Në vitin e shtatë të hixhretit, përkatësisht, në shkurt të vitit 629, sipas marrëveshjes, Profeti Muhammed s.a. do të shkonte për t’i bërë tevaf Qabes. Në kohën e caktuar, afërsisht me dy mijë njerëz, ai u nis drejt Mekës. Kur mbërriti në Merruz Zuhran, një vend një ditë udhëtimi larg nga Meka, sipas marrëveshjes, ai atje i dorëzoi të gjitha armët e rënda dhe parzmoret dhe vetë, bashkë me sahabët r.a. e tij, duke pasur vetëm një shpatë të futur në këllëf, hyri në Mekë. Hyrja e muhaxhirëve në Mekë, pas shtatë vjet mërgimi, nuk ishte diçka e vogël. Zemrat e tyre kullonin gjak në njërën anë, duke kujtuar mizoritë që u ishin bërë për një kohë të gjatë, dhe nga ana tjetër, ndienin edhe gëzim duke parë bekimin e Zotit të Lartësuar sesi Ai u dha mundësi për të bërë tevafin e Qabes. Mekasit, ndërkohë, u ishin ngjitur kodrave dhe po i vëzhgonin muslimanët. Muslimanët donin që t’u tregonin se në ç’mënyrë Zoti i tyre ua mundësoi sot hyrjen në Mekë. Madje, Abdullah ibni Revaha r.a. zuri të këndonte himne lufte, por Profeti s.a. e ndaloi sakaq dhe tha: Mos këndo këngë të tilla! Thuaj: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Është Zoti Ai që e ndihmoi të Dërguarin e Tij dhe i shpëtoi besimtarët prej errësirës së thellë dhe i ngriti lart. Është vetëm Zoti që i bëri armiqtë t’ia mbathnin.
Pasi u liruan nga tevafi rreth Qabes dhe vrapimi midis kodrave Sefa dhe Mervah, Profeti s.a. me gjithë sahabët e tij, qëndruan edhe tri ditë në Mekë. Memuna, kunata e Abasit r.a. që prej kohësh ishte e ve, jetonte në Mekë. Abasi r.a. i shprehu dëshirën Profetit s.a. që ai të martohej me të. Ai e pranoi. Ditën e katërt, mekasit kërkuan që ai dhe muslimanët, sipas marrëveshjes, të dilnin nga Meka. Profeti s.a. menjëherë lëshoi urdhrin që gjithë sahabët e tij ta linin Mekën për të shkuar drejt Medinës. Duke marrë parasysh ndjenjat e mekasve, Profeti Muhammed s.a. nuk e mori me vete as bashkëshorten Memuna r.a., me të cilën sapo ishte martuar. Atë e la në Mekë që të vinte më vonë me udhëtarët që do të sillnin plaçkat, ndërsa vetë u nda për të dalë sa më shpejt jashtë kufijve të Mekës. Profeti s.a. qëndroi për të pushuar në një vend, rrugës në pyll, ku iu bashkua edhe bashkëshortja e re Memuna r.a.. Për çiftin ky do të ishte vendi ku do të takoheshin për herë të parë pas martesës.[1]
Kjo ngjarje nuk është e tillë që të përmendej në një biografi të shkurtër si kjo që po shkruaj. Por, këtu ka diçka, që më detyron ta përmend edhe këtë ngjarje të vogël. Profeti Muhammed s.a. akuzohet nga disa njerëz për faktin se ai kishte shumë gra, dhe se kjo jetesë e tij, neudhu bilahi min dhalik,[2] ishte për qejf. Por, kur shohim lidhjen që kishin gratë e tij me të, ne bindemi se ai kishte një lidhje aq të pastër, aq vetëmohuese dhe aq shpirtërore, se nuk mund të krijojë dikush tjetër me bashkëshorten e tij edhe sikur të ketë vetëm një grua. Sikur lidhja e Profetit me gratë e tij të ishte bazuar mbi qejfin, atëherë gratë e tij, medoemos nuk do të kishin pasur asnjë ndikim shpirtëror prej tij. Por, ka plot ngjarje që tregojnë se çfarë dashurie të veçantë kishin gratë e tij për të dhe çfarë mirësie ato kishin fituar duke qenë në shoqërinë e tij. Veçori të tilla në jetën e grave të tij, janë shfaqur edhe pas vdekjes së Profetit s.a.. Për shembull, Memuna që përmendëm pak më lart. Sa pa rëndësi na duket kjo, që Profeti s.a. me bashkëshorten e tij Memuna r.a. për herë të parë u takuan jashtë Mekës, në një tendë. Po të ishte kjo vetëm një lidhje trupore dhe se Profeti s.a. do t’u jepte epërsi disa grave të tij mbi disa të tjera, atëherë për Memunën, padyshim, kjo nuk do të ishte ndonjë ngjarje e këndshme e jetës së saj, që ta mbante gjallë në kujtesë. Përkundrazi, ajo do të vuante gjatë gjithë jetës për ta harruar atë. Pas vdekjes së Profetit s.a., ajo jetoi edhe pesëdhjetë vite të tjera dhe ndërroi jetë në moshën tetëdhjetë vjeçare. Por, kjo lidhje e bekuar me Profetin, asnjëherë nuk iu nda nga zemra. Ajo kaloi plot pesëdhjetë vjet nga ndarja me Profetin s.a., një periudhë që mund të konsiderohet një jetë me vete, dhe pastaj ndërroi jetë kur ishte tetëdhjetë vjeçe, në një moshë kur edhe ndjenjat e rinisë ftohen tërësisht. Por, në prag të vdekjes, ajo la amanet, që pikërisht vendi në periferi të Mekës, ku ajo e kishte takuar për herë të parë Profetin Muhammed s.a., të bëhej banesa e saj e fundit.[3] Bota njeh shumë histori dashurie, të vërteta e të pavërteta. Por, qoftë në historitë e vërteta, qoftë në ato të pavërteta, a mund të gjejmë vallë ndonjë, që tregon një dashuri kaq të thellë sa ajo që kishte bashkëshortja e Profetit s.a. ndaj tij?!
(Marrë nga “Jeta e Muhammedit s.a.”, Tiranë, 2015, f. 212-215)
[1] Siret Ibni Hisham, vëll. IV, Egjipt, 1936, f. 13-14.
[2] Kërkojmë strehimin e Zotit nga ky mendim i gabuar.
[3] Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 74.
Image Courtesy of Torenge.us; Under Creative Commons Attribution 4.0 International