Çfarë është Itikafi dhe cilat janë kushtet e tij? Një adhurim tejet shpirtëror
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Çfarë është Itikafi dhe cilat janë kushtet e tij?

itikafi dhjetëditëshi Ramazani

Itikaf fjalë për fjalë do të thotë “vendosja ose veçimi në një vend të caktuar”. Në terminologjinë islame, itikaf do të thotë:

nijeti qellimi itikafi

Qëndrimi në xhami duke agjëruar dhe duke pasur nijetin adhurimit të Zotit”.

Sikundër agjërimi, edhe itikafi gjendet në fe të ndryshme dhe në traditën e profetëve të mëparshëm. Siç Kurani Famëlartë pohon:

وَ عَہِدۡنَاۤ اِلٰۤی اِبۡرٰہٖمَ وَ اِسۡمٰعِیۡلَ اَنۡ طَہِّرَا بَیۡتِیَ لِلطَّآئِفِیۡنَ وَ الۡعٰکِفِیۡنَ وَ الرُّکَّعِ السُّجُوۡدِ 

E porositëm Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni mirë shtëpinë Time për ata që sillen rreth saj, që qëndrojnë aty për adhurim (itikaf), që përkulen, që bëjnë sexhde”.[1]

Përpara se të bëhej profet, Hazret Muhammedi s.a.v.s. shpesh shkëputej nga njerëzit për të shkuar në shpellën Hira dhe për ta kujtuar të Dashurin e tij, Zotin e Madhërishëm. Edhe kjo ishte një lloj itikafi.

Itikafin mund ta bëni kur të doni, por itikafi sipas praktikës së Profetit Muhammed s.a.v.s. është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit.

Si ishte itikafi i Profetit Muhammed s.a.v.s.?

Në lidhje me itikafin e Profetit Muhammed s.a.v.s., Hazret Aishja r.a. rrëfen:

itikafi dhjetëditëshi Ramazani

Praktika e Profetit Muhammed s.a.v.s. deri në fund të jetës së tij ishte që ai bënte itikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Pas vdekjes së tij, bashkëshortet e tij e vijuan këtë praktikë”.[2]

Ata që donin të gjenin Natën e Kadrit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i porosiste të bënin itikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Kështu, njëherë tha:

Mua më është treguar se Nata e Kadrit vjen në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Ai që bën itikaf, le ta kërkojë atë gjatë këtyre ditëve”.

Dhe kështu edhe sahabët bënin itikaf bashkë me të.

Për sa ditë duhet të bëni itikaf?

Nuk ka ndonjë afat të përcaktuar për itikafin. Kjo varet nga dëshira e atij që dëshiron ta bëjë itikafin. Mund ta bëjë sa ditë të dojë ai. Megjithatë, itikafi sipas praktikës së Profetit Muhammed s.a.v.s., siç e thamë, është minimumi 10 ditë. Në hadith thuhet:

Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. itikafin e bënte për 10 ditë të Ramazanit. Kurse në vitin kur ndërroi jetë, ai bëri itikaf për 20 ditë”.

Kur duhet ta filloni itikafin?

Itikafin duhet ta filloni nga namazi i sabahut të datës 20 të Ramazanit. Sepse 10 ditë plotësohen vetëm nëse e filloni në mëngjes të datës 20 të muajit Ramazan dhe ta përfundoni me shikimin e hënës së muajit Sheval.

Edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosej në dhomën e tij të përgatitur për itikaf menjëherë pas namazit të sabahut. Hazret Aishja r.a. rrëfen:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur vendoste ta bënte itikafin, falte namazin e sabahut dhe më pas hynte në dhomën e përgatitur për itikaf”.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

Itikafi duhet filluar nga sabahu i datës 20 të Ramazanit. Kështu, herë plotësohen 10 ditë e herë 11 ditë”.[3]

Në cilin vend mund ta bëni itikaf?

Vendi më i përshtatshëm për itikaf është xhamia, siç Zoti i Madhërishëm thotë në Kuran:

وَ اَنۡتُمۡ عٰکِفُوۡنَ ۙ فِی الۡمَسٰجِدِ

… kur jeni duke bërë itikaf në xhami”.[4]

Kjo sepse xhamia është vendi i veçantë për ta adhuruar Zotin e Madhërishëm. Edhe në hadithe përmendet që pikërisht xhamia është vendi për itikaf. Hazret Aishja r.a. thotë:

itikafi xhamia qendrore

Itikafi bëhet në xhaminë qendrore.”[5]

Andaj, të gjithë dijetarët janë të mendimit që itikafi duhet të bëhet në një xhami ku bëhet namazi me xhemat. Por në raste ekstreme, itikafi mund të bëhet edhe në ndonjë vend tjetër.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. i Xhematit Musliman Ahmedia pohon:

Itikafi mund të bëhet edhe në ndonjë vend tjetër, por nuk mund të ketë shpërblimin e itikafit që bëhet në xhami. Kur nuk ka xhami të mirëfilltë, pra kur diku jeton vetëm një besimtar ose anëtarët e xhematit bashkohen në njërën prej shtëpive të tyre për të falur namazin dhe nuk kanë ndonjë xhami, atëherë në raste të tilla mund ta bëni itikafin edhe në shtëpi, në një vend që keni veçuar për namaz. Allahu i Madhërishëm e di shumë mirë pamundësinë e robit dhe e shpërblen atë sipas nijetit të tij”.

Gratë a mund të bëjnë Itikaf?

Edhe gratë mund të bëjnë itikaf në xhami, nëse ekziston organizimi i qëndrimit të tyre siç duhet. Përndryshe, ato le ta veçojnë një vend në shtëpitë e tyre dhe aty mund ta bëjnë itikafin.

Gjatë itikafit, nëse ndonjë gruaje i fillojnë menstruacionet, ajo duhet ta ndërpresë itikafin. Nuk lejohet që ajo ta vijojë qëndrimin në xhami në këtë gjendje.

A duhet të agjërosh gjatë Itikafit?

Po, duhet të agjërosh gjatë itikafit. Hazret Aishja r.a. pohon:

itikafi agjërimi

Nuk ka itikaf pa agjërim”.[6]

Gjithashtu, logjika që përcjellin fjalët e Kuranit Famëlartë që janë në ajetin e mëposhtëm e mbështesin pikërisht këtë mendim:

ثُمَّ اَتِمُّوا الصِّیَامَ اِلَی الَّیۡلِ ۚ وَ لَا تُبَاشِرُوۡہُنَّ وَ اَنۡتُمۡ عٰکِفُوۡنَ

Pastaj, plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje, dhe mos kryeni marrëdhënie me bashkëshortet tuaja kur jeni duke bërë itikaf në xhami”.[7]

Gjithashtu, nuk përmendet në asnjë rrëfim që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ose ndonjë nga sahabët e tij të kenë bërë itikaf pa agjërim. Ndër sahabët e tij, Hazret Ibni Abasi r.a., Hazret Ibni Omeri r.a. dhe ndër Imamët, Imam Maliku r.a., Imam Ebu Hanifa r.a. dhe Imam Euza’i r.a. kishin medh’hebin që agjërimi është i domosdoshëm gjatë itikafit.

Ai që është në itikaf a mund të dalë nga xhamia? Nëse po, për çfarë nevojash?

Ai që është në itikaf, nuk duhet të dalë nga ambientet e xhamisë, përveçse për nevojat e domosdoshme.

Në hadith thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur ishte në itikaf, nuk shkonte në shtëpi përveçse për nevojat. (Nuk duhet harruar që Profeti s.a.v.s. shtëpinë e kishte ngjitur me xhaminë).

Shkëputja totale nga përditshmëria është e pëlqyeshme. Hazret Aishja r.a. thotë

itikafi vizita sëmundja

Suneti për atë që bën itikafin është që të mos vizitojë të sëmurin, të mos marrë pjesë në xhenaze… dhe të mos dalë nga xhamia për ndonjë arsye, përveçse për nevojat e pashmangshme”.[8]

“Nevojat”, çfarë nënkuptojnë në këtë kontekst? Nëse tualeti është jashtë xhamisë, ai që bën itikaf e ka të domosdoshme të dalë nga xhamia për nevojat fiziologjike. Gjithashtu, nëse itikafi bëhet në një xhami të vogël, pra të lagjes, kurse falja e së xhumasë organizohet vetëm në xhaminë qendrore apo të madhe, pjesëmarrja në namazin e së xhumasë gjithashtu është konsideruar si nevojë e pashmangshme.

Për sa u përket rasteve të tjera, si pjesëmarrja në vaze, në lutje të veçanta, në iftare apo syfyre, në xhenaze kur këto bëhen jashtë xhamisë, gjithashtu për vizitën e të sëmurve, për shoqërimin me dikë deri jashtë xhamisë etj., dijetarët kanë mendime të ndryshme, por shumica prej tyre janë të mendimit se nuk lejohet. Vetë esenca e itikafit është që njeriu të shkëputet nga përditshmëria dhe të veçohet tërësisht vetëm për të adhuruar Zotin e Madhërishëm, në mënyrë që të përgatisë veten për të dhënë edhe sakrifica të tilla për hir të Zotit.

Disa fikhologë (juristë muslimanë) që zgjerojnë kuptimin e nevojës gjatë itikafit bazohen te disa rrëfime, të cilat japin një lehtësi të tillë.

Për shembull, përmendet që:

Profeti Safija itikafi xhamia

Njëherë gjatë natës bashkëshortja e Profetit Hazret Safije r.a. shkoi për të takuar Profetin s.a.v.s. kur ai ishte në itikaf dhe bisedoi deri vonë me të. Kur po kthehej, Profeti s.a.v.s. e përcolli atë deri te shtëpia e saj, ndërkohë ajo ishte shumë larg nga xhamia”.[9]

Hazret Aishja r.a. tregon:

itikafi sëmundja nevoja shëndeti

Gjatë itikafit kur vija për nevojat në shtëpi dhe nëse dikush ishte i sëmurë, duke ecur e pyesja për shëndetin e tij”.[10]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu e lejon vizitën e të sëmurit dhe ndoshta është pikërisht në këtë formë që bënte edhe Hazret Aishja r.a.. Kur dikush e pyeti Hazret Mesihun e Premtuar a.s. nëse ai që bën itikaf a mund të diskutojë me dikë për tregtinë ose punën e tij, ai iu përgjigj:

Po, nëse është e pashmangshme dhe mund të dalë nga xhamia për nevojat dhe për të vizituar të sëmurin”.[11]

Disa punë janë të tilla që njeriut i lejohet t’i bëjë ose të mos i bëjë, por kur i bën, duhet t’i bëjë duke plotësuar të gjitha kushtet. Edhe itikafi është një prej tyre. Itikafin e bëjmë vetëm nëse kemi mundësi dhe dëshirë për ta bërë. Por nuk duhet që edhe të kemi dëshirë për të bërë itikaf sipas praktikës së Profetit s.a.v.s., edhe të veprojmë sipas dëshirës sonë.

Itikafi sipas praktikës profetike është ai që thamë më herët që Profeti s.a.v.s. kalonte të paktën 10 ditë në xhami për të adhuruar Zotin e Madhërishëm dhe nuk dilte nga xhamia përveçse për nevojat e domosdoshme.


[1] El-Bekare 2:126.
[2] Sahih Muslim, kitab “El-I’tikaf”, bab “I’tikaful-‘ashril-avakhiri min Ramadan”, hadithi nr. 2784.
[3] Gazeta “Al-Fazl”, 3 nëntor 1914.
[4] El-Bekare 2:188.
[5] Sunen Ebi Davud, kitab “Es-Sijam”, bab “El-mu’tekifu je’udul-merid”, hadithi nr. 2473.
[6] Sunen Ebi Davud, kitab “Es-Sijam”, bab “El-mu’tekifu je’udul-merid”, hadithi nr. 2473.
[7] El-Bekare 2:188.
[8] Sunen Ebi Davud, kitab “Es-Sijam”, bab “El-mu’tekifu je’udul-merid”, hadithi nr. 2473.
[9] Sunen Ebi Davud, kitab “Es-Sijam”, bab “El-mu’tekifu jedkhulul-bejte lihaxhetihi”, hadithi nr. 2470.
[10] Sunen Ibn Maxheh, kitab “Es-Sijam”, bab “El-mu’tekifu je’udul-merid”, hadithi nr. 1848.
[11] Gazeta “Badr”, 21 shkurt 1907.

Related Questions by Topics
Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp