Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Vetëreformimi dhe kontribut për reformën e të tjerëve

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Fragment i shkëputur nga ky fjalim:

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Njerëzit e Zotit janë sharë, janë torturuar tej mase shumë por ata të vetmen porosi që ata morën ishte وَ اَعْرِضْ عَنِ الْجاھلین  “Anashkaloji të paditurit!”[1] Vetë njeriu më i përsosur, Profeti ynë Hazret Muhammedi s.a. është përballur me gjithfarë shqetësimesh, sharjesh e çapkënërish, por çfarë bëri ai kundër tyre? Ai që ishte i tëri virtyt, vetëm u lut për ta. Ndodhi pikërisht ashtu siç i kishte premtuar Zoti i Madhërishëm se nëse i anashkalonte të paditurit, Ai do t’ia mbronte nderin dhe jetën dhe njerëzit rrugaçë nuk do të mund të kishin sukses në sulmet e tyre. Kundërshtarët e Profetit nuk ia cenuan dot nderin, madje vetë u turpëruan ose duke rënë në këmbët e tij, ose duke u shkatërruar para tij.

Duke cituar ajetin e Kuranit:

الَّذِیۡنَ یُنۡفِقُوۡنَ فِی السَّرَّآءِ وَالضَّرَّآءِ وَالْکٰظِمِیۡنَ الْغَیۡظَ وَالْعَافِیۡنَ عَنِ النَّاسِ ؕ وَاللہُ یُحِبُّ الْمُحْسِنِیۡنَ[2]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e përkthen dhe thotë:

Domethënë besimtarët janë vetëm ata që gëlltisin zemërimin e tyre, që i falin mizorët dhe që nuk i përgjigjen pahijshmërisë me pahijshmëri.

Qëllimi i krijimit të këtij Xhemati është që gjuha, veshi, syri dhe çdo organ i njeriut të rrezatojë takvanë. Drita e takvasë të jetë brenda dhe jashtë tij. Anëtarët të shfaqin virtytet në mënyrën më të bukur. Të mos kenë zemërime vend e pavend. Kam vënë re që një pjesë e madhe e anëtarëve të Xhematit ende ruan të metën e zemërimit. Nganjëherë njerëzit inatosen për gjëra të vogla dhe fillojnë të grinden. Të tillët nuk përbëjnë pjesë në këtë Xhemat. Nuk e kuptoj se çfarë vështirësie ka njeriu të heshtë e të mos i përgjigjet kur tjetri e shan.

Reforma gjithmonë fillon nga morali i anëtarëve të Xhematit. Në këtë fillim ka nevojë që besimtarët të praktikojnë durimin. Metoda më e mirë e kësaj është që kur dikush ju shan, ju me gjithë zemër e me gjithë dhimbje të bëni lutje për të që Allahu i Madhërishëm ta përmirësojë atë dhe të mos ushqeni mëri dhe inat ndaj tij aspak. Ashtu siç bota i ka ligjet e saj, edhe Zoti i ka ligjet e Tij. Përderisa edhe bota nuk i lëshon ligjet e veta, si mundet që Zoti i Madhërishëm t’i shkelë ligjet e Tija. Kështu që, derisa nuk bëni reformë, nuk mund të keni vlerë në sy të Zotit.

Zoti i Madhërishëm kurrsesi nuk e do që virtytet e larta si butësia, durimi dhe falja të zëvendësohen me egërsinë. Nëse do të përparoni në këto virtyte të bukura, shumë shpejt do të arrini te Zoti.

Allahu i Madhërishëm gjatë këtij ramazani, na mundësoftë të ngremë nivelin e adhurimeve tona, t’i bëjmë të qëndrueshme dhe nga ana tjetër na mundësoftë të stolisemi me virtyte të bukura, të vendosim standarde të larta edhe të përmbushjes së detyrimeve ndaj krijesave të Zotit. Siç ju thashë edhe më herët, çdokush që i shërben Xhematit në cilëndo mënyrë qoftë, ka për detyrë të tregojë standardin më të lartë të virtyteve, edhe në shtëpi, edhe jashtë. Ju tërheq vëmendjen edhe për lutje. Shkurtimisht ju kam thënë edhe në xhumanë e kaluar, por dua t’ju them sërish. Gjatë këtyre ditëve kur po luteni për veten tuaj, lutuni shumë edhe për përparimin e Xhematit, për dështimin e planeve të armikut që janë shumë të rrezikshme. Lutuni shumë për triumfin e Islamit. Allahu na e mundësoftë gjithë neve.

 


 

[1] Kurani Famëlartë 7:200.

[2] Kurani Famëlartë 3:135.