Nata e Kadrit

Shahid Ahmad Butt

Shahid Ahmad Butt


Shahid Ahmad Butt është misionar i Xhematit Musliman Ahmedia.

Më shumë rreth autorit

Çfarë është Nata e Kadrit?

Nata e Kadrit është një ndër netët e bekuara të muajit Ramazan, e cila gjendet në dhjetëditëshin e fundit të tij. Kurani Famëlartë dhe thëniet profetike tregojnë për rëndësinë dhe vlerat e mëdha që përmban kjo natë. Kurani ka një sure të veçantë e cila mban këtë emër dhe përshkruan me hollësi veçoritë e saj.

 

“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E çka di ti se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë Natë, duke sjellë dekretin Hyjnor lidhur me çdo çështje. (Pas zbritjes së tyre) ka paqe deri në lindjen e agimit”.[1]

  • Duke përdorur fjalën ليلة (Lejlatun) Allahu ka zgjeruar kuptimet e saj, e cila i referohet një periudhe të errët, që shtrihet për një kohë të gjatë.
  • Fjala قدر (Kadri) tregon që njerëzit nuk kanë vlerësuar ashtu siç duhet fuqinë dhe favoret e Allahut.
  • Nuk është e vërtetë që njeriu të gjendet gafil dhe i shkujdesur gjithë vitin nga adhurimi, dhe vetëm namazi dhe lutja e një nate t’ia shlyejnë të gjitha mëkatet. Nata më e bekuar është ajo që shënon çlirimin e njeriut përgjithmonë nga prangat e mëkateve e për t’u mos kthyer më në jetën e papastër.
  • Fjalët هى حتى مطلع الفجر japin myzhde që nata e Kadrit, përfundon në zbardhjen e agimit, e cila u jep fund anëve të errëta të njeriut. Përpjekjet dhe sakrificat e njeriut rezultojnë në pëlqimin e Allahut.
  • Kur besimtari mundohet të përmbushë detyrën e tij ndaj Zotit me të gjitha aftësitë që posedon, u bindet porosive të Tij, dhe kalon muajin Ramazan në adhurim, lutje, reflektim mbi Kuran dhe në veprat që e shpien drejt Zotit, atëherë si shpërblim i jepet Nata e Kadrit. Zoti zbret nga Arshi dhe vjen pranë robit të Tij, e përmes mëshirës së Tij të pakufishme, e shpëton nga papastërtia dhe i plotëson çdo lutje.

Disa nga vlerat e Natës së Kadrit

Në vijim do t’ju sjellim disa nga vlerat madhështore të kësaj nate të bekuar.

Zbritja e Kuranit në Natën e Kadrit

Në këtë natë, Zoti zbret mëshirë mbi robërit e Tij besimtarë, të cilët i nënshtrohen me sinqeritet vullnetit të Tij dhe kërkojnë mënyrat për t’iu afruar Atij. Vlera më e madhe e kësaj nate është që në të zbriti libri më madhështor, Kurani, mbi Profetin më madhështor, Muhammedin s.a.v.s. Allahu thotë që Kurani është zbritur në muajin Ramazan[2] dhe në një natë të bekuar[3].

Kjo natë vjen çdo vit, për të na kujtuar që ta bëjmë Kuranin udhërrëfyesin tonë drejt Allahut. Kjo natë ka edhe vlera të tjera, që burojnë nga ana kuptimore dhe mbështeten nga Kurani e hadhithi. Nata e Kadrit do të thotë nata e caktimit apo fuqisë. Kjo natë është më e mirë se 1000 muaj. Le të dihet që 1000 është shifra më e lartë numerike në gjuhën arabe.[4] Përpos kësaj, 1000 muaj janë të barabartë me 83 vjet e katër muaj, pra kjo natë është më e vlefshme se sa një jetë e tërë e njeriut. Në këtë natë të madhe, zbresin engjëjt në tokë, duke përndarë mëshirën dhe bekimet e Zotit.

Kërkim falje gjatë Natës së Kadrit

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ka tërhequr vëmendjen muslimanëve ndaj rëndësisë së kësaj nate përmes haditheve të ndryshme. Disa prej tyre janë si më poshtë:

Nata e Kadrit Ebu Hurejrah r.a. ka transmetuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: Kushdo që falet në Natën e Kadrit, me besim të sinqertë dhe me shpresë në shpërblim, atij i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.[5]

Imam Neveviu r.a. ka komentuar këtë hadith dhe ka thënë që fjala iman këtu nënkupton besimin e vërtetë. Fjala ihtisab tregon që robi duhet të synojë vetëm pëlqimin e Zotit e jo të sillet me shtirësi apo të veprojë në një mënyrë që i kundërvihet dëlirësisë. Nga fjala kijam nënkuptohet falja e tehexhudit.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. me anë të porosive të përsëritura, na ka nxitur të mos jemi indiferentë dhe të paditur nga vlerat e kësaj nate, përkundrazi ta kërkojmë atë me anë të lutjes dhe istikfarit (kërkim faljes).

Nata e Kadrit

Hazret Enesi r.a. ka rrëfyer se hyri muaji Ramazan dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Ju ka ardhur ky muaj, në të cilin gjendet një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet prej saj, privohet nga çdo e mirë dhe nuk privohet nga mirësitë e saj, përveç atij që është i mjerë.[6]

Dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit e gjente të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke bërë përpjekje të mëdha në adhurim e në vepra të mira, që nuk kishte bërë më parë. Në dhjetëditëshin e fundit, Profeti s.a.v.s. largohej nga çdo veprimtari tjetër e i përkushtohej plotësisht adhurimit të Zotit duke bërë itikaf në xhami.[7]

Nata e Kadrit

Nëna e besimtarëve Hazret Aisheja r.a. ka thënë që me hyrjen e dhjetëditëshit të fundit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shtrëngonte rripin (mundohej shumë), i gjallëronte netët (me adhurim) dhe e zgjonte familjen e tij (për namaze).[8]  Hazret Ibni Abbasi r.a. gjithashtu ka dëshmuar që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte njeriu më i etshëm për vepra të mira, por gjatë muajit Ramazan, kjo dëshirë nuk njihte më kufi, madje i ngjante asaj stuhie që shndërrohet në një furtunë të madhe.[9]

Përse quhet Nata e Kadrit?

Sipas fjalorit të famshëm Ekrabul Mevarid, fjala Kadr قدر mbart këto kuptime: Vlerë e një sendi, fuqi, cilësi, kohë apo afat i caktuar për një çështje, urdhër, dekret, pushtet, nderim, ide etj.

Sipas haditheve, në këtë natë vendoset risku, fati, begatia, afatet dhe planet e Zotit mbi tokë. Engjëjt shënojnë për caktimin e çështjeve për vitin e ardhshëm. Hazret Kalifi II të Mesihut të Premtuar r.a. ka thënë:

“Nata e Kadrit nënkupton atë natë, në të cilën përcaktohet fati i njeriut dhe vendoset se çfarë do të ndodhë me të, gjatë vitit të ardhshëm. Deri në çfarë shkalle do të rritet dhe do të zhvillohet ai? Çfarë dobish do të fitojë dhe cilat humbje do të pësojë? Të gjitha vendimet për zhvillimin e njeriut, merren në këtë natë të  errët, njësoj si zhvillimet e tij fizike bëhen në errësirë”.[10]

Kur bie Nata e Kadrit?

Nata e Kadrit nuk ka një datë të caktuar. Megjithatë, ka hadithe të shumta, të cilat na ndihmojnë për të arritur në përfundim që ne duhet ta kërkojmë atë në dhjetëditëshin e fundit gjatë netëve teke. Ja disa prej tyre:

Nata e Kadrit

Hazret Enesi r.a. ka transmetuar se e ka njoftuar Ubada bin es-Sameti r.a. që një ditë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli për të njoftuar për (datën e) Natës së Kadrit, por ndodhi që dy muslimanë po ziheshin me njëri-tjetrin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Unë kisha dalë për t’ju njoftuar rreth natës së Kadrit, por ziheshin filani e filani, dhe ajo më doli nga mendja. Ndoshta kjo është më mirë për ju. Tani kërkojeni atë në natën e 7-të, 9-të dhe 5-të (të dhjetë netëve të fundit të Ramazanit).[11]

Hazret Kalifi II i Xhematit Musliman Ahmedia r.a. ka komentuar këtë hadith duke thënë:

“Kjo ngjarje tregon që koha së cilës i referohet Nata e kadrit, ka lidhje me unitetin dhe bashkimin popullor. Popullit që i mungojnë uniteti dhe bashkimi, privohet edhe nga Nata e Kadrit”.[12]

Nata e Kadrit

Ibni Umeri r.a. ka transmetuar që disa njerëzve u ishte shfaqur Nata e Kadrit në shtatë netët e fundit, ndërsa disave u kishte dalë në dhjetë netët e fundit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Kërkojeni atë në shtatë (netët) e fundit (të Ramazanit)”.[13]

Në një hadith të ngjashëm, një person kishte parë Natën e Kadrit më 27 Ramazan. Profeti s.a.v.s. tha:

Nata e Kadrit“Unë shoh që ëndrrat tuaja përputhen me njëra-tjetrën, prandaj kërkojeni atë në netët teke të dhjetëditëshit të fundit”.[14]

Nata e KadritHazret Aisheja r.a. ka transmetuar që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bënte itikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit dhe thoshte “Kërkoni Natën e Kadrit në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit”. Në transmetime të tjera, janë përmendur këto fjalë: “Kërkojeni atë në dhjetëditëshin e fundit, në netët teke”.

Nata e KadritHazret Ibni Umeri r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Kërkojeni atë d.m.th. Natën e Kadrit në dhjetëditëshin e fundit. Nëse dikush nga ju ka qenë i sëmurë apo është treguar i plogësht (në pjesën e parë të Ramazanit), ai nuk duhet të lejojë të mposhtet prej tyre në shtatë ditë të mbetura”.[15]

Po ashtu është transmetuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë për Natën e Kadrit që ajo mund të jetë nata 21-të, 23-të, 25-të, 27-të, 29-të dhe nata e fundit prej Ramazanit.[16]

Nata e KadritTransmetohet nga Mua’vija bin Ebu Sufjani r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në lidhje me Natën e Kadrit ka thënë: “Nata e Kadrit është nata e 27-të”.[17]

Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi r.a. ka rrëfyer se Mesihu i Premtuar a.s. kishte thënë që nëse nata e 27-të e Ramazanit qëllon të jetë e xhuma, atëherë me mirësinë e Zotit, në përgjithësi ajo rezulton të jetë Nata e Kadrit.[18]  Ka aq shumë hadithe, që e bëjnë të pamundur përcaktimin e kësaj nate. Prandaj, Imam Ibni Haxhar Askalani në komentimin e tij ka shënuar 46 thënie profetike që përcaktojnë data të ndryshme për Natën e Kadrit.[19] Pasi që përmend këto hadithe, ai parashtron mendimin e tij me këto fjalë:

Nata e Kadrit“Nga të gjitha këto raste, më i mundshëm është që ajo (Nata e Kadrit) të ndodhet në netët teke të dhjetëditëshit të fundit. Ky gjykim është përcjellë, duke u bazuar në kuptimin e haditheve, që janë përmbledhur në këtë kapitull”.[20]

Pas këtij gjykimi, Imam Ibni Haxhar tregon arsyen se përse kjo natë kaq e madhërishme është lënë në fshehtësi.

Nata e Kadrit“Dijetarët kanë thënë që arsyeja pas fshehtësisë së Natës së Kadrit është që të nxiten përpjekjet për ta gjetur atë. Po të ishte e caktuar kjo natë, ajo do të mbetej e kufizuar, njësoj si çasti në ditën e së xhumasë. Kjo është urtësi që vepron në të, derisa ka thënë që ajo ndodhej në gjithë vitin, apo në gjithë Ramazanin, apo në gjithë dhjetëditëshin e fundit apo veçanërisht në netët teke të saj”.[21]

Përse është e fshehur Nata e Kadrit?

Përse ajo është mbajtur e fshehur nga besimtarët dhe përse ata janë porositur ta kërkojnë atë në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit?

Sepse, duke mos e përcaktuar atë, Zoti me anë të mëshirës së Tij, kërkon që besimtarët të tregojnë qëndrueshmëri në adhurimet, lutjet dhe sakrificat e tyre, dhe të shtojnë përpjekje për të fituar mirësinë dhe shpërblimin prej Tij. Në këtë mënyrë, Zoti dallon robërit e Tij të sinqertë të cilët garojnë me njëri-tjetrin për vepra të mira, prej atyre që ndjekin verbërisht disa tradita dhe u binden interesave të tyre. Nëse të gjithë do të dinin, me përpikëri, se kur do të binte Nata e Kadrit, ata nuk do të prisnin Ramazanin me të njëjtin entuziazëm e gatishmëri.

Ramazani vjen si pranverë në jetën e besimtarëve, dhe u fal atyre një gjallëri dhe forcë shpirtërore. Ai motivon besimtarët në punë të mira, dhe ky përkushtim vjen duke u dendur në ditët në vazhdim. Nata e Kadrit shërben si katalizator për të ngritur shkallën e mirësisë të mbarë shoqërisë besimtare në pikën më të skajshme.

Cilat janë shenjat e Natës së Kadrit?

Hazret Kalifi i Dytë i Xhematit Musliman Ahmedia r.a. ka shkruar:

“A ekziston ndonjë shenjë që të kuptojmë se filan natë në Ramazan ishte Nata e Kadrit? Si përgjigje mund të them që në bazë të disa haditheve, mësojmë që atë natë shkrepin pak vetëtima, fryn erë, bie shi i imët  dhe shfaqet një rreze drite duke u ngritur lart. Ndonëse, vihet re që shenjat e mësipërme në përgjithësi shfaqen, ndërsa ajo e fundit (ngritja e një rreze drite) është provuar vetëm nga njerëzit fisnikë, si një lloj vegimi (përjetim shpirtëror) e jo diçka konkrete që mund të vëzhgohet nga çdo njeri, megjithatë nuk është e domosdoshme që këto shenja të shfaqen patjetër… Mënyra më e drejtë është që besimtari t’i lutet Zotit gjatë gjithë Ramazanit e të agjërojë me sinqeritet, dhe kështu Allahu ia shfaq natën e Kadrit në njëfarë mënyre”.[22]

Si duhet të përgatitemi për Natën e Kadrit?

Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë që Nata e Kadrit është koha më e çiltër në jetën e njeriut.[23] Pra, kur njeriu rrezaton dëlirësinë dhe u bindet përulësisht të gjitha porosive të Zotit, ai bëhet i aftë për të tërhequr bekimet e kësaj nate. Robi mund të përgatitet për këtë natë, duke agjëruar me sinqeritet, duke studiuar Kuranin e duke reflektuar mbi kuptimet e tij, duke bërë lutje e duke kërkuar falje për gabimet, duke bërë sadaka e lëmoshë, duke hequr dorë nga çdo veprim që bie ndesh me qëllimin e Ramazanit dhe duke bërë sa më shumë vepra të mira.

Çfarë duhet të lutemi në Natën e Kadrit?

Hazret Ajshja r.a. e pyeti të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.: “Nëse gjej Natën e Kadrit, ç’lutje duhet të bëj?” Ai i tregoi këtë lutje:

Nata e KadritAllahume inneke a’fuvun Kerimun tuhibbul a’fva faa’fu anni”
O Allah! Ti Je Falës, shumë Bujar. Të pëlqen falja. Më fal mua![24]

Sipas një transmetimi tjetër, për nga veprat, dhjetë ditët e fundit e muajit të Ramazanit, janë më të nderuara e më të dashura tek Allahu, prandaj robi duhet t’i kalojë ato duke kujtuar Allahun, duke recituar shehadetin, dhe duke madhëruar e lavdëruar sa më shumë Allahun.[25]

Ai që gjen Natën e Kadrit, nuk kthehet më në errësira

Hazret Kalifi IV r.a. i Xhematit Musliman Ahmedia ka thënë:

“Lidhur me Natën e Kadrit, janë përhapur disa mendime që nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën. Sigurisht, në Ramazan vjen një natë, e cila përmban bekime të jashtëzakonshme, dhe e cila përputhet me kohën kur kishte filluar zbritja e Kuranit. Por, nuk do të thotë assesi që njeriu pasi ka gjetur këtë natë, të kthehet sërish në natën e errësirave, sepse kjo bie ndesh me konceptin e asaj nate.., që është përmendur në atë sure të Kuranit. Sipas saj, kjo natë vijon pandërprerë هي حتى مطلع الفجر derisa agon dita e mirësive të pashtershme. Pas kësaj nate, nuk ekziston më mundësi për t’u kthyer sërish në netët e mëkateve, përkundrazi përhapet një shkëlqim i përhershëm, që nuk ndahet më nga besimtari”.[26]

Për ta arritur këtë shkallë e për të shkaktuar një revolucion të tillë shpirtëror në qenien tonë, ne duhet t’i dorëzohemi Zotit. Hazret Kalifi IV i Xhematit Musliman Ahmedia r.a. ka porositur:

“Gjunjëzohuni para Zotit me përulësi dhe lutuni që Ai të ketë dhembshuri ndaj jush e të ndieni ngrohtësinë e dashurisë në dorën e Tij. Lutuni që Zoti me anë të mëshirës së Tij, të falë mëkatet tona, të harrojë shkujdesjen tonë dhe të mbulojë dobësitë tona, edhe pse nuk jemi të denjë për këtë…

Pra, drejtohuni Allahut për çdo nevojë, dhe mos shikoni nga njerëzit që t’ju plotësojnë kërkesat. Mos i shqetësoni të tjerët. Keni për detyrë t’i jepni fund çdo pështjellimi dhe të largoni dhimbjen e tyre. Kërkoni çdo gjë prej Zotit, dhe atë që fitoni prej Tij, shpërndajeni mes njerëzve. Në këtë mënyrë, ata që ende nuk janë interesuar për Islamin, do të shohin shkëlqimin e këtij revolucioni të bukur. Allahu e mundësoftë Xhematin Ahmedia për të vepruar kështu!” Amin![27]

 


[1] Kurani Famëlartë 97:1-6
[2] Kurani Famëlartë 2: 186
[3] Kurani Famëlartë 44:4
[4] www.alislam.org
[5] Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit 35
[6] Sunen Ibni Maxha, vëll. I, libri 7, hadithi 1644
[7] Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit 2025
[8] Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit 2023
[9] Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit 3554
[10] Khutbati Mahmud, viti 1936, f. 719
[11] Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit 49
[12] Khutbati Mahmud, viti 1936, f. 719
[13] Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit 6991
[14] Sahihu i Muslimit, nr. i hadithit 1165
[15] Sahihu i Muslimit, nr. i hadithit 271
[16] Tirmidhiu, nr. i hadithit 792
[17] Sunen Ebu Davudi, nr. i hadithit 1386
[18] Gazeta e përditshme “Al-Fazal”, 8 korrik 1950, Lahore
[19] Fat’hul Bari, vëll. 4, f. 263-266
[20] Si më sipër, f. 266
[21] Si më sipër, f. 266
[22] Tefsir-e-Kabir, vëll. IX, f. 329
[23] Melfuzat, vëll. I, f. 536, botuar në Rabvah, Pakistan
[24] Tirmidhiu, nr. i hadithit 205
[25] Fjalimi i së xhumasë, 14 nëntor 2003
[26] Khutbati Tahir, vëll 4, fjalimi i së xhumasë, 14 qershor 1985, f. 530-531
[27] Gazeta e përditshme “Al-Fazal”, 28 janar 1982, f. 2-6, Rabvah

Shpërndaje

Send this to a friend