Kur mbyllet syfyri? Deri kur mund të hahet syfyri?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kur mbyllet syfyri? Deri kur mund të hahet syfyri?

Teolog, gjuhëtar dhe përkthyes
syfyri

Deri kur mund të hahet syfyri? Sipas fjalëve të Zotit të Madhërishëm në Kuranin Famëlartë dhe (haditheve) thënieve të Profetit Muhammed s.a.v.s., është e qartë që syfyri duhet vonuar sa më shumë. Andaj, mund të llogaritni mbarimin e syfyrit 1 orë e 30 minuta përpara lindjes së diellit, pasi kjo kohë është e mjaftueshme për t’u quajtur sabahut i vërtetë. Më poshtë, do të gjeni argumente nga Kurani Famëlartë dhe nga hadithet e Profetit Muhammed s.a.v.s. për këtë temë.

Porosia e Kuranit Famëlartë në lidhje me mbylljen e syfyrit

Syfyri është ushqimi që besimtari ha përpara se të nisë agjërimin. Allahu i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë, thotë:

kur mbyllet syfyri“Hani e pini, derisa prej sabahut, t’ju dallohet fija e bardhë (e agimit) nga fija e zezë (e natës).  Pastaj, plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje”.[1]

Kur u zbrit ky ajet, disa nga sahabët e Profetit s.a.v.s. filluan të mbanin me vete gjatë natës fijet e bardha e të zeza, për të parë kohën e mbarimit të syfyrit. Kur e dëgjoi Profeti Muhammed s.a.v.s. këtë gjë, njërit prej tyre që i mbante fijet poshtë jastëkut, i tha:

kur mbyllet syfyri“Shumë i madh qenka jastëku yt! Në të vërtetë ajo (fija e bardhë dhe e zezë) i referohet errësirës së natës dhe bardhësisë së ditës”.[2]

Në ajetin e sures el-Bekare që u përmend më sipër vlen të theksohet fjala “tebejjana” “të dallohet”, e cila do të thotë të shfaqet plotësisht dhe gjithë njerëzit të kuptojnë se është koha e sabahut. Pra, kur të bëhet e qartë se është koha e namazit të sabahut, deri atëherë mund të hani syfyrin.

Vononi syfyrin dhe shpejtoni iftarin – praktikë e Profetit s.a.v.s.

Është praktikë e Profetit Muhammed s.a.v.s. që të vononi syfyrin dhe të nxitoheni për iftar menjëherë pas perëndimit të diellit. Kështu që, në librat autentikë të haditheve si Buhariu dhe Muslimi gjejmë kapituj të titulluar të vonuarit në syfyr dhe të shpejtuarit në iftar.

Syfyri mbaron para namazit të sabahut

Duhet ditur që koha e sabahut ndryshon në varësi të kohës së lindjes së diellit dhe jo me ndryshimin e muajve hënor. Vihet re që disa muslimanë gjatë muajit të Ramazanit e falin sabahun në një kohë tjetër, kurse në muajt e tjerë në një kohë tjetër.

Së dyti, në shumë hadithe përmendet se sa pak kohë është mes mbarimit të syfyrit dhe namazit të sabahut. Katadahu përmes Hazret Enes Ibni Malikut r.a. dhe ai përmes Zejd Ibni Thabitit r.a. transmeton se Zejd Ibi Thabiti tha:

kur mbyllet syfyriHëngrëm syfyr bashkë me Profetin s.a.v.s. e më pas u çuam për namaz (namazin e sabahut). “Sa ka qenë koha midis syfyrit dhe ezanit?” e pyeta. “Sa 50 ajete”, tha ai.[3]

Pra, do të thotë se koha mes mbarimit të syfyrit dhe ezanit ishte sa mund të recitonit 50 ajete të Kuranit Famëlartë.

kur mbyllet syfyriSahl Ibni Sa’di r.a. rrëfen: Unë haja syfyrin në shtëpinë time pastaj nxitohesha që të kapja namazin e sabahut me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.[4]

“Mbyllni syfyrin jo me ezanin e Bilalit, por me ezanin e Ibni Umi Maktumit”

kur mbyllet syfyriAbdullahu rrëfen se I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Bilali e thërret ezanin gjatë natës. Andaj, hani e pini derisa të dëgjoni ezanin e Ibni Umi Maktumit.[5]

Hazret Ibni Umi Maktumi ishte i verbër dhe në librat e haditheve gjithashtu thuhet se ai nuk e thërriste ezanin, derisa njerëzit i thoshin: “U bë sabahu!” “U bë sabahu!”

Për sa i përket iftarit, praktika e Profetit fisnik s.a.v.s. ka qenë që ai hante iftar menjëherë pas perëndimit të diellit. Hazret Sahl Ibni Sa’di r.a. rrëfen:

kur mbyllet syfyriI Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Njerëzit do të qëndrojnë në mirësi, derisa të nxitohen në çeljen e agjërimit.[6]

Nëse syfyrin do të hamë parakohe, do të humbasim kohën më të shtrenjtë të pranimit të lutjes. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe sahabët e tij këtë kohë e kalonin duke falur namazin e tehexhudit. Vlera e madhe e namazit të tehexhudit, që ndryshe quhet edhe namaz i natës, përmendet edhe në Kuranin Famëlartë, edhe në hadithet e Profetit Muhammed s.a.v.s.. Me syfyrin parakohe, ne do të mbetemi duke ngrënë ushqimin fizik, pikërisht në kohën kur mund të begatohemi nga Zoti i Madhërishëm me ushqimin shpirtëror.

Praktika e Hazret Imam Mehdiut a.s. në syfyr

Imami i kohës, shërbëtori i vërtetë i Profetit Muhammed s.a.v.s., të cilin, Profeti s.a.v.s. e quan “Hakam” dhe “Adl”, pra, vendimtar dhe gjyqtar, syfyrin e hante deri para sabahut. Ka shumë rrëfime nga jeta e tij, që hedhin dritë mbi këtë temë. Ju sjellim vetëm dy prej tyre.

Hazret Mirza Bashir Ahmed r.a. shkruan se bashkëshortja e të ndjerit Dr. Khalifa Rashidudin, rrëfen me shkrim:

“Ishte viti 1903 kur unë dhe im shoq i ndjerë nga Rurki erdhëm në Kadian. Kishim katër ditë pushime. Hazuri (Imam Mehdiu, Mesihu i Premtuar a.s.) pyeti: “Mos kishit agjëruar gjatë udhëtimit?” “Jo” i thamë. Hazuri na dha dhomën … për të qëndruar.

Im shoq tha: “Duam të agjërojmë”. “Mirë”, iu përgjigj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dhe shtoi, “por ju jeni udhëtarë”. Ai tha: “Pak ditë do të qëndrojmë këtu dhe kemi dëshirë të agjërojmë”. Mesihu i Premtuar a.s. iu përgjigj: “Mirë atëherë. Ne do t’ju japim bukë kashmiri për të ngrënë”.

Një Zot e di se si është buka e kashmirit, mendonim. Kur erdhi koha e syfyrit dhe u liruam nga namazi i tehexhudit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. erdhi vetë në dhomën tonë dhe na solli bukë.

Në katin e tretë banonte Hazret Maulvi Abdul Kerim sahibi me familjen e tij. Bashkëshortja e tij Kerim Bibi, të cilën e thërrisnim “maulvijania” (hoxheshë) ishte nga Kashmiri dhe bukën e Kashmirit e bënte shumë mirë. Hazuri pikërisht atë e kishte porositur të bënte bukë për ne.

Andaj, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na sillte bukë të ngrohtë të gatuar në gjalpë dhe na shërbente në syfyr. Mua më vinte turp, edhe bashkëshortit tim po ashtu. Por çdo qelizë e qenies sonë gëzohej duke ndierë dhembshurinë dhe mirësinë e Hazurit. Ndërkohë u thirr ezani. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na tha:

“Hani! Ka ende shumë kohë. Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë ka thënë:

“Hani e pini, derisa prej sabahut, t’ju dallohet fija e bardhë (e agimit) nga fija e zezë (e natës)”.[7]

Por njerëzit nuk veprojnë sipas kësaj porosie. Andaj, ju hani, sepse ka akoma shumë kohë. Myezini e ka thirrur ezanin para kohe””.[8]

Një tjetër rrëfim për syfyrin e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. na sjell Dr. Mir Muhammed Ismail sahibi, i cili thotë:

“Në vitin 1895 mu dha mundësia që të kaloja gjithë muajin e Ramazanit në Kadian. Gjatë gjithë muajit kam falur teravitë pas Mesihut të Premtuar a.s.. Praktika e tij ishte që ai vitrat i falte që në teravitë, kurse tehexhudin e falte në pjesën e fundit të natës, 8 rekate, dy nga dy. Çdo herë, në rekatin e parë ai recitonte ajetin El-Kursij dhe në të dytin suren El-Ihlas. Kurse në ruku dhe në sexhde bënte shpesh lutjen:

kur mbyllet syfyriO i Gjallë! O i Qëndrueshëm! Me mëshirën Tënde Të përgjërohem!

Këtë lutje ai e bënte me një zë, që edhe unë mund ta dëgjoja.

Përveç kësaj, ai syfyrin gjithmonë e hante pas namazit të tehexhudit dhe kaq shumë e vononte, saqë disa herë duke ngrënë e dëgjonim ezanin dhe ai vijonte të hante derisa të përfundonte ezani.

Duke sjellë këtë rrëfim, Hazret Mirza Bashir Ahmed r.a. shton:

E vërteta është që syfyrin mund ta hani derisa të dallohet sabahu i vërtetë në horizont, andaj, syfyri nuk ka lidhje me ezanin. Në Kadian ngaqë ezani i sabahut thirrej menjëherë pas shfaqjes së sabahut të vërtetë, dhe nganjëherë, nga pakujdesia ose gabimi, mundet edhe më herët, andaj në raste të tilla, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk shqetësohej për ezanin dhe e vijonte syfyrin derisa të dallohej sabahu i vërtetë, ashtu siç e thotë edhe vetë Kurani Famëlartë.

Kurani Famëlartë në këtë pikë nuk thotë që të hani syfyrin vetëm derisa të vërtetohet shkencërisht se ka lindur sabahu, por thotë derisa të dallohet sabahu. Fjala “tebejjena” e vërteton këtë gjë. Edhe në hadith thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

Mos e mbyllni syfyrin me ezanin e Bilalit, por me ezanin e Ibni Mektumit.

Ibni Mektumi ishte i verbër dhe ai nuk e këndonte ezanin derisa njerëzit bënin zhurmë se u bë sabahu.[9]

Për këto arsye, Xhemati Musliman Ahmedia e llogarit mbarimin e syfyrit 1 orë e 30 minuta përpara lindjes së diellit, pasi kjo kohë është e mjaftueshme për t’u quajtur sabahut i vërtetë.


[1] Kurani Famëlartë 2:188.
[2] Muslimi, Kitabus-sijam, bab bajan enet-dukhul fis-saum jahsulu bituluil-faxhr …
[3] Buhariu, Kitabus-saum, bab kedr kam bejnes-suhuri ve salatil-faxhr; Muslimi, Kitabus-sijam, bab fadlis-suhuri ve ta’kidi istihbabihi …
[4] Buhariu, Kitabus-saum, bab ta’xhilus-suhur.
[5] Muslimi, Kitabus-sijam, bab bajan enet-dukhul fis-saum jahsulu bituluil-faxhr …
[6] Buhariu, Kitabus-saum, bab ta’xhilil-iftar.
[7] Kurani Famëlartë 2:188.
[8] “Siratul-Mahdi” vëll. 2, pj. 5, nr. i rrëfimit 1320, f. 202-203; Hutbja e Hazret Kalifit të Pestë, e datës 03-06-2016.
[9] “Siratul-Mahdi” vëll. 1, pj. 2, nr. i rrëfimit 320, f. 295-296; Hutbja e Hazret Kalifit të Pestë, e datës 03-06-2016.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp