Sa veta duhen që të falet namazi i së xhumasë? Si falet xhumaja gjatë Pandemisë Covid-19?

Namazi i së xhumasë a mund të falet në shtëpi? Nëse po sa veta duhen që të bëhet xhumaja?
Njëherë dikush pyeti Hazret Mesihun e Premtuar a.s. nëse në një fshat ka vetëm dy besimtarë, ata a mund të falin namazin e së premtes?
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. iu drejtua të nderuarit Meulvi Muhammed Ahsan dhe ai tha:
“Ngaqë me 2 veta bëhet namazi me xhemat, mund të bëhet edhe xhumaja.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Disa fikhologë thonë që duhet të jenë të paktën 3 persona. Por nëse dikush është i vetëm, le të marrë gruan ose dikë tjetër nga familja për ta plotësuar numrin.”
Duke treguar medh’hebin e fikhologëve për çështjen në fjalë, Autori i librit “Nejlul-Eutār” shkruan:
Ai që tha se me dy veta bëhet [namazi i së xhumasë], argumentoi se ky është numri i personave për të pasur namaz me xhemat sipas hadithit dhe sipas ujdisë. Mendoj se nuk gjendet ndonjë numër tjetër dhe të gjithë janë dakort se në të gjitha namazet numri i domosdoshëm për të bërë xhematin janë dy veta. Kurse për namazin e së xhumasë nuk gjejmë ndonjë porosi specifike nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. duke thënë se xhumaja nuk mund të bëhet pa pasur kaq veta. Sipas meje ky qëndrim është i saktë.[1]
(Marrë nga Fikha Ahmedia, vëll. 1, f. 168)
Namazi i së xhumasë gjatë pandemisë së Coronavirus
Në mesazhin e dhënë Live më 27 mars 2020, duke folur për faljen e së xhumasë gjatë pandemisë nga Coronavirusi, Hazret Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:
“Në këtë situatë, anëtarët e Xhematit duhet të organizojnë namazin me xhemat në shtëpi me anëtarët e familjes. Gjithashtu, anëtarët e shtëpisë të falin edhe namazin e së xhumasë në shtëpi. Ata mund të marrin ndonjë pjesë nga “Malfuzat” ose nga librat e tjerë të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., ose nga librat e tjerë të Xhematit, ose nga gazeta “Al-Fazal” ose nga gazeta Al-Hakam, ose nga ndonjë gazetë tjetër për të lexuar si hutbe. Këtë mund të bëjë ndonjë mashkull i rritur nga anëtarët e shtëpisë. Ai mund të drejtojë edhe namazin e së xhumasë, edhe namazet e tjera. Sidoqoftë, xhumatë nuk mund t’i lëmë pa i falur për një kohë të gjatë.”
Më tej, Huzuri tha:
“Në këtë situatë praktikoni namazin me xhemat në shtëpi. Kjo do të bëjë që fëmijët do të kuptojnë rëndësinë e namazit, të namazit me xhemat edhe gjatë këtyre ditëve kur ne nuk mund të shkojmë dot në xhami. … Disa herë edhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s pati raste të tilla gjatë udhëtimeve, kur ai nuk e fali dot xhumanë.
Ka shumë rrëfime në fenë Islame që tregojnë se gjatë epidemisë njerëzit nuk duhet të mblidhen dhe të jenë të izoluar. Ne nuk e lëshojmë xhumanë përgjithmonë, madje po e zëvendësojmë me faljen e së xhumasë në shtëpi. Edhe unë do të bëj diçka për të falur xhumanë personalisht.”
[1] Muhammed esh-Sheukani, “Nejlul-Eutār”, ebvāb: “El-xhumuati”, bāb: “In’ikādil-xhumu’ati bi-erba’īne we ukāmetuhā fil-kurā”, shtëpia botuese: “Bejtul-efkar ed-deulijje”, Liban 2004, fq. 613, hadithi nr. 1188.