Vetëvrasja është një mëkat i rëndë, dhe si e tillë tërësisht e ndaluar sipas fesë Islame.
Pse nuk lejohet vetvrasja?
Arsyeja është se Allahu është Krijuesi i gjithë jetës njerëzore dhe e drejta e Tij hyjnore në dhënien dhe marrjen e jetës nuk mund të cenohet nga askush.
Sipas Islamit, njerëzve u është besuar jeta e tyre nga Zoti, që ata ta kalojnë duke përmbushur detyrimet që ata kanë ndaj Krijuesit dhe ndaj krijesave, duke përfshirë detyrimet që kanë edhe ndaj vetvetes. Zoti thotë në Kuran:
O ju që besuat! Jeni përgjegjës për veten tuaj! (Kurani Famëlartë 5:106)
Zoti nga njëra anë e ndalon njeriun nga vetëvrasja dhe, nga ana tjetër, atyre që ndihen të vetmuar ose të pafatë për çfarëdo arsye qoftë, u jep lajmin e mirë të mëshirës së Tij, nëse ata do ta vijojnë jetën me durim, duke besuar në Të dhe duke mos u kthyer shpinën sfidave të jetës.
Zoti gjithashtu siguron shërbëtorët e Tij se Zoti i tyre është Krijuesi i botëve dhe si i tillë Ai mund të krijojë për robin e Tij “një botë të re” që në këtë botë. Zoti i Madhërishëm thotë në Kuranin e Shenjtë:
“… mos vritni veten! Sigurisht, Allahu është shumë Mëshirëbërës ndaj jush!” (Kurani Famëlartë 4:30)
Por ai që i jep fund jetës së vet, e humb shansin për të fituar mëshirën e Zotit. Një njeri i tillë me aktin e vetëvrasjes e keqpërdor jetën e tij, që i është besuar prej Zotit, dhe me dorën e vet ndërpret çdo rrugë për të gjetur mëshirën e Zotit.
Rrjedhimisht, vetëvrasja në botën tjetër, sipas fesë Islame, është e dënueshme nga Zoti. Kurani i Shenjtë vazhdimisht porosit njerëzit për durimin në çdo situatë vështirësie dhe premton se Zoti i shpërblen pa masë durimtarët.
Shkurt, sipas fesë Islame, vetëvrasja në asnjë rrethanë nuk shkakton mëshirën e Zotit, përkundrazi, zemërimin e Tij. Zoti i ka dhuruar njeriut jetën për të jetuar, e jo për t’i dhënë fund asaj qëllimisht.