O pasanikë! O mbretër! O të pasur!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
o te pasur

O pasanikë! O mbretër! O të pasur! Ka shumë pak njerëz mes jush që i druhen Zotit dhe që janë të drejtë në të gjitha rrugët e Tij. Shumica prej jush të dashuruar me territoret dhe pasuritë e botës dhe për t’i arritur ato kalojnë gjithë jetën, duke harruar vdekjen. Çdo i pasur që nuk fal namazin dhe shpërfill Zotin, ka në qafë mëkatin e të gjithë shërbëtorëve dhe të punëtorëve të tij. Çdo i pasur që pi alkool, ka në qafë mëkatin e të gjithë atyre që pinë në shërbim të tij.

O ju që pretendoni zgjuarsinë! Merrni veten, se kjo botë nuk është një vend i përhershëm. Lëreni çdo teprim dhe hiqni dorë nga çdo lëndë dehëse. Nuk është vetëm alkooli që ia shkatërron jetën njeriut, por edhe opiumi, kanabisi, hashashi, bhang,[1] tarhi,[2] dhe çdo lëndë tjetër dehëse ndaj së cilës njeriu krijon varësi. Këto ia prishin mendjen dhe përfundimisht e çojnë drejt shkatërrimit. Prandaj, ruhuni prej tyre. Nuk mund të kuptojmë se përse vazhdoni të konsumoni këto lëndë, prej të cilave mijëra njerëz të varur si ju, largohen nga kjo botë. Ndëshkimi i botës tjetër do të jetë shtesë për ta.

Bëhuni të druajtur ndaj Zotit në mënyrë që t’ju zgjatet jeta dhe ju të bekoheni prej Tij. Jeta në luks të tepruar është e mallkuar. Jeta me dashakeqësi dhe mungesë mëshire të tepruar është e mallkuar. Jeta me shpërfillje të tepruar ndaj Zotit dhe ndaj dhembshurisë me njerëzit, është e mallkuar. Çdo të pasuri do t’i kërkohet llogari për detyrimet që ka ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve në të njëjtën mënyrë, siç do t’i kërkohet një të varfri, madje edhe më shumë se atij.

Prandaj, sa fatkeq është ai që, duke u mbështetur tërësisht në këtë jetë të shkurtër, i kthen shpinën Zotit; konsumon të ndaluarat e Zotit me kaq guxim, sikur t’i jenë të lejuara; në zemërim e sipër bëhet gati, si një i marrë, për të sharë dikë, për të lënduar dikë ose për të vrarë dikë; gjatë tundimit epshor, kalon çdo kufi të paturpësisë. Ai nuk do ta arrijë lumturinë e vërtetë, derisa të vdesë.

O të dashur! Ju keni ardhur për pak ditë në këtë botë, dhe edhe ajo e ka konsumuar kohën më të madhe të saj. Prandaj, mos e bëni të pakënaqur Zotin tuaj. Një shtet që është më i fuqishëm se ju, mund t’ju shkatërrojë nëse mbetet i pakënaqur nga ju. Andaj, llogaritni vetë se si mund të shpëtoni nga pakënaqësia e Zotit të Madhërishëm. Nëse do të dilni të druajtur në sy të Zotit, askush nuk mund t’ju shkatërrojë. Zoti Vetë do t’ju mbrojë dhe armiku që është gati t’ju marrë jetën, nuk mund t’ju zërë. Përveç kësaj rruge, askush nuk është mbrojtës i jetës suaj. Nga frika e armikut dhe nga prekja e fatkeqësive, ju do të jetoni jetë sfilitëse dhe ditët e fundit të jetës suaj do t’i kaloni në brengë e në zemërim të madh. Zoti bëhet Streha e atyre që qëndrojnë me Të. Prandaj, ejani te Zoti dhe hiqni dorë nga çdo kundërshtim me Të. Mos u tregoni të ngathët në kryerjen e obligimeve ndaj Tij, dhe mos u bëni keq robërve të Tij as me gjuhë e as me dorë. Jini të frikësuar nga llahtaria dhe zemërimi qiellor, sepse kjo pikërisht është rruga e shpëtimit.

LEXONI:


[1] Bhang, në gjuhën indiane, është një përgatitje ushqimore e kanabisit me origjinë nga nënkontinenti Indian. Ai është përdorur në ushqim dhe pije qysh në mijëvjeçarin e parë para erës sonë në Indinë e lashtë. (Përkthyesi)
[2] Tarhi ose nīrah [neerah] është një pije dehëse që rrjedh në kushte të caktuara nga kakao, nga lëngu i arrës së kokosit, ose nga ndonjë lëng palme. (Përkthyesi)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp