Si mund t'i mbartim bekimet e Ramazanit edhe pas Ramazanit?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Si mund t’i mbartim bekimet e Ramazanit edhe pas Ramazanit?

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Ramazani erdhi dhe duke shpërndarë bekimet e tij të panumërta mbi ata që u përpoqën të përfitonin prej tij, po na ikën. Një i mençur dhe besimtari i vërtetë asnjëherë nuk harron që me mbarimin e Ramazanit, ai nuk lirohet nga përgjegjësitë dhe obligimet. Përkundrazi, Ramazani vjen pikërisht për të na edukuar dhe për të na stërvitur sesi t’i realizojmë përgjegjësit dhe obligimet në mënyrën më të bukur gjatë gjithë vitit. | Përkthim në shqip i fjalimit të së xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 29.04.2022.

Disa pjesë të zgjedhura nga Hutbja

(Për hutben e plotë, ju lutem ndiqni videon)

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Çfarë është namazi? Ai është një lutje e veçantë. Kurse njerëzit atë e kujtojnë se është ndonjë taksë prej ndonjë mbreti. Naivët nuk mendojnë se çfarë i duhen Zotit gjëra të tilla! Çfarë i duhet vetëmjaftueshmërisë së Tij që njeriu t’i lutet, ta lavdërojë e ta madhërojë Atë?! Në namaz, realisht, dobia është vetë e njeriut, sepse duke e ndjekur këtë rrugë, ai e arrin qëllimin e tij. Më vjen shumë keq kur shoh që sot njerëzit nuk duan të adhurojnë dhe nuk duan të kenë takvanë dhe besimin.

(pra, nuk ndien dashuri për këto gjëra).

Arsyeja e saj është efekti i përhapur dhe helmues që vjen nga ritualet. Po për këtë arsye, dashuria ndaj Zotit gjithnjë po ftohet dhe njerëzit nuk e përjetojnë më kënaqësinë që duhet të vinte nga adhurimi.

Nuk ka gjë në botë, në të cilën Zoti i Madhërishëm nuk ka lënë një kënaqësi të veçantë. Ashtu siç një i sëmur nuk mund të shijojë ushqimet e mira e të shijshme, madje ato i duken të hidhura ose pa shije fare, në të njëjtën mënyrë, edhe ata që nuk gjejnë dot kënaqësi në adhurimin e Zotit, duhet të shqetësohen për sëmundjen e tyre. Siç ju thashë, derisa nuk ekziston gjë në botë, në të cilën Zoti i Madhërishëm nuk ka lënë një kënaqësi, atëherë, si ka mundësi që Allahu i Madhërishëm të mos ketë lënë ndonjë kënaqësi apo lumturi pikërisht në adhurim, ndërkohë Ai i ka krijuar njerëzit pikërisht për adhurimin?! Realisht, edhe në namaz ka kënaqësi dhe lumturi, por mungon përjetimi. Zoti i Madhërishëm thotë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَ الْاِنۡسَ  اِلَّا لِیَعْبُدُوۡنِ

Unë i kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm të Më adhurojnë! (Kurani i Shenjtë 51:57)

Pra, nëse njeriu është krijuar për adhurim, atëherë, në botë në të duhet të ishte kënaqësia më e madhe. Këtë gjë mund ta kuptojmë edhe nga përvoja jonë e përditshme. Për shembull, shihni se drithërat dhe të gjitha ushqimet e tjera që janë për të ngrënë ose për të pirë, janë krijuar për njeriun. Njeriu a nuk fiton kënaqësi kur i konsumon ato? Ai a nuk ka një gjuhë në gojën e tij, e cila ia mundëson kënaqësinë e ushqimeve? Po ashtu, a nuk kënaqet ai duke parë gjëra të bukura, qoftë nga sendet, qoftë nga kafshët dhe qoftë nga njerëzit? A nuk ndjejnë veshët e tij kënaqësi, kur dëgjojnë një zë të ëmbël? Atëherë, a duhet vallë ndonjë argument tjetër, që edhe në adhurim gjendet një kënaqësi?!

…  Kështu që, kuptoni mirë se edhe adhurimi nuk është ndonjë taksë apo barrë, madje edhe ai ka një kënaqësi dhe lumturi, e cila është kënaqësia më e madhe nga të gjitha kënaqësitë dhe lumturitë e botës. Por kënaqësinë trupore mund ta ndiejë vetëm ai që ka aftësinë për ta shijuar atë, e jo ai që është i paaftë, ashtu siç i sëmuri mbetet i privuar nga shija e ushqimeve të mira, në të njëjtën mënyrë, po, pikërisht në këtë mënyrë, fatkeq është edhe ai që nuk gjen kënaqësi në adhurim.

(Ka nevojë ta kuptojmë këtë që të përpiqemi për të arritur kënaqësinë në namaz)

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Unë shoh që njerëzit ngathen dhe nuk tregohen të vëmendshëm në namaz, sepse kurrë nuk ia ndien lezetin që Zoti ka lënë në të. Kjo është arsyeja kryesore… Ndoshta as 1 % apo 5 % e njerëzve nuk e ul kokën para Zotit me dashuri të vërtetë ndaj Tij.  Përsëri lind e njëjta pyetje: pse? Sepse ata nuk kanë dijeni për këtë kënaqësi, e as nuk e kanë shijuar ndonjëherë. Fetë e tyre nuk kanë mësime të tilla që t’ua kujtojnë.

Nganjëherë ndodh që disa njerëz angazhohen në punët e tyre dhe muezini thërret ezanin dhe ata e dëgjojnë, por atyre u vjen keq. Gjendja e njerëzve të tillë është vërtetë për të ardhur keq. Edhe këtu, ka disa që kanë dyqane poshtë xhamisë, por a shkojnë ndonjëherë të qëndrojnë në xhami? Kështu që, ajo që dua të them është që duhet t’i luteni dhe t’i përgjëroheni Zotit me një sinqeritet dhe vrull që nëse Ai ju ka mundësuar shijen e ushqimeve dhe frutave të llojllojshme, t’ju mundësojë një herë edhe shijen e namazit dhe të adhurimit. Një gjë që ke ngrënë, nuk të harrohet. Nëse dikush sheh një gjë të bukur dhe fiton një lezet nga ajo pamje, ajo i mbetet në kujtesë.

E ngjashme është edhe rasti i kundërt kur sheh ndonjë gjë të shëmtuar. Por nëse nuk ka ndonjë lidhje me diçka, ajo nuk mund të kujtohet. Pikërisht në këtë mënyrë, ata që nuk falin namaz, namazi është një taks për ta dhe sipas tyre pse më kot njeriu të bëjë një gjë, për të cilën ai duhet të ngrihet herët në mëngjes e të marrë abdes në të ftohtë, duke lënë shtratin dhe gjumin e ëmbël. Në të vërtetë, ai nuk e kupton se çfarë lezeti gjendet në namaz. Një alkoolist nëse nuk dehet dhe nuk kënaqet kur pi, ai nuk rresht nga pirja, por kthen gotë pas gote, derisa të kënaqet.

Edhe nga ky shembull mund të përfitojë ai që është i mençur, pra edhe ai të tregohet këmbëngulës në namaz dhe të mos pushojë të falet, derisa të fitojë kënaqësinë e tij. Siç alkoolisti synon ta gjejë kënaqësinë e alkoolit, në të njëjtën mënyrë edhe besimtari duhet ta synojë e ta kërkojë kënaqësinë e namazit. Pastaj, me sinqeritet dhe vrull, të krijojë shqetësim dhe merak, të ngjashëm me atë të alkoolistit të paktën, dhe ta kërkojë kënaqësinë e namazit, atëherë sinqerisht ju them të vërtetën, patjetër dhe patjetër ai e fiton atë kënaqësi. Përveç kësaj, gjatë namazit besimtari të ketë parasysh edhe dobitë e namazit.

اِنَّ الْحَسَنٰتِ یُذْہِبْنَ السَّیِّاٰتِ

Të mirat i largojnë të këqijat. Pra, njeriu duhet të lutet duke marrë parasysh dobitë dhe kënaqësitë e namazit, që Zoti t’ia mundësojë namazin e të sinqertëve dhe të mirëve.

Kjo që tha:

اِنَّ الْحَسَنٰتِ یُذْہِبْنَ السَّیِّاٰتِ

“Të mirat i largojnë të këqijat”, në një vend tjetër, Zoti tha: “Namazi të shpëton nga pahijshmëritë dhe ligësitë”. Por shohim që disa njerëz, pavarësisht se falin namaz, prapëseprapë përfshihen në ligësi. Përgjigjja është që ata i falin namazet, por jo me shpirt dhe sinqeritet. Ata bëjnë thjesht ushtrime, duke ndjekur zakon dhe traditë. Shpirti i namazeve të tyre është i vdekur dhe Zoti i Madhërishëm të mirat nuk i ka quajtur namazet e tilla. Në këtë ajet, Zoti nuk e përdori fjalën “es-salat” (namazi), por përdori fjalën “të mirat”, edhe pse me kuptimin e njëjtë. Kjo për arsye që të na tregonte mirësinë dhe bukurinë e namazit. Ai namaz largon të këqijat, i cili ka një shpirt të së vërtetës dhe një ndikim bekues. Ai namaz, patjetër dhe patjetër i largon të këqijat. Namazi nuk thjesht një ulje ngritje. Thelbi dhe shpirti i namazit është ajo lutje, e cila ka një kënaqësi dhe lumturi në vetvete.

Lutja është esenca dhe shpirti i namazit. Andaj, si mund ta gjesh këtë esencë jashtë namazit?! Një njeri që paraqitet në oborrin e mbretit dhe atij i jepet edhe mundësia për t’ia treguar problemin e vet, por ai atëherë nuk i thotë ndonjë gjë Mbretit, por kur del jashtë nga oborri mbretëror, fillon t’i lexojë kërkesat. Çfarë dobie ka kjo?! I njëjti është shembulli i atyre që nuk luten me përgjërim e dënesë gjatë namazit. Andaj, çdo lutje që keni për të bërë, bëjeni në namaz dhe bëjeni duke përmbushur të gjitha kushtet e lutjes.

Duke treguar rëndësinë e studimit të Kuranit të Shenjtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Po të mos e kishim Kuranin dhe po të kishim vetëm hadithet dhe libra të tjerë si burim i besimit dhe i bindjeve tona, nuk do të mund t’ia tregonim fytyrën botës nga turpi. Njëherë kur po meditoja në emrin e Kuranit, Zoti i Madhërishëm më zbuloi që ky emër i bekuar ka një profeci madhështore. [Kuran do të thotë i lexueshëm]. Profecia është se pikërisht ky Kuran është Libri me vlerë të lexohet dhe se do të vinte një kohë kur ky Libër do të vlente të lexohej edhe më shumë, ndërkohë që njerëzit [muslimanët] do ta shoqëronin atë edhe me libra të tjerë. Në atë kohë po ky Libër do të ishte i denjë të lexohej për t’ia mbrojtur nderin Islamit dhe për ta mposhtur gënjeshtrën, kurse librat e tjerë do të ishin të denjë të braktiseshin.

Edhe emri tjetër i këtij Libri që është “furkan” [dallues], e ka pikërisht këtë kuptim. Pra, ky Libër do ta bëjë dallimin e qartë midis të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe asnjë hadith ose asnjë libër tjetër nuk do t’i afrohet dot madhështisë së tij. Andaj, ju lini librat e tjerë dhe natë e ditë lexoni vetëm Librin e Allahut. Nuk është besimtar ai që tërë kohën anon vetëm te librat e tjerë, kurse Kuranit të Shenjtë nuk i kushton vëmendje. Anëtarët e Xhematit tonë duhet të angazhohen me gjithë shpirt në studimin dhe në meditimin në Kuranin e Shenjtë dhe t’i lënë anash hadithet. Është për të ardhur keq që nuk i jepet rëndësia Kuranit të Shenjtë dhe studimit të tij, sa u jepet haditheve. Në këtë kohë armatosuni me Kuranin e Shenjtë, fitorja do të jetë juaja. Asnjë errësirë nuk qëndron dot përpara kësaj drite.”

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp