Për kë obligohet namazi?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Për kë obligohet namazi?

Namazi Libri i namazit salat

Namazi është obligim për çdo musliman të rritur. Për sa u përket fëmijëve, ky nuk është obligim përderisa nuk arrijnë moshën madhore. Edukimi i hershëm i tyre luan rol të rëndësishëm. Prindërit duhet të përpiqen që gjatë faljes së namazeve t’i kenë edhe fëmijët afër, dhe në këtë mënyrë fëmijët t’i marrin shembull prindërit. Për këtë arsye, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ka porositur se kur fëmija arrin moshën 7-vjeçare, prindërit duhet ta nxisin atë që të fal namazin. Dhe kur ai arrin moshën 10-vjeçare, ta qortojnë atë, nëse ai nuk e fal namazin.

(Sunen Ebi Davud, kitab “Es-Salāt”, bab “Metā ju’merul-gulāmu bis-salāti”, hadithi nr. 494).

Namazi u bëhet obligim fëmijëve në fazën e pubertetit. Në këtë fazë asnjë individ apo pushtet nuk ka të drejtë t’i shtrëngojë ata të falin namazin, sepse namazi që falet nën presion apo me shtrëngim, nuk ka kuptim. Namazi duhet të falet vullnetarisht. Kjo çështje është midis njeriut dhe Allahut.

Prandaj, është detyrë e të gjithë prindërve muslimanë që t’i brumosin dhe t’i përgatisin fëmijët e tyre për namaz që nga mosha fëmijërore. Përveç kësaj, prindërit duhet t’i luten Allahut të Madhëruar që fëmijët e tyre të bëhen të rregullt në namaz. Meqë kjo detyrë është mjaft e rëndësishme, duhet kërkuar ndihma e Allahut.

Kurani Famëlartë thotë se Hazret Ismaili a.s. vazhdimisht porosiste familjen e tij për namaz. (Sure Merjem, 19:56)

Në një shtëpi ku falet rregullisht namazi, prindërit përdorin mjete të ndryshme për t’ua shtuar dëshirën fëmijëve për pjesëmarrje në namaz. Kur fëmija arrin moshën 7-vjeçare, atij duhet t’i mësohet metoda e përveçme e namazit. Ai të inkurajohet që të falë namazin dhe nëse është e mundshme, të shoqërohet me prindërit e tij në xhami. Me anë të kësaj, fëmija mund të krijojë një lidhshmëri të fortë me namazin, dhe ta vazhdojë këtë ritëm edhe në të ardhmen. Prindërit apo mbikëqyrësit, lejohen të dalin pak të rreptë kundër fëmijëve gjatë moshës 10 deri 12 vjeçare, nëse ata tregojnë përtacinë ndaj faljes së namazit. Rreptësia nuk duhet t’ia çrregullojë personalitetin fëmijës, por të jetë një qortim edukues, i ngjashëm me atë kur prindërit e qortojnë për mosvijueshmërinë e rregullt në shkollë.

Mosha 12-vjeçare është fazë e zhvillimit të personalitetit të fëmijës dhe e kalimit nga fëmijë në adoleshent, dhe është koha kur ai duhet të fillojë faljen e rregullt të namazit, sepse tashmë ai ka përgjegjësi tek Allahu për këtë obligim fetar. Madje, fëmija në këtë moshë fillon të kuptojë që prindërit nuk kanë nevojë ta nxisin që ai të falë namazin. Kjo nuk do të thotë që prindërit nuk duhet as ta këshillojnë e as të qortojnë fëmijën, sepse sa i përket të këshilluarit, kjo mund të bëhet gjatë tërë jetës, nëse ka nevojë. Është vetëm ashpërsia që merr fund kur fëmija arrin moshën 12-vjeçare. Siç është përmendur më parë, Hazret Ismaili a.s. praktikonte metodën e dashurisë dhe të butësisë gjatë të këshilluarit ndaj anëtarëve të familjes së tij. Po ashtu edhe Profeti i shenjtë, Hazret Muhammedi s.a.v.s. sillej në të njëjtën mënyrë me anëtarët e familjes. Në një hadith përmendet se ai zgjonte bijën e vet, Hazret Fatimen r.a., dhe dhëndrin e tij, Hazret Aliun r.a., për faljen e namazit

(Sahih el-Buhari, kitab “Et-tahaxhud”, hadithi nr. 1127).

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp