
Gjatë recitimit a leximit të Kuranit Famëlartë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bënte lutje të ndryshme, të cilat janë si më poshtë:
(1) Para se të filloni recitimin e Kuranit Famëlartë, duhet të kërkoni mbrojtjen e Allahut duke thënë:
Eudhu bil-lahi minesh shejtanir-raxhim
Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar!
Siç filloni çdo punë të rëndësishme me bismil-lahun, është e bekuar që edhe recitimin e Kuranit ta filloni me:
Bismil-lahirrahmanirrahim
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
(2) Hazret Euf Ibni Malik Eshxhei r.a. rrëfen: “Unë bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. filluam namazin nafil. Ai recitoi suren El-Bekare. Sa herë që kalonte nga ndonjë ajet që fliste për mëshirë, ai ndalej dhe kërkonte mëshirë dhe sa herë që kalonte nga ndonjë ajet që fliste për ndëshkim, prapë ndalej dhe kërkonte mbrojtje prej tij”.[1]
(3) Në një rrëfim tjetër që vjen nga Hazret Hudhejfa r.a. përmendet që, sa herë që vinte ndonjë ajet ku përmendej shenjtëria e Zotit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thoshte “subhanallah”, domethënë “i Shenjtë është Allahu”.[2]
(4) Hazret Uail r.a. Ibni Hexher thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke recituar suren El-Fatiha. Pasi lexoi fjalët “ueled dal-lin”, ai me zë të zgjatur tha “Amin!”, domethënë “pranoje!”[3]
(5) Hazret Ebu Mejsira r.a. rrëfen se të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. e ka porositur Xhibraili a.s. të thotë “Amin!” në ajetet e fundit të sures El-Bekare.[4]
(6) Hazret Xhabir Ibni Abdullah r.a. rrëfen: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. para sahabëve të tij recitoi suren Er-Rahman. Sahabët e dëgjuan dhe heshtën. Më pas i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: “Më mirë se ju ishte grupi i xhindëve, të cilët gjatë recitimit të kësaj sureje, çdo herë kur e dëgjonin ajetin:
Febi ej-ji alai Rab-bikuma tukedh-dhiban” (domethënë, ju të dy cilin nga bekimet e Zotit do të mohoni?), thoshin:
O Zoti ynë! Nuk mohojmë asnjë nga bekimet e Tua dhe e Jotja është lavdia.”[5]
(7) Hazret Akba Ibni Amiri rrëfen: Kur zbriti ajeti i 97-të i sures 56 El-Uakia:
“Përkujtoje shenjtërinë e Zotit tënd të Madhërishëm”, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Kjo le të jetë në ruku”,
domethënë në ruku të themi:
“Subhana rabijel azim”, që do të thotë “I Shenjtë është Zoti im, i Madhërishmi”. Veç kësaj, edhe gjatë recitimit të këtij ajeti, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thoshte “Subhana rabijel azim”.
(8) Në të njëjtën mënyrë, kur zbriti ajeti i 2-të i sures 87 El-A’la:
“Përkujto emrin e Zotit tënd të Lartësuar”, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Këtë thojeni në sexhde!”
domethënë, në sexhde të themi:
“Subhana Rabijel A’la”, “I Shenjtë është Zoti im, i Lartësuari”.[6] Veç kësaj, edhe gjatë recitimit të këtij ajeti, duhet t’i themi këto fjalë.
(9) Pas recitimit të ajetit të fundit të sures 67 El-Mulk:
“Nëse uji juaj do të shkojë në fund, kush mund t’ju sjellë (sërish) ujin e burimeve?”,
është mirë të thoni:
Allahu, Zoti i botëve.[7]
(10) Hazret Musa Ibni Ajshja r.a. rrëfen: “Një njeri po falte namaz në çatinë e shtëpisë së tij. Kur ai recitoi ajetin e fundit të sures 75 El-Kijamah, që është:
“A nuk ka fuqi Zoti të ringjallë të vdekurit?!”, tha:
“I Shenjtë je Ti”
dhe filloi të qante. Kur dikush e pyeti shkakun se pse i kishte thënë ato fjalë, ai u përgjigj se kështu e kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të thoshte.[8]
(11) Ai që reciton suren 75 El-Kijamah dhe vjen tek ajeti i fundit që është:
“A nuk ka fuqi Zoti të ringjallë të vdekurit?!”, le të thotë:
“Patjetër që po!”.[9]
(12) Ai që reciton suren 77 El-Murselat dhe vjen tek ajeti i fundit që është:
“Cilën fjalë do të besoni pas kësaj?”, le të thotë
“Ne e besuam Allahun”.[10]
(13) Hazret Abdullah Ibni Abasi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur recitonte ajetin e parë të sures 87 El-A’la
duke iu përgjigjur thoshte:
që do të thotë:
“I Shenjtë është Zoti im, i Lartësuari”.[11]
(14) Hazret Ebu Hrejrah r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Çdokush nga ju që reciton suren 95 Uet-Tin deri në fund, t’i përgjigjet ajetit
(“A nuk është Zoti gjykatësi më i drejtë?!”)
duke thënë:
“Patjetër që po dhe unë jam një ndër dëshmitarët e këtij fakti”.”[12]
(15) Hazret Ajshja r.a. tregon se pas zbritjes së sures 110 En-Nasr, kurdoherë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e recitoi këtë sure, iu përgjigj ajetit:
“Përkujtoje lavdinë e Zotit tënd dhe kërkoji falje Atij”, duke thënë:
“I Shenjtë je Ti, o Zoti ynë, me gjithë lavdinë Tënde. O Allah! Më fal mua”.[13]
[1]. Ebu Daud, Kitabus-salat, bab ma jekulur-rexhul fi rukuihi ue suxhudihi.
[2]. Muslimi, Kitab salatil-musafirin, bab istihbab tetvilil-kir’at.
[3]. Ebu Daud, Kitabus-salat, bab et-ta’min uera’al imam.
[4]. Sujuti, El-Itkan, pjesa I, Bejrut, f. 107.
[5]. Tirmidhiu, Kitabut-tefsir, suretur-Rahman.
[6]. Ebu Daud, Kitabus-salat, bab ma jekulur-rexhul fi rukuihi ue suxhudihi.
[7]. Tefsir Xhelalejn, surja El-mulk.
[8]. Ebu Daud, Kitabus-salat, bab ed-dua fis-salat.
[9]. Ebu Daud, Kitabus-salat, bab mikdarir-ruku.
[10]. Po aty.
[11]. Ebu Daud, Kitabus-salat, bab ma jekulur-rexhul, fir-rukui ues-suxhud.
[12]. Ebu Daud, Kitabus-salat, bab duau fis-salat.
[13]. Buhariu, Kitabut-tefsir, suretun-Nasr.