Hazret Ebu Hurejrah r.a. rrëfen:
“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Ai që kalon netët e Ramazanit në adhurim, duke pasur besimin dhe duke kërkuar pëlqimin e Zotit, atij i falen të gjitha mëkatet e mëparshme”.[1]
Namazi i teravive është namazi që muslimanët në të gjithë botën falin, kryesisht në xhami, menjëherë pas namazit të jacisë gjatë muajit të Ramazanit. Këtë namaz disa e falin 8 rekate dhe disa edhe 20 rekate. Në artikullin vijues do të shohim:
- Si ka filluar namazi i teravive?
- Vetë Profeti Muhammed s.a.v.s. a ka falur ndonjëherë namazin e taravive?
♦ Lexoni edhe temën: Sa rekate ka namazi i teravive? 8 apo 20? Argumente!
Namazi i teravive është një emërtim i mëvonshëm. Pra, në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s. nuk vërehet të ishte përdorur fjala teravih. Duke iu referuar Profetit s.a.v.s. gjejmë dy emërtime për një namaz të ngjashëm si ai i teravive:
- Tehexhudi
- Namazi i natës (Kijamul-lejl)
Të dyja këto janë i njëjti namaz. Fjala tehexhud تَھَجُّد rrjedh nga fjala huxhud ھجود, që do të thotë gjumë. Tehexhud do të thotë të largosh gjumin.[2] Namazit që falim në pjesën e fundit të natës, pasi të kemi bërë një copë gjumi, i thonë tehexhud, për arsye se ky namaz kërkon mundim, pasi të duhet të shkëputesh nga gjumi e t’i përkushtohesh Zotit të Madhërishëm.
Për këtë namaz Zoti i Madhërishëm e porositi Profetin s.a.v.s. në Kuranin Famëlartë:
“Fal tehexhudin gjatë natës. Kjo është nafil për ty; mundet që Zoti yt të të vërë në një gradë të lavdërueshme”.[3]
Në librin e tij të haditheve, Hazret Imam Buhariu ndërtoi një kapitull të quajtur “Libri i namazit të teravive” në të cilin solli 6 rrëfime. Duke iu referuar Profetit Muhammed s.a.v.s. atje është përmendur vetëm namazi tehexhud ose namazi i natës. Pra, kjo tregon se namazi i teravive e ka burimin te namazi i natës a te tehexhudi i Profetit Muhammed s.a.v.s..
Si ka filluar namazi i teravive?
Shtrohet pyetja: Si erdhi në dritë namazi i teravive që falim në formën tij të sotme?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ju sjellim njërin prej 6 haditheve që ka sjellë Hazret Imam Buhariu në kapitullin e namazit të teravive.
“Hazret Ajshja r.a. rrëfen: Një mesnatë I Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli dhe fali namaz në xhami. Atë e ndoqën disa burra gjithashtu. Ndaj të gdhirë njerëzit ia treguar njëri-tjetrit atë që ndodhi. Natën tjetër u grumbulluan akoma më shumë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. fali namaz dhe edhe ata e ndoqën.
Ditën tjetër lajmi u përhap akoma më shumë dhe në natën e tretë u mblodhën akoma më shumë njerëz. I Dërguari i Allahut s.a.v.s doli (fali namazin dhe edhe ata e ndoqën). Në natën e katërt kaq shumë ishin mbledhur njerëzit, saqë xhamia ishte tej mbushur. (Por atë natë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk doli për namaz, derisa u bë sabahu). Ai doli për namazin e sabahut dhe e udhëhoqi. Më pas iu drejtua njerëzve. Pas shahadetit tha:
E dija që po më prisnit, por u frikësova se ky namaz të mos bëhej i obligueshëm për ju dhe ju të mos arrini ta falni atë. Derisa ndërroi jetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u vijua praktika e mëparshme”.[4]
Rrëfim i ngjashëm me pak shtesa përmendet në librat Ebu Daud, Tirmidhi, Nisai dhe Ibni Maxha, ku edhe përcaktohet se këto ngjarje ndodhën në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Gjithashtu, ato nuk kanë ndodhur menjëherë pas namazit të jacisë, siç e falim sot namazin e teravive, por në ditë të ndryshme nga mesnata deri në pjesën e fundit të natës.
Gjithashtu, kjo ndodhi vetëm në një Ramazan gjatë kohës së Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe pas asaj, Profeti s.a.v.s. nuk e vijoi një praktikë të tillë nga frika se mos do të obligohej ky namaz i natës për të gjithë umetin. Deri sa ndërroi jetë Profeti s.a.v.s. nuk u përsërit një gjë e tillë. Kështu vijoi edhe në kohën e Kalifit të Parë të Islamit, Hazret Ebu Bekrit r.a..
Namazi i teravive siç e falim sot, filloi në kohën e Hazret Omerit r.a.
Abdurrahman Ibni Abdil-Qarij tha:
“Një natë Ramazani dola me Omer Ibni Hatabin r.a. në xhami. Aty njerëzit ishin të shpërndarë në grupe-grupe. Dikush falej vetëm e dikush tjetër udhëhiqte namazin për disa njerëz të tjerë. Omeri tha:
Mendoj se do të ishte mirë nëse do t’i bashkoja të gjithë këta mbrapa një recituesi të vetëm të Kuranit.
Ai vendosi ta bënte këtë dhe i mblodhi të gjithë nën udhëheqjen e Ubej Ibni Ka’bit. Pastaj unë sërish një natë tjetër erdha në xhami me të, ndërkohë njerëzit po faleshin nën udhëheqjen e recituesit (imamit) të tyre. Omeri r.a. tha:
Sa risi e bukur qenka kjo! Pjesa e natës kur njerëzit flenë është më e bekuar nga ajo kur këta qëndrojnë duke u falur.
E kishte fjalën për pjesën e fundit të natës, kurse njerëzit qëndrojnë duke u falur (vetëm) në pjesën e parë të saj”.[5]
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Përmbajuni praktikës sime dhe praktikës së kalifëve të udhëzuar e të drejtë”.[6]
Namazi i teravive, një mundësi për të falur nafile gjatë netëve të Ramazanit, por jo zëvendësim i tehexhudit
Këto rrëfime tregojnë se Kalifi i Dytë i Islamit, Hazret Omeri r.a., duke ndjekur praktikën e Profetit s.a.v.s., e nisi namazin e teravive për ta bërë më të përgjithshëm bekimin e namazit të natës për të gjithë njerëzit. Sigurisht, më e mira është që të falësh namazin e tehexhudit në pjesën e fundit të natës. Por ata që kanë të vështirë të ngrihen për këtë namaz, kanë mundësi të fitojnë bekimin e namazit të natës gjatë Ramazanit dhe dëgjimin e Kuranit Famëlartë, duke falur namazin e teravive.
Këtu kuptojmë edhe arsyen se përse nuk duhet të hamë syfyrin para kohe, sepse ata që hanë syfyrin shumë herët, shpesh nuk kanë mundësi të falin namazin e natës përpara syfyrit. Pra, të tillët mbeten duke ngrënë ushqimin fizik, pikërisht në kohën kur Zoti i Madhërishëm dëshiron t’u japë bekime e t’u pranojë lutje në namazet e tyre të natës.
U pyet i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: Cili është namazi më i bekuar pas namazeve të obligueshme? “Namazi vullnetar që falet në pjesën e fundit të natës është namazi më i bekuar pas namazeve farz” tha i Dërguari i Allahut s.a.v.s..[7]
Imami i kohës, shërbëtori i vërtetë i Profetit Muhammed s.a.v.s., të cilin, Profeti s.a.v.s. e quan “Hakam” dhe “Adl”, pra, vendimtar dhe gjyqtar, tha:
“Edhe Teravitë janë sunet, ndaj falini edhe ato. Nganjëherë falini vetëm në shtëpi, sepse teravitë në të vërtetë nuk janë ndonjë namaz tjetër, përveçse tehexhud”.[8]
[1] Buhariu, Kitabu Salatit-teravih, nr. i hadithit 2009.
[2] Fjalori “Lisanul-Arab” te fjala “huxhud”.
[3] Kurani Famëlartë 17:80.
[4] Buhariu, Kitabu Salatit-teravih, nr. i hadithit 2012.
[5] Buhariu, Kitabu Salatit-teravih, nr. i hadithit 2010.
[6] Sunen Ebi Daud, nr. i hadithit 3991.
[7] Muslimi.
[8] Malfuzat, vëll. 5, botimi 2003, Rabvah, f. 373.
Image Credit: deepspace / Shutterstock.com