[Ky artikull është pjesë e librit Revelation, Rationality, Knowledge & Truth (Shpallja, racionaliteti, dija dhe e vërteta), i shkruar nga Hazret Mirza Tahir Ahmad r.a., Kalifi IV i Xhematit Musliman Ahmedia. Për ta lehtësuar leximin dhe orientimin në tekst, titujt ndërmjetës janë vendosur nga redaksia e faqes dhe nuk janë pjesë e tekstit origjinal të librit.]
Liria si tipar themelor i njeriut
Liria është një e drejtë e qenësishme e të gjitha qenieve të gjalla dhe njeriu nuk bën përjashtim. Liria është fryti më i çmuar i jetës. Njeriu është mishërimi i lirisë, e cila është e rrënjosur në natyrën e tij. Vetë qenia e tij është endur me fijet e lirisë. Megjithatë, çuditërisht, në analizën përfundimtare vërejmë se të gjitha institucionet e krijuara nga njeriu janë formësuar në mënyrë të tillë që të veprojnë kundër lirisë së tij.
Një studim i kujdesshëm i historisë së zhvillimit gradual të traditave, të zakoneve dhe të legjislacionit mjafton për ta vërtetuar këtë pohim. Evolucioni i shtetit, kur shihet nga një këndvështrim i paanshëm dhe i distancuar, nuk duket gjë tjetër veçse një udhëtim i institucionalizuar i njeriut drejt një skllavërie gjithnjë e më të madhe, të cilën ia imponon vetvetes. Për ta zgjidhur këtë dilemë nevojitet një kuptim më i thellë i faktorëve që janë përgjegjës për këtë kalim hap pas hapi nga liria në robëri.
Që në fillim duhet vënë në dukje një gjë: nga natyra, njeriu i nënshtrohet autoritetit të shoqërisë vetëm kur shtyhet nga interesa vetjake; përndryshe, ai duhet të detyrohet t’i nënshtrohet.
Shoqëria dhe disiplina në botën e gjallë
Por prirja për të jetuar në shoqëri nuk është një veçori vetëm e njeriut. Teksa në mbretërinë e kafshëve kalojmë nga format më të ulëta drejt atyre më të larta, duket se zhvillohet gradualisht një kalim nga një shoqëri kaotike e kafshëve drejt një shoqërie më të disiplinuar, më të organizuar dhe më të centralizuar. Ndonjëherë këtë e vërejmë si një prirje ku nevoja duhet t’i ketë mësuar kafshët të jetojnë së bashku për interesin e tyre të përbashkët të mbijetesës. Por ndonjëherë, për habinë tonë të madhe, gjejmë një rend shoqëror dhe një disiplinë të përpiktë të rrënjosur edhe në lloje kafshësh që nuk qëndrojnë shumë lart në shkallën e evolucionit. Në rendin e tyre tejet të disiplinuar nuk mund të gjurmohen ndikime të ndonjë evolucioni gradual; ai duket sikur është shfaqur që në fillim në formën e tij përfundimtare dhe të përsosur. Gjithçka që mund të nxjerrim si përfundim nga studimi i mënyrës së tyre të institucionalizuar të jetesës është se ky rend është i rrënjosur natyrshëm në qenien e tyre.
Merrni, për shembull, rastin e disa insekteve. Në ç’vend të shkallës së evolucionit do ta vendosnim shoqërinë e bletëve? Çfarë mund t’u ketë paraprirë atyre, nëse vërtet ato janë zhvilluar dalëngadalë, hap pas hapi? Ku mund të gjenden provat e një zhvillimi gradual, fazë pas faze, të një vargu të gjatë insektesh që në fund kulmoi me krijimin e bletëve? Po kështu, kur shqyrtojmë rastin e termiteve dhe disa llojeve të tjera të milingonave që i përkasin rendit të insekteve, përballemi me probleme të ngjashme.
Pa asnjë gjurmë të një evolucioni gradual, të gjitha ato janë të ndërtuara me përpikëri për të kryer funksione të caktuara, me një disiplinë të rrënjosur në qenien e tyre, të cilën e zbatojnë me përpikëri. Për to, kjo është një ligj i pacenueshëm, i gdhendur në ARN-në dhe ADN-në e tyre. Në krahasim me to, madje edhe shoqëritë komuniste më rreptësisht të regjimentuara dhe të disiplinuara duken të zbehta. Të gjitha ato janë raste të jashtëzakonshme dhe të veçuara të mrekullive krijuese të organizuara, të cilat nuk tregojnë ndonjë histori të gjurmueshme të një fillimi të thjeshtë e primitiv që më pas të jetë zhvilluar gradualisht në shoqëri më të larta dhe më komplekse.
Nga kjo mund të nxjerrim me siguri përfundimin se vetë jeta na paraqet dy lloje disiplinash për t’i studiuar. Njëra duket spontane, sikur të kishte lindur nga asgjëja, në një shpërthim të papritur të mrekullive krijuese të Zotit. Shkencëtarët, megjithatë, mund ta përshkruajnë këtë si një mori ndryshimesh mutative që kanë ndodhur të gjitha njëkohësisht, në një çast të vetëm. Sigurisht, një hipotezë e tillë nuk mund të merret seriozisht nga pikëpamja shkencore.
Lloji i dytë i zhvillimit të rendeve shoqërore në mbretërinë e kafshëve është shumë më i përhapur dhe ka natyrë progresive, megjithëse rezultatet nuk janë aq dramatike sa në shembujt e përmendur më sipër. Edhe qentë, ujqërit dhe gnujt shfaqin këtë prirje pozitive për të jetuar së bashku në grupe shoqërore, në interes të mbijetesës së llojit. Cilado qoftë arsyeja, një prirje të ngjashme e gjejmë edhe te zogjtë e të njëjtit lloj që mblidhen në tufa. Po kështu, tufat e peshqve, breshkat dhe iriqët e detit shfaqin prirje të ngjashme. Pra, kjo lidhje në grup është një tipar i përbashkët i jetës.
Me disiplinën lind autoriteti dhe shfaqet udhëheqja. Në çdo nivel, në shoqëri fillon të depërtojë një koncept i vagullt i krimit dhe i ndëshkimit. Prandaj, fakti që njeriu është zhvilluar si një qenie shoqërore nuk është një rastësi e veçuar, por është në përputhje me një model sjelljeje të paracaktuar, të cilin, në një masë më të vogël ose më të madhe, e ndajnë edhe shumica e kafshëve të tjera.
Pyetja se si institucioni i shoqërisë u zhvillua njëkohësisht në mbarë botën kërkon një diskutim të gjatë. Këtu synojmë të trajtojmë vetëm disa tipare të rëndësishme të zhvillimit shoqëror ndër njerëzit, të cilat lidhen drejtpërdrejt me temën që po shqyrtojmë.
Liria individuale përballë autoritetit të shoqërisë
Liria individuale ka qenë gjithmonë në kundërshtim të qenësishëm me kufizimet që vendos shoqëria. Për të kuptuar më mirë forcat që, në fund, përcaktojnë, nga njëra anë, kufijtë e lirisë individuale dhe, nga ana tjetër, fuqinë në rritje të shoqërisë, është absolutisht e domosdoshme të kuptohet më thellë dilema që paraqet kjo marrëdhënie. Marrëdhënia individ–familje, marrëdhënia individ–fis dhe marrëdhënia individ–shtet janë të gjitha shembuj të mënyrës se si mund të studiohet jeta në sjelljen e saj të institucionalizuar. Nëse njeriu është nga natyra i lirë dhe e do lirinë, atëherë pyetja e parë që duhet trajtuar është: përse t’i nënshtrohet fare ndonjë autoriteti shoqëror?
Pse njeriu heq dorë nga një pjesë e lirisë së tij?
Sa herë që zhvillohet një rend shoqëror, racor, ekonomik apo politik, ai gjithmonë zhvillohet mbi bazën e një mirëkuptimi të pashkruar të dhënies dhe marrjes ndërmjet shoqërisë dhe individëve që së bashku e përbëjnë atë. Asnjë individ nuk do ta dorëzojë me dëshirë lirinë e vet, përveçse nëse beson se nga ky shkëmbim do të fitojë më shumë sesa ajo që humbet.
Në radhë të parë, individi shkëmben një pjesë të lirisë së vet personale për të fituar siguri. Nga njëra anë, ai heq dorë nga disa prej të drejtave të veta në favor të institucionit ku bëhet anëtar; nga ana tjetër, fiton njëfarë mbrojtjeje të garantuar dhe një ndihmë të tillë, falë së cilës jeta e tij si individ bëhet më e lehtë dhe më e rehatshme.
Kur pushteti i shoqërisë fillon të cenojë individin
Është interesante të vërehet se, në fazat e para të formimit të shoqërisë, në të gjitha nivelet, individët dilnin gjithmonë të përfituar. Këtë e gjejmë si një prirje të natyrshme në mbretërinë e kafshëve. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për shoqëritë njerëzore në fazat e tyre fillestare. Por, ndërsa shoqëritë njerëzore bëhen më të organizuara, ato priren ta çekuilibrojnë shpërndarjen e pushtetit ndërmjet vetes dhe individit. Sa më shumë rritet raporti midis numrit të anëtarëve të shoqërisë dhe pakicës sunduese, aq më i madh bëhet rreziku që kjo pakicë ta përvetësojë padrejtësisht dhe ta shfrytëzojë pushtetin.
Edhe pse teorikisht është e mundur që individi të fitojë njëfarë vlere në këmbim të çdo pjese të lirisë që humbet, kjo jo gjithmonë ndodh ashtu siç do të pritej normalisht. Parimi themelor i lirisë individuale sakrifikohet gradualisht dhe gjithnjë e më shumë në altarin e shoqërisë. Shpesh ndodh që, ndërsa shoqëria rritet, ajo bëhet më autoritare dhe kujdeset gjithnjë e më pak për interesin përfundimtar të individit.
Këtë temë do ta trajtojmë më gjerësisht më vonë, kur të shqyrtojmë çështjen e marksizmit. Këtu synimi është vetëm të përcaktojmë shkakun themelor të këtij procesi degradues. Përse një individ të mos ndihet më rehat dhe më i mbrojtur në një shoqëri më të zhvilluar dhe më të fuqishme? Në mesin e kafshëve nuk hasim kurrë një prirje të tillë dekadente dhe degraduese në sjelljen e tyre shoqërore. Përse vetëm shoqëria njerëzore nuk arrin t’i përmbushë pritshmëritë në lidhje me përgjegjësitë e saj ndaj të drejtave të individit?
Liria e zgjedhjes dhe prirja e njeriut për të shkelur ligjin
Një vijë ndarëse që i dallon qartësisht kafshët nga njerëzit është prirja e fuqishme e njeriut për të mashtruar, për të bërë hile dhe për të shkelur ligjet e natyrës. Në këtë aspekt, njerëzit i tejkalojnë të gjitha kafshët e tjera me një diferencë të jashtëzakonshme. Edhe kafshët ndonjëherë duken sikur bëjnë hile, por në rastin e tyre kjo është gjithmonë një strategji dhe jo një mashtrim në kuptimin kriminal të fjalës. Tek ato nuk ekziston ajo shkelje e besimit që vërejmë ndër njerëzit. Ato jetojnë një jetë normale, të thjeshtë dhe të disiplinuar, brenda kufijve të ligjeve të natyrës që i kontrollojnë dhe i drejtojnë. Edhe nëse ndonjëherë duken sikur mashtrojnë, këtë e bëjnë vetëm në mënyrë intuitive, të drejtuara nga impulset e tyre gjenetike, të cilat qëndrojnë jashtë përkufizimit të krimit.
Në të vërtetë, kjo është një pasojë anësore e dhuratës së lirisë së zgjedhjes. Kafshët drejtohen rreptësisht nga ligje intuitive dhe instinktive dhe kanë shumë pak zgjedhje në çështjet e së drejtës dhe së gabuarës. Në fakt, për to nuk ekziston as e drejta dhe as e gabuara.
Vetëm njerëzit mund t’i shpërfillin me vetëdije përgjegjësitë e tyre dhe t’ua rrëmbejnë të drejtat anëtarëve të tjerë të shoqërisë, duke e ditur se kjo është e gabuar. Kështu, liria individuale, në raport me përgjegjësinë kolektive që njeriu i detyrohet çdo institucioni, minohet dhe sabotohet nga prirja e tij për të shkelur ligjet, për të kryer mashtrime dhe për të vepruar padrejtësisht, duke shpresuar njëkohësisht se do të mund të përfitojë çfarëdo që të mundet pa u kapur. Prandaj, kur Karl Marksi vërejti se njeriu është një kafshë e korruptuar, ai kishte shumë të drejtë – vetëm se nuk kishte asnjë të drejtë ta përjashtonte veten. Po ashtu, nuk kishte të drejtë të përjashtonte as udhëheqjen socialiste që do të ndërtohej mbi tullat e imoralitetit. Kjo ka qenë tragjedia e shoqërisë njerëzore gjatë gjithë epokave. Asnjë institucion nuk bën përjashtim nga kjo. Kjo mangësi e pashmangshme, e brendshme në marrëdhënien ndërmjet individit dhe shoqërisë, nxit në sistemet shoqërore prirjen drejt një legjislacioni gjithnjë e më të madh.
Ligji, drejtësia dhe të drejtat e individit
Në dukje, çdo ligj i ri synon të mbrojë, nga njëra anë, të drejtat e individit dhe, nga ana tjetër, të drejtat e shoqërisë, duke parandaluar ndërhyrjen e pajustifikuar të secilës palë në sferën ekskluzive të të drejtave dhe të kompetencave të tjetrës. Por, fatkeqësisht, për shkak të korrupsionit të njeriut, ligjvënësit nuk arrijnë t’u qëndrojnë besnikë parimeve të drejtësisë absolute. Gjatë procesit kolektiv të hartimit të ligjeve, shumë herë individit i hiqen të drejtat e tij themelore pikërisht nga ato institucione që ishin krijuar për t’i mbrojtur.
Feja në këndvështrimin e sociologjisë dhe të Karl Marksit
Këtu nuk synojmë të trajtojmë gjerësisht çështjen e shoqërive fetare, por, nga pikëpamja laike e filozofisë shoqërore, edhe feja duhet përmendur shkurtimisht. Sociologët, si kategori, nuk e trajtojnë fenë si një dukuri hyjnore. Prandaj, nga këndvështrimi i tyre, feja është thjesht një shprehje tjetër e sjelljes shoqërore të njeriut.
Nëse pikëpamja e tyre mbi zhvillimin e institucionit të fesë është e saktë, atëherë të gjitha shoqëritë fetare duhet të shihen si sisteme që zënë një pozitë të veçantë ndër sistemet shoqërore njerëzore. Ato do të perceptoheshin si mishërime të mashtrimit të kryer si kundër shoqërisë, ashtu edhe kundër individit. Në këtë rast, është e qartë se të gjithë themeluesit e feve do të duhej të klasifikoheshin si mashtruesit kryesorë, të cilët me vetëdije mashtrojnë masat e zakonshme në emër të zotave që i kanë krijuar vetë, siç nënkupton teoria e sociologëve. Ç’mashtrues qenkan!
Sipas pikëpamjes së sociologëve, këta njerëz hartojnë vetë ligje në emër të Zotit për t’i mbajtur njerëzit e zakonshëm, të thjeshtë dhe të padyshimtë, të lidhur me të ashtuquajturat ligje hyjnore. Kështu, në emër të Zotit, është një hierarki fetare mashtruese ajo që sundon për përfitimin e vet. Ky është perceptimi i sociologëve për një shoqëri fetare.
Edhe Karl Marksi duket se pajtohet plotësisht me këtë pikëpamje, duke e konsideruar fenë si një opium të sajuar për t’i mbajtur masat punëtore vazhdimisht të droguara, që të mos zgjohen e të ndërgjegjësohen për shfrytëzimin e pamëshirshëm që u bën borgjezia. Emri i këtij opiumi të fuqishëm që e mban proletariatin të droguar është kodi i moralit që predikojnë të gjitha fetë. Si i tillë, morali lidhet gjithmonë me idenë e Zotit, i Cili, në emër të Tij, urdhëron dhe disiplinon sjelljen njerëzore.