Fillimi i ezanit në Islam
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Fillimi i ezanit në Islam

xhamia merjeme

Hazret Ibni Omeri r.a. thotë:

Kur myslimanët erdhën në Medinë, ata tuboheshin me vështirësi për faljen e namazit, sepse nuk thirrej për të. Ata një ditë diskutuan rreth kësaj dhe disa thanë të merrej kambana ashtu siç është te krishterët!, ndërsa të tjerët sugjeruan, të merrej buria ashtu siç është buria e hebrenjve. Atëherë Omeri tha ‘Pse nuk e caktoni një njeri që të ftojë për në namaz’. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “O Bilal, ngrihu dhe thirr për namaz.” [Buhariu, libri i ezanit, kap. Fillimi i ezanit, hadithi 604]

Në ditët e konsultimeve për mënyrën e lajmërimit të kohëve të faljes, Ebu Abdullah bin Zejdi kishte parë në ëndërr se një njeri sillet rreth tij me kambanë në dorë dhe ai e pyeti:

– O robi i Zotit, a do të më shesësh atë kambanë?

– Ç’do të bësh me këtë? Pyeti ai.

– Duke i rënë kambanës, ne do të lajmërojmë për faljen e namazit me xhemat.

– A të tregoj diçka më të mirë se kjo? – tha ai.

– Sigurisht – u përgjigja.

Atëherë ai më shqiptoi: “Allahu ekber, katër herë; esh-hedu en-la ilahe il-lal-llah, dy herë; esh-hedu enne Muhamederr resulullah, dy herë; hajje eles selaah – dy herë; hejje elel felaah, dy herë; Allahu ekber, dy herë; La ilahe il-lall-llah, një herë.

Pastaj tha:

“Kur duash të falësh namazin, (bëhet fjalë për ikametin) këndo: “Allahu ekber” dy herë, fjalitë e tjera nga një herë dhe në fund “Allahu  ekber” dy herë.

Të nesërmen Ebu Abdullah bin Zejdi ia tregoi Profetit të shenjtë s.a.v.s. ëndrrën e tij, e ai i tha “Ajo ëndërr, dashtë Allahu, do të jetë e vërtetë. Mësoji Bilalit atë që ke parë dhe ai ashtu do të këndojë ezanin, sepse ai ka zë më të bukur se ti.” Bilali pasi që e mësoi tekstin e lartpërmendur, e thirri ezanin. Kur Omer bin Hattabi dëgjoi ezanin në shtëpinë e tij, ai, me pallto të hedhur krahëve, nxitoi për të ardhur në xhami dhe i tha Profetit të shenjtë s.a.v.s. “O i Dërguar i Allahut! Pasha Atë, i Cili të ka dërguar me të vërtetën, edhe unë kam parë në ëndërr një tekst të tillë.”

– Lavdi Allahut – tha Pejgamberi s.a.v.s.  [Tirmidhi, Ibne Maxhe, Muvetta Ahmad bin Hanbal]

Në përmbledhjen e haditheve Ebu Davud shtohet:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mendonte për mënyrën e thirrjes, që njerëzit të mblidheshin për faljen e namazit me xhemat. Disa sugjeruan nxjerrjen e flamurit, të tjerët për t’i rënë borisë dhe dikush për t’i rënë kambanës. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk e pëlqeu asnjë prej tyre. Në këtë diskutim i pranishëm ishte edhe Abdullah bin Zejdi, i cili gjithashtu mendonte për mënyrën e mbledhjes së myslimanëve për kohën e faljes. Ai nën ndikimin e këtyre mendimeve ra në gjumë, ku pa një ëndërr. Në këtë ëndërr iu tregua teksti i ezanit, të cilin të nesërmen ai ia tregoi Profetit të shenjtë s.a.v.s.

Omerit në të njëjtën mënyrë i ishte kallëzuar teksti i ezanit para njëzet ditësh, por ai nuk ia paraqiti askujt dhe kështu ia kaloi këtë Abudullah bin Zejdi. [Sunen Ebu Davud]

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp