Namazi, esenca dhe filozofia e tij - Në brendësi të namazit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
namazi shqip

Përgjërim në namaz

Një kriter shumë i rëndësishëm i dëlirësisë së besimtarit është namazi. Ai që përherë përgjërohet në namaz para Zotit, i jepet paqe. Si një fëmijë që qan me të madhe në prehrin e nënës dhe e ndien dashurinë dhe dhembshurinë e saj, në të njëjtën mënyrë, edhe ai që përgjërohet dhe dënes në namaz para Zotit, e dorëzon veten në prehrin e kujdestarisë dhe të dhembshurisë së Zotit. Mbani mend! Nuk e shijoi besimin ai që nuk gjeti dot kënaqësi në namaz.

Namazi nuk është thjesht ushtrim a lëvizje fizike. Disa e falin namazin duke rënë me kokë në sexhde dy-tri herë, siç çukit pula dhe e përfundojnë, e pastaj bëjnë lutje të gjata. Ndërkohë, koha që u ishte dhënë për të paraqitur kërkesa pranë Allahut, atë e kalojnë me nxitim, sikur kryejnë një zakon a traditë dhe luten pasi të largohen nga Zoti. Lutuni në namaz dhe namazin merreni si mjet për të bërë lutje.

(“Melfuzat”, vëll. 2, botimi 1984, f. 145)

Recitimi i El-Fatihasë në namaz

Lutja është esenca dhe shpirti i namazit. Andaj, si mund ta gjesh këtë esencë jashtë namazit?! Një njeri që paraqitet në oborrin e mbretit dhe atij i jepet edhe mundësia për t’ia treguar problemin e vet, por ai atëherë nuk i thotë ndonjë gjë Mbretit, por kur del jashtë nga oborri mbretëror, fillon t’i lexojë kërkesat. Çfarë dobie ka kjo?! I njëjti është shembulli i atyre që nuk luten me përgjërim e dënesë gjatë namazit. Andaj, çdo lutje që keni për të bërë, bëjeni në namaz dhe bëjeni duke përmbushur të gjitha kushtet e lutjes. Allahu i Madhërishëm që në krye të Kuranit na mësoi lutjen, gjithashtu edhe kushtet e lutjes. Është e obliguar ta themi suren El-Fatiha në namaz. Kjo lutje na tregon qartazi se lutjen në të vërtetë duhet ta bëjmë pikërisht në namaz.

(“Melfuzat”, vëll. 3, botimi 1984, f. 258)

Namazin duhet ta falim në arabisht

Namazin nuk duhet ta falni në asnjë gjuhë tjetër, përveç asaj në të cilën u zbrit Kurani Famëlartë. Gjuhën e Kuranit nuk duhet ta braktisni. Po, pas lutjeve të caktuara gjatë namazit, kërkesat tuaja mund t’ia paraqitni Zotit të Madhërishëm në formë lutjesh. Por, gjuhën origjinale asnjëherë nuk duhet ta braktisni. Çfarë fituan të krishterët duke e braktisur gjuhën origjinale? Humbën çdo gjë.

(“Melfuzat”, vëll. 3, botimi 1984, f. 288)

Çfarë është namazi? Ai është lutje që bën me përgjërim, duke e madhëruar Zotin, duke e lavdëruar, duke ia përmendur shenjtërinë, dhe duke i kërkuar falje (istigfar) dhe duke i dërguar salavate Profetit Muhammed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Andaj, kur të falni namazin, si të pavëmendshëm mos u mjaftoni vetëm me fjalët arabe, sepse namazi dhe istigfari i tyre të gjitha janë thjesht zakone, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Prandaj, kur ju të falni namazin, përveç pjesës së Kuranit sepse ajo është fjala e Zotit dhe përveç pjesës së lutjeve të Profetit, sepse ajo është fjala e Profetit, të gjitha lutjet e tjera bëjini me përgjërim në gjuhën tuaj, në mënyrë që kjo përulësi e ky sinqeritet të ketë ndonjë ndikim në zemrat tuaja.

(“Kashti Nuh”, “Ruhani Khezain”, vëll. 19, f. 68-69)

Lutjet mund t’i bëni në gjuhën tuaj

Lutuni në namazet tuaja të pesë vakteve. Nuk është e ndaluar të bëni dua (lutje) në gjuhën tuaj. Nuk mund të keni kënaqësi në namaz, derisa nuk jeni të përqendruar dhe nuk mund të keni përqendrimin, derisa nuk tregoni përulësinë, dhe përulësinë mund ta keni atëherë kur të kuptoni atë që thoni. Andaj, shqetësimin dhe dëshirën do ta ndieni kur të paraqisni kërkesat në gjuhën tuaj. Por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se të gjithë namazin ta thoni në gjuhën tuaj. Jo. E kam fjalën që pas lutjeve dhe dhikrit të praktikuar, të luteni edhe në gjuhën tuaj.

Realisht, Zoti i ka bekuar fjalët që ka namazi. Namazi vetë është lutje. Andaj, lutuni në të që Zoti t’ju shpëtojë nga gjëmat e kësaj bote dhe të ahiretit dhe t’ju mundësojë fundin e mbarë. Lutuni edhe për gratë dhe fëmijët tuaj. Bëhuni të dëlirë dhe ruhuni nga çdo ligësi.

(“Melfuzat”, vëll. 6, botimi 1984, f. 146)

Filozofia e namazeve të pesë vakteve

Çfarë janë namazet e pesë vakteve? Ato janë imazhi i gjendjeve tuaja të ndryshme. Jeta juaj në rast rreziku kalon përmes pesë ndryshimeve që janë të domosdoshme për natyrën tuaj.

  1. Së pari, kur ju bëhet njoftimi që do të përballeni me një rrezik, për shembull, ju lëshohet urdhër arresti nga gjykata. Kjo është situata e parë që ju shqetësoi dhe jua mori rehatinë. Kësaj situate i shëmbëllen koha e rënies së diellit, sepse ajo ka sjellë rënie në qetësinë tuaj. Është namazi i drekës që i përgjigjet kësaj situate dhe që falet pasi të fillojë rënia e diellit nga zeniti.
  2. Ndryshimi tjetër ju ndodh kur ju afrohet shumë rreziku. Për shembull, pas fletarrestimit, detyroheni të paraqiteni pranë gjykatësit, në këtë kohë kur ju thahet gjaku dhe ju zbehet fytyra, gati për t’u shuar. Kësaj situate i përngjan koha kur diellit i zbehet drita për shkak të rënies, aq saqë të tjerët mund ta shohin me sy dhe binden se tashmë ai do të perëndojë. Kësaj situate shpirtërore i përgjigjet namazi i ikindisë.
  3. Ndryshimi i tretë ju ndodh atëherë kur humbni çdo shpresë për të shpëtuar nga gjëma që ju ka ardhur. Për shembull, kur shkruhet vendimi kundër jush se jeni fajtor, pasi dëshmitë janë kundër jush. Kjo është koha kur ju gati humbni ndjenjat, duke paraparë veten në burg. Kësaj situate i përngjan koha kur dielli sapo ka perënduar, duke marrë me vete gjithë dritën që ishte shpresë për vazhdimiësinë e ditës. Kësaj situate shpirtërore i përgjigjet namazi i akshamit.
  4. Ndryshimi i katërt ju ndodh atëherë kur ju ndodheni në gjëmën që ju ka rënë, aq saqë veten e gjeni në terrnajën e saj. Për shembull, pasi të jetë lëshuar verdikti kundër jush dhe organi i drejtësisë ju dorëzon pranë policisë. Kjo situatë i përngjan kur nata bie me gjithë errësirën e saj dhe kësaj situate i përgjigjet namazi i jacisë.
  5. Më pas kur të kaloni një kohë të gjatë në këtë errësirë, përfundimisht Zoti ju mëshiron, duke ju liruar nga errësira, ashtu siç agon sabahu pas natës. Po nga agimi i sabahut fillon të ndriçohet dita. Kësaj situate shpirtërore i përgjigjet namazi i sabahut.

Kështu që, duke konstatuar pesë situata të ndryshme në gjendjen tuaj shpirtërore, Zoti i Madhërishëm ju ka lënë pesë namaze. Kjo tregon që namazet janë vetëm për dobinë tuaj. Andaj, nëse doni të shpëtoni nga këto gjëma, mos hiqni dorë nga namazet e pesë vakteve, sepse ato për ju janë si hije e ndryshimeve tuaja shpirtërore. Namazi ju sjell zgjidhje për gjëmën e ardhshme. Ju nuk e dini se çfarë fati do t’ju sjellë dita e re. Andaj, përpara se t’ju vijë dita e re, përgjërohuni pranë Mikut tuaj, që juve t’ju vijë ditë e mbarë dhe e bekuar.

(“Kashti Nuh”, “Ruhani Khezain”, vëll. 19, f. 69-70)

Namazi ju mbron nga mëkatet

Edhe namazi është një mjet që ju mbron nga mëkatet. Është vetia e namazit që e largon njeriun nga mëkati dhe ligësia. Andaj, këtë namaz kërkojeni edhe ju dhe këtë namaz përpiquni ta falni. Namazi është shpirti i bekimeve. Përmes këtij namazi ju vijnë bekimet e Allahut të Madhërishëm. Andaj, zbukurojeni namazin tuaj, në mënyrë që të trashëgoni bekimet e Allahut të Madhërishëm.

(“Melfuzat”, vëll. 5, botimi 1984, f. 126)

Rëndësia e pozicioneve të namazit

Çfarë është namazi? Namazi është të tregosh përulësinë, sinqeritetin dhe dobësitë e tua përpara Zotit dhe Atij t’i kërkosh përmbushjen e nevojave të tua. Namazi është herë të qëndrosh në këmbë duke i lidhur duart, për të pranuar madhështinë e Zotit dhe për t’i zbatuar urdhrat e Tij, dhe herë të biesh në sexhde me përulësi të skajshme, duke i kërkuar përmbushjen e nevojave të tua. Ky është namazi. Si një lypës që lëvdon herë pas here atë që lyp duke thënë: ti je i madh; ti je i mëshirshëm, shpreh madhështinë e Zotit dhe nxit mëshirën e Tij. Feja që nuk i ka këto gjëra, vetëm fe nuk mund të quhet…

Namazi është ta lidhësh zemrën vetëm me dashurinë ndaj Zotit, me druajtjen ndaj Tij dhe me kujtimin për Të, dhe pikërisht kjo është feja. Pas kësaj, ai që dëshiron të lirohet fare nga namazi, çfarë ka bërë më shumë sesa shtazët?! Ushqehet njësoj si ato. Fle njësoj si ato. Kjo kurrsesi nuk mund të jetë fe. Ky karakter është i mohuesve… Ai që dëshiron ta takojë Zotin e Madhërishëm, që dëshiron të arrijë te pragu i Tij, namazi për të është si një veturë, e cila shumë shpejt mund ta çojë atë në destinacion. Kurse ai që e braktisi namazin, si mund të arrijë te Zoti?!

Realisht, që kur muslimanët e braktisën namazin, ose hoqën dorë ta falnin atë me qetësinë, kënaqësinë dhe dashurinë e zemrës, duke neglizhuar thelbin e tij, Islami filloi të pësojë rënie. Studioni vetë se si ka qenë ajo periudhë e Islamit, kur muslimanët e gjallëronin namazin me përkushtim. Dikur Islami e kishte mundur gjithë botën. Që kur e braktisën namazin, edhe ata u bënë të braktisur. Pikërisht namazi që falet me dhimbjen e zemrës, e shpëton njeriun nga të gjitha vështirësitë. Vazhdimisht e kam provuar. Shpesh kur lutem gjatë një vështirësie, pa e mbaruar akoma namazin, Zoti ma lehtëson dhe ma zgjidh problemin.

Çfarë ndodh në namaz? Njeri parashtron kërkesën, i zgjat duart për të kërkuar ndihmë dhe Tjetri ia dëgjon çështjen deri në detaje. Pastaj, vjen një kohë kur Ai që dëgjonte, flet dhe i përgjigjet kërkuesit. Kështu ndodh me atë që fal namazin. Ai e ul kokën në sexhde përpara Zotit dhe i tregon hallet dhe nevojat e veta. Pastaj, namazi i sinqertë dhe i vërtetë përfundimisht e sjell rezultatin dhe shpejt vjen koha që Zoti i Madhërishëm flet për t’iu përgjigjur dhe e qetëson me përgjigjen e Tij. Por kjo a mundet vallë, pa e provuar namazin e vërtetë?! Kurrsesi jo.

(“Melfuzat”, vëll. 5, botimi 1984, f. 253-255)

Namazi i vërtetë

Namazi i vërtetë është i atij që ka lidhje të vërtetë e të pastër me Allahun e Madhërishëm dhe ai kaq shumë të jetë i flijuar në pëlqimin dhe bindjen ndaj Allahut, saqë për t’i dhënë epërsi besimit mbi botën, të jetë i gatshëm edhe për të sakrifikuar jetën. Kur njeriu do ta ketë këtë gjendje, atëherë namazi i tij do të quhet namaz. Dhe derisa nuk krijohet ky realitet brenda njeriut, dhe derisa ai nuk tregon shembullin e sinqeritetit dhe të besnikërisë së vërtetë, namazi i tij dhe veprat e tij të tjera janë të paefektshme.

(“Melfuzat”, vëll. 4, botimi 1984, f. 240)

Namazi, lutja dhe bindja

Mos falni namazin sikur çukitjet e pulës, por faleni me emocion dhe bëni shumë lutje. Namazi është çelësi për të zgjidhur çdo problem. Përveç lutjeve dhe fjalëve të praktikuara, lutuni shumë në gjuhën tuaj, në mënyrë që të arrini të përgjëroheni. Dhe derisa nuk ju vjen të përgjëroheni, mos u dorëzoni, sepse kjo metodë jua pastron nefsin dhe ju jepet gjithçka. Në të gjitha pozicionet që ka namazi, duhet që edhe zemra juaj t’i ndjekë e t’i realizojë ato pozicione. Kur qëndroni në këmbë fizikisht, edhe zemra juaj duhet të qëndrojë përpara Zotit duke pranuar nënshtrimin ndaj Zotit. Kur përuleni fizikisht, edhe zemra juaj të përulet njësoj. Kur të bëni sexhde, edhe zemra juaj të bëjë sexhden. Sexhdeja e zemrës është që të mos shkëputeni nga Zoti në asnjë rrethanë. Kur të jetë kjo gjendja juaj, mëkatet do të fillojnë t’ju largohen.

(“Melfuzat”, vëll. 6, botimi 1984, f. 367-368)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp