Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Përvetësoni standardin e lartë të moralit dhe të dëlirësisë islame

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pjesë e shkëputur
(Për hutben e plotë, ju lutemi, ndiqeni videon)

Ne ahmedianët gjithmonë duhet të kemi parasysh që kjo epokë është shumë e rrezikshme. Djalli po bën sulme të fuqishme nga të gjitha anët. Muslimanët e sidomos muslimanët ahmedianë, burra, gra, të rinj e të reja, të gjithë së bashku nëse nuk do të përpiqen për t’i mbajtur vlerat e besimit, nuk ka asnjë garanci për shpëtimin tonë. Ne do të jemi më përpara se të tjerët që do të marrim qortimin e Allahut të Madhërishëm, sepse në këtë rast ne do të kemi kuptuar të vërtetën, të cilën na e ka treguar Hazret Mesihu i Premtuar a.s., por prapë nuk do të kemi vepruar sipas saj. Andaj, nëse duam të shpëtojmë veten nga vetasgjësimi, na duhet të jetojmë me mësimet islame me vendosmëri të plotë.

Mos mendoni se zhvillimi i vendeve të zhvilluara është ndonjë garanci për jetën dhe zhvillimin tonë. Mos mendoni se mbijetesa jonë do të jetë nëse do ta ndjekim atë. Zhvillimi i këtyre vendeve të zhvilluara tashmë ka kulmuar dhe gjendja e tyre morale, veprimet e tyre të demoralizuara po i çojnë ato drejt rënies. Shenjat e saj janë shfaqur tanimë. Ata po e thërrasin pakënaqësinë e Zotit të Madhërishëm. Ata po e ftojnë shkatërrimin e vetvetes.

Në një situatë të tillë, nga dashamirësia ne duhet të përpiqemi për t’ua treguar rrugën e drejtë, në vend që të marrim ngjyrën e tyre. Nëse këta njerëz nuk do të bëjnë përmirësimin, gjë e cila duket shumë e vështirë, për shkak të arrogancës dhe largësisë së tyre nga besimi, atëherë në zhvillimin e botës së epokës tjetër do të luajnë rol ata popuj që i mbajnë vlerat morale dhe fetare.

Andaj, siç ju thashë edhe më herët, ne, sidomos të rinjtë nga ne, kemi nevojë të përqendrohemi te mësimet e Zotit të Madhërishëm. Në vend që të ndikoheni nga bota e të ecni pas saj, ka nevojë që ta bëni botën që t’ju ndjekë ju.

Ju kam treguar në lidhje me veshjen islame. Duke iu referuar kësaj dua t’ju them edhe diçka tjetër, dhe e them me shumë keqardhje. Disa njerëz pyesin: A ka mbetur vetëm mbulesa islame si e vetmja çështje e përparimit të Islamit dhe të Ahmediatit? Dikush tjetër thotë ky mësim tashmë është i vjetruar dhe nëse duam të përballemi me botën, duhet ta braktisim këtë. Neudhubil-lah.

Këtyre njerëzve dua t’u bëj të qartë që nëse ecni pas botës dhe nëse jetoni siç bota ju kërkon të jetoni, atëherë në vend që të përballeni me botën, do të zhyteni në llumin e saj. Me kalimin e kohës, edhe namazet tuaja do të mbeten sa për adet dhe edhe mirësitë tuaja dhe veprat tuaja do të mbeten vetëm në dukje. Pas kësaj, ngadalë-ngadalë do të zhduket edhe ajo.

Andaj, nuk duhet të nënvlerësoni asnjë porosi të Zotit të Madhërishëm. Kjo është diçka shumë e frikshme. Çdo gjë që ka porositur Zoti i Madhërishëm dhe i Dërguari i Tij s.a.v.s., është e nevojshme për përparimin e Islamit. Shtrëngimet e mbulesës janë vendosur jo vetëm për gratë. Islami u vendos kufizime jo vetëm grave, por edhe burrave. Zoti i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë, së pari burrat i ka porositur të kultivojnë turpin dhe ta ruajnë shikimin.