Vendimi i Presidentit të Amerikës për Jerusalemin dhe dobësia e muslimanëve

Hazret Mirza Masrur Ahmed (aba)

Hazret Mirza Masrur Ahmed (aba)

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, kampion i paqes dhe lideri i grupit më të madh të muslimanëve në të gjithë botën që ndjekin një Imam.

Më shumë rreth autorit

(Në hutben e tij të së xhumasë, të mbajtur më 08.12.2017, Hazret Mirza Masrur Ahmed, Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia komentoi deklaratën e Presidentit të Amerikës për të njohur Jerusalemin si kryeqytet i Izraelit dhe gjithashtu edhe situatën e vendeve muslimane. Më poshtë, sjellim përkthimin e disa pjesëve të kësaj hytbeje. Për më shumë, ju lutemi, ndiqeni hytben e plotë. Redaksia)

Siç u bë bujë edhe në media këto ditë, Presidenti i Amerikës deklaroi ta njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe ta transferonte ambasadën e saj atje. Praktikisht atje ekzistojnë prej kohësh të gjitha zyrat e Izraelit, pavarësisht se vendet e tjera nuk i pranonin. Tani, pas kësaj deklarate, u bë zhurmë edhe në vendet e tjera.

Pavarësisht nga zhurma që po bëhet, pavarësisht nga kundërshtimi që po bëjnë shtete të tjera, duhet të dimë një gjë. E gjithë kjo ndodhi për shkak të dobësimit të muslimanëve. Luftërat dhe shqetësimet brenda vendeve muslimane u dhanë mundësi të tjerëve që ta krijojnë këtë situatë. Presidenti i Amerikës e do që muslimanët kurrë të mos kenë paqe, kurse ai dhe aleatët e tyre të bëjnë atë që duan.

Arabia Saudite tani bën deklarata që vendimi i Presidentit të Amerikës nuk është i pranueshëm në asnjë mënyrë. Por deri para pak ditësh, për çdo gjë Amerikës i përgjigjej me pohim. Ajo e përkrahu deklaratën e Amerikës kundër Iranit, ndërkohë duhet ta dënonte, duke thënë se ne vendet muslimane jemi bashkë dhe nuk mund të lejojmë kurrsesi asnjë përpjekje të asnjë superfuqie kundër muslimanëve.

Po ashtu, Arabia Saudite po luftën kundër Jemenit dhe, edhe në këtë luftë, merr ndihma nga superfuqitë. Edhe në këtë rast ajo iu përgjigj pozitivisht Amerikës, që ta ketë ndikimin e vet në rajon dhe që të vijojë të përfitojë nga ndihmat e Amerikës. Këta njerëz janë larguar nga porositë e Zotit të Madhërishëm për përfitime të përkohshme të kësaj bote. E pikërisht kjo situatë aktuale do të ishte rezultati i mohimit të porosive të Zotit të Madhërishëm. Këto superfuqi do të vijojnë tentativat e tyre për të marrë gjithë komandën në dorë.

Duke folur për ata që rrinë vetëm në kërkim të botës materiale dhe në përmbushje të dëshirave tokësore, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se shembulli i tyre është si i atij që i kruhet trupi. Ai që ka sëmundjen se kur e kruan, qetësohet dhe mendon se i bën mirë trupit të vet, por vjen një kohë kur e lëndon. Pra, përkohësisht ai ndien qetësi, por në të vërtetë atij i rripet lëkura. Disa që përkeqësohen, e bëjnë gjak gjithë trupin.

Andaj, kur njeriu kërkon diçka më shumë sesa duhet, ajo i sjell shqetësime. Këta njerëz mendojnë se po forcohen ose po u shtohet grupi, por në të vërtetë ata po gjakosin vetveten. Zemërimi i Allahut do të jetë shtesë. Në një ajet tjetër, Zoti i Madhërishëm thotë:

Jerusalemi Amerika IzraeliDijeni se jeta e kësaj bote është vetëm lojë, dëfrim, zbukurim, mburrje me njëri-tjetrin dhe garë për të pasur më shumë pasuri dhe fëmijë; ajo është si shiu që gjelbëron arën për t’i kënaqur mohuesit dhe ara lulëzon dhe pas asaj e sheh të zverdhur dhe pas asaj ajo bëhet kashtë. Në ahiret ka edhe ndëshkim të rëndë, edhe falje prej Allahut dhe pëlqim. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse një përfitim mashtrues. (Kurani Famëlartë 57:21)

Andaj, besimtari duhet të kërkojë faljen dhe pëlqimin e Allahut të Madhërishëm dhe jo të rrijë duke u mburrur për gjërat tokësore dhe duke harxhuar të gjitha përpjekjet për t’i arritur ato. Përndryshe, ai do të bëhet si i sëmuri që kruan trupin dhe do ta shkatërrojë edhe botën, edhe ahiretin e vet.

….

Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s., duke treguar standardin e vetëmjaftueshmërisë së një besimtari, thotë:

Ai që gdhin i qetë nga zemra dhe i shëndoshë nga trupi dhe ka bukë për një ditë, e ka fituar gjithë botën.

E tillë duhet të jetë vetëmjaftueshmëria e besimtarit. Allahu i Madhërishëm na mundësoftë këtë vetëmjaftueshmëri dhe na mundësoftë takvanë! Na bëftë që synimi ynë të jetë dashuria, falja dhe pëlqimi i Allahut dhe jo dashuria për botën materiale!

Pas kësaj, dua t’ju tërheq vëmendjen për një lutje. Siç ju thashë shkurtimisht edhe më parë që liderët e vendeve muslimane që u janë dhënë dëshirave të kësaj bote, në vend të Zotit të Madhërishëm, praktikisht superfuqitë i kanë marrë si zota të tyre. Mendojnë se miqësia me ta do t’u bëhet garant i mbijetesës dhe i zhvillimit të tyre.

Kurse e vërteta është ndryshe. Për shembull, ditët e fundit një analistë në një gazetë gjermane shkruante që bota që deri më parë mendonte se Uashingtoni është modeli i saj, të cilin ajo duhet ta ndjekë, nuk e ka më atë pozitë, sepse po zëvendësohet me Pekinin, kryeqytetin kinez. Amerika e ka humbur fuqinë dhe pozitën e saj. Pra, mbështetjet tokësore janë të përkohshme. Sot janë e nesër nuk janë.

Muslimanët tani duhet ta kuptojnë këtë realitet. Edhe deklarata e Amerikës për ta transferuar ambasadën e saj në Jerusalem erdhi, që në këtë mënyrë ajo të përmirësojë e të forcojë marrëdhëniet e saj me Izraelin, dhe të ngrihet edhe njëherë.

Por Zoti i Madhërishëm kur i shkakton rënie dikujt, atë nuk e ndihmojnë dot miqësitë dhe traktatet tokësore. Duket se këto superfuqi, sidomos Amerika, kanë hyrë në këtë fazë. Se kur do të vijë rezultati, e di Allahu i Madhërishëm. Por në këtë situatë, përpjekjet e tyre për të shkaktuar luftëra mes muslimanëve do të intensifikohen edhe më shumë.

Prandaj, ne duhet të lutemi për botën muslimane që Allahu i Madhërishëm u dhëntë mend, që ata të bashkohen. Gjithashtu, duhet të lutemi që të largohet rreziku i luftës ndërmjet shteteve të tjera. Allahu i Madhërishëm u dhëntë mend muslimanëve që t’u japin fund luftërave të tyre, të cilat tanimë kanë shkaktuar jo mijëra, por miliona vdekje! Zoti i bëftë një popull të bashkuar!

Zoti i mundësoftë t’u japin fund luftërave mes njëri-tjetrit, në mënyrë që armiqtë e Islamit të mos përfitojnë nga situata! Dhe më së shumti, duhet të lutemi që Allahu i Madhërishëm i bëftë muslimanët ta njohin atë që Ai u ka dërguar si Mesih i Premtuar dhe Imam Mehdi, sepse duke u lidhur me të, ata mund të vendosin paqe edhe mes njëri-tjetrit, edhe në botë!

Shpërndaje

Send this to a friend