Si merret abdesi?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
si merret abdesi

Çfarë do të thotë abdes?

Abdes (arabisht: vudū’) do të thotë larje e disa pjesëve të trupit si parapërgatitje për faljen e namazit. Abdesi është i domosdoshëm për namazin.

Si merret abdesi?

Tradita profetike qartazi na mëson që duhet t’i lajmë duart tri herë me ujë dhe pastaj ta shpëlajmë gojën tri herë. Më tej, duhet të pastrohet hunda së brendshmi duke futur ujë në vrimat e hundës, mandej të pastrohet e tërë fytyra me ujë tri herë. Më pas, secili parakrah të lahet tri herë përfshirë edhe bërrylin duke filluar nga ana e djathtë. Pastaj, duke i lagur duart me pak ujë, të bëhet mes’hi, që do të thotë: me të dy duart e lagura të fërkohet koka. Më tej të pastrohet brendia e veshëve me anë të majave të gishtave tregues, ndërsa me majat e gishtërinjve të mëdhenj pastrohen lapat e veshëve. Pas kësaj, gishtat bashkohen dhe pëllëmbët duhet ta përshkojnë me ujë pjesën e jashtme të qafës. Në fund lahen këmbët deri te nyelli i këmbëve tri herë, së pari këmba e djathtë pastaj e majta.

Nëse për disa arsye gjymtyrët lahen një herë ose dy herë gjatë abdesit, abdesi është i plotë, edhe pse mënyra më e mirë e abdesit është vendosur nga Suneti i Profetit të Shenjtë, Hazret Muhammedit s.a.v.s., që çdo gjymtyrë ta lajmë të paktën nga tri herë. Pra, ky është abdesi i plotë.

Pas marrjes së abdesit, këshillohet të recitohet kjo lutje:

اللَّهُمَّ اجْعَلْنِي مِنَ التَّوَّابِينَ وَاجْعَلْنِي مِنَ الْمُتَطَهِّرِينَ

Transkiptimi:

(All-llāhummexh-‘alnī minet-tewwābīne wexh-‘alnī minel-mutetahhirīn)

Përkthimi:

“O Allah! Më bëj ndër të penduarit dhe ndër të pastrit”
(Xhām‘i et-Tirmidhī, kitāb “Et-Tahāreh”, bāb “Fīmā jukālu ba’del-wudūi”, hadithi nr. 55).

Ky është abdesi në rrethana normale kur njeriu është shëndosh e mirë, përdorimi i ujit nuk krijon ndonjë problem mjekësor për të, dhe kur uji i pastër është lehtësisht i disponueshëm. Në rast sëmundjeje ose mungesë të ujit, ka një zëvendësim të thjeshtë të abdesit në formën e poshtëshënuar që quhet tejemmum.

Si bëhet tejemumi?

Nëse disponojmë dhé ose pluhur të pastër, me duart të prekim dheun e pastër apo sipërfaqen me pluhur e t’i fërkojmë duart me njëra-tjetrën, sikurse në rastin kur t’i lajmë ato, dhe pastaj me ato duar ta fërkojmë fytyrën. Ky është vetëm një zëvendësim i abdesit në mungesë të ujit, dhe kur njeriu e gjen ujin dhe largohet edhe vështirësia, le ta marrë abdesin, sepse tejemmumi në këtë rast bëhet i pavlefshëm.

Është e rëndësishme që të falim namazin kur jemi me abdes. Kur dikush e mban abdesin, me atë abdes ai mund të falë më shumë se një namaz. Kjo do të thotë se marrja e abdesit për namaz është e domosdoshme, por nuk është e domosdoshme të përsëritet abdesi për çdo namaz, nëse abdesi që merret për namazin e mëparshëm është ruajtur i paprishur.

Si bëhet mes’hi mbi çorapet?

Nëse dikush mbath çorapët pas abdesit, nuk është e nevojshme që ai t’i lajë këmbët për 24 orët e ardhshme, kur merr abdes. Në këtë rast, ai duhet t’i prekë këmbët e tij me duar të lagura mbi çorape. Ky konsiderohet si zëvendësim i larjes së këmbëve. Kjo leje vlen 3 ditë në rast udhëtimi (për mysafirin).

Disa dallime të rëndësishme të opinionit midis shkollave të ndryshme të jurisprudencës

Sipas jurisprudencës së shiitëve, nuk ka nevojë të lahen këmbët dhe, sipas mënyrë së që u përmend më sipër, mjafton vetëm mes’hi mbi to, qoftë me apo pa çorape.

Sipas disa shkollave të ashpra të jurisprudencës, për shembull el-vahābije, lehtësia e mes’hit mbi çorape të zakonshme, qoftë të pambukta apo të leshit, nuk lejohet. Sipas tyre mes’hi mbi çorape lejohet nëse ato janë prej lëkure të hollë, ku nuk depërtohet pluhuri, lagështia etj..

Sipas disa shkollave të tjera, ky qëndrim është tepër i ashpër dhe e bën njeriun skllav të cektësisë, gjë që nuk është në shpirtin e Islamit. Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s., duke shpjeguar shpirtin e fesë Islame, thotë:

çorapet feja eshte lehtesiinned-dīne jusrun.
Pa dyshim, feja është lehtësi. (Sahihul-Bukhari, Kitabul-Iman)

Xhemati Musliman Ahmedia pajtohet me këtë mendim. Xhemati mendon se rruga më e mirë është që njeriu të përdorë logjikën. Pra, nëse dikush ka çorapet të trasha, aq sa të mos lejojnë të hyjnë pluhuri e papastërtia në këmbët, ai mund të përfitoni nga lehtësia e mes’hit dhe nuk ngrihet pyetja se prej çfarë materiali janë bërë ato.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp