(1) Hazret Hudhejfa r.a. thotë se i Dërguari i Allahut s.a.s. në sexhde thoshte:
I Shenjtë është Zoti im, i Lartësuari.[1]
(2) Hazret Ajshja r.a. rrëfen: “Një natë, kur nuk e gjeta të Dërguarin e Allahut s.a.s. në shtrat, u shqetësova. Fillova ta kërkoja në errësirë duke prekur me duar andej-këtej dhe më në fund e gjeta, ndërkohë ai ishte në sexhde dhe po bënte këtë lutje:
O Allah! Më fal mëkatet e mia, edhe ato që kam fshehur, edhe ato që kam zbuluar”.[2]
(3) Sipas rrëfimit të Ebu Hurejras r.a., i Dërguari i Allahut s.a.s., në sexhdet e tij bënte këtë lutje:
O Allah! Më fal të gjitha mëkatet e mia, edhe të voglat, edhe të mëdhatë, edhe të parat, edhe të fundit, edhe të fshehtat, edhe të hapëtat.[3]
(4) Hazret Muhammed Ibni Muslima r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.s. në sexhdet e tehexhudit (të namazit të natës) bënte këtë lutje:
O Allah! Për Ty rashë në sexhde. Ty të besova. Ty t’u dorëzova. O Allah! Ti je Zoti im. Fytyra ime po i bën sexhde Atij që e krijoi, e zbukuroi dhe i dhuroi veshët dhe sytë. I Bekuar është Allahu, Krijuesi më i përsosur![4]
(5) Hazret Ajshja r.a. rrëfen:
Një natë të Dërguarin e Allahut s.a.s. nuk e gjeta në shtëpi. Duke e kërkuar shkova deri në xhami, ku e gjeta në sexhde. Gjunjët i kishte të ngulura në dhé dhe po lutej:
O Allah! Kërkoj mbrojtjen e pëlqimit Tënd nga mospëlqimi Yt; të faljes Tënde nga ndëshkimi Yt. Kërkoj mbrojtjen Tënde prej Teje. Nuk mund ta përmbledh lavdërimin Tënd. Ti je ashtu siç e ke përshkruar Veten Tënde![5]
Le të mos mjaftohemi vetëm duke thënë Subhana Rabijel A’ala në sexhde, sepse Profeti s.a. bënte edhe lutje të tjera shumë emocionuese. Këto ishin disa prej tyre. Duke i lexuar këto, mund të nxjerrim përfundimin se duhet të bëjmë lutje emocionuese edhe në gjuhën tonë në sexhde.
[1]. Tirmidhiu, Kitabus-salat, bab et-tesbih fir-ruku ues-suxhud.
[2]. Muslimi, Kitabus-salat, bab ed-dua fis-suxhud.
[3]. Muslimi, Kitabus-salat, bab ma jekulu fir-ruku, ues-suxhud.
[4]. Muslimi, Kitab salatil-musafirin, bab ed-dua fi salatil-lejl.
[5]. Po aty.