
Qëllimi i vërtetë i mësimeve të Kuranit është të sjellë tri reformime
Para se të flasim me hollësi për këto tri reformime, është e nevojshme të shtojmë se në Kuranin Famëlartë, nuk ekziston asnjë mësim që duhet pranuar me zor. Madje, synimi dhe përmbledhja e të gjitha mësimeve të Kuranit janë vetëm këto tri reformime. Të gjitha porositë e tjera të tij, janë si mjete për t’i arritur këto reforma. Ashtu siç mjeku nganjëherë kryen ndërhyrje kirurgjikale ose e lyen me ndonjë melhem të sëmurin për t’i siguruar shëndet atij, edhe Kurani, me mësimet e tij, përdor këto metoda aty ku duhen, nga dashamirësia ndaj njerëzve. Gjithë esenca e urtësive a dijeve të Kuranit dhe e udhëzimeve a metodave të tij është që njerëzit, gjendjet e egra instinktive, t’i shndërrojnë në gjendje morale. Pastaj, nga gjendjet morale ata të kalojnë në oqeanin e pasosur të spiritualitetit.
Gjendjet instinktive, nëse mbahen në ekuilibër, shndërrohen në morale
Siç thamë më lart që, gjendjet morale nuk janë gjë tjetër veçse gjendjet instinktive, të vendosura në ekuilibër dhe që realizohen me sugjerimin dhe këshillën e mendjes, në kohën e në vendin e duhur. Përndryshe, sado të bukura të duken, në të vërtetë, ato nuk mund të kenë vlerën e moralit, sepse janë vetëm impulse të papërmbajtura të njeriut. Sikurse një qen apo një dele, nëse tregojnë dashuri e butësi ndaj pronarit të tyre, nuk mund të quhen të virtytshëm dhe të kulturuar. Po ashtu, as ujkun e as luanin, nuk mund t’i quajmë të pamoralshëm për shkak të egërsisë së tyre, sepse siç e thamë, gjendja morale vjen përmes arsyes dhe kërkon kohën dhe vendin e duhur për t’u realizuar.
Njeriu që nuk e përdor arsyen dhe intelektin është si foshnjë, zemra dhe mendja e së cilës nuk e ka aftësinë e të arsyetuarit; ose është si i marri që ka humbur çdo aftësi mendore. Dihet që, edhe foshnja, edhe i marri, nganjëherë shfaqin ndonjë gjest, që mund të duket si moral, por kush ka sadopak logjikë, nuk mund ta quajë moral gjestin e tyre, pasi ai nuk buron nga gjykimi e arsyetimi, por janë vetëm veprime që bëhen për shkak të tundimeve të brendshme.
Si për shembull, ashtu si fëmija i porsalindur kërkon gjirin e nënës, ose zogu i sapodalë nga veza zë të çukitë, ashtu edhe shushunja del nga veza me vetitë e shushunjës, gjarpërushi me vetitë e gjarprit, këlyshi i luanit me ato të luanit, etj.. Sidomos foshnja e njeriut duhet të studiohet thellë, se si menjëherë pas lindjes, tregon vetitë instinktive të njeriut, të cilat vijnë duke u theksuar dhe pas një viti apo një viti e gjysmë dallohen edhe më shumë. Për shembull, të qarat e tij bëhen akoma më të forta, të qeshurat i vijnë akoma më me gaz dhe sytë bëhen gjithnjë e më të përqendruar. Një gjë tjetër instinktive që zhvillohet në këtë moshë te fëmija është që ai tregon pëlqimin a mos pëlqimin e tij edhe me gjeste, lufton me dorë kur është i pakënaqur me dikë, ose i zgjat diçka kur dëshiron. Por, të gjitha këto gjeste, në të vërtetë, janë instinktive.
Pra, si fëmija, edhe një njeri i egër, që shumë pak mund të ketë aftësinë e të gjykuarit, në çdo fjalë a veprim dhe në çdo lëvizje a qëndrim, shfaq instinkte dhe ndjek emocione të vetvetishme. Asnjë nga lëvizjet e tij nuk buron nga aftësia e të menduarit, por veprimet e tij janë vetëm reagime që i vijnë natyrshëm ndaj kërkesave të jashtme. Ka mundësi që këto gjendje instinktive jo të gjitha të jenë të këqija, por disa edhe mund t’u ngjajnë moraleve të mira, por normalisht ato nuk janë pasojë e arsyes apo e gjykimit. Edhe sikur të jenë me ndonjë farë qëllimi, prapëseprapë ato nuk mund të quhen morale, pasi kanë ndikimin e tepërt të instinkteve. Ana mbizotëruese konsiderohet e besueshme.