Si ta menaxhoni kohën tuaj? 10 këshilla për më shumë produktivitet gjatë vitit 2020
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Si ta menaxhoni kohën tuaj? 10 këshilla për më shumë produktivitet gjatë vitit 2020

COO Alislam.org
koha ora

Një nga sekretet e suksesit në jetë është administrimi i duhur i kohës. Është një aftësi vërtet efektive që duhet ta keni. Pa dyshim, menaxhimi efikas i kohës është një detyrë e vështirë, veçanërisht për ata që duan të jetojnë në kushte të rehatshme. E vërteta është se nëse doni të bëni diçka në jetën tuaj dhe keni synime, do t’ju duhet të përballeni me vështirësi dhe rehatia nuk është vendi juaj. Kur të jeni të vendosur për të ndjekur ëndrrat tuaja, do t’ju duhet arti i menaxhimit efektiv dhe të duhur të kohës, sepse pa të, dyert e suksesit nuk do t’ju hapen.

Këtu janë 10 këshilla për të menaxhuar kohën tuaj në mënyrë efektive që me siguri do t’ju ndihmojnë për të realizuar ëndrrat tuaja:

1. Kuptoni rëndësinë e kohës

Para së gjithash, ju duhet të dini vlerën dhe rëndësinë e kohës në jetën tuaj, sepse pa e ditur këtë, kurrë nuk mund ta menaxhoni kohën tuaj me mençuri. Mbajeni në mend, koha është më e çmuar se çdo gjë tjetër në këtë botë. Paratë, arin apo diamantet që keni humbur, mund t’ju rikthehen përsëri, por koha juaj e humbur nuk mund të kthehet kurrë. Është e pamundur të risjellni momentet që keni kaluar. Madje, është e pamundur të ndryshoni veprimin tuaj që keni bërë në minutën e fundit.

Me një vonesë prej një ore, mund të humbisni fluturimin tuaj, një llogaritje e gabuar që bëni në pak sekonda, mund t’ju shkaktojë aksident tragjik, me një vonesë prej një sekonde ose edhe më pak, ju vjen në qafë medalje argjendi, në vend të arit. Prandaj, asnjëherë mos e nënvlerësoni fuqinë e kësaj pasurie të paçmuar. Në çdo çështje të jetës suaj, duhet ta keni parasysh rëndësinë e kohës.

2. Përqendrohuni në një detyrë në një kohë

Jeni duke bërë një punë. Përfshihuni në të derisa ta përfundoni. Mos u ndalni në mes të punës, sepse do të humbni vrullin dhe në fund të ditës, pa dashje, juve do t’ju ikë shumë nga koha juaj e çmuar. Për shembull, nëse jeni duke shkruar një ese, ose po përgatiteni për një provim apo thjesht po lexoni një libër që keni vënë si synim për ta përfunduar, dhe papritmas kapni telefonin dhe filloni të lundroni në rrjetet sociale: kjo nuk ka asnjë kuptim dhe vetëm ju dëmton në jetën e gjerë. Ky veprim, pa dyshim, është shumë i rrezikshëm nëse doni produktivitet në jetë. Përqendrohuni tërësisht në detyrën tuaj që keni në dorë, tregohuni i rreptë ndaj vetvetes dhe mos lejoni që të shpërqendroheni.

3. Krijoni një listë të punëve që keni për të bërë

Hartimi i listës së punëve që keni për të bërë, është një marifet i dobishëm për të menaxhuar kohën tuaj të çmuar. Duhet të krijoni listë të tillë për çdo projekt. Rreshtoni synimet tuaja sipas përparësive dhe komoditetit tuaj. Dhe përmbushni detyrat tuaja sipas asaj që keni përcaktuar. Listimi i detyrave do t’ju ndihmojë të jeni të përqendruar dhe të përgjegjshëm.

4. “Tundoni” veten me shpërblime vetjake

Ka raste që nuk ju pëlqejnë ndonjë ose disa pjesë të punës suaj, pasi ato janë të vështira ose i shihni të mërzitshme. Por ju pëlqen të luani lojëra ose të shikoni video në YouTube, kjo ju jep kënaqësi dhe ju gjallëron. Atëherë, caktoni shpërblime për veten tuaj dhe tundoni veten të bëni punë të vështira për ta fituar atë që ju pëlqen.

Për shembull, mund t’i thoni vetes se nëse e kryeni këtë punë, do t’ju lejohet të shikoni një video, dokumentar ose të luani ndonjë lojë, sigurisht, video ose lojë që nuk ju dëmton moralisht e shpirtërisht. Në këtë mënyrë mund t’i realizoni me lehtësi detyrat tuaja të vështira. Mundohuni ta bindni veten për punën që duhet kryer dhe të shpërbleheni. Dhe në fund të fundit, ju do ta arrini qëllimin kryesor të përcaktuar.

Lexoni tema të ngjashme:

5. Mos humbni kohën në çështjet e vogla

Shumica e njerëzve humbin kohën në biseda të pakuptimta dhe në thashetheme të padobishme. Mundohuni të shmangni çështje të parëndësishme dhe mos e investoni kohën në diskutime të kota. Në vend të kësaj, investoni kohën tuaj në aktivitete që kanë produktivitet, që ju sjellin dobi dhe që rrisin shpejtësinë e punës suaj. Jini të drejtëpërdrejtë, anashkaloni vogëlsirat dhe angazhohuni vetëm në çështje domethënëse dhe prodhuese.

6. Caktoni qëllime afatshkurtra

Zakonisht, është shumë e vështirë për të përmbushur një punë afatgjate, dhe mundet që të lodheni tej mase dhe të hiqni dorë nga ajo, duke e lënë përgjysmë. Pra, nuk mund ta arrini qëllimin tuaj afatgjatë në një hap. Andaj, së pari, analizoni punën tuaj, ndajeni atë në pjesë të vogla dhe pastaj ndiqini ato një nga një. Kështu do të arrini qëllimin gradualisht dhe hap pas hapi. Mos mendoni se përmbushja e punës suaj të pjesëshme nuk do të ndikojë në qëllimin tuaj afatgjatë. Mos harroni, “Pika pika bëhet lumë!”

7. Minimizoni shpërqendrimet

Armiku më i keq i kohës suaj janë shpërqendrimet e padëshiruara. Ndonjëherë nuk mund të hiqni qafe prej tyre menjëherë, atëherë përpiquni t’i minimizoni ato. Në ditët e sotme, shumica prej nesh harxhon kohën në faqet e rrjeteve sociale. Sigurohuni të minimizoni praninë tuaj në platformat e mediave sociale, nëse kjo nuk është detyra juaj kryesore. Konsumoni kohën në aktivitete që kanë produktivitet. Shmangni shpërqendrimet, pasi janë të dëmshme për qëllimet tuaja në të ardhmen.

8. Bëjeni!

Shumica e njerëzve të pasuksesshëm bëjnë justifikime të kota që shkaktojnë dëme të mëdha gjatë karrierës së tyre. Ata i shtyjnë detyrat duke thënë: “Hajde se do ta bëj nesër.” E nesërmja e tyre nuk vjen kurrë. Ndiqni parimin: “Le ta bëj që tani”. Mos e humbni kohën tuaj në justifikime të vetë-kënaqshme. Bëhuni shefi i vetvetes dhe filloni punën tuaj tani.

“Mos u bëni më pak se ajo kovë, që bosh bie në pus por del e mbushur!”

Nëse humbni një sekondë të detyrës suaj, bëni më shumë punë për ta ndëshkuar veten.

9. Gjeni pak kohë për veten tuaj.

Trupi i njeriut nuk është makinë dhe ai ka nevojë për pushim, që të fillojë punën përsëri me një vrull të ri. Nëse nuk bëni gjumë të mjaftueshme dhe nuk merrni ushqim të shëndetshëm, do të sëmureni dhe kjo do të ndikojë keq në punën tuaj. Sipas një studimi në Harvard, pagjumësia mund të dëmtojë ndjeshëm performancën mesatare të një punëtori, gjë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë e vendit. Prandaj, duhet të siguroheni që të kaloni pak kohë në “mirëmbajtjen” e trupit tuaj. Bëni gjumë të mjaftueshme, konsumoni ushqim të shëndetshëm dhe bëni edhe disa ushtrime gjimnastikore. Këto aktivitete kurrë nuk do të ngadalësojnë punën tuaj, përkundrazi, ato do të rrisin produktivitetin edhe më shumë.

10. Kontrolloni kohën tuaj me mençuri

Çfarë po bëni? Si po e kaloni kohën tuaj? Cili është rezultati i punës suaj? Mbani të dhënat e gjithë kësaj. Ndiqni kohën tuaj dhe zbuloni se ku po e harxhoni kohën. Mund të mendoni se po qëndroni vetëm disa minuta në telefonin tuaj, por pas këtij vlerësimi do të zbuloni se nuk janë vetëm disa minuta, por orë të tëra që po i harxhoni kot, pa asnjë produktivitet. Kur t’i nxirni të gjitha këto statistika, do të jeni në gjendje ta rregulloni kohën tuaj në mënyrën e duhur.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp