Mëshira - Dhjetëditëshi i parë i Ramazanit - Dokumentar
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Mëshira – Dhjetëditëshi i parë i Ramazanit – Dokumentar

 

(Mëshira Dhjetëditëshi i parë i Ramazanit – Dokumentarin mund ta shikoni edhe me titra shqip)

Agjërimi është një traditë universale, i cili është praktikuar qysh nga koha e lashtë. Çdo vit për 30 ditë, qindra miliona muslimanë heqin dorë nga të ngrënit e të pirit, duke kërkuar mirësitë e Allahut të Madhërishëm nëpërmjet ibadetit.

Secili dhjetëditësh apo ‘Ashere ka vlerën e tij unike. P.sh.

  1. Dhjetëditëshi i parë është i mëshirës
  2. Dhjetëditëshi i dytë është i faljes
  3. dhe dhjetëditëshi i tretë shërben për të kërkuar shpëtim nga zjarri i xhehenemit

Allahu i Madhërishëm ka obliguar agjërimin me këto fjalë:

meshira - Dhjetëditëshi i parë i Ramazanit“O ju që besuat! Ju obligohen agjërimet, ashtu siç u ishin obliguar atyre që ishin para jush, që të bëheni të druajtur (ndaj Zotit)”. (Kurani Famëlartë 2:184)

“Njeriu duhet t’i kushtohet devotshmërisht vetëm Zotit. Sepse gjithçka përveç Tij është kalimtare, e vetëm Ai është i Amshueshëm”.

Ramazani, muaji i nëntë i kalendarit islamik, është periudha e pastrimit dhe zhvillimit shpirtëror. Ky muaj është ndarë në tri pjesë e çdo dhjetëditësh quhet ‘Ashere një fjalë arabe që do të thotë dhjetë. Muslimanët bëjnë lutje duke iu referuar cilësive të çdo ‘ashereje.

Ramazani është një nga muajt më të rëndësishëm në jetën e muslimanit. Është ky muaj, në të cilin filloi të zbritej Kurani Famëlartë si Ligji përfundimtar për njerëzimin. Në thelb, i gjithë muaji Ramazan shërben për detoksifikimin trupor e shpirtëror, gjatë të cilit një musliman jo vetëm që largohet nga të ngrënit e të pirit nga agimi deri në perëndimin e diellit, por gjithashtu mundohet të zhvillohet shpirtërisht.

Fjala “Ramadan” ka prejardhje nga arabishtja prej rrënjës ra-ma-da, dhe sipas leksikut arab ra-ma-da nënkupton zheg apo nxehtësi përvëluese. Arsyen pse këtij muaji i është dhënë ky emër, e ka shpjeguar Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe sipas tij Ramazani i përvëlon mëkatet tona.

Universi është i madh dhe i stolisur me mrekullitë e jashtëzakonshme, siç janë galaktikat, yjet, satelitët dhe planetet si Toka. Me të vërtetë, edhe mrekullitë e Tokës janë po aq madhështore me ujëvara magjepse dhe shkretëtira të shkëlqyeshme. Të gjitha këto janë shembujt e mëshirës së pakufishme të Allahut ndaj krijesës së Tij.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka njoftuar njerëzimin për ditët e veçanta, kur Allahu i Plotfuqishëm është më i disponueshëm për shpërndarjen e mëshirës te krijesa e Tij. Këto ditë të bekuara që Profeti Muhammed s.a.v.s. referoi janë ‘ashere ose dhjetëditëshi i parë i Ramazanit. Gjatë këtyre ditëve Zoti i Madhërishëm është më Bujar në zbritjen e dashurisë dhe mëshirës së Tij mbi ata që i kërkojnë falje.

Njëherë gjatë bisedës, Mesihu i Premtuar a.s. tha që në transmetime thuhet se xhehenemi ka 7 dyer ndërsa xheneti ka 8 dyer. Ai thotë se njëherë fillova të reflektoja se përse xheneti paska një derë më shumë. Atëherë Zoti i Madhërishëm menjëherë më njoftoi se mëkati dhe virtyti të dy kanë 7 parime. Por ekzistoka edhe një derë shtesë për mëshirën hyjnore e cila u është shtuar dyerve të xhenetit.

Kjo u përputhka mrekullueshëm me ajetin e Kuranit Famëlartë:

meshira - Dhjetëditëshi i parë i Ramazanit“Mëshira Ime përfshin çdo gjë”.  (el-A’raf 7:157)

Një ndër shembujt e mëshirës së Allahut janë profetët dhe librat që Ai ka zbritur në Tokë. Të gjithë të dërguarit e Allahut në kohën e tyre, ishin mishërim i mëshirës së Allahut. Musai a.s. ishte personifikimi i mëshirës së Allahut për popullin izraelit. Krishna a.s. ishte mishërimi i mëshirës së Allahut për popullin indian. Ndërsa Ai e zgjodhi Profetin Muhammed s.a.v.s. si mishërim i mëshirës së Tij për mbarë njerëzimin. Allahu e shpall këtë në Kuranin Famëlartë:

meshira - Dhjetëditëshi i parë i Ramazanit“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhammed), veçse si mëshirë për botët”. (el-Enbija 21:108)

Po ashtu, të gjithë librat e shpallur prej Zotit janë shenja e mëshirës së Tij ndaj njerëzimit. Në thelb, mëshira e Zotit ka dy aspekte. Mëshira e parë është ajo që iu shfaq njeriut, pa asnjë përpjekje apo veprim nga ana e tij.

Për shembull, kjo mëshirë është shfaqur në krijimin e qiejve dhe Tokës, të diellit dhe të hënës, të ujit, të ajrit dhe të zjarrit, dhe në krijimin e të gjitha atyre dhuntive me të cilat jeta e ekzistenca njerëzore është e kushtëzuar.

Lloji i dytë i mëshirës vjen si shpërblim i veprave të mira të njeriut. Për shembull, kur njeriu i lutet Zotit me mallëngjim dhe ngashërim të sinqertë, lutja e tij përgjigjet. Kur ai lëvron tokat duke hequr mundime të mëdha dhe hedh farën, mëshira hyjnore e zhvillon dhe rrit farën, dhe si rrjedhojë sigurohen sasi të mëdha drithërash.

Këto dy mëshira janë aq të domosdoshme, saqë njeriu nuk mund të mbijetojë pa to. Nuk mundet që dikush të dyshojë praninë e tyre, derisa ato manifestohen dukshëm dhe mbështesin gjithë strukturën ekzistenciale të çdo gjallese.

Falja është vetëm një shembull i mëshirës së Zotit e cila manifestohet veçanërisht gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Kemi një shprehje popullore:

“Të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore”.

Kjo tregon se natyra njerëzore është e prirur të bëjë gabime por vetëm Zoti i Plotfuqishëm, Krijuesi i gjithësisë, zotëron fuqi për të na falur.

Falja e Zotit të Madhërishëm mund të matet edhe nga një hadith i famshëm i Profetit Muhammed s.a.v.s. ku ai përmendi që dikur ka qenë një njeri i cili kishte vrarë 99 persona. Ai pyeti një njeri të dijshëm se a ka falje për të edhe pse ka vrarë 99 persona?

Ai njeri i përgjigjet: “Jo, është e pamundur të pranohet pendimi i tij”.

Duke dëgjuar këtë, ky njeri e vret edhe atë, dhe kështu plotëson njëqindshen. I penduar nga veprimi i tij, ai sërish kërkon njeriun më të ditur dhe takon një njeri të shenjtë. Ai ia shtron të njëjtën pyetje, dhe njeri i shenjtë i thotë:

“Po është e mundur, por duhet të shkosh në filan vend të largët”.

Ky njeri menjëherë niset për atë vend, por i vjen vdekja gjatë udhëtimit. Kur shpirti i tij i paraqitet Zotit për gjykim, Ai i urdhëron engjëjt që të masin distancën nga pikënisja e tij e deri në destinacion. Kur u mat distanca, u evidentua se ai njeri ishte një hap më afër vendit që synonte. Pra si përfundim, Zoti i Madhërishëm e fali atë. Ky shembull tregon shkallën e mëshirës së Zotit.

Ebu Musa el-Esh’ariu r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Allahu shtron dorën e Tij gjatë natës që të pendohet ai i cili kishte bërë gjynahe përgjatë ditës, dhe shtron dorën gjatë ditës që të pendohet ai kishte mëkatuar përgjatë natës, dhe kjo do të vijojë derisa të lindë dielli nga Perëndimi”. (Muslimi, hadithi nr. 4960)

Muaji i Ramazanit gëzon epërsi mbi të gjithë muajt e tjerë, ndërsa shpërblimet manifestohen për ata që pendohen sinqerisht dhe angazhohen në vepra të mira gjatë këtij muaji. Çdo urdhër dhe porosi e Allahut të Plotfuqishëm e i Gjithëdijshëm përfshin bekime dhe mëshirë dhe dispozita e muajit të Ramazanit është një prej shenjave të bekimit dhe mëshirës së Tij ndaj nesh.

Prandaj, për të fituar afërsinë me Allahun, besimtari duhet të ndjekë me zell e qëndrueshmëri rrugën e mëshirës. Për t’u bërë ndjekës i vërtetë i Profetit Muhammed s.a.v.s, të cilin Zoti e ka quajtur:

“Mëshirë për mbarë njerëzimin”,

besimtari duhet të ndjekë gjurmët e tij me përkushtim të plotë. Për t’u ndriçuar nga drita e Kuranit Famëlartë, të cilin Zoti e ka shpallur si libri i mëshirës, njeriu duhet të përthithë mëshirën dhe ta rrezatojë atë përreth. Vetëm atëherë ai mund të jetë i denjë për të fituar mëshirën, në Ditën e Gjykimit.

meshira - Dhjetëditëshi i parë i Ramazanit“Dhe thuaj (o Muhammed!): “O Zoti im, fal dhe mëshiro, se Ti je më i miri i mëshiruesve!” (el-Mu’minun 23:119)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp