit. Që në fëmijëri, e kalonte kohën në xhami në adhurim e lutje. Dashuria e Zotit i shfaqej në çdo veprim. Përveçse kur ishte i sëmurë a në udhëtim, ai agjëronte rregullisht, madje një herë ai agjëroi për gjashtë muaj rresht.

Ai ishte brumosur me dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Në çdo mendim a veprim, në vetmi a në shoqëri, ai shfaqte po këtë besnikëri. Ai ishte shumë i durueshëm, por nëse dikush prekte nderin e Profetit a.s., ai menjëherë largohej nga ato kuvende, dhe si një ushtar i kalitur, i përgjigjej çdo akuze që i drejtohej Profetit s.a.v.s.

Ai gjithmonë lexonte Kuranin dhe mbante shënime në të. E kishte lexuar mijëra herë, por sa herë që zhytej në thellësinë e tij, shkëputej nga bota materiale. Ai gjithmonë brengosej për gjendjen e mjerueshme të Islamit dhe të muslimanëve. Ishte vetëm 16 vjeç, kur filloi të grumbullonte akuzat e jo-muslimanëve ndaj Islamit.

Duke iu bindur urdhrit të babait të tij, ai ndoqi proceset gjyqësore në emër të atit, por edhe atëherë gjithmonë shfaqi drejtësinë, përulësinë dhe nënshtrimin ndaj Zotit. Gjatë qëndrimit në qytetin Sialkot, ai mori pjesë në debate me priftërinj dhe shfaqi epërsinë e Islamit përballë doktrinave të tyre. Ai filloi të shkruante në gazeta të ndryshme në mbrojtje të Islamit. I vetmi qëllim i jetës së tij, ishte vendosja e njëshmërisë së Zotit dhe mbizotërimi i Islamit në botë.

Pas vdekjes së babait të tij, ai filloi të gëzojë komunikim me Zotin me një hov të madh. Ai shkruan:

“Nëse në një anë ai u nda nga jeta, në anën tjetër, u hap dera e komunikimit hyjnor me një vrull e hov të madh. Unë nuk mund të them se cila ishte vepra ime që tërhoqi këtë mirësi të Zotit, megjithatë ndiej brenda vetes një tërheqje të pandalshme që më shtyn drejt besnikërisë së Zotit”.[6]

Në 1880, ai botoi veprën madhështore “Brahine Ahmedia” e cila ndryshoi krejtësisht mënyrën e debatit fetar. Argumentet e pathyeshme të këtij libri tronditën themelet e feve të tjera, duke shembur doktrinat e tyre të rreme. Muslimanët e Indisë, të cilët deri më tani e shihnin veten të cenueshëm, përballë sulmeve të krishterimit, hinduizmit apo filozofive të tjera afetare, gjetën një kampion të flaktë në formën e Hazret Mirza Ghulam Ahmedit. Ai sfidoi të tjerët për t’iu kundërpërgjigjur këtij libri dhe deklaroi:

“Unë betohem para të gjithë zotërinjve që të mos vonohen aspak kundër meje. Le të bëhen Platon, të rimishërohen si Bekon apo të përvetësojnë mendjen e Aristotelit. Të qëndrojnë duke lidhur duart para zotave të tyre të rremë e të lypin ndihmë, që të dalë sheshazi se a u triumfua Zoti ynë apo perënditë tuaja të rreme”.[7]

Dijetari i famshëm i Ahle-Hadithit Molvi Muhammed Hussejn Batalvi, i cili më vonë do t’i bashkohej rangut të kundërshtarëve, ishte shprehur:

“Në vështrimin tonë, duke vlerësuar këtë kohë dhe rrethanat e sotme, kjo vepër është e tillë, që nuk është botuar deri më tani në botën Islame… Autori i saj është aq i vendosur për të mbështetur Islamin, me anë të pasurisë a mjeteve shpirtërore, përmes penës a gojës, me fjalë a me vepra, që shembulli i tij shfaqet rrallë në muslimanët e parë”.[8]

Më 1882, ai mori shpalljen prej Zotit se ai është caktuar prej Tij si reformator i kohës. Duke u nisur nga kjo, ai ftoi liderët e udhëheqësit fetarë nga e gjithë bota për të dëshmuar shenjat e vërtetësisë së Islamit. Më 23 mars 1889, ai pranoi bejtin e ndjekësve të tij, dhe kështu u themelua Xhemati Musliman Ahmedia. Më 1890, ai deklaroi që Zoti i Madhërishëm e ka njoftuar që “Mesihu biri i Merjemes, ka ndërruar jetë, ndërsa në përputhje me profecinë, ke ardhur ti me tiparet e tij”.

Për të zhvilluar edukimin moral, shpirtëror e intelektual të anëtarëve ai themeloi Xhelsa Salana (tubimin vjetor) e cila u mbajt për herë të parë më 27 dhjetor 1891. Për të përçuar thirrjen e tij, ai udhëtoi në qytete të ndryshme dhe zhvilloi një debat historik me të krishterët. Ndërsa më 1893, ai shkroi librin “Pasqyra e mrekullive të Islamit”, dhe ftoi mbretëreshën Viktoria për të pranuar Islamin.

Më 1894, sipas profecive të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., u eklipsuan hëna e dielli, dhe kështu qielli dëshmoi për vërtetësinë e Imam Mehdiut. Më 1895,  me lejen e Zotit, Mesihu i Premtuar a.s. shpalli tri deklarata të fuqishme. Me anë të argumenteve të forta, ai vërtetoi që arabishtja është nëna e të gjitha gjuhëve, që varri i Isait a.s. gjendet në Kashmir të Indisë dhe që themeluesi i lëvizjes fetare sik Hazret Baba Nanak ishte musliman.

Në dhjetor 1896, u zhvillua një konferencë e feve botërore në Lahor. Duke përfaqësuar Islamin, Mesihu i Premtuar a.s shkroi një temë të veçantë me titullin “Filozofia e mësimeve të Islamit”. Ky shkrim madhështor, kur u lexua në këtë konferencë, vulosi epërsinë e mësimeve të Islamit mbi të gjitha fetë e tjera.

Për të rritur brezin e ri me edukimin e Islamit, Mesihu i Premtuar a.s. më 1898, themeloi një shkollë me emrin “Talimul Islam” d.m.th. shkolla e mësimeve të Islamit. Në këtë vit doli gazeta e parë e xhematit “el-Hakam” ndërsa më 1902, ai themeloi një revistë me titullin “Review of Religions”, e cila vazhdon të përçojë dritën e vërtetësisë edhe sot e kësaj dite.

Duke u njoftuar prej Zotit, Mesihu i Premtuar a.s. kishte paralajmëruar për shfaqjen e murtajës si dhe për mbrojtjen e anëtarëve të xhematit të tij nga kjo sëmundje vdekjeprurëse. Më 1902, ra murtaja dhe u përhap me shpejtësi në Indi duke shkaktuar miliona viktima. Megjithatë, anëtarët e xhematit shpëtuan mrekullisht nga kjo sëmundje vdekjeprurëse. Duke dëshmuar këtë ngjarje të çuditshme, mijëra persona u anëtarësuan në xhemat.

Në përputhje me hadithet profetike, në mars1903, ai hodhi gurthemelin për minaretul Mesih. Gjatë kësaj kohe, Mesihu i Premtuar a.s. paralajmëroi për shkatërrimin e dy kundërshtarëve të tij të krishterë priftërinjtë Aleksandër Doi dhe Reverend Pigot, të cilët kishin deklaruar se janë profetë. Dështimi dhe shkatërrimi i tyre, shfaqi edhe njëherë vërtetësinë e Mesihut të Premtuar a.s.

Në vitin 1905, përmes librit “Testamenti”, ai themeloi një sistem që do të shërbente për ngritjen e nivelit shpirtëror të anëtarëve, dhe do të mbështeste misionin e përhapjes së Islamit në botë. Për ta realizuar këtë, ai gjithashtu themeloi “Medresen Ahmedia”, të diplomuarit e së cilës, do të realizonin veprimtarinë misionare në nivel botëror.

Ky pehlivan i Islamit, harxhoi çdo çast të jetës së tij në shërbim të besimit. Për të shfaqur të vërtetën e Islamit dhe për të përhapur mesazhin e paqes ai shkroi më shumë se 85 libra dhe mijëra fletushka e letra. Mesihu i Premtuar a.s. ndërroi jetë më 26 maj 1908 në moshën 73 vjeçare. Ndërsa xhemati i tij, nën udhëheqjen shpirtërore të Kalifatit, vijon të rritet katërçipërisht, ashtu siç ai kishte paralajmëruar me lejen e Zotit, para më shumë se njëqind vjetësh. Ai kishte thënë:

“Ky grup do të jetë një grup i çiltër i Tij. Ai Vetë do t’i përforcojë anëtarët e këtij grupi përmes Shpirtit të Tij; do t’i pastrojë nga jeta e fëlliqtë dhe do t’u japë mundësinë për një ndryshim të pastër në jetën e tyre… Ai do ta zgjerojë shumë këtë grup, duke sjellë mijëra e mijëra njerëz të sinqertë në të. Ai Vetë do ta vadisë dhe do ta rrisë atë, aq sa numri dhe bereqeti i tyre do të ngjallë habi te shikuesit”.[9]

“Dëgjoni, o njerëz! Kjo është profecia e Atij që ka krijuar tokën dhe qiellin. Ai do ta përhapë këtë Xhemat të Tij në të gjitha shtetet dhe anëtarëve të tij do t’u japë triumf përmes provës dhe argumentit. Po vijnë ditët, madje janë afër, kur në botë do të mbetet vetëm kjo fe, që do të kujtohet me nderim. Zoti do ta bekojë jashtëzakonisht shumë këtë fe dhe këtë xhemat dhe do të bëjë të dështojë çdokënd që përpiqet ta asgjësojë atë. Ky triumf do të vijojë, derisa të vijë kiameti”.[10]

Hazret dr. Mir Muhammed Ismail sahib r.a. ka përshkruar personalitetin e tij me këto fjalë. Ai shkruan:

“Unë e kam parë atë për herë të parë kur isha vetëm 2 vjeç, dhe kur ai u largua nga sytë e mi, isha një burrë 27 vjeç. Megjithatë, betohem për Zotin që kurrë nuk kam parë njeri më të moralshëm, më të virtytshëm, më të dëlirë dhe më të dashur ndaj Allahut dhe të dërguarve të tij, se sa ai. Ai ishte një dritë, që u shfaq në botë për njerëzit. Ai ishte një shi i mëshirshëm, që ra në tokë pas një thatësie të gjatë shpirtërore. Nëse Aisheja r.a. ishte shprehur drejt lidhur me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se “Morali i tij ishte Kurani”, ne mund të themi plot gojë për Mesihun e Premtuar a.s. se “Ai ishte mishërimi i besnikërisë ndaj Muhammedit s.a.v.s. dhe të nënshtrimit ndaj tij”.[11]

[1] Fat’he-Islam, Ruhani Khezain, vëll. III, f. 45
[2] Mishkati, kitabul-Ilm
[3] Tirmidhiu, Kitabul-Iman dhe “Sunen Ebu Daudi”
[4] Arba’in”, pj. II, Ruhani Khezain, vëll. XVII, f. 348
[5] Tadhkiratush-shehadatejn, Ruhani Khezain, vëll. XX, f. 3-4
[6] Izala Auham, Ruhani Khezain, vëll. III, f. 213, 214
[7] Brahin-e-Ahmedia, vëll. II, Ruhani Khezain, vëll. 1, f. 2,3,4
[8] Isha’atus Sunah, vëll. VII, nr. 6, f. 169-170
[9] Maxhmua Ishtiharat, vëll. 1, f. 192
[10] Tedhkeratush-shahadatejn, Ruhani Khezain, vëll. XX, f. 66
[11] Molana Dost Muhammed Shahid , Savanih Hazret Mesih Mo’ud ve Mehdi Mo’ud a.s., f. 29-30

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp