A mund të vendoset Sheriati si ligj i një shteti?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
sheriati

(FJALA E HAPJES E KRYETARIT)

Duke i uruar mirëseardhjen Hazret Mirza Tahir Ahmedit në takim

Është një privilegj për mua t’ju uroj mirëseardhjen në këtë takim në emër të IRIS dhe të bashkësisë së këtushme. IRIS domethënë ‘Inter-Religiousraat In Suriname’ ose “Konsulta Ndërfetare në Surinami”.

Mirë se erdhët në takimin tonë. Keni tashmë një javë që jeni këtu dhe siç mund ta keni ndjerë, jeni fort të mirëpritur në Surinam, i cili njihet vendi i mikpritjes dhe i buzëqeshjes.

Ne kemi lexuar tashmë diçka për personin, edukimin dhe formimin tuaj. Gjithashtu sa i përket misionit tuaj në Surinam dhe në botë. Dhe, me sa kuptuam, misioni juaj është kryesisht që të bashkojë njerëzit: njerëz të racave, të vendeve dhe të kulturave të ndryshme. Dhe mesazhi juaj është një mesazh respekti për njëri-tjetrin, të menduarit respektshëm, pranimit dhe ndërkuptimit, për të sjellë drejtësinë dhe paqen midis njerëzve.

Është në këtë kontekst që ne ju ftuam këtë mbrëmje për të qenë me ne këtu, me IRIS dhe këtë bashkësi, për të bashkëndarë me ju, këndvështrimet tona, mendimet dhe idetë tona mbi këtë çështje.

IRIS është një grup prijësish fetarë në Surinam dhe ekziston që dy-tre vjet. Por deri më tani, ne jemi përqendruar vetëm në të punuarit së bashku, në vend të të dialoguarit së bashku. Duke punuar së bashku për mirëqenien e popullit të Surinamit. Dhe në këtë bashkëpunim, ne kemi patur projekte të ndryshme deri më tani.

Por tanimë, ne duam të hyjmë edhe në dialog, për të bashkëndarë këndvështrimet tona, fetë tona me njëri-tjetrin. Prandaj ne planifikojmë gjithashtu të përdorim ndihmën e folësve të ftuar. Dhe kështu, ju jeni i pari folës i ftuar në kontekstin e këtij programi të dialogut ndërfetar mes feve këtu në Surinam. Ne ju falënderojmë për gatishmërinë tuaj për të ardhur dhe bashkëndarë këndvështrimet tuaja me ne. Tema për këtë mbrëmje është Sheriati ose marrëdhënia mes fesë dhe politikës në Islam. Dhe kjo është kundër prapavijës së bashkëpunimit të feve të ndryshme në një vend.

Dhe tema e dytë në agjendë është, çështja Ahmedia. Prapavija më e thellë e përndjekjes së muslimanëve ahmedianë.

Edhe një herë ju falënderojmë që keni ardhur këtu dhe shpresojmë që kjo mbrëmje për ju dhe për ne të jetë një dialog i kënaqshëm, një përvojë vëllazërore dhe e frytshme në dobi të një marrëdhënieje më të mirë mes feve të ndryshme këtu në Surinam dhe në botë.
Ju ftoj tani t’i drejtoheni bashkësisë sonë.

FJALIMI I HAZRET MIRZA TAHIR AHMEDIT

Pas recitimit të teshehudit dhe të tavudhit në arabisht, Hazret Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar tha:

Hirësia juaj Ipeshkëv, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Shoqate dhe të gjithë të ftuarit e shquar, zonja dhe zotërinj!

Është vërtetë një nder i shënuar për mua të jem i ftuar këtë mbrëmje, si folësi i ftuar i parë në historinë e kësaj Shoqate.

Është një moment historik për mua, të bashkëndaj këtë përvojë dialogu të lirë, të pjekur dhe pa ngacmime me ju, thjesht për të bashkëndarë këndvështrimet tona si qenie njerëzore normale, krejt njerëzishëm, për të bërë veten më të kuptueshme për të tjerët dhe për t’u përpjekur t’i kuptojmë më mirë të tjerët. Ky është synimi i dialogut të lirë dhe jam kaq i kënaqur që keni ndërmarrë një nismë kaq fisnike, sepse sot bota ia ka shumë nevojën në çdo rrethanë të jetës.

Sa i përket çështjes ndaj së cilës dëshironi që të flas, më duhet të kërkoj falje së pari, duke vënë në dukje se të dy çështjet janë shumë të gjera, dhe mbase me kohën e kufizuar në dispozicion, nuk do të jetë e mundshme për t’i dhënë hakut secilës prej tyre. Kësodore propozoj që pasi të mbaroj me çështjen e parë, e cila është Sheriati dhe Politika, Ligji i Sheriatit dhe vendosja e ligjit të Sheriatit në çdo vend, e nëse gjejmë më shumë kohë, atëherë do t’i kthehem temës tjetër. Përndryshe, do të na duhet ta lëmë me aq. Kështu do të keni mundësinë të bashkëndani këndvështrimet tuaja dhe të bëni pyetje, nëse dëshironi.

Gjithsesi do të mundohem t’i bie shkurt, por gjithashtu duhet të jem gjithëpërfshirës. Ligji i Sheriatit është një çështje që tani po debatohet nxehtësisht ndër vendet muslimane.

Hyrja në fuqi e sheriatit në Pakistan

Së voni Pakistani ka qenë logu i kësaj polemike të nxehtë dhe ndonjëherë të dhunshme, sa i përket Sheriatit. Në përgjithësi, konsiderohet, në qoftë shumica e vendit e përbërë prej muslimanësh, atëherë muslimanët kanë të drejtën, madje detyrimin, të miratojnë ligjin e Sheriatit. Pohohet që nëse besojnë në Kuranin e Shenjtë dhe nëse besojnë se Kurani i Shenjtë është një Libër gjithëpërfshirës që lidhet me çdo fushë të veprimtarisë njerëzore dhe drejton njeriun se si duhet të sillet në çdo rrethanë të jetës, atëherë është hipokrizi të rrinë të kënaqur me ato mëtesa. Ata duhet të ndjekin përfundimin logjik dhe të miratojnë Sheriatin e ta bëjnë ligjin e vetëm të vlefshëm për vendin.

Tani, kjo është çka thuhet nga njëra anë. Nga ana tjetër, shumë vështirësi po vihen në dukje, siç janë problemet legjislative të propozuara, problemet kushtetuese dhe shumë probleme të tjera serioze, gati në çdo rrethanë të hyrjes në fuqi të Sheriatit. Kështu që, lejomëni t’ju them shkurtimisht, pse ligji i Sheriatit nuk mund të zbatohet ose nuk mund të imponohet në një popull që nuk janë muslimanë idealë, aq sa i përket mënyrës normale të jetesës së tyre, përkundrazi.

Në vendet ku ata janë të lirë të ushtrojnë Islamin, ata kanë kaq shumë mangësi, saqë habitesh se kur nuk e ushtrojnë vetiu Islamin, si mund të pritet që ta bëjnë në saje të shtrëngesës dhe forcës së ligjit?! Kjo dhe shumë të tjera janë hullitë ku debati po vazhdon dhe ndiqet nxehtësisht, por unë tani, shumë shkurt do të rendis pikat që t’ju bëj të kuptoni të gjitha anët e çështjes.

Personalisht, unë kam marrë pjesë gjithashtu në debatin që po vazhdonte në Pakistan dhe shumë studiues që erdhën në Londër ose që më shkruan për udhëzime, u ndihmuan prej meje. Megjithëse nuk u diktova tërësisht shënime atyre, por në një shkallë të madhe u ndihmuan prej meje që të kuptonin problemin në një kënd më të gjerë. Kështu që shumë artikuj që janë botuar në Pakistan, kishin qëndrimin tim të shprehur ndër ta.

Sheriati është ligji dhe nuk ka dyshim për këtë, ligji i muslimanëve. Por çështja është se sa shumë mundet ky ligj të ndryshojë drejt një legjislacioni për qeveritë politike. Në krye të kësaj, shumë çështje të tjera përfshihen në të. Për shembull, një vend musliman ka të drejtën t’i diktojë ligjin e vet mbarë popullsisë së vet, por, me të njëjtin arsyetim dhe të njëjtën logjikë, çdo vend tjetër me shumicën e popullsisë që u përket feve të tjera, do të kishin po të njëjtin tagër të miratojnë ligjet e tyre.

Bota mbarë do të bëhej një vend jo vetëm me konflikte politike, por gjithashtu një vend konfliktesh politiko-fetare, ku të gjitha ligjet do t’i atribuoheshin Zotit, megjithatë, do të kundërshtonin njëri-tjetrin diametralisht. Do të kishte një pështjellim të atillë, saqë njerëzit do të humbitnin besimin e tyre në Zotin, i cili u flet një gjë një populli dhe një tjetër popullit tjetër, dhe i cili u thotë ta imponojnë këtë ligj mbi njerëzit ose ‘ata do të jenë jo besnikë ndaj Meje’.

Kësajde, ju mund ta përfytyroni lehtë çka do të ndodhte në Indi për shembull, nëse ligji i shumicës hindu do t’i imponohej pakicës muslimane. Ç’është e vërteta, një pjesë e madhe e shoqërisë indiane, po shtyhet shkallazi drejt kërkesave të tyre ekstremiste. Kjo, sipas mendimit tim, është në formë reagimi ndaj asaj që po ndodh në vendet e tjera islamike. Çka do të ndodhte me muslimanët dhe minoritetet e tjera në Indi? Për më tepër që kjo nuk është çështje e Indisë në veçanti. Po nëse Izraeli miraton ligjin e Judaizmit, ligjin e Talmudit, e kam lexuar dhe e di se do të jetë e pamundur për çdo johebre të jetojë normalisht dhe njerëzisht atje.

Në të njëjtën mënyrë, Krishterimi ka të drejtat e veta, ashtu si edhe Budizmi.

Pjesëmarrja në legjislacion

Konsiderata e radhës është vetë koncepti i shtetit: Kjo është çështja më themelore që duhet zgjidhur dhe adresuar nga ata që janë të interesuar pas politikës dhe të drejtës ndërkombëtare. Çështja është që kushdo që është i lindur në një shtet, ka të drejtë të marrë pjesë në legjislacion.

Në konceptin shekullar të funksionimit të qeverive dhe të legjislacionit, çdo i lindur në një vend të dhënë, cilado qoftë feja apo ngjyra apo besojma e tij, fiton të drejtat njerëzore themelore. Si më e rëndësishmja e këtyre të drejtave është së paku mundësia për të marrë pjesë në formimin e legjislacionit.

Sigurisht, partitë shkojnë e vijnë. Partitë e shumicës sot, mund të bëhen partitë e pakicës nesër. Dëshira e gjithsecilit nuk përmbushet apo arrihet. Por në parim, çdokush ka një mundësi të drejtë e të barabartë për të bërë që fjala e tij të dëgjohet, së paku nga opozita, mbi bazat e një parimi të përbashkët. Por çfarë do të ndodhte nëse një sheriat ose një fe imponohet si ligji i një vendi? Nëse ligji musliman do të imponohej në një vend, mbarë pjesa tjetër e njerëzve që janë banorë të të njëjtit vend, do të duhej të konsideroheshin si qytetarë të shkallës së dytë, të tretë dhe të katërt të të njëjtit vend me asnjëfarë përfaqësimi në legjislacion.

Por kjo nuk është e gjitha, problemi është më tej i ndërlikuar brenda vetë muslimanëve: Islami ka një Libër të shpallur prej Zotit, por dijetarët muslimanë pretendojnë se është e drejta e tyre për ta interpretuar atë.

Organi legjislativ vartës i dijetarëve fetarë

Mbi çështjet e dallimit të qëndrimeve, trupi legjislativ rri vartës i qëndrimeve skolastike të dijetarëve që specializohen në interpretimin e Kuranit të Shenjtë; ose që pretendojnë se specializohen në interpretimin e Kuranit të Shenjtë. Cila do të jetë marrëdhënia e tyre e ndërsjellë? Një organ legjislativ është zgjedhur për ligjvënie. Ata nxjerrin një ligj dhe ju dëgjoni prej disa dijetarëve të Islamit: “çka ju keni propozuar si ligj, bie ndesh me parimet themelore të Islamit. Islami nuk ka vend për këto gjepura!”

Cili zë duhet të dëgjohet? Në një anë, do të dukej sikur të ishte Zoti që flet mbrapa atyre njerëzve; por vetëm në dukje. Nga ana tjetër, do të ishte zëri i shumicës së popullit të vendit. Kështu që dilema bëhet gati e pamundur për t’u zgjidhur.

Të gjitha fetë ndahen në sekte me kohën

Por kjo nuk është e gjitha. Çdo fe, në burim është një e vetme dhe e pandashme, por me kalimin e kohës, ajo nis të devijojë e të përçahet përbrenda, duke u shumuar në numër gjithnjë më të madh. Për shembull, në kohën e Jezu Krishtit (paqja qoftë mbi të) kishte një krishterim të vetëm, që tani është shndërruar në qindra krishterime. Këqyrur nga pozita e sekteve të ndryshme, i vetmi burim shfaqet me ngjyresa të ndryshme. Syze me ngjyra të ndryshme përdoren nga ndjekës të ndryshëm të sekteve të ndryshme. E njëjta gjë vlen edhe për Islamin. Nuk është vetëm një çështje e Islamit sunni apo e Islamit shi’i dhe se si ata e interpretojnë Sheriatin.

Përbrenda Islamit shi’it ka 34 sekte, interpretimi i të cilëve dallon. Sërish përbrenda Islamit sunni ka të paktën 34 sekte, interpretimi i të cilëve dallon nga njëri-tjetri. Nuk ka çështje në të cilat dy ulemá (dijetarë) sektesh të ndryshme bien në ujdi, jo vetëm çështje sipërfaqësore, madje, edhe çështje themelore. Mjafton të lexoni vetëm Raportin Hetues “Munir”. Gjyqtari Munir, Kryegjyqtari i Gjykatës së Lartë [të Pakistanit] qe njëri prej dy gjyqtarëve që u caktuan për të hetuar prapavijën, arsyet dhe mënyrën e veprimit të revoltave anti-ahmedia, në vitin 1953. Kush kishte përgjegjësi e kush nuk kishte? Si ta përkufizonin një musliman?

Si të përkufizojmë muslimanin?

Gjatë rrjedhës së hetimit, gjyqtari Munir qartazi pyeti çdo dijetar musliman që i dilte para, në dinte një përkufizim në Islam, i cili të ishte i pranueshëm edhe nga sektet e tjera po ashtu, që të mund të aplikohej me barazi tek të gjithë dhe me ndihmën e të cilit ata do të mund të pohonin: “po, ky është musliman” dhe “ky nuk është musliman”. Në raport, gjyqtari Munir pohon se, ndër të pyeturit, as dy dijetarë muslimanë nuk binin në ujdi përmbi qoftë një përkufizim të vetëm se çfarë Islami është.

Një dijetar në veçanti donte më shumë kohë të mendohej. Gjyqtari Kajani, që ishte koleg me gjyqtarin Munir, kishte një sens humori fort të veçantë, iu përgjigj atij:

“Nuk mund t’ju jap më shumë kohë, sepse ju tashmë i keni marrë 13 shekuj për ta peshuar këtë pyetje. A nuk janë mjaftueshëm? Nëse trembëdhjetë shekuj plus disa vite nuk janë mjaftueshëm për ju për të përkufizuar vetë themelet e Islamit se cili është përkufizimi i tij, sa kohë do t’ju duhet?”

Pra, kjo është një çështje shumë e rëndë. Nëse interpretimi i Sheriatit i njërit sekt imponohet, atëherë nuk do të jenë vetëm jomuslimanët të cilët do të zhvishen nga të drejtat themelore të pjesëmarrjes në ligjvënien e vendit, por gjithashtu përbrenda Islamit do të ketë shumë sekte që do të privohen nga kjo e drejtë.

Interpretimi i cilit sekt duhet të vendoset në Ligjin e Sheriatit?

Sërish, ka edhe shumë probleme të tjera. Për shembull, sipas disa koncepteve të Sheriatit, ndëshkimi për një krim është kaq i ndryshëm nga koncepti i një sekti tjetër, saqë do të duket se Islami praktikohet në botë kaq ndryshe për të njëjtën çështje dhe do të lërë një mbresë të tmerrshme në botën jomuslimane. Çfarë lloj besimi është ai që udhëzon një ndëshkim për të njëjtin krim ndryshe këtu dhe ndryshe atje, ndërsa në vende të tjera është e drejtë ta bësh dhe nuk përbën krim fare?!

Këto dhe shumë çështje të tjera përbëjnë çështjen e vendosjes së Sheriatit gati të pamundur.

Për më tepër, në shumë situata të mundshme manipulohen ose shkelen të drejtat themelore të sekteve të tjera. Për shembull, çështja e të pirit alkool. Alkooli është i ndaluar në Islam, në rregull; por, në është një fyerje e ndëshkueshme apo jo, e, nëse po, a do të vendoset ndëshkimi nga njeriu, kjo është çështja. Cili është ndëshkimi i të pirit? Kurani i Shenjtë nuk përmend ndonjë ndëshkim. Ky është një ligj themelor, ligji i Librit, ndërsa ndëshkimi i të pirit nxirret nga disa hadithe, nga disa dijetarë. Por ky vendim është i sforcuar dhe hadithet vetë janë sprovuar nga të tjerë që nuk janë autentike.

Pra, një pjesë e gjerë jo vetëm e shoqërisë muslimane, por gjithashtu një pjesë e gjerë e shoqërisë jomuslimane, do të dënohet për arsye të tilla, që në vetvete janë të dyshimta. Qoftë e vlefshme ose jo, kjo është çështja. Megjithatë, kudo ka ekstremistë, veçanërisht ata që mëtojnë se Sheriati duhet të imponohet.

Ju do të gjeni shumë ekstremistë që janë tërësisht jotolerantë ndaj qëndrimit të të tjerëve. Si pasojë, zona të tilla gri gjithashtu do të merren si zona me qëndrim të mirë nga ekstremistët. Ata do të thonë: “Po, ne e dimë; ky është qëndrimi ynë. Është qëndrimi i mbështetur nga një dijetar mesjetar i shkollës sonë. Dhe ky është ligj”

Vështirësitë e përballuara nga qeveria e Pakistanit për miratimin e ligjit të Sheriatit

Tanimë ky dallim çoi rishtazi në një debat në Pakistan dhe Nawaz Sharif, kryeministri, kishte për të vendosur përfundimisht që nuk do të pranohej Sheriati i asnjë sekti.

Ligji që u miratua në Pakistan do të pranojë epërsinë e Kuranit dhe, ata do të bien në godi që asnjë legjislacion nuk do t’u bjerë ndesh mësimeve themelore të Kuranit. Por përtej kësaj, ata nuk do të adoptojnë norma dhe rregullore të tjera që burojnë nga ligje, sepse thuhet se janë udhëzime legjislative prej Zotit.

Pra, duke e lënë këtë mënjanë, çka mbetet prej Sheriatit është parimi i përgjithshëm i shpallur në Kuranin e Shenjtë, në dritën e të cilit do të bëhet një përpjekje për islamizimin e ligjit të një vendi.

Deri tani mirë. Mendoj se kryeministri e ka nxjerrë veten prej një situate shumë të vështirë, por jo për shumë kohë. Ulematë i janë tashmë në fyt. Gjithashtu, ata po këmbëngulin që një Gjykatë Sheriati jo vetëm të vazhdojë të punojë (ka tashmë një Gjykatë Sheriati atje), por fuqia e saj duhet të rritet. Autoriteti përfundimtar lidhur me nëse ligji është apo jo sipas Islamit, duhet të paraqitet pranë Gjykatës së Lartë të Sheriatit.

Kështu, sërish ekuilibri i pushtetit do të zhvendoset prej delegatëve të përzgjedhur të vendit, drejt mullahëve ekstremistë. Një herë të pranoni diçka, që nuk është praktike të vendoset, kjo do të çojë gjithnjë drejt trazimeve të ndryshme dhe do të jetë e pamundur për ju t’ia dilni pa ndërlikime të mëtejshme.

Mënyra e jetesës së muslimanëve të sotëm nuk është krejt islame

Kjo është një fushë vështirësish. Por ka edhe një fushë tjetër shumë të rëndësishme me vështirësi, që është: mënyra e jetesës e muslimanëve ndër shumë vende nuk është vërtetësisht dhe thellësisht muslimane.

Mendoni pak, nuk ju duhet ligji i Sheriatit për të falur pesë namazet e përditshme. Nuk ju duhet vendosja e ligjit të Sheriatit për t’ju bërë të silleni ndershmërisht. Nuk ju duhet vendosja e ligjit të Sheriatit që t’ju bëjë të thoni të vërtetën e të dilni si dëshmitar ndershmërisht dhe vërtetësisht në gjykatë ose kudo qoftë. Por, në një shoqëri ku vjedhja është bërë rendi i ditës, ku ka mungesë rregulli, kaos, uzurpime të të drejtave të tjetrit, ku Gjykatat rrallë kanë dëshmitarë të vërtetë, ku gjuha e ndyrë është një mënyrë shprehie e zakonshme, ku nuk ka më hijeshi në sjelljen njerëzore, çfarë prisni që të bëjë Sheriati aty? Si do të mund të vendoset çiltërsisht Sheriati në një vend të tillë, kjo është çështja.

Atmosfera e përshtatshme që kërkohet për vendosjen e ligjit të Sheriatit

I kam dhënë një trajtë tjetër kësaj çështjeje dhe sigurisht kjo është debatuar, e deri më tani, nuk kam dëgjuar ndonjë përgjigje që vërtet do t’i japë zgjidhje kësaj problematike.

Çështja është se çdo vend ka një klimë dhe jo e gjithë flora mund të lulëzojë në atë klimë. Hurmat lulëzojnë në shkretëtira, por jo në veriun e ftohtë. Ngjashëm, qershitë nuk mund të mbillen në shkretëtirë, ato kërkojnë klimë të posaçme. Sheriati gjithashtu kërkon një klimë të posaçme. Nëse nuk e ke krijuar atë klimë, Sheriati nuk mund të vendoset.

Çdo profet, jo vetëm Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të), së pari krijoi një klimë të shëndetshme që ligji i Zotit të vendoset, vullnetarisht dhe jo me imponim. E kur shoqëria ishte gati, atëherë ligjet përfuteshin dhe fuqizoheshin herë pas here, derisa të shpallej mbarë kodi. Ajo shoqëri ishte e aftë të mbante barrën e ligjit të fesë, të cilin, daç e quani ligj i Sheriatit, daç diçka tjetër.

Në një shoqëri për shembull, ku vjedhja është gjë e zakonshme, gënjeshtra është një praktikë e përditshme, nëse miratohet ligji i Sheriatit dhe priten duart e atyre që vjedhin, çfarë do të ndodhë? A është ky qëllimi i Sheriatit? Kjo nuk është një çështje sentimentalizmi ndaj fesë. Vullneti i Zotit do të bëhet patjetër, por do të bëhet në udhën e renduar, siç Zoti dëshiron që ne të bëjmë.

Sheriati, i përdorur si një pretekst për të marrë pushtetin

U kam sugjeruar disa liderëve politikë që, së pari, ata duhet të ftojnë të gjithë dijetarët muslimanë që të reformojnë një qytet të vogël të Pakistanit e pastaj, ta miratojnë Sheriatin aty. Për shembull, Fejselabadi (Faisalabad) është një qytet i vogël, ose një qytezë e madhe, kryesisht me tregtarë, të famshëm për sjelljet e tyre të mbrapshta.

Propozova që ulematë duhet të ftoheshin nga mbarë Pakistani për të reformuar së pari banorët e atij qyteti. Kur njerëzit e atij qyteti të aftësohen për të mbajtur barrën e Sheriatit, atëherë qeveria duhet të ftohet për të marrë përsipër administrimin e ligjit të Sheriatit. Por, kjo nuk do të ndodhë. Atyre nuk u intereson. Nuk i shqetëson kjo gjë. Nuk është dashuria për Islamin që i shtyn ata të kërkojnë ligjin e Sheriatit. Është thjesht një mjet për të arritur e për ta kapur pushtetin dhe për ta udhëhequr shoqërinë në emër të Zotit. Shoqëria tashmë po udhëhiqet nga njerëz të korruptuar e mizorë, por kjo po bëhet në emër të të drejtave të njeriut; kjo është e tolerueshme deri në një pikë. Por kur mizoritë kryhen në emër të Zotit, ajo është gjëja më e keqe dhe më e shëmtuar e mundshme që mund t’i ndodhë njeriut.

Kështu që, ne duhet të mendojmë shumë, shumë herë para se të nisim ta peshojmë pyetjen nëse mund të vendoset ligji fetar ndokund në botë si tender ligjor. Për vete, dyshoj.

Tani, këtu do ta ndal çështjen për pakëz. Nëse mendoni se ka kohë t’i drejtohemi pyetjes së dytë, do ta bëjmë. Përndryshe, do të ulemi e të diskutojmë çka kemi thënë deri më tani.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp