Sadakaja e fitrit - kushtet dhe mësimet rreth saj
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
sadakaja e fitrit

Emërtimi

Fitr do të thotë të çelësh ose të prishësh agjërimin. Ngaqë fitr si ndihmë jepet për ditën që vjen menjëherë pas mbarimit të muajit të agjërimeve, quhet si sadakatulfitr ose sadakaja e fitrit.

Çfarë është sadakaja e fitrit?

Për besimtarët, Zoti i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë, thotë:

sakrifica financiare sadakajaNë pasuritë e tyre kanë të drejtë edhe lypësit, edhe ata që nuk mund të lypin”. (Kurani Famëlartë 51:20)

Feja Islame përbëhet nga dy detyrimet: detyrimet ndaj Krijuesit dhe detyrimet ndaj krijesave. Nëse namazi i Bajramit është një detyrim ndaj Krijuesit, mund të themi se sadakaja e fitrit është një detyrim ndaj njerëzve, pra, krijesave të Zotit. Kështu, sadakatul-fitr është ndihma që u jepet njerëzve në nevojë përpara Fitër Bajramit, me qëllim që edhe ata të gëzojnë mundësinë ta festojnë Bajramin si çdokush tjetër.

Për kë obligohet sadakaja e fitrit?

Sadakanë e fitrit e nisi vetë Profeti Muhammed s.a.v.s., madje, ai vendosi edhe masën minimale të kësaj ndihme. Përmendet në librin e Buhariut:

sadakaja e fitritIbni Omeri r.a. rrëfen: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. obligoi muslimanët, të robëruar dhe të lirë, meshkuj dhe femra, të vegjël dhe të mëdhenj të japin zekatin e fitrit në formë hurmash ose një sa’a drithërash dhe që këtë ta japin përpara se të dalin për namazin e Bajramit”. [Sahih el-Buhari, kitab “Ez-Zekat”, bab “Fardi sadakatil-fitr”, hadithi nr. 1503]

Kështu që, sadakaja e fitrit është e obliguar për çdo frymë, burrë, grua, fëmijë, madje edhe për të porsalindurin. Për të miturit dhe personat që janë në varësi të dikujt, le ta japin sadakanë e fitrit kujdestarët e tyre.

Sa është masa e sadakasë së fitrit?

Për sadakatul-fitrin, në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s., muslimanët jepnin të paktën një sa’a (enë matëse) të ushqimeve bazë si: drithëra, djathëra, etj., masë e cila është e barabartë me 2.75 kilogramë afërisht. Nëse ndokush nuk ka mundësi ta paguajë të gjithën, mund të paguajë edhe gjysmën e saj. Gjithashtu, sasia e caktuar mund të përkthehet edhe në të holla për lehtësi.

Sadakanë e fitrit mund t’ua japim personalisht njerëzve në nevojë, por edhe mund t’ua dorëzojmë njerëzve të besueshëm që mund ta kryejnë këtë detyrë, duke ua çuar ndihmat atyre që u takojnë.

Kur duhet ta japim sadakanë e fitrit?

Është e obliguar që sadakatul-fitri të jepet përpara faljes së Bajramit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i porosiste sahabët që ta jepnin përpara se të dilnin për namazin e Bajramit.

Hazret Abdullah ibn Abasi r.a. thotë:

sadakaja e fitritI Dërguari i Allahut s.a.v.s. obligoi sadakanë e fitrit për të pastruar agjëruesin nga veprimet dhe fjalët e kota e të pahijshme dhe për t’ua mundësuar nevojtarëve ushqimin. Ai që e jep përpara namazit të Bajramit, do të pranohet prej tij (sipas këtij qëllimi), kurse ai që jep pas namazit të Bajramit, sadakaja e tij do të llogaritet si sadaka tjetër e zakonshme”. [Sunen Ebi Davud, kitab “Ez-Zekat”, bab “Zekat el-fitr”, nr. 1609]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp