Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Bajrami festa e bajramit

Natyra e njeriut kërkon të ketë festa në jetën e tij, në mënyrë që ai të lehtësojë dhimbjet, të harrojë brengat, të gëzohet dhe të mbushet me forcë për të vijuar rrugëtimin e mëtejshëm të jetës. Pra, të festuarit është njëri prej instinkteve të njeriut. Sikundër instinktet e tjera, edhe këtë instinkt njeriu shpesh e tepron duke e përdorur në një formë të çekuilibruar. Kështu vërejmë që për shumëkënd festa mbetet një dëfrim deri në shfrenim, festë e cila i mundëson një kënaqësi të përkohshme, por i ngjit një sërë vesesh e ligësish, bashkë me humbje materiale.

Në librin  e tij të famshëm, “Filozofia e mësimeve të Islamit”, Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thekson se askush nuk mund t’i mbarësojë më së miri instinktet e njeriut, përveç Krijuesit të tij. Edhe me këtë kriter mund të gjykohet feja që vjen prej Zotit dhe që aktualisht është në fuqi prej Tij.

Në fenë Islame, Zoti i Madhërishëm ka lënë dy festa: Fiter Bajrami dhe Kurban Bajrami, dhe në to ka lënë urtësi të thella. Me anë të këtyre festave, Ai u dha mesazh njerëzve se si ata duhet ta konceptojnë festën dhe lumturinë e tyre.

Bajrami i parë vjen pas një muaj agjërimesh, në të cilat, besimtari heq dorë nga dëshirat e tij për hir të dëshirës së Zotit dhe ndien etje dhe uri për hir të dashurisë ndaj Tij. Gjithashtu, duke u mbushur me këtë forcë dashurie, besimtari përkrah nevojtarët, pra, të eturit dhe të uriturit e tjerë nga krijesat e të Dashurit. Pas këtij përjetimi, i vjen një ditë gëzimi, të cilin Zoti e ka quajtur “eid”.

Bajramin tjetër e lidhi me përkujtimin e sakrificës së Hazret Ibrahimit a.s. dhe të Hazret Ismailit a.s., duke i dhënë kështu përsëri mesazhin e sakrificës në rrugën e Tij. Edhe kjo sakrificë nga njëra anë e frymëzon njeriun asgjësimin e egos së vet për hir të të Dashurit, dhe nga ana tjetër, e motivon t’u shërbejë krijesave të Tij.

Muslimanët adhurojnë pesë herë në ditë, por në ditën e bajramit, pra në festën e tyre, ata falin gjashtë herë. Edhe kjo tregon që festa për ta është më shumë adhurim ndaj Zotit, më shumë afrim me Të dhe më shumë kontakt me Të. Sa më shumë që robi i afrohet me Zotin, aq më shumë i shtohet edhe gëzimi në këto festa. Zoti na mundësoftë ta sjellim këtë shpirt në festat tona! Më lejoni ta mbyll këtë mesazh me një lutje të veçantë të Hazret Profetit Muhammed, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!

Hazret Abdullah Ibni Mesudi r.a. tregon se gjatë bajrameve i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bënte lutjen e mëposhtme:

bajramiO Allah! Të kërkojmë jetë me takva (druajtje ndaj Teje), vdekje të pastër, vendkthim jo poshtërues dhe jo turpërues. O Allah! Mos na shkatërro me ndonjë aksident! Mos na kap papritmas! Mos na merr nxitimthi, përpara se ta përmbushim detyrën dhe testamentin tonë!

O Allah! Të kërkojmë dëlirësinë, vetëmjaftueshmërinë, takvanë, udhëzimin, përfundimin e mirë në ahiret dhe në këtë botë! Të kërkojmë mbrojtje nga dyshimi, përçarja, dukja dhe vetëpëlqimi në besimin ndaj Teje! O Kontrollues i zemrave! Mos na shtrembëro zemrat, pasi na ke udhëzuar dhe na dhuro mëshirë prej Teje! Me të vërtetë, Ti je Dhuruesi i madh! (Maxhmauz-zavaid, vëll. 6, f. 201)