Ndjenjat e dhembshurisë dhe mirëdashja njerëzore
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Fjalimi i Fitër Bajramit mbajtur nga Hazret Mirza Tahir Ahmedi ra (Allahu e mëshiroftë) më 8 janar 2000 në Islamabad, Tilford, Angli

Pas recitimit të shehadetit dhe suresë el-Fatiha Huzuri recitoi ajetet e mëposhtme:

وَیُطْعِمُونَ الطَّعَامَ عَلَى حُبِّہِ مِسْكِینًا وَیَتِیمًا وَأَسِیرًا

إِنَّمَا نُطْعِمُكُمْ لِوَجْہِ اللہِ لاَ نُرِیدُ مِنْكُمْ جَزَاءً وَلاَ شُكُورًا

Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse kanë nevojë për ushqim, (duke thënë): “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut, dhe për këtë nuk ju kërkojmë absolutisht as shpërblim e as falënderim!

[Ed-Dahr 76:9-10]

Po përmend disa hadithe në këtë kontekst që ilustrojnë mëshirën ndaj të varfërve dhe plotësimin e nevojave të tyre. Fjalët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s janë plot bekime që u japin zemrave një shtysë të fuqishme.

Transmetohet në Muslim, kitabul birr nga Ibni Shehabi i cili thotë se Salimi i tha se Abudllah bin Umeri ra i tregoi se i Dërguari i Allahut sas tha se çdokush që plotëson nevojat e vëllait të tij, Allahu i plotëson nevojat e tij.                [Muslimi, Kitabul birr uas-sila ual adab]

Pra nuska (mënyra) për të plotësuar nevojat tona është që të angazhohemi në përmbushjen e nevojave të robërve të Zotit. Gjatë gjithë kohës kur jeni angazhuar në shërbimet njerëzore, Allahu do të kujdeset për nevojat tuaja.

Hadithi i dytë është marrë nga Muslimi, libri i dhikrit. Hazret Ebu Hurejra ra transmeton se i Dërguari i Allahut sas ka thënë se ai që largon hallin apo shqetësimin e muslimanit tjetër, Allahu në ditën e kiametit do t’ia largojë shqetësimet dhe dhembjet atij. [Muslim kitabudh-dhikr]

Në këtë hadith edhe pse veçohet fjala musliman, mësimi i Islamit është i tillë që kudo që ndodhet padrejtësia, duhen ushtruar përpjekje për ta ndaluar atë. Në këtë aspekt, ata që largojnë vuajtjen e robërve të Zotit, njerëzve të tillë Zoti vetë ua largon vuajtjen. Pra në hadithin pasardhës nuk përdoret fjala musliman por në kontekst të përgjithshëm.

Hazret Ebu Hurejrah ra  rrëfen se i Dërguari i Allahut sas ka thënë se Allahu vazhdon të ndihmojë robin e Tij derisa robi vazhdon të kujdeset për vëllanë e tij.

[Mesned Ahmed bin Henbel, nr i hadithit 7601]

Në një tjetër hadith Hazret Ebu Hurejra ra transmeton se i Dërguari i Allahut sas tha se në ditën e kiametit Allahu do të thotë, “O biri i Ademit! Unë kam qenë i sëmurë, përse nuk më vizitove? Ai do të përgjigjet ‘Si është i mundur që të sëmuresh Ti, kur Ti je Zot i gjithësisë?’ Allahu do t’i përgjigjet ‘A nuk e ke ditur se filan robi im ka qenë i sëmurë dhe ti nuk e vizitove? Po ta kishe vizituar atë, do të Më kishe gjetur pranë tij.’ ‘O biri i Ademit! Unë kisha kërkuar ushqim prej teje, por ti Më refuzove’. Ai do të përgjigjet, ‘O Zoti im, si të kisha ushqyer unë Ty, kur Ti je Zoti i gjithësisë? Allahu do t’i përgjigjet ‘A nuk të erdhi filan rob Imi, por ti e refuzove ta ushqeje? Po ta kishte ushqyer, do të konsideroja sikur të më kishe ushqyer Mua.’ ‘O biri i Ademit, kam kërkuar ujë prej teje që të shuaja etjen, por ti më refuzove.’ Ai do të thotë ‘Si ta shuaja etjen Tënde, kur Ti je Zot i universit?’ Allahu do të thotë ‘Kur një rob Imi kërkoi ujë prej teje, ti e refuzove atë. Po t’i kishe dhënë ujë atij, do ta konsideroja se më ke dhënë Mua.’ [Muslimi, kitabul birr uas-sila]

Këto fjalë janë plotë urtësi dhe nuk është e mundur që robi ta ushqejë Zotin apo t’ia shuaj etjen Atij por kur ai u plotëson nevojat njerëzve të tjerë dhe angazhohet në  mirësjellje ndaj tyre atëherë ngjan sikur ai i ka shërbyer Zotit.

Në një hadith tjetër Hazret Xhabiri ra rrëfen se i Dërguari i Allahut sas ka thënë se janë tri gjëra që nëse gjenden tek dikush, Allahu e mbështjell atë me mëshirën e Tij dhe ato ia sigurojnë xhenetin. Së pari mëshira ndaj të dobëtëve, së dyti dashuria dhe dhembshuria ndaj prindërve dhe së treti mirësjellja ndaj shërbëtorëve dhe punëtorëve.

[Tirmidhiu, libri sifetul kijamah]

Hazret Ebud-Derdaja ra transmeton në Tirmidhi, në librin e xhihadit se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut sas duke thënë “Kërkomëni mua në mes të dobëtëve. Vërtet ju furnizoheni dhe ndihmoheni përmes të dobëtëve.

[Tirmidhiu, Libri i xhihadit]

Ky është një­ parim, që në përgjithësi njerëzit nuk e mbajnë parasysh. Janë të varfrit që shërbejnë si mjet për të siguruar pasurinë e të pasurve. Mund ta shqyrtoni këtë nga çdo këndvështrim se derisa nuk ekziston kontributi i të varfërve, pasanikët nuk kanë asnjë mundësi për t’u pasuruar. Pra ju pasanikë, furnizoheni nga djersa e të varfërve por këtë nuk e kuptoni. Kur të varfrit kanë nevojë për ndihmë, ju u shmangeni. Kjo është një mizori e rëndë. Prandaj duhet t’u shërbeni njerëzve të varfër sepse ju furnizoheni përmes tyre.

Në një hadith që transmetohet nga Hazret Abdullah bin Mas’udi ra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë “E gjithë krijesa e Zotit është fisi i Tij.” Allahu nuk ka fëmijë por e gjithë krijesa e Zotit është fisi i Tij. Kjo është një thënie shumë e bukur që tregon se ashtu siç ju doni fëmijët tuaj po ashtu edhe Zoti ju do juve. “Prandaj para Allahut më i dashur ndër krijesat e Tij është ai i cili sillet mirë me krijesën e Zotit.”

[Mesned esh-Shashi, vëll. 1, f. 419, hadith 435]

Hazret Ebu Hurejra ra transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se shtëpia më e mirë ndër shtëpitë e muslimanëve është ajo ku gjendet një jetim dhe ata sillen me mirësi ndaj tij. Ndërsa shtëpia më e keqe e muslimanëve është ajo ku gjendet një jetim dhe ndaj tij ata sillen me mizori.

[Sunen Ibni Maxha, kitabul Edeb]

Në një tjetër hadith që transmetohet nga Hazret Ebu Hurejra ra thuhet se një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut sas dhe iu ankua se ishte shumë zemërftohtë dhe s’kishte ndjenja. Profeti sas i tha ‘nëse dëshiron që të zbutet zemra jote atëherë ushqeji të varfrit dhe mbështete ndonjë jetim.

[Mesned Ahmed bin Hanbel,hadith 7260]

Hazret Ebu Hurejra ra transmeton se Hazret Xhafer bin Ebu Talibi ra i donte shumë të varfrit dhe shpesh herë i shoqëronte dhe bisedonte me ta. Ata i tregonin hallet e tyre. Kur i Dërguari i Allahut sas e thërriste Hazret Xhaferin, ai e quante “babai i të varfërve”. [Sunen Ibni Maxha kitabuz-zuhd]

Hazret Enes ra rrëfen se i Dërguari i Allahut sas  lutej me këto fjalë: ‘O Allah! Më mundëso që të jetoj në varfëri dhe kur të vdes, të vdes në varfëri dhe ditën e kiametit ringjallmë prej të varfërve.’ Kur Aishja ra dëgjoi këto fjalë, ajo e pyeti O i Dërguar i Allahut! Pse ashtu? Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj se të varfrit do të hyjnë në xhenet dyzet vjet para atyre që ishin të pasur. O Aishe! Mos e qorto të varfrin, dhe jepja atij diçka qoftë një copë nga hurma arabi. O Aishe! Duaji shumë të dobëtit, mbaji ata sa më afër e kështu Zoti do të të dhurojë afërsinë e Tij në Ditën e Kiametit.

­Këtu përmendet se të varfrit do të hyjnë në xhenet dyzet vjet përpara ndërsa në hadithe të tjera thuhet se do të hyjnë në xhenet qindra vjet përpara. Këto janë vetëm shprehje. Të jenë dyzet apo qindra vjet, sidoqoftë këtu nënkuptohet se të varfërve do t’u falen gabimet para të tjerëve dhe Allahu do të sillet me ta me mirësi. Tani kjo është e natyrshme që  nëse zemra e të Dërguarit të Allahut sas është me të varfrit atëherë përmes bekimeve të tij, ata do të falen përpara.

Këto ishin disa fragmente nga hadithet që ju parashtrova sepse sidomos gjatë festave të bajramit ndihet nevoja për t’i rikujtuar këto. Edhe unë vazhdimisht ju sjell ndërmend që t’u mundësoni bajramin fqinjëve tuaj të varfër dhe atyre që janë nevojtarë dhe pambështetje, sepse vetëm kështu ju mund të festoni realisht bajramin. Kur ju do t’ua mundësoni bajramin atëherë edhe Allahu do t’ju mundësojë bajramin. Kjo ka shumë arsye të fshehta dhe shkaqe të panjohura. Me bekimin e Zotit ky tipar po fuqizohet gjithnjë e më shumë ndër anëtarët e xhematit Ahmedia dhe ata gjatë bajramit u japin ndihmë vëllezërve të tyre nevojtarë në mënyrë të jashtëzakonshme.

Hazret Mesihu i Premtuar alejhiselam shkruan

“Nëse doni të zbuloni Allahun e Lartësuar, atëherë kërkojeni afër zemrave të të varfërve. Profetët për këtë arsye kishin mbështjellë veten me petkun e varfërisë. Kështu duhet që ata që i përkasin popullit të madh të mos përbuzin popujt të vegjël e askush të mos mburret se fisi i tij është më i mirë. Allahu i Lartësuar tregon që kur ju do të më paraqiteni atëherë unë nuk do t’ju pyes për kombësinë tuaj, por pyetja do të jetë se çfarë veprash keni bërë? Po kështu i Dërguari i Allahut sas i tregoi vajzës së tij që o Fatime! Zoti nuk do t’ju kërkoj racën tuaj, nëse ti do të bësh vepër të keqe, atëherë Zoti nuk do të të falë ty se je vajza e profetit. Kështu që ju duhet të shqyrtoni mirë punët tuaja.”

[Melfuzat, vëll. III, f. 370]

Pastaj Mesihu i Premtuar as thotë:

“Pa dyshim, mirësjellja ndaj krijesës së Zotit është një veti e shkëlqyer dhe Zotit i pëlqen shumë. Çfarë mirësie tjetër mund të pritet kur Ai vetë i shpreh dhembshurinë e Tij. Kjo ndodh edhe në marrëdhëniet shoqërore. Nëse shërbëtori i dikujt shkon tek miku i zotërisë së tij ndërsa ky mik nuk e pret mirë, atëherë a mund të kënaqet ky zotëria nga miku i tij? Kurrsesi edhe pse ai nuk i kishte shkaktuar atij drejtpërdrejt ndonjë dhembje, por jo. Mikpritja e atij shërbëtori dhe mirësjellja ndaj tij është sikurse mirësjellja ndaj shefit. Prandaj edhe Zoti neveritet nga kjo sjellje.”

Fjala e neverisë është përdorur këtu në raport me njeriun pra kur njeriu neveritet ka një tjetër kuptim ndërsa kur përdoret në kontekstin e Allahut ka një tjetër domethënie por shpesh herë këta terma njerëzor përdoren për arsye shpjegimi.

Pra ai thotë:

“Po kështu edhe Zoti neveritet nëse dikush sillet me mospërfillje me krijesën e Tij. Meqenëse Ai e do shumë krijesën e Tij, prandaj çdokush që sillet mirë me krijesën e Zotit, sikur e kënaq Zotin.”

[Melfuzat vëll. 4, f. 215-216]

Pastaj Mesihu i Premtuar as tregon:

“Kështu që zemërbutësia ndaj njerëzve dhe mirësjellja ndaj tyre është adhurim i shkëlqyer dhe një mjet i fuqishëm për të fituar kënaqësinë e Allahut. Por unë shoh që në këtë aspekt veprohet me shumë pakujdesi. Të tjerët nënçmohen dhe përbuzen. Të dëgjosh hallin a t’i ndihmosh ata në vështirësi a vuajtje është diçka shumë e largët, kam frikë edhe për ata që nuk sillen mirë me të varfrit madje i nënçmojnë, mos përballen vetë me gjendjen e tyre. Nëse Allahu u ka dhënë dhunti dikujt, atëherë falënderimi kërkon që edhe ata që të sillen mirë me krijesën e Tij dhe të mos mburren për këtë dhunti hyjnore dhe të shtypin të varfrit egërsisht.”

[Melfuzat vëll. IV, f. 438, 439]

Pastaj thotë:

“Pos kësaj shoh se shumëkush nuk kanë asnjë dhembshuri ndaj vëllezërve të tyre. Nëse dikush vdes nga uria, tjetri nuk e përfill aspak dhe nuk angazhohet ta lehtësojë mjerimin e tij. Ose nëse ai gjendet në vështirësitë e tjera, ai nuk shqetësohet as për të harxhuar diçka nga pasuria e tij. Në hadith gjendet porosia për mirësjellje ndaj fqinjit madje thuhet që nëse ju zieni mish atëherë shtojini pak ujë që t’i jepni edhe atij. Por çfarë ndodh sot, mbushin vetëm barkun e tyre, dhe nuk kujdesen aspak për tjetrin. Mos mendoni se nga fqinji nënkuptohet vetëm ai që banon afër shtëpisë suaj por edhe vëllezërit tuaj janë fqinjët tuaj edhe pse banojnë njëqind kilometra larg jush.”

[Melfuzat vëll. IV, f. 215]

 

Tani njëqind kilometra është vetëm një shprehje, distanca mund të zgjatet edhe në mijëra kilometra. Janë shumë ata që po përballen me vështirësitë në Pakistan, ndërsa vëllezërit e tyre jetojnë në Amerikë, Kanada, Gjermani apo Angli. Nëse ata nuk veprojnë me dhembshuri ndaj tyre që jetojnë mijëra kilometra larg dhe nuk përfillin të uriturit, a mos vallë ata kanë braktisur një parim kryesor të Islamit. Prandaj ndiqni vëllezërit tuaj me dhembshuri edhe pse ata jetojnë mijëra kilometra larg dhe shërbejuni atyre në çfarëdo lloj mënyre që Zoti ju ka mundësuar.

Pastaj tregon:

“Pra, morali është shkallë për çdo lloj përparimi. Sipas mendimit tim, është po ky aspekt i të drejtave të krijesës që përforcon aspektin e të drejtave të Zotit. Zoti kurrsesi nuk e humb besimin e atij që sillet me ndershmëri me njerëz të tjerë. Kur robi bën diçka për hir të Zotit dhe sillet me dashamirësi ndaj vëllait të tij të dobët, atëherë përmes kësaj përulësie përforcohet besimi i tij. Megjithatë duhet pasur parasysh se ato virtyte që kryhen vetëm sa për sy e faqe, nuk janë për Zotin dhe nuk kanë asnjë dobi sepse u mungon dëlirësia. Shumëkush ndërton bujtina etj në këtë mënyrë. Qëllimi i tyre kryesor është famë ndërsa nëse njeriu kryen ndonjë vepër për hir të Zotit sado e vogël që të jetë ajo, Allahu nuk e lë në harresë por e shpërblen.”

[Melfuzat vëll.IV, f. 216]

Përpara është trajtuar edhe ky hadith ku Zoti nënvizon se kur ju t’i shërbeni të voglit, mos ia pranoni as falënderimin dhe thuaju: ne po bëjmë këtë vetëm për kënaqësinë e Allahut.

لاَ نُرِیدُ مِنْكُمْ جَزَاءً وَلاَ شُكُورًا

Nuk kërkojmë prej jush shpërblim e as falënderim. Pra shërbimi i vërtetë është ai që synon pëlqimin e Zotit ndërsa mirënjohja e njerëzve nuk ka kurrsesi lidhje me atë vepër, aq më tepër kur ata e falënderojnë, mirëbërësit i vjen turp dhe u thotë, jo jo, këtë e kam bërë për hir të Zotit dhe jo për ju.

Pastaj thotë:

“Dijeni se çfarë është pasuria? Ajo është sikur të pish helmin. Vetëm ai mund t’i shmanget pasojës së saj që përdor melhemin e mirësjelljes ndaj krijesës së Zotit dhe nuk mburret.”

Pra pasuria është helm por jo për ata që me krijesën e Zotit sillen me dhembshuri. Mirësjellja e tyre ndaj krijesës së Zotit u shërben si ilaç.

“Por nëse ajo i ngjall krenari a kryeneçësi, atëherë ai do të përfundojë me shkatërrim. Nëse dikush ka etje të madhe, dhe aty afër ndodhet një pus, por ky është i dobët dhe i varfër ndërsa shumë pranë tij qëndron një i pasur, që mendon se në qoftë se ai ia shuan etjen atëherë do të ulet dinjiteti i tij dhe ai e humb këtë shans bamirësie. Pra si rezultoi kjo kryelartësi? Vetëm në këtë që ngeli pa bamirësi dhe ndolli zemërimin e Zotit. Pastaj çfarë dobie fitoi ai? A mos vallë ky është helm apo diç tjetër? Ai është i krisur nga mendtë sepse s’kupton se ka pirë helm. Por nuk do të kalojë shumë kohë kur ai do ta zbulojë se helmi ka sjellë dëmin dhe përfundimisht i shkakton vdekjen. 

Kjo është më së e vërtetë se shumë nga këto privilegje i kanë vetëm të varfrit. Ata nuk duhet të lakmohen për pasurinë dhe luksin e pasanikëve sepse këta zotërojnë atë pasuri që nuk e kanë ata. Një njeri i varfër ruhet lehtësisht nga mizoria e padrejtë, kryelartësia, vetëlavdërimi, vrerosja, shkelja e të drejtave e shumë vese të tjera sepse madhështia e rreme dhe vetëlavdërimi që e shtyjnë për këto gjëra nuk gjenden në të.”

[Melfuzat vëll. IV, f. 439]

Këtu nuk e kam parasysh shumicën dërrmuese e shtresës së varfër sepse ata shprehin edhe smirë ndaj pasanikëve, sillen me mizori ndaj tyre, dhe shërbejnë si veglat e atyre që luajnë me nderin e të tjerëve. Prandaj këtu nuk nënkuptohet varfëria e shpirtit. Le të jetë i varfër (nga ana materiale) por jo nga ana shpirtërore. I tillë është ai që është shumë i dashur tek Allahu i Lartësuar, dhe i denjë për faljen e gabimeve para të tjerëve.

Më andej Hazret Mesihu i Premtuar alejhiselam shkruan:

Luksi e pasuria janë njëlloj perdeje. Kur një rob shumë i varfër dhe i thjeshtë i thotë as-selamu alejkum një të pasurit, atëherë atij i vjen turp t’i drejtohet a t’i përgjigjet.”

[Melfuzat vëll. IV, f. 88]

I Dërguari i Allahut sas i thoshte ua alejkum selam gjithsecilit që e përshëndeste madje edhe me jomuslimanët ai ashtu vepronte. Pra në të vërtetë nëse ndonjë çifut e përshëndeste duke thënë as-selamu alejkum, atëherë edhe Profeti i përgjigjej duke thënë ua alejkum selam. Po kështu njëherë i Dërguari i Allahut sas shkonte mbi një deve bashkë me Aishen ra . Rrugës një çifut duke shtrembëruar gjuhën, në vend që t’i thoshte as-selamu alejkum i tha as-samu alejkum d.m.th. vdekje qoftë për ty. I Dërguari i Allahut sas iu përgjigj “alejkum”. Tani Aisheja nuk kishte dëgjuar se Profeti e s’kishte shqiptuar “ua-në” pra nuk i tha edhe për ty por i tha për ty. Aisheja i tha o i Dërguar i Allahut! A nuk keni dëgjuar atë që tha ai? Ai kishte thënë “as-samu alejkum”. Ai iu përgjigj a nuk e dëgjove atë që i thashë unë. Unë nuk i thashë “ua alejkum” por i thashë “alejkum”. [Buhariu, libri i Xhihadit] Pra kjo ishte sjellje e të Dërguarit të Allahut sas se i përgjigjej selamit të çdo secilit me selamin.

Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar alejhiselam thotë:

“Nëse Zoti i Lartësuar bën favor ndaj dikujt dhe ky të mos mburret për pasurinë e tij dhe ta shpenzojë atë për hir të robërve të Zotit dhe për mirëqenien e tyre dhe ta konsiderojë këtë si detyrë atëherë do t’i trashëgojë të mirat e pafundme.”                    [Melfuzat vëll. IV, f. 439]

Në librin Kashti Nuh (Varka e Nuhut) gjenden dy fjali të shkurtra:

“Shërbejuni të varfërve kur jeni të pasur dhe jo që nga vetëlavdërimi të silleni me kryeneçësi.”

[Kashti-e-Nuh Rruhani Khezain, vëll. 19, f. 12]

Pastaj thotë:

“Mëshirojini vëllezërit tuaj të varfër që të mëshiroheni në qiell.”

[Kashti-e-Nuh Rruhani Khezain, vëll. 19, f. 12]

Pastaj në Melfuzat gjendet kjo thënie. Ai thotë:

­Kjo ishte një shpallje nga Allahu i Lartësuar sepse njerëzit vinin tek ai në shumicë dhe Hazret Mesihu i Premtuar alejhiselam nuk mërzitej prej tyre. Ai ka bërë aq shumë punë, që shpirti lutet për atë nga thellësia e zemrës. Ai ishte vetëm dhe mori gjithë këtë barrë vetë. Kjo as nuk mund të imagjinohet. Aq shumë libra, vepra dhe të gjitha këto i bëri vetë. Pastaj mirësjellja ndaj të varfërve, për mysafirët që i vinin nga larg, që ishin edhe të varfër, ai vetë u përgatiste shtratin apo i bënte porosi dikujt tjetër. Pra Mesihu i Premtuar alejhiselam i përmbushi të gjitha kërkesat e përkushtimit. Atij asnjëherë nuk i skuqeshin faqet prej njerëzve të thjeshtë e as nuk mërzitej prej tyre. Ju sigurisht do të kishit dëgjuar këtë rrëfim disa herë që Mian Nizamdini ishte robi i thjeshtë e i varfër. Njëherë në kohën e darkës, kur shtrohej buka në xhami, të gjithë të pasurit u qerasën me bukë ndërsa radha e Mian Nizamdinit ishte në fund. Mesihu i Premtuar alejhiselam mori pjatën e tij dhe shkoi te Mian Nizamdini dhe i tha: Hajde Nizamdin! Ne të dy do të hamë bashkë. Pra kjo është dhembshuri e simpati që shfaqet nga thellësia e shpirtit dhe kjo është ajo që josh dashurinë e Allahut. Lidhur me këtë ai thotë:

“Nëpër kuvende apo takime të gjithë i përshëndesin të pasurit dhe çdokush sillet mirë me ata. Prandaj Zoti porosit për të varfërit sepse ata të shkretë kalojnë jetë të panjohur.”

[Melfuzat vëll. IV, f. 70,71]

Pastaj këshillon:

“Unë kam vetëm këtë porosi që mbajini mend dy gjëra. Së pari frikësojuni Zotit. Së dyti silluni mirë me vëllezërit tuaj ashtu siç silleni me vetveten. Nëse dikush gabon a lajthit, ju duhet ta falni atë dhe jo që të zvarritni atë çështje me kokëfortësi e të silleni me qëndrim armiqësor.

Egoja ushtron trysninë ndaj njeriut që të mos ketë asnjë kundërshtim dhe po ashtu do që të vendoset mbi fronin e Zotit, prandaj ju duhet të ruheni prej saj. Unë ju them me bindje të plotë se sjellja me ndershmëri ndaj njerëzve është gjithashtu një lloj vdekjeje. Mua nuk më pëlqen që nëse dikush shpreh mospërfillje ndaj tjetrit, atëherë ky i fundit ta ndjekë atë vazhdimisht dhe të mos e lërë të qetë. Madje unë pëlqej që edhe nëse dikush ta shajë atë në sy, ai jo vetëm të përmbahet por të mos kthejë asnjë përgjigje.”

[Melfuzat vëll. V, f. 69]

Në jetën e Mesihut të Premtuar alejhiselam kanë ngjarë mjaft raste kur kundërshtari i tha fjalë mjaft të rënda e ofenduese në sy ndërsa ai nuk tregoi asnjë shenjë pakënaqësie. Sharjet e tilla i dëgjonte me mjaft gjakftohtësi e durim dhe kjo shkaktoi që shumë prej atyre që i kishin ardhur plot inat e armiqësi u shndërruan rrënjësisht për shkak të moraleve të tij të larta dhe nga armiqtë u bënë të dashurit e tij. Kjo ishte ajo sjellje e të Dërguarit të Allahut sas përmes së cilës, sipas Kuranit, ai i shndërronte zemrat e armiqve. Ata që ishin armiq të tij të përbetuar u bënë miqtë e tij besnik, të cilët dhanë edhe jetën në dashurinë ndaj tij. Unë shpresoj se edhe xhemati Ahmedia do të përfitojë nga këto virtyte të shkëlqyera.

 

Share via