Pse shohim ëndrra të vërteta? Pse disa ëndrra nuk u dalin ëndërrshikuesve?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
pse shohim endrra endrrat

Sa lloje ëndrrash ka?

“Janë tri lloje ëndrrash: 1) ëndrrat që i tregon njeriut vetja e tij, 2) ëndrrat nga djalli dhe 3) ëndrrat nga Zoti i Gjithëmëshirshëm. Ëndrrat që i tregon njeriut vetja e tij janë pasqyrim i mendimeve të tij, si një mace që ëndërron mbeturinat e mishit. Ëndrrat nga djalli shkaktojnë frikë dhe panik. Ëndrrat Hyjnore janë mesazhe nga Zoti i Madhërishëm.

Dëshmia e ëndrrave prej Zotit është vetë përjetimi. Këto gjëra kanë lidhje me çështjet Hyjnore që janë shumë larg nga çështjet e dynjasë. Nëse kufizohemi për t’i arsyetuar vetëm me anë të logjikës, as ne nuk mund t’ia shpjegojmë tjetrit dhe as tjetri nuk mund të na kuptojë ne. Ato përbëjnë shenja të ekzistencës së Zotit, që Ai i dërgon në zemër nga e padukshmja. Njeriut i vjen besimi vetvetiu, kur ai përjeton një ëndërr të tillë, më pas kur edhe dëshmon se ajo që i ishte treguar atij, u plotësua. Matësi i çështjeve të kësaj bote nuk mund ta njohë dot këtë fenomen. Këto janë çështje shpirtërore, të cilat mund t’i kuptoni siç duhet vetëm kur do t’i njihni po me anë të tyre. Ëndrra vetë e sjell provën e vërtetësisë së saj, kur përmbushet.”

(“Malfuzat” vëll. 4, f. 368-369)

Aftësitë e mendjes dhe aftësitë e zemrës

“Duhet të dimë se ngaqë njeriu është krijuar me qëllim që të njohë Krijuesin e tij dhe të arrijë deri në shkallën e bindjes në besimin ndaj Tij dhe ndaj cilësive të Tij, për këtë arsye, Zoti i Madhërishëm ka ndërtuar trurin e tij në një formë të veçantë.

Pra, nga njëra anë i dhuroi njeriut aftësitë e logjikës, me të cilat ai studion krijesat e Zotit të Madhërishëm, thellohet në urtësinë që ka lënë Zoti në çdo grimcë, qoftë i lartësuar Emri i Tij, dhe në organizimin e përkryer dhe në sistemimin e përsosur të universit, dhe arrin të kuptojë me kthjelltësi të plotë se i gjithë ky univers me gjithë tokën dhe qiejt nuk mund të jenë pa ndonjë Krijues, përkundrazi, duhet të jetë patjetër Ai që krijoi ato.

Dhe nga ana tjetër, Zoti i dhuroi nejriut edhe ndjesitë dhe aftësitë shpirtërore, në mënyrë që mangësinë dhe mundësinë për të gabuar që ai has gjatë njohjes së Zotit përmes aftësive të logjikës, t’ia plotësojnë aftësitë shpirtërore.

Sepse dihet që vetëm me anë të aftësive të logjikës njeriu nuk mund ta njohë në mënyrë të përsosur Zotin e Madhërishëm, pasi ato maksimumi i mundësojnë të studiojë një nga një tokën dhe trupat e tjerë qiellorë, të zbulojë përsosmërinë e tyre dhe të nxjerrë përfundimin se e gjithë kjo botë me kaq shumë realitete dhe me kaq plot urtësi, duhet të ketë një Krijues. Ato nuk i mundësojnë njeriut të arrijë në njohjen e përsosur që i thotë se Ai Krijues edhe gjendet.

Por ne e dimë që vetëm të ndjesh nevojën e një Krijuesi nuk mund të jetë njohje e përsosur, sepse kjo e dyta vjen vetëm kur njeriu arrin në shkallën e bindjes që Ai Krijues edhe gjendet. Pohimi që krijesat duhet të kenë një Krijues kurrsesi nuk mund të jetë i barabartë me pohimin që Ai Krijues edhe ekziston.

Pra, për të plotësuar rrugëtimin e tyre dhe për të përmbushur etjen e tyre të natyrshme në njohjen e përsosur të Krijuesit, ishte domosdoshmëri që kërkimtarët e së vërtetës, përveç aftësive të logjikës, të kishin edhe aftësitë shpirtërore. Këto aftësi shpirtërore të ishin të atij lloji që nëse ata do t’i përdorin plotësisht dhe të mos kenë ndonjë pengesë gjatë rrugës, të arrijnë ta shohin Fytyrën e të Dashurit aq pastërtisht, që aftësitë e logjikës nuk ua tregojnë dot.

Prandaj, Ai Zot që është shumë Bujar dhe shumë Mëshirëbërës, siç e ka lënë në natyrën e njeriut etjen dhe urinë e njohjes së përsosur të Zotit, në të njëjtën mënyrë i dhuroi natyrës njerëzore dy lloje aftësish, që ta çojë atë drej njohjes së përsosur:

  1. aftësitë e logjikës që burojnë nga mendja dhe
  2. aftësitë shpirtërore që burojnë nga zemra.

Pastërtia e aftësive shpirtërore varet nga pastërtia e zemrës dhe gjërat që aftësitë e logjikës nuk i perceptojnë dot, aftësitë shpirtërore arrijnë t’i perceptojnë ato. Gjithashtu, aftësitë shpirtërore kanë vetëm forcën e pasqyrimit, pra arrijnë të pastrohen deri në atë mësë që bekimet e Bekuesit të pasqyrohen në to. Për këtë arsye, ato e kanë si kusht të domosdoshëm të jenë të gatshme për ta arritur bekimin dhe të mos kenë pengesa ose perde në mes, në mënyrë që të marrin bekimin e njohjes së përsosur prej Zotit të Lartësuar dhe në mënyrë që njohja e tyre të mos mbetet vetëm deri në shkallën se ky univers duhet të ketë një Krijues, por të arrijnë edhe të komunikojnë në mënyrë të përsour me Krijuesin, të shohin drejtpërdrejt shenjat dhe Fytyrën e Tij dhe me sytë e bindjes të dëshmojnë se Ai Krijues edhe ekziston.

Por ngaqë shumica e njerëzve kanë karaktere të tilla që nuk janë pa perde, madje janë të zhytur në dashurinë për botën, në lakmi, mburrje, inate, vetëpëlqime, dukje, adhurim të nefsit dhe vese të tjera; me vetëdije gabojnë dhe harrojnë detyrimet që kanë ndaj Allahut dhe ndaj robërve të Tij; me vetëdije anashkalojnë kushtet e qëndrueshmërisë, nuk u përmbahen imtësive të dashurisë dhe benikërisë ndaj Zotit dhe kanë tendecë të shkëpusin lidhje me Zotin e Madhërishëm, për shkak të gjitha këtyre perdeve, pengesave, dëshirave dhe epsheve të nefsit, ata nuk janë të denjë të gëzojnë në një sasi me vlerë bekimin e komunikimit me Zotin, komunikim i cili të ketë edhe dritë të pranimit prej Zotit.

Pse shohim ëndrra të vërteta?

Po, Zoti i Gjithëmëshirshëm që nuk deshi që aftësitë e njeriut të shkojnë kot, ka lënë si gjurmë te shumica e njerëzve praktikën e Tij që nganjëherë ata përjetojnë ëndrra të vërteta, madje edhe ilhame[1] të vërteta, në mënyrë që ata të zbulojnë se kanë një rrugë përpara për t’u drejtuar. Megjithatë, në ëndrrat dhe në ilhamet e tyre nuk ka efekte të pranimit, të dashurisë dhe të bekimit prej Zotit dhe as njerëzit e tillë nuk janë të pastër nga papastërtitë e brendshme.

Njerëzve të tillë, ëndrrat u vijnë vetëm që ata të kenë një argument për të besuar në Profetët e Pastër të Zotit. Sepse, po të ishin tërësisht të privuar nga perceptimi i ëndrrave të vërteta dhe i ilhameve të vërteta, dhe të mos kishin një dije të shkallës së bindjes në lidhje me to, atëherë përpara Zotit të Madhërishëm ata do të kishin justifikimin se, duke qenë tërësisht në padijeni për këtë sferë, nuk ishin në gjendje të kuptonin realitetin e profetësisë. Ata do të kishin të drejtë t’i drejtoheshin Zotit duke thënë – Ishim tërësisht të painformuar nga realiteti i profetësisë dhe se nuk gjenim asnjë shembull të kësaj sfere në natyrën tonë njerëzore, andaj nuk mund ta kuptonim dot këtë realitet të fshehtë.

Prandaj, praktika e Allahut që kur Ai krijoi botën, është që Ai u dërgon ëndrra të vërteta, madje dhe ilhame të vërteta edhe njerëzve të tjerë në përgjithësi, pa marrë parasysh se janë të pastër apo të papastër, janë të sinqertë apo të ligj, janë të drejtë në besimin e tyre apo ndjekin një fe të gënjeshtërt. Kjo ndodh në mënyrë që hamendja dhe përfytyrimi i tyre që vjen nga të lexuarit të historisë dhe nga të dëgjuarit, të arrijë drejt shkallës së bindjes dhe të kenë një shembull në dorë për përparimin shpirtëror.

Realisht, Zoti i Urtë për ta realizuar këtë qëllim, njeriut i ka dhënë një mendje të tillë dhe aftësi të tilla shpirtërore, që përmes tyre ai të mund të shohë ëndrra të vërteta dhe të mund të marrë ilhame të vërteta. Por, këto ëndrra dhe ilhame të vërteta nuk janë argument i ndonjë madhështisë apo pastërtisë njerëzore, por thjesht si shembuj për të vijuar rrugëtimin e përparimit shpirtëror.”

(“Hakikatul-Vahji” (Realiteti i Shpalljes),
Ruhani Khazain” vëll. 22, 2009, UK, f. 7 – 11)

Çfarë dallimi ka mes njerëzve të zakonshëm që shohin ëndrra dhe mes të Dërguarve të Zotit?

“Shumë nga njerëzit naivë jetojnë me mendimet e tyre që përderisa edhe ata nganjëherë shohin ëndrra të vërteta ose marrin ilhame të vërteta, nuk ka ndonjë ndryshim midis tyre dhe njerëzve me pozitë të lartë shpirtërore dhe se edhe ata gëzojnë të njëjtën veçanta, që gëzojnë këta.

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është që aftësia për të parë ëndrrat dhe për të marrë ilhamet në një sasi kaq të paktë, u është dhuruar edhe njerëzve të thjeshtë, në mënyrë që edhe ata të kenë një imazh të vogël të atyre dukurive që në të vërtetë janë përtej botës materiale. Dhe kështu, duke pasur atë imazh, ata të mos e humbasin pranimin e së Vërtetës dhe gjithashtu ky fenomen të mbetet si argument që ata ta kuptojnë të vërtetën.

Përndryshe, nëse njerëzit do të ishin krejt të paditur për sa i përket përjetimit të ëndrrave të vërteta dhe të marrjes së shpalljeve, ata nuk do të arrinin gjë, veçse ta mohonin të Vërtetën, dhe kështu, deri diku do të kishin edhe të drejtë. Mendoni pak, pavarësisht nga prania e kësaj aftësie te njerëzit, filozofët e botës së sotme i mohojnë shpalljet Hyjnore dhe ëndrrat e vërteta. Atëherë ku do të përfundonin njerëzit e thjeshtë, nëse nuk do të ekzistonte as ky shembull i ëndrrave dhe i shpalljeve te njeriu?!

Gjithashtu, mendimi: “edhe ne shohim nganjëherë ëndrra të vërteta dhe marrim ndonjë shpallje” nuk e cenon aspak madhështinë e Profetëve, sepse ëndrrat dhe shpalljet që u bëhen njerëzve të thjeshtë nuk janë të qarta nga mjegulla e dyshimeve dhe gjithashtu edhe në sasi janë të pakta. Siç një i varfër me një lekë në xhep, nuk mund të matet me një mbret të pasur duke i thënë – edhe unë kam para, në të njëjtën mënyrë, krahasimi i njerëzve të thjeshtë me Profetët është i kotë dhe krejt absurd.”

(“Damima Berahin-e-Ahmedia”,
Ruhani Khazain” vëll. 21, 2009, UK, f. 214 – 215, fusnota)


[1] Ilham është fjalë arabe që do të thotë diktim Hyjnor.

Related Questions by Topics
Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem