Hixhabi – shtypje mizore apo liri e besuar?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Hixhabi – shtypje mizore apo liri e besuar?

Përse është e nevojshme e gjithë kjo? Përse gratë duhet të vishen në mënyrë modeste? A nuk është detyra e burrave që të kontrollojnë veten kur janë pranë grave?

Kritika që i bëhet më shpesh fesë është se shkel të drejtat e grave dhe forcon strukturat ekzistuese të pushtetit. Islami është shpesh subjekt i këtyre kritikave, dhe meqë jemi muslimanë tek “Rational Religion”, doja të bëja disa sqarime.

Le t’i hedhim një sy hixhabit; një temë shumë e diskutuar dhe e përfolur aktualisht. Le të hedhim dritë mbi këtë “gogol” të botës perëndimore.

Çfarë është “hixhabi”? Ky term përdoret zakonisht për veshjen me të cilën një grua muslimane mbulon flokët. Megjithatë, termi “hixhab” nuk gjendet në Kuranin Famëlartë. Në fakt, fjala që përdoret në Kapitullin e 24 të Kuranit Famëlartë është “khimar”, ku udhëzohen gratë që të “lëshojnë mbulesën e kokës përreth kraharorit”.

Fjala “khimar” vjen nga rrënja “kha-mim-rra”, që në gjuhën arabe do të thotë mbulesë. Edhe fjalët e tjera të prejardhura nga kjo fjalë rrënjë kanë të njëjtin kuptim të parë. Për shembull, ndërsa fjala “khimar” do të thotë mbulesë për kokën, “KhAmar” do të thotë “alkool”  sepse dihet që errëson mendjen. Si në kuptimin e parë ashtu edhe në kuptimin metaforik, do të thotë mbulesë e kokës. Ata që mendojnë se Kurani Famëlartë nuk e përmend mbulesën e kokës, duhet ta kenë parasysh këtë pikë.

Në Arabi, në periudhën para Islame, “khimar” mbështillej përreth kokës dhe një cep i gjatë lihej poshtë shpinës. Kurani Famëlartë i mëson gratë po njësoj që ta lidhin shaminë, por duke mbuluar edhe qafën edhe kraharorin.

Stilet e veshjes në botën muslimane dallojnë edhe nga mënyra sesi e zbatojnë këtë porosi. Nëse pjesa e gjatë është para, keni vënë burka, duke qenë se mbulohet fillimisht fytyra dhe pastaj lëshohet në kraharor. Nëse e mbështillni mbulesën në të gjithë kokën, duke lënë vetëm sytë, keni vënë nikab. Shumë gra muslimane ndjekin mësimin e Profetit, ku thotë që fytyra dhe duart e një gruaje nuk ka nevojë të mbulohen (Suneni i Ebu Davudit, hadithi #4104).

Pyetja është: përse është e nevojshme e gjithë kjo? Përse gratë duhet të vishen në mënyrë modeste – a nuk është detyra e burrit që të kontrollojë veten kur është afër një gruaje?

Përgjigjja, në fakt, është Po! Në Kuranin Famëlartë theksohet modestia si për meshkujt ashtu edhe femrat, ku në fillim u adresohet meshkujve, duke iu kërkuar që të ulin vështrimin kur janë afër grave dhe të mbajnë nën kontroll tundimet seksuale. Pra, nëse Kurani na mëson kështu, përse gratë duhet të vishen në mënyrë modeste? Feja Islame jep një sërë arsyesh, ku ndër më të diskutueshmet është arsyeja për të parandaluar ngacmimet seksuale të padëshiruara.

Nëse do ta vendosnim veten në rolin e një gruaje që po kërkon të jetojë dhe të mbijetojë në botën reale, atëherë preferohet më shumë një këshillë praktike se idealiste. Edhe pse do të ishte bukur të jetoje në një utopi, ku asnjë nuk e nget makinën keq dhe asnjë nuk vjedh, por të gjithë e dimë se nuk jetojmë në një botë të tillë, prandaj vendosim rripin e sigurimit dhe marrim masa. Islami është praktik në këshillën e tij për gratë, prandaj jep udhëzime për botën reale, jo për imagjinaren.

Hixhabi është si një rrip sigurimi. A do t’ju mbrojë gjithmonë nga veprimet e  pamatura të të tjerëve? Jo. Por, mund të ulë rrezikun. Në të njëjtën mënyrë, edhe Islami mëson gratë të marrin sigurinë në duart e tyre, në vend që t’i besojnë mirësisë së një mashkulli.

Një studim i njohur, i kryer nga psikologia Susan Fiske, thekson se nëse burrat shohin gra të veshura me bikini, aktivizohet një pjesë e trurit e lidhur me thënien “gjërat që manipulon me duar”, ndryshe nga kur sheh pamje të një gruaje të veshur plotësisht. Siç thotë aktorja e famshme Jessica Rey:

“Modesti nuk është të mbulojmë trupin sepse ata janë të këqij, modesti nuk është të fshihemi, por është të tregojmë dinjitetin tonë”.

Sa i përket veshjes modeste, vetë Fisk diskuton mbi ndikimin dhe pasojat e saj, si me dijeni ose jo, që përjetojmë në kulturën e sotme;

“gjithçka lidhet me të veshurin me bikini, apo jo? Diçka që nuk ndodh me gratë e veshura plotësisht (në studim). Pra, për ne, morali i historisë është që, nëse djemtë i shohin gratë të veshura me bikini – menjëherë mendojnë sesi mund të aktivizohen ndaj tyre, dhe kjo ndoshta është edhe arsyeja e parë pse gratë veshin bikini. Kështu ato vetë në një farë mënyre janë duke u objektivizuar, dhe kjo është prerogativë e njerëzve për ta bërë këtë. Por është e rëndësishme të dini pasojat e saj. Pra, është e rëndësishme që të mos mendoni për veshjen provokuese dhe as të provokoni”.

Le të jemi më të qartë: edhe gratë e veshura në mënyrë modeste ngacmohen. Mënyra e parë për të eliminuar ngacmimet seksuale ndaj grave është ndryshimi i sjelljes së meshkujve. Në një tregim interesant nga jeta e Profetit Muhammed s.a.v.s. ilustrohet kjo temë. Një grua e bukur iu afrua Profetit për t’i kërkuar disa këshilla për çështje të sajat personale. Një shok i Profetit filloi t’i ngulte sytë për shkak të bukurisë së saj. Kur e vuri re, Profeti e kapi pas shpine dhe i ktheu kokën që të mos e vështronte më. Ai nuk kritikoi pamjen e saj, as e këshilloi për veshje e as të sillej ndryshe. Në të vërtetë ishte sjellja e shokut të tij të cilën u përpoq ta ndryshonte.

Dështimi për ta rrënjosur modestinë thellë në shoqëri shkon përtej çështjeve të lidhura me ngacmimet seksuale. Një studim i fundit tregon se çrregullimet e të ngrënit, ankthi dhe çrregullime të tjera të shëndetit mendor po shtohen te gratë, sidomos te vajzat e reja. Shifrat e vetëvrasjeve te adoleshentet arritën kulmin në vitin 2015 dhe janë shkaku i dytë kryesor i vdekjes në vendet e zhvilluara te grupmoshat 15-24 vjeç. Më shumë se 17% e studenteve të shkollës së mesme në SHBA kanë konsideruar seriozisht vetëvrasjen në vitin 2017.

Shumë i lidhin këto trende me një kulturë ku gratë dhe vajzat e reja bombardohen me imazhe që i nxisin ato drejt formave artificiale dhe anormale të trupit.

Islami u thotë Jo këtyre ndërhyrjeve shkatërruese. Ai mbështet lirinë e gruas sepse vendos cilësitë personale mbi bukurinë fizike. Përndryshe, është shumë e lehtë të gjykohesh dhe vlerësohesh nga pamja e jashtme, që është vetëm një lotari gjenetike.

Duke mos e vënë theksin te bukuria fizike, veshja në mënyrë modeste i tregon shoqërisë se gratë duhet të gjykohen në bazë të asaj çka është më e rëndësishme; personaliteti, zgjuarsia, talenti dhe të bërët ndryshim në botë. Islami na mëson të përqendrohemi në krijimin e një lidhjeje me Zotin, me Krijuesin tonë, dhe jo të përpëlitemi në qëllime të përkohshme dhe të pakuptimta, që në fund të fundit janë të dëmshme si nga ana psikologjike ashtu edhe sociale.

Për ta përfunduar, gruaja zgjedh vetë çfarë të veshë. Por, është naive të mendosh se mënyra sesi vishet një grua, ashtu si edhe një burrë, nuk ndikon në mënyrën si ata shihen nga gjinia e kundërt.

Dhe është po aq naive të mendosh se nëse të gjitha gratë do të visheshin në mënyrë modeste, nuk do të kishte ngacmime seksuale. Sjellja e meshkujve ka nevojë për ndryshim, bashkë me kulturën përreth nesh për mënyrën e të veshurit të gruas.

Një grua që zgjedh për t’u veshur në mënyrë modeste sjell edhe shumë gjëra të tjera të rëndësishme në jetën e saj, përveç shmangies ndaj afrimeve seksuale të padëshirueshme. Ajo sjell më shumë kuptim në marrëdhënien me Zotin, si dhe një synim për diçka më të rëndësishme se vetja dhe bota e përkohshme materiale.

Përkushtimi im është ndaj Zotit, dhe jo ndaj tekave të kulturës dhe industrisë së modës.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp