
Ju paraqesim lutje të përditshme që na mësoi Profeti ynë i dashur, Hazret Muhammedi s.a.v.s..
(1) Çdo punë të rëndësishme fillojeni me “Bismil-lah” (me emrin e Allahut). Nëse harroni të thoni Bismil-lah para buke, në fund të saj mund të thoni:
Bismil-lahi fi eualihi ue ahirihi
Me emrin e Allahut edhe në fillim, edhe në fund.[1]
Pas buke, duke falënderuar Zotin e Madhërishëm, thoni:
El-hamdulil-lah
Lavdia është e Allahut![2]
(2) Duke ecur në rrugë ose duke hyrë në shtëpi a në mbledhje, të thoni lutjen Es-selam alejkum: kalimtari atij që është ulur, udhëtari në mjet atij që ecën në këmbë. Lutja e plotë përshëndetëse, e cila i siguron shpërblimin e 30 veprave të mira atij që e bën, është:
Es-selam alejkum ue rahmatullahi ue barakatuhu
“Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!”
Edhe dëgjuesi t’ia kthejë duke thënë:
Ue alejkum selam (Paqja qoftë edhe mbi ju!).[3]
(3) Kur dikush ju bën mirësi, lutuni për të duke i thënë:
Xhezakallahu hair
Allahu të shpërbleftë me të mira![4]
(4) Kur të dëgjoni këndesin, t’i luteni Allahut për bekimet e Tij. Kur të dëgjoni lehjen e qenit apo pëllitjen e gomarit, të thoni:
Eudhu bil-lah
Kërkoj mbrojtjen e Allahut![5]
(5) I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur pa një njeri shumë të zemëruar, tha: Unë di një fjalë që do të ta largojë zemërimin dhe ajo është:
O Allah! Më mbro nga shejtani i mallkuar![6]
(6) Nëse shihni një ëndërr të mirë, thoni:
“Elhamdulil-lah!”, “Lavdia është e Allahut!”
Nuk ka asgjë të keqe nëse ua tregoni ëndrrën të tjerëve. Ndërsa kur shihni një ëndërr të keqe, thoni “Eudhubil-lah!”, “Kërkoj mbrojtjen e Allahut”, dhe mos ia tregoni ndokujt.[7]
(7) Ai që teshtin, le të thotë:
“Elhamdulil-lah” (Lavdia është e Allahut!),
ndërsa dëgjuesi të lutet për të duke i thënë:
“Jerhamukallah” (Allahu të mëshiroftë!)
dhe teshtitësi t’ia kthejë duke thënë:
“Jahdikumullahu ue juslihu balekum”
Zoti të udhëzoftë dhe ta rregulloftë jetën![8]
[1]. Tirmidhiu, Kitabul-at’imah, bab et-tesmija alet-ta’am.
[2]. Buhariu, Kitabul-at’imah, bab ma jekulu idha faraga min ta’amihi.
[3]. Musned Ahmed, vëll. 3, f. 158.
[4]. Tirmidhiu, Kitabul-birr, bab ma xha’a fil-mutashab’i.
[5]. Buhariu, Kitab badail-khalki, bab khejr malil-lmuslim.
[6]. Ebu Daud, Kitabul-adab, bab ma jekulu endal-gazab.
[7]. Tirmidhiu, Kitabud-da’vat, bab ma jekulu idha ra’a ru’ja.
[8]. Tirmidhiu, Kitabul-adeb, bab ma xha’a fi teshmijetil-atis.