Cili është qëndrimi i Islamit mbi terrorizmin?

Islami e kundërshton dhe e dënon terrorizmin në të gjitha format e tij, sepse vetë kuptimi i fjalës “Islam” do të thotë “nënshtrim” dhe “paqe”. Njëri prej Emrave të Zotit në Kuran është Es-Selam, që do të thotë Paqja. Porosia për të përkrahur paqen është ngulitur aq thellë në Islam, saqë Kurani Famëlartë i përkufizon muslimanët me këto fjalë:
“… dhe robërit e Gjithëmëshirshmit janë ata të cilët ecin përulësisht në Tokë, dhe kur injorantët u drejtohen atyre, ata thonë “paqe”. (Kurani Famëlartë 25:64)
Hazret Mirza Tahir Ahmed, Kalifi IV i Xhematit Musliman Ahmedia, e ka shpjeguar në mënyrë të qartë këndvështrimin e Islamit ndaj terrorizmit. Ai shkruan:
“Për sa i përket Islamit, ai hedh poshtë kategorikisht dhe dënon çdolloj terrorizmi. Ai nuk jep asnjë mbrojtje apo justifikim për aktin e dhunës, i kryer qoftë nga individi, grupi apo edhe shteti.
Unë i dënoj fuqimisht të gjitha aktet dhe format e terrorizmit, sepse jam plotësisht i bindur se jo vetëm Islami, por asnjë fe e vërtetë, cilado qoftë ajo, nuk mund ta lejojë dhunën dhe gjakderdhjen e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm në emër të Zotit. Zoti është dashuri. Zoti është paqe. Dashuria kurrë nuk ngjall urrejtje dhe paqja kurrë nuk e nxit luftën”.(Mirza Tahir Ahmed, Vrasje në emër të Allahut, f. 149)