Si falet namazi i Bajramit? Mësoni mënyrën e plotë të faljes së Bajramit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Si falet namazi i Bajramit? Mësoni mënyrën e plotë të faljes së Bajramit

bajrami namazi

Fitër Bajrami festohet me 1 Sheval, pra, pas mbarimit të muajit të Ramazanit, për të shprehur gëzimin që Zoti mundësoi të agjëronim dhe se tani Ai na porosit të hanim e të pinim. Kurse Kurban Bajrami festohet me 10 Dhulhixhe për të shprehur gëzimin që Zoti na mundësoi bekimet e Haxhit dhe për të kujtuar sakrificën e Hazret Ibrahimit a.s..

Bashkimi i muslimanëve për të falur namazin e Bajramit përbën një trashëgimi të muslimanëve dhe madhështinë e fesë islame në mbarë botën. Prandaj, në këtë falje marrin pjesë që të gjithë, burrat, gratë dhe fëmijët.[1]

Ditën e Bajramit duhet të lahemi[2], të vishemi bukur dhe të përdorim edhe parfum nëse mundet. Po ashtu, të gatuajmë ushqime të veçanta në shtëpi.

A mund të hani diçka para se të shkoni për namazin e Bajramit?

Në Fitër Bajram, para se të shkoni për namazin e Bajramit, duhet t’u jepni sadakanë e fitrit të varfërve dhe njerëzve në nevojë. Gjithashtu, edhe vetë të hani diçka në shtëpi e pastaj të shkoni për të falur namazin e Bajramit.

Por në Kurban Bajram, më e mira është që të shkoni pa ngrënë dhe të hani pasi të ktheheni nga namazi i Bajramit.[3]

Rrugë të ndryshme për vajtje-ardhje

Gjithashtu, për të shkuar dhe për t’u kthyer nga namazi i Bajramit, është mirë dhe më shpërblyese të zgjidhni dy rrugë të ndryshme, pasi e tillë ishte edhe praktika e Profetit Muhammed s.a.v.s..[4]

Si falet namazi i Bajramit?

Namazi i Bajramit falet vetëm me xhemat dhe jo individualisht. Namazi i Bajramit ka:

  1. dy rekate namaz,
  2. hutbe
  3. dhe në fund një lutje.

Namazi i Bajramit ndryshon nga namazet e tjera. Ja, metoda:

Në rekatin e parë, pasi thuhet Tekbiri dhe Thena-ja, dhe përpara se të thuhet Te‘avvudh-i, imami thotë 7 herë “Allahu Ekber” me zë të lartë, gjithashtu edhe xhemati pas imamit, por me zë të ulët. Edhe imami edhe xhemati çdoherë kur thonë “Allahu Ekber”, të ngrejnë duart deri në veshë dhe më pas t’i lënë të lira, për t’i lidhur vetëm kur të thonë herën e fundit.[5]

Pas tekbireve, imami vijon namazin duke thënë Te‘avvudh-in e Bismil-lahin, dhe më pas të recitojë me zë suren El-Fatiha dhe ndonjë pjesë të Kuranit dhe të përfundojë rekatin e parë. Menjëherë pasi të çohet për rekatin e dytë duke thënë “Allahu Ekber”, të thotë 5 herë të tjera përsëri “Allahu Ekber” në të njëjtën mënyrë siç u tha në rekatin e parë (pra, imami edhe xhemati çdoherë kur thonë “Allahu Ekber”, të ngrejnë duart deri në veshë dhe më pas t’i lënë të lira). Pas rekatit të dytë, të thotë Teshehud-in, Salavatet dhe Dua-të dhe më pas të japë selam për të përfunduar namazin.

Pas namazit, imami të ligjërojë hutben. Njësoj si hutbja e së xhumasë, edhe hutbja e Bajramit ka 2 pjesë.

Nëse besimtarët nuk arritën ta falnin namazin ditën e parë të Bajramit përpara se dielli të ketë kaluar zenitin, atëherë namazi i Fitër Bajramit mund të falet edhe ditën e dytë, kurse namazi i Kurban Bajramit deri në ditën e tretë, gjithmonë përpara se dielli ta kalojë zenitin.[6]

Tekbiret e Bajramit

Namazi i të dyja Bajrameve është njësoj. Pas namazit të Bajramit imami dhe bashkë me të edhe xhemati të thonë të paktën 3 herë tekbiret me zë. Tekbiret janë si vijon:

اللهُ أَكْبَرْ اللهُ أَكْبَرْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللهُ وَ اللهُ أَكْبَرْ اللهُ أَكْبَرْ و لِلَّهِ الْحَمْدُ۔

All-llahu Ekber, All-llahu Ekber. La ilaha il-lallah, vall-llahu Ekber, All-llahu Ekber ve lil-lahil-hamd.

Allahu është më i Madhi, Allahu është më i Madhi. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe Allahu është më i Madhi. Allahu është më i Madhi dhe lavdia është e Allahut.[7]

Vetëm se gjatë Kurban Bajramit tekbiret thuhen nga sabahu i datës 9 Dhul-hixhe deri në ikindinë e datës 13 Dhul-hixhe.[8]

Profeti Muhammed s.a.v.s. tekbiret i thoshte edhe duke shkuar për namaz, edhe duke u kthyer dhe kështu e lavdëronte dhe e madhëronte Allahun.[9]

(Përmbledhur nga “Fikhe Ahmedia“)


[1] Xhāmi‘u et-Tirmidhī, kitāb “Ebvābul-‘īdejni ‘an Resūlil-lāh”, bāb “Mā xhāe fī khurūxhun-nisāi fil-‘īdejni”, hadithi nr. 539.
[2] Sunen Ibni Māxheh, kitāb “Ikāmetus-salāt ves-sunnetu fīhā”, bāb “Mā xhāel-igtisāl fil-‘īdejni”, hadithi nr. 1315.
[3] Xhāmi‘u et-Tirmidhī, Ebvabul-idejn, bāb “Fil-ekli jeumel-fitri kablel-khuruxh.
[4] Xhāmi‘u et-Tirmidhī, Ebvabul-idejn, bab fi khuruxhin-Nebij s.a.v.s. ilel-i’di fi terik …
[5] Fjalët e hadithit janë: (أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ ـ صلى الله عليه وسلم ـ كَانَ يُكَبِّرُ فِي الْعِيدَيْنِ فِي الْأُولَى سَبْعًا قَبْلَ الْقِرَاءَةِ وَفِي الْآخِرَةِ خَمْسًا قَبْلَ الْقِرَاءَةِ). “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në rekatin e parë të namazit të Bajrameve thoshte 7 herë All-llahu Ekber përpara recitimit dhe në rekatin e dytë 5 herë All-llahu Ekber përpara recitimit.” (Sunen Ibni Māxheh, kitāb “”, bāb “Kem jekberul-imāmu fī salātil-‘īdejni”, hadithi nr. 1277.
[6] Ebu Daud, Kitabus-Salat, Bab idha lem jekhruxhil-imamu lil-i’id min-jeumihi …
[7] Musanif Ibni Ebi Shiba, Kitabus-salat.
[8] Mustadrik Hakim, vëll. 1, Bejrut, f. 299.
[9] Fjalët e hadithi: عن ابن عمر انہ کان اذ غدا لیوم الفطر و یوم الاضحی یجھر بالتکبیر حتی یٲتی المصلی (Dari-Kutni; Bejhaki)

Related Questions by Topics
Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp