Lufta e Jemames kundër Musejlime Gënjeshtarit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Lufta e Jemames kundër Musejlime Gënjeshtarit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Po vijonte përmendja e historisë së betejës së Jemames gjatë kohës së Hazret Ebu Bekr es-Siddikut r.a.. Në lidhje me përshkrime të hollësishme të kësaj beteje, është përmendur se Jemama ishte një qytet i njohur i Jemenit, i cili ndodhet brenda kufijve të Arabisë Saudite. Jemama ishte një zonë jashtëzakonisht e harlisur dhe pjellore. Në lidhje me Jemama, shkruhet se ai ishte një ndër qytetet më të bukura; dhe shquhej si një qytet i begatshëm me pemët dhe hurmat e shumta. Jemama ishte vendbanimi i fisit “Benu Hanife”, një fis luftarak. Në komentimin e ajetit  سَتُدْعَوْنَ إِلَىٰ قَوْمٍ أُولِي بَأْسٍ شَدِيدٍ تُقَاتِلُونَهُمْ أَوْ يُسْلِمُونَ ۖ  ( “Së shpejti do të thirreni përpara një populli tepër luftarak; ju do të luftoni me ta, ose ata do të bëhen muslimanë.)  el-Kurtubiu ka shkruar në Tefsirin e tij se “Hasani ka thënë se nga fjalët “një popull trim e luftarak janë referuar persianët dhe bizantinët. Ibn Xhubejri thotë se: “Ky ajet u referohet fiseve Havazin dhe Thekif”. Zuhriu dhe Mukatili kanë thënë se “Ajeti i referohet fisit “Benu Hanife”, i cili banonte në Jemame dhe ishin përkrahësit e Musejlimes’. Rafi ibn Hatixhi thotë: “Ne e lexonim këtë ajet, por nuk e dinim se cilët ishin këta njerëz ‘luftarak’, derisa Hazret Ebu Bekri r.a. na thirri për të luftuar kundër fisit Benu Hanife. Atëherë kuptuam që ajeti i referohej këtij fisi”.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në vitin 6 apo 7 hixhri, u shkroi letra mbretërve të ndryshëm për t’ua përcjellë mesazhin e Islamit, një letër e tillë ai ia drejtoi mbretit të Jemames, Hoza ibn ‘Aliu dhe popullit të Jemames, dhe përmes kësaj letre ai u bëri ftesë për të pranuar Islamin. Në vitin e 9-të të hixhretit, kur grupe të ndryshme filluan të mbërrinin në Medinë, erdhi edhe delegacioni i Benu Hanifes nga Jemama. Në këtë grup bënte pjesë Muxha’e ibn Merara, i cili i kishte kërkuar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. një parcellë të pabanueshme, kërkesë kjo që e kishte miratuar Profeti s.a.v.s.. Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe Rixhal ibn Unfuveh, si dhe Musejlimah Kedhabi (gënjeshtari) ose Thumame ibn Kebir ibn Habibi.

Sipas Ibn Hishamit, emri i tij i vërtetë ishte Musejlime ibn Thumama dhe por që njihej me epitetin Ebu Thumame. Ky delegacion i Benu Hanifes qëndroi në Medine në shtëpinë e Remla bint Harith-it, e cila ishte një zonjë nga ensarët. Kur grupe të ndryshme vinin njëri pas tjetrit në Medinë, për të hyrë në besëlidhje me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ai kishte caktuar këtë shtëpi ku mund të qëndronin këto delegacione. Kjo shtëpi e madhe, i përkiste Remla bint Harithit, e cila ishte një grua nga Benu Nexhari. Kur këta njerëz nga Benu Hanifa shkuan për të takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ata nuk e morën Musejlimen me vete, por e lanë në shtëpi që të ruante plaçkat e tyre.

Pas pranimit të Islamit, ata përmendën para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për Musejlimen dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Ne kemi lënë mbrapa një nga shokët tanë që të kujdesej për sendet tona. Ai po na ruan gjërat.” Më pas, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. porositi që t’i jepej Musejlimes e njëjta sasi dhuratash sa do t’u jepej të tjerëve. Madje, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. tha: “Grada e shokut tuaj nuk është aspak më e ulët se e juaja, pasi ai ruan gjërat e shokëve të tij.” Pas kësaj, delegacioni u largua dhe ata morën me vete edhe dhuratën që Profeti i Shenjtë s.a.v.s. kishte dhënë për Musejlimen.

Ky transmetim na bën të qartë se të gjithë pjesëtarët e delegacionit të Benu Hanifes, përveç Musejlimes, ishin takuar me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Megjithatë, ka edhe transmetime të tjera që përmendin se Musejlima në të vërtetë kishte takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., dhe këto transmetime janë më shumë, dhe mundet që ky takim ishte zhvilluar në vizitën e dytë. Sidoqoftë, në transmetime të tjera, janë shënuar disa elemente të hollësishme, të cilat tregojnë se kur ky delegacion erdhi te Profeti i Shenjtë s.a.v.s., Musejlima ishte i pranishëm. Sipas një transmetimi, kur njerëzit e sollën Musejlimen te Profeti i Shenjtë s.a.v.s., ata e kishin mbështjellë me rroba. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbante në dorë një degë hurme dhe gjendej në praninë e sahabëve. Musejlima foli me të dhe i shtroi disa kërkesa. Profeti s.a.v.s. iu përgjigj: “Po të kërkoje qoftë këtë degë hurme, unë as atë nuk do ta ndaja me ty”.

Sipas transmetimeve të përmendura në Sahih el-Buhari, vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte ardhur për të takuar Musejlimen dhe jo anasjelltas.

Ubejdullah ibn Abdillah ibn Utaba ka përcjellë: “Ne mësuam se Musejlima Kadhabi kishte ardhur në Medinë dhe kishte zbritur në shtëpinë e vajzës së Harithit. Vajza e Harith ibn Kurejzit ishte bashkëshortja e tij dhe Abdullah ibn Amiri ishte djali i saj. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi për ta parë atë ndërsa Hazret Thabit ibn Keas ibn Shimas qëndronte pranë Profetit dhe ai njihej si Hatibi (oratori) i Profetit. Profeti i Shenjtë s.a.v.s. mbante një shkop në dorë. Ai qëndroi pranë Musejlimes dhe i foli. Musejlima i tha: “Nëse dëshironi, ne nuk do të ndërhymë në këtë çështje me ju”. Ai vazhdoi: Por, duhet ta na caktoni atë pas vdekjes suaj.” (Me fjalë të tjera, që ai të trashëgojë profetësinë pas Profetit s.a.v.s.. Kjo ishte kërkesa e tij kryesore). I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: Nëse do të kërkoje këtë shkop, unë as atë nuk do ta jepja ty. Unë besoj se ti je i njëjti person që ma është shfaqur në ëndërr. Ky është Thabit ibn Kajsi, i cili do të të përgjigjet në emrin tim”. Pastaj, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. u largua prej tij.

Në një transmetim të ngjashëm, të përcjellë nga Hazret Ibn Abbasi r.a., thuhet se Musejlime Gënjeshtari erdhi në kohën e Profetit të Shenjtë s.a.v.s. dhe tha: “Nëse Muhammedi s.a.v.s. më shpall mëkëmbësin e tij, unë do ta ndjek atë”. Në këtë moment, ai shoqërohej nga njerëzit e fisit të tij. Ky transmetim qartëson dhe hadithin e mëparshëm. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. erdhi te Musejlima Gënjeshtari. Hazret Thabit ibn Kajsi ibn Shemasi e shoqëronte Profetin s.a.v.s. në këtë vizitë. Profeti mbante në dorë një shkop hurme dhe qëndroi para Musejlime Gënjeshtarit dhe popullit të tij dhe tha: “Po të më kërkoje edhe këtë farë shkopi, unë nuk do të ta jepja kurrë. Nuk mund ta anashkalosh kufirin që të ka caktuar Allahu, dhe nëse ia kthen shpinën, Allahu do të të shkatërrojë tërësisht. Më duket se je i njëjti person që Zoti ma ka shfaqur në ëndrrën time”. Pastaj tha: “Ky është Thabiti (dmth. Thabit bin Kajsi), i cili do të të përgjigjet në emrin tim.” Profeti i Shenjtë s.a.v.s. më pas e la atë dhe u kthye.

Ky është një transmetim i Sahih el-Buhariut.

Hazret Ibn Abbasi r.a. ka përcjellë: “Unë pyeta në lidhje me thënien e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. se (Musejlima) ishte i njëjti person, i cili i ishte shfaqur në ëndërr. Hazret Ebu Hurejra r.a. më tha se Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ka thënë: “Një herë isha duke fjetur dhe në gjumë pashë dy rrathë floriri në dorën time. Unë u tremba nga prania e tyre. Pastaj gjatë ëndrrës, mora një shpallje në të cilën më thanë t’i fryja mbi to. Dhe kështu, kur unë fryva mbi ta, ata u zhdukën. Unë e interpretova këtë si dy gënjeshtarë që do të shfaqeshin pas meje.”

Transmetuesi Ubejdullah ka komentuar se njëri prej tyre ishte Ansi, i cili u vra nga Fejruzi në Jemen, dhe tjetri ishte Musejlima Gënjeshtari. Edhe ky është një transmetim nga Buhariu.

Megjithatë, sipas transmetimeve të lartpërmendura, duket se Musejlima kishte ardhur në Medinë për më shumë se një herë. Rasti i parë ishte kur grupi i tij e kishte lënë pas për të ruajtur gjërat e tyre. Në atë kohë, ai nuk mundi të takohej me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Rasti i dytë ishte kur ai erdhi për të takuar Profetin s.a.v.s. dhe kërkonte që ai të shpallej pasardhës pas Profetit s.a.v.s..

Në lidhje me këtë transmetim të Buhariut, në komentimin “Feth el-Bari” është shënuar se ka shumë mundësi që Musejlima të ketë ardhur në Medinë në dy raste të ndryshme. Rasti i parë ishte në kohën kur ai ende nuk udhëhiqte fisin Benu Hanife. Prijësi ishte dikush tjetër dhe ai ishte i nënshtruar ndaj tij. Pikërisht për këtë arsye, atë e kishin lënë pas që të kujdesej për gjërat e tyre. Rasti i dytë ishte kur ai vetë ishte kryetari dhe gëzonte përkrahjen e ndjekësve. Pikërisht në këtë rast, ai bisedoi me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Mundet, që këto dy raste përbënin një ngjarje të vetme, dhe ai të kishte vendosur të mos shfaqej para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nga krenaria dhe arroganca e tij, dhe të ketë pëlqyer të qëndrojë me gjërat e tij. Megjithatë, për shkak të dhembshurisë dhe mëshirës së tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e trajtoi atë me respekt. Megjithatë, në një hadith është përmendur se Musejlimen e shoqëronte një mori ndjekësish, dhe numri i tyre ishte afro 70 persona. Kjo përbën gjithashtu argument për faktin se Musejlima erdhi në Medine në më shumë se një rast.

Megjithatë, kur kjo kolonë u kthye në Jemame, armiku i Allahut të Plotfuqishëm Musejlima, u bë femohues, pretendoi se ishte profet dhe tha: “Më është dhënë një pjesë nga profetësia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Kur ju (njerëzit) më përmendët te Pejgamberi i Allahut s.a.v.s., a nuk tha ai se unë nuk jam aspak inferior në krahasim me ju në gradë dhe status? Profeti s.a.v.s. e ka thënë këtë vetëm sepse ai qe i vetëdijshëm për profetësinë e tij dhe që unë jam bërë pjesëtar në këtë profetësi si dhe në misionin e tij.” Pas kësaj, Musejlima nisi të trillonte shpallje për njerëzit në përpjekje për të kopjuar Kuranin Famëlartë. Ai gjithashtu ua shfuqizoi urdhrin e namazit, dhe u paraqiti ligjin e tij. Sipas një transmetimi, ai hoqi dy namaze përkatësisht namazin e sabahut dhe të jacisë, dhe e bëri të lejueshme konsumimin e alkoolit dhe ushtrimin e kurvërisë. Prapëseprapë, ai vazhdoi të dëshmonte se Muhammedi s.a.v.s. është i Dërguari i Allahut dhe Benu Hanifet ishin pajtuar me këto kushte.

Një faktor tjetër që kontribuoi në rritjen e ndikimit të Musejlimes dhe ia fuqizoi pozitën, ishte bashkëpunimi i tij me Rixhal ibn Unfuvah. Ai me një sjellje dredharake, u dha njerëzve disa lëshime e lehtësime në sheriat, dhe deklaroi se Allahu i Madhëruar i zbret shpallje, si dhe pranoi se Muhammedi s.a.v.s. është i Dërguar i Allahut. Kjo taktikë e ndihmoi në rritjen e ndikimit dhe ata që sapo kishin pranuar Islamin, nuk vërejtën se Musejlima po i distanconte nga Profeti s.a.v.s.. Të gjitha këto i bëri në një mënyrë shumë hipokrite.

Është përmendur në lidhje me këtë çështje: “Një tjetër arsye, që ia shtoi ndikimin Musejlimes ishte bashkëpunimi i tij me Rixhal ibn Unfuvah, i cili ishte prej Jemames dhe kishte qenë pjesëtar në delegacionin e Benu Hanifes. (Fillimisht), ai ishte shpërngulur në Medinë pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ku kishte marrë mësimet e Kuranit Famëlartë dhe të fesë islame. Kur Musejlima mohoi Islamin, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi Rixhal ibn Unfuven në Jemame si mësues që të largonte ndikimin e Musejlimes, por, rrethanat vërtetuan se ai shkaktoi dhe përshkallëzoi më shumë çrregullime e ngatërresa sesa vetë Musejlima.

Kur ai pa se shumë njerëz po e pranonin Musejlimen, ai iu bashkua atij me qëllim që të arrinte një pozitë të lartë në sytë e tyre. Ai ishte dërguar për të ndrequr sjelljen e njerëzve dhe për të fshirë mosmarrëveshjet midis tyre, por ai iu bashkua grupit të Musejlimes dhe dëshmoi padrejtësisht për profetësinë e tij. Jo vetëm kaq, ai gjithashtu i atribuoi në mënyrë të rreme një thënie të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që Musejeleme Gënjeshtari ishte një Profet dhe që ai ishte ortak e bashkëpunëtor në profetësinë e Muhammedit s.a.v.s.. Meqë kishte mësuar Kuranin, andaj kur përhapi këtë thënie, njerëzit e besuan menjëherë atë. Kur banorët e Jemames dëshmuan se një person që ua mëson Kuranin Famëlartë të tjerëve dhe është ndër sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., tashmë po dëshmon për profetësinë e Musejlimes, nuk u mbeti asnjë arsye për të refuzuar Musejlimen. Kështu njerëzit filluan të dynden tufa-tufa tek ai, që të lidhnin besëlidhje me të.

Musejlima gjithashtu i shkroi një letër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., përmbajtja e së cilës është si vijon: “Nga Musejlima, profeti i Allahut, te Muhammedi, i Dërguari i Allahut. Gjysma e tokës më përket mua, dhe gjysma tjetër Kurejshëve. Megjithatë, kurejshët nuk veprojnë me drejtësi.” Pas kësaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu i dërgoi një letër si përgjigje, dhe i tha: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Nga Muhammedi, i Dërguari i Allahut, drejtuar Musejlimes, gënjeshtarit të madh. Vërtet, toka është vetëm e Allahut dhe Ai ia jep kujt të dojë prej robërve të Vet. Shpërblimi dhe fundi i begatshëm u takon vetëm atyre që i druhen Allahut. Paqja qoftë mbi atë që ndjek udhëzimin.”

Në një transmetim, përmendet se Hazret Habib ibn Zejd Ensariu r.a. ishte ai sahab që ia dorëzoi këtë letër të Profetit të Shenjtë s.a.v.s. Musejlime Gënjeshtarit. Kur ia dorëzoi këtë letër Musejlimes, ai e pyeti: “A dëshmon se Muhammedi është i Dërguari i Allahut?” Hazret Habibi iu përgjigj pozitivisht. Pastaj Musejlima e pyeti: “A dëshmon se unë jam i Dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “Unë jam i shurdhër dhe nuk dëgjoj”. Hazret Habibi i shmangej kësaj teme. Musejlima vazhdoi ta përsëriste këtë pyetje pa pushim, dhe çdo herë Hazret Habibi r.a. ia kthente të njëjtën përgjigje. Musejlima donte që Hazret Habibi të dëshmonte se edhe ai ishte profet. Kur nuk merrte përgjigjen që kërkonte, i gjymtonte një gjymtyrë të trupit. Musejlima e torturonte për ta detyruar të pranonte deklaratën e tij, dhe vazhdoi t’i priste gjymtyra të trupit. Hazret Habibi (r.a.) tregoi trimëri dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme dhe nuk iu bind për asnjë çast, dhe përfundimisht dha shpirt. Hazreti Habibi (r.a.) arriti gradën e shehidit.

Musejlima ngriti flamurin e revoltës në Jemame

Ky nuk ishte tashmë thjesht një deklaratë e të qenit profet, përkundrazi, ishte shfaqja e mizorisë brutale ndaj atyre që nuk i bindeshin dhe nuk e pranonin si profet. Musejlima bëri revotë në Jemame dhe dëboi guvernatorin e caktuar nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., Hazret Themame ibn Ethalin r.a..

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë, Hazret Ebu Bekri r.a. dërgoi ekspedita të ndryshme ushtarake drejt renegatëve. Një ndër këto ekspedita, ishte dërguar në drejtim të Musejlima Gënjeshtarit nën komandën e Hazret Ikrimes. Pak më vonë Hazret Ebu Bekri r.a. dërgoi edhe Hazret Shurahbil ibn Hasanen si përforcim. Hazreti Ebu Bekri r.a. e porositi Hazret Ikrimen që të mos angazhohej në asnjë ndeshje kundër Musejlimes derisa të mos mbërrinte Hazret Shurahbil r.a.. Mirëpo, Hazret Ikrima veproi me nxitim dhe nisi sulmin ushtarak kundër popullit të Jemames, kur ende nuk e kishte mbërritur Hazret Shurahbili. Ai synonte të arrinte fitoren dhe të dekorohej për meritat e luftës. Megjithatë, ai ra ngushtë dhe pësoi një humbje të thellë, pasi ushtria e Musejlimes ishte shumë më e madhe në numër.

Kur Hazret Shurahbili mësoi për disfatën e ushtrisë muslimane, ai ndërpreu përparimin drejt Jemames. Ndërkohë, Hazret Ikrima i shkroi Hazret Ebu Bekrit r.a. për ta informuar atë për ngjarjen. Hazret Ebu Bekri r.a. i shkroi Hazret Ikrimes me zemërim dhe u shpreh se nuk donte ta takonte atë, prandaj nuk kishte pse të kthehej në Medinë, pasi ai nuk i ishte bindur porosisë së Hazret Ebu Bekrit. Ai më tej i tha se nuk duhet të kthehej në Medinë që njerëzit të humbasin guximin, por të përparonte te Hazret Hudhejfa dhe Arfijah dhe ai duhet të bashkonte forcat me ta dhe të luftonte kundër popujve të Omanit dhe Mahrahut.

Mahrahu është një zonë që gjendej në jug të Gadishullit Arab, në bregun lindor, që laget nga Oqeani Indian. Ai u udhëzua që të shkonte në Jemen dhe Hadramaut së bashku me ushtrinë e tij dhe të bashkonte forcat me ushtrinë muslimane. Hadramaut është gjithashtu një rajon që ndodhet në Jemenin perëndimor dhe ka bregdetin në jug të tij.

Sipas një transmetimi tjetër, letra e shkruar nga Hazret Ebu Bekri r.a. përmbante këtë temë: “Ju nuk posedoni ekspertizën e një mjeshtri, mirëpo ngurroni të mësoni prej të tjerëve. (Me fjalë të tjera, ai nuk i dinte taktikat për zhvillimin e luftës megjithatë nuk pranonte të mësonte.) Do të shikoni se si do të sillem me ju kur të dilni para meje. Pse nuk e pritët Shurahbilin e të luftonit me ndihmën dhe bashkëpunimin e tij? Tani, shkoni drejt Hudhejfes dhe ndihmoni ata. Ju nuk i jeni bindur urdhrit të Kalifit. Ju e konsideroni veten mjeshtër dhe nuk dëshironi të mësoni. Kështu, ju nuk duhet të vini tek unë. Unë do të vendos se si do të sillem me ty, por tani për tani shkoni te Hudhejfa dhe ndihmojeni atë me ekspeditën që janë dërguar. Nëse ata nuk duan ndihmën tuaj, shkoni në Jemen dhe Hadrameut dhe ndihmoni Muhaxhir ibn Umejjen.”

Hazret Ebu Bekri r.a. e kishte dërguar Muhaxhir ibn Umeijan drejt fisit Kinda në Hadrameut. Ai e kishte porositur Hazret Shurahbilin të qëndronte atje derisa të merrte udhëzime të mëtejshme. Pastaj, para se ta dërgonte Halit ibn Velidin në Jemame, Hazret Ebu Bekri r.a. i shkroi Shurahbilit dhe i tha se pasi të ketë ardhur Haliti tek ai dhe ata të kenë përfunduar misionin e tyre për të ofruar ndihmë në Jemame, ai duhet të shkonte në Kuza’a dhe më pas të bashkonte ushtrinë e tij me Hazret Amr ibn el-Aasin dhe të merrej me rebelët atje, të cilët kishin mohuar Islamin dhe tashmë ishin rreshtuar kundër muslimanëve. Pra, nuk ishte thjesht një refuzim, por edhe një revoltë.

Ashtu si Hazret Ikrimaja, Hazret Shurahbili gjithashtu veproi me nxitim dhe shpalli luftën kundër Musejlimes pa ardhur akoma Hazret Haliti, në kundërshtim të hapur me porositë e qarta të Hazret Ebu Bekrit r.a.. Ai gjithashtu pësoi një disfatë, dhe tërhoqi zemërimin e Hazret Halitit. Hazret Ebu Bekri r.a. më pas dërgoi një ushtri nën komandën e Hazret Thelidit si përforcim për Hazret Halitin në mënyrë që të siguronte mbrojtje për pjesën e pasme të ushtrisë. Hazret Ebu Bekri r.a. e dërgoi Hazret Halitin drejt Musejlimes dhe nisi gjithashtu një ushtri të përbërë nga muhaxhirët dhe ensarët për t’i ofruar ndihmë të mëtejshme. Hazret Ebu Bekri r.a. e caktoi Hazret Thabit ibn Kajsin si kryekomandant të ensarëve dhe Hazret Ebu Hudhejfen dhe Zejd bin Hattabin si udhëheqës të muhaxhirëve. Përveç kësaj, ai caktoi një përgjegjës mbi çdo fis.

Hazret Halit ibn Velidi r.a. priti ardhjen e kësaj ushtrie në Butah. Butah është një rajon në zonën që i përket Beni Zaimit. Kur mbërritën të gjitha njësitë ushtarake te Hazret Haliti, ai shpalli marshimin e ushtrisë muslimane drejt Jemames. Benu Hanifet atë ditë ishin në numër të madh dhe numri i luftëtarëve të tyre ishte 40.000. Dhe sipas një transmetimi tjetër, numri i ushtarëve të Musejlimes ishte rreth 100.000 ose edhe më shumë. Nga ana tjetër, ushtria e plotë e muslimanëve përbëhej nga vetëm 10,000 ushtarësh.

Para se të fillonte beteja kryesore, muslimanët arritën të kapnin njërin nga udhëheqësit e Benu Hanifes. Është përmendur në një transmetim se Muxha’a ibn Murarah ishte një nga udhëheqësit e Benu Hanifes, i cili bashkë me një grup ushtarësh kishte dalë nga Jemama dhe ata ishin ndaluar nga muslimanët. Hazret Haliti urdhroi ekzekutimin e ushtarëve të tij, ndërsa atë e mbajti të gjallë, pasi Muxha’a gëzonte një respekt të madh ndër Benu Hafinet. Një përshkrim i hollësishëm rreth kësaj ngjarjeje është si një vijim:

“Kur Hazret Haliti mbërriti në një zonë të quajtur Ariz, ai dërgoi 200 kalorës përpara me porosinë që të kapnin këdo që gjenin. Këta kalorës u larguan dhe e kapën Muxha’a ibn Muraren Hanefi, së bashku me 23 nga bashkëkombësit e tij, të cilët kishin dalë në kërkim të një personi nga Benu Numejri. Ata nuk dinin se kishte mbërritur Hazret Haliti me ushtrinë muslimane. Ushtarët muslimanët i morën në pyetje dhe ata treguan se ishin nga Benu Hanifet. Muslimanët menduan se ata ishin përfaqësues të Musejlimes, të dërguar si përfaqësues për bisedë, dhe kështu kur ata u ndeshën me njërin-tjetrin në mëngjes, muslimanët i çuan te Hazret Haliti.

Kur i pa Hazret Haliti, ai gjithashtu mendoi se ata ishin dërguar nga Musejlima Gënjestari dhe kështu ai i pyeti: “O Benu Hanife! Çfarë keni për të thënë në lidhje me udhëheqësin tuaj, Musejlime?” Ata dëshmuan se ai ishte i dërguari i Allahut. Pas kësaj, Hazret Haliti e pyeti Muxhanë se kishte diçka për të thënë dhe ai u shpreh kështu: “Për Zotin, unë kam dalë vetëm për të kërkuar një person nga fisi Benu Numejri, i cili kishte vrarë dikë nga fisi ynë dhe unë nuk jam nga bashkëpunëtorët e Musejlimes.”

Ai në atë moment, ose nga frika ose nga një arsye tjetër, fshehu të vërtetën dhe tha: “Unë kam takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe kam pranuar thirrjen e Islamit dhe jam akoma në këtë besim.” U paraqitën edhe ushtarët e tjerë, të cilët më vonë u ekzekutuan me urdhrin e Hazret Halitit. Kur mbeti vetëm Sarije ibn Musejlime ibn Amiri, ai i tha: “O Halit! Nëse doni ndonjë të mirë apo të keqe për popullin e Jemames, mbajeni të gjallë Muxha’an sepse ai mund t’ju sjellë dobi si në gjendje lufte ashtu edhe në paqe.”

Hazret Halitit iu pëlqeu mendimi i Sarijes dhe ai i mbajti të gjallë Sarijen dhe Muxha’n dhe urdhëroi për t’i lidhur ata në pranga. Sa herë që ai thërriste Muxhanë, ai paraqitej i prangosur dhe kështu bisedonte me të në këtë gjendje. Muxha’a mendoi se Hazret Haliti do ta ekzekutonte edhe atë, dhe kështu gjatë një bisede me të, ai tha: “O Ibn Mugejrah! (ky ishte epiteti i Hazret Halitit), unë jam musliman. Pasha Allahun, nuk e kam refuzuar besimin dhe jam takuar me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Kam pranuar Islamin dhe unë nuk kam dalë për luftë.” Më pas ai arsyetoi duke thënë se kishte dalë vetëm në kërkimin e një anëtari të fisit Numejr. Hazret Haliti u përgjigj se: “Distanca midis ekzekutimit dhe lirimit është shumë e brishtë. Domethënë ai do të mbetet i burgosur, derisa Allahu ta shpallë vendimin e Tij në lidhje me betejën mes nesh”.

Hazreti Haliti e vuri Muxha’an nën mbikëqyrjen e bashkëshortes së tij, me të cilën ai kishte kurorëzuar pas vrasjes së Malik ibn Nuvejres. Ai e porositi gruan e tij që të kujdesej mirë për të. Muxha’a mendoi se ndoshta Haliti donte ta mbante atë si të burgosur në mënyrë që ai të zbulonte informacione për kundërshtarin. Prandaj, ai përsëriste vazhdimisht të njëjtat fjalë: “A e dini se unë jam takuar me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe kam pranuar Islamin. Më vonë jam kthyer te populli im dhe jam ende sot e kësaj dite, në të njëjtën gjendje (të besimit).”

Megjithatë, zhvillimet dhe ngjarjet që ndodhën pastaj treguan se të gjitha këto ishin gënjeshtra.

Pasi u mor me grupin që udhëhiqej nga Muxha’a, Hazret Haliti u nis për në Jemama. Me të dëgjuar për mbërritjen (e Hazret Halitit), Musejlima Gënjeshtari së bashku me njerëzit e fisit Benu Hanife doli për t’u ndeshur me ushtrinë muslimane. Ai vendosi çadrat në Akraba, një vend në periferi të Jemames, që gjendej afër kullotave dhe fushave të gjelbra të Jemames.

Hazret Halit ibn Velidi r.a. përpunoi një strategji të fortë për luftë. Ishte praktika e tij që asnjëherë kurrë nuk e nënvlerësonte ushtrinë kundërshtare apo ta merrte atë si të dobët. Ai gjithmonë do të përgatitej deri në hollësi dhe të kushtonte vëmendje të veçantë në fushën e betejës, që armiku të mos bënte një sulm të papritur ose të komplotonte kundër tyre. Një ndër cilësitë e Hazret Halitit është edhe kjo që gjatë luftës ai kurrë nuk flinte vetë, dhe do t’u thoshte të tjerëve të flinin. Ai kalonte natën në gjendje gatishmërie për betejë dhe asnjë informacion për armikun nuk do t’i mbetej i fshehur.

Tani kishte ardhur koha për të organizuar ushtrinë (në fushëbetejë). Në këtë betejë, Hazret Abdullah ibn Hafs ibn Ghanemi do të mbante flamurin e Islamit. Më pas, atë e mbrojti Hazret Salimi, skllavi i liruar i Ebu Hudhejfes. Gjatë kësaj beteje, Hazret Haliti e dërgoi Hazret Shurahbilin përpara ushtrisë dhe e ndau kolonën e ushtrisë muslimane në pesë kontingjente. Ai caktoi Hazret Halit Makhzumi për pararojat anësore, Hazret Ebu Huzhejfen në anarojën e djathtë, Hazret Shuxha’a në anarojën e majtë, Hazret Sa’d ibn Hattabit në mes dhe Osama ibn Zejdin u emërua komandant i kalorësisë. Devetë mbaheshin në pjesën e pasme të kolonës ushtarake, të ngarkuara me çadrat dhe ku ishin edhe gratë e tyre. Ky ishte formimi përfundimtar para fillimit të betejës.

Në anën tjetër, ushtria e Musejlimes ishte gjithashtu gati për betejë. Djali i Musejlimes, Shurahbili iu drejtua fisit të tij dhe tha: “O Benu Hanife! Sot është dita për të shfaqur krenarinë dhe sedrën tuaj. Nëse pësoni disfatë sot, gratë tuaja do të merren si skllave dhe do të shfrytëzohen pa martesë nga kundërshtarët tanë. Sot shfaqni trimërinë tuaj që të ruani nderin dhe krenarinë e popullit tuaj dhe që të mbroni nderin e grave tuaja.”

Pastaj plasi një betejë e ashpër midis dy grupeve. Beteja ishte kaq e përgjakshme saqë muslimanët nuk kishin hasur deri më tani një kundërshtar kaq të ashpër. Muslimanët u detyruan të tërhiqeshin. Luftëtarët e Benu Hanifes mbërritën deri te kampi i muslimanëve që të shpëtonin Muxha’an. Ata iu drejtuan çadrës së Hazret Halitit r.a., ndërkohë ai ishte larguar nga ai vend dhe kështu ata arritën te Muxha’a, i cili ishte nën mbikëqyrjen e bashkëshortes së Hazret Halitit. Renegatët donin të vrisnin gruan e Hazret Halitit, por Muxha’a i ndaloi dhe tha se ai e merrte nën-mbrojtje. Ushtarët e lanë në gjendje të lirë, ndërsa Muxha’a u bëri thirrje që të sulmonin burrat muslimanë.

Nëse ndalemi këtu, do të shohim se nga njëra anë Muxha’a pretendonte se qe musliman, por nga ana tjetër u thotë armiqve të sulmonin e të vrisnin burrat muslimanë.

Pavarësisht tërheqjes së ushtrisë muslimane, Hazret Halit ibn Velidi nuk shfaqi asnjë lëkundje në vendosmëri, trimëri dhe këmbëngulje. Atij nuk i shkoi mendja as për një sekondë se edhe ai mund të përballej me disfatë. Hazret Haliti iu drejtua ushtrisë muslimane dhe tha: “O muslimanë! Hapuni dhe shpërndahuni”. Me këtë urdhër, ai donte që çdo fis të luftonte kundër armikut si një njësi me vete dhe që të gjithë të garonin me njëri-tjetrin se cili fis kishte shfaqur më shumë trimëri në betejë. Kjo thirrje kërkonte që muslimanët të luftonin nën flamujt e fiseve të tyre përkatëse. Kjo taktikë i ngjalli një frymë të re çdo fisi; dhe nëpërmjet saj u përçua një valë e fuqishme në palën muslimane që nxiti secilin për të provuar trimërinë e tij. Muslimanët gjallëronin njëri-tjetrin për luftë.

Detaje të tjera për këtë janë se Hazret Thabit ibn Kajsi tha: “O muslimanë! Sa e frikshme është ajo me të cilën keni mësuar veten”. Dmth. nëse ata ishin mësuar me lehtësim e rehati, kjo ishte një punë që sillte vetëm ngatërresa e vështirësi. Sahabët i ngjallën frymën luftarake njëri-tjetrit dhe thanë: “O mbartësit e sures el-Bekare! Sot do të prishet magjia”.

Hazret Thabit bin Kajsi hapi një gropë, dhe i futi këmbët deri në gjysmë dhe e mbushi me dhe. Ai mbante flamurin e ensarëve dhe kishte lyer fytyrën me “hanut”. Arabët kishin një traditë që nëse dikush dëshironte të tregonte trimërinë e tij, ai lyente fytyrën me “hanut”. Nga ky veprim, personi tregonte se ai ka bërë atë obligim që të tjerët do bënin për të pas vdekjes. Duke groposur veten deri në këmbë, ai tregoi se nuk më frikë nga vdekja. “Hanuti” është një përzierje aromash i cili në atë kohë përdorej për balsamimin e kufomave pasi ato të ishin larë, ky balsam do të mbronte trupin nga prishja për një kohë të caktuar.

Megjithatë, në këtë transmetim përmendet se ai sikur i bëri të gjitha përgatitjet për varrim – dhe pastaj përballoi i vendosur para armikut, derisa ra shehid. Ka dhe detaje të tjera të këtyre ngjarjeve, të cilat do të përmenden në të ardhmen, Insha-Allah.

Tani dua të përmend disa anëtarë, të cilët kanë ndërruar jetë së fundmi:

  1. Së pari dua të përmend një dëshmor, Abdus Selam Sahib, i cili është martirizuar para disa ditësh. I ati i dëshmorit quhej prof. Munavar Ahmad Sahib, Presidenti i Xhematit L-Plot, Okarah. Ai ka rënë dëshmor më 17 maj në moshën 35 vjeçare. Një kundërshtar i Ahmediatit e kishte sulmuar me hanxhar dhe ai ra shehid. إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ (Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi).Sipas raportimeve, Abdus Selam Sahibi kishte dalë nga shtëpia për një punë së bashku me dy fëmijët e tij të vegjël, Kamar Islamin 6 vjeç dhe Badr Islamin 4 vjeç e gjysmë; në fakt atë e kishin thirrur të dlite jashtë për të rregulluar sistemin e ujësjellësit për shtëpinë e tij; duket sikur kjo ishte pjesë e planit dhe kundërshtari ta sulmonte atë më pas. Megjithatë, kur ai doli nga shtëpia, një kundërshtar i Xhematit, Hafiz Ali Raza, i njohur gjithashtu si Mulazim Husejn i erdhi nga mbrapa, dhe e sulmoi me një hanxhar.

    Kjo ngjarje ka ndodhur pasdite. Si pasoja e këtij sulmi, Abdus Salam Sahibi nuk mundi të mbijetonte plagët e marra dhe ndërroi jetë në vendngjarje në sy të dy fëmijëve të mitur. Në sulmin fillestar nga prapa, sulmuesi nguli thikën në veshkë, e pastaj qëlloi duke i prekur pjesën e zorrëve dhe përfundimisht e goditi në zemër. Kështu, ai ra dëshmor në sy të fëmijëve të tij, ndërsa sulmuesi iku nga vendngjarja. Vrasësi, i cili dëshironte të hynte në parajsë duke vrarë muslimanët ahmedianë, ishte një student i Medresesë lokale, “Xhamia Aminia Faridia”, L-Plot i rrethit të Okarah. Dy ditë para ngjarjes, ai ishte diplomuar në kursin Hifz të kësaj Medreseje. Në ceremoninë e diplomimit, të organizuar nga medreseja, një klerik i ishte drejtuar kursantëve të klasës së Hifzit se ata duhet të ndërmarrin veprime konkrete kundër Xhematit Ahmedia. Pra ai i ka nxitur kursantët qëllimisht dhe i ka nxitur të ndërmarrin veprime drastike.

    Megjithatë, mënyra në të cilën ata duan që njerëzit të arrijnë parajsën, ata jo vetëm po e hapin rrugën e tyre për në ferr, por po i shtyjnë edhe të tjerët në këtë humnerë.

    Kjo familje ishte paraqitur me Xhematin Ahmedia përmes Hazret Nabi Baksh Sahibit, stërgjyshit nga babai i dëshmorit. Ai ishte me origjinë nga Pembian i rrethit Hoshiarpur (të Indisë). Ai ishte ishte sahabiu i Mesihut të Premtuar a.s.. Gjyshi i të ndjerit, Muhammed Siddik Sahib ishte një ahmedian i lindur. Pas themelimit të Pakistanit, kjo familje u vendos në Okarah. Dëshmori i ndjerë kishte kryer shkollën e mesme dhe pastaj kishte nisur të merrej me bujqësi. Ai ishte pjesë e skemës së bekuar të “Vakfe-Nau”. Nëna e tij thotë se kur i thoshte se ai është pjesë e skemës “Vakfe-Nau” dhe dy nga vëllezërit e tij po shërbejnë si misionarë, i ndjeri i përgjigjej: “Unë po i ndihmoj. Ndoshta Allahu do ta pranojë këtë shërbim nga unë, të cilin po e bëj për pjesën tjetër të familjes. Kjo sepse e gjithë familja mbështetej prej punës së tij. Ai i përkrahte të gjithë financiarisht.

    Tani, ai shërbente si Kryetar i Khuddamul Ahmedia dhe me mëshirën e Allahut, ai ishte anëtarë i sistemit të Vesijatit. Ai ishte shumë i shoqërueshëm dhe i dashur. Cilido që e takonte, krijonte një lidhje të ngushtë me të. Edhe jo-ahmedianët që e njihnin, janë shprehur se kjo ishte një mizori e pamëshirshme, megjithatë askush nuk ka guxim të flasë kundër klerikëve që nxisin për dhunë e terror. Mirësia dhe morali kanë humbur zë në Pakistan.

    Vëllezërit dhe të afërmit e të ndjerit kanë shkruar se ai kishte dashuri të pakufishme për Kalifat. I ndjeri i ndihmonte të varfrit në mënyrë të fshehur, pavarësisht a ishin ahmedianë apo jo. Mikpritja e mysafirëve ishte një nga tiparet e tij dalluese, dhe ai kujdesej veçanërisht për mysafirët që i vinin nga qendra. Të gjithë të afërmit kanë shkruar se i ndjeri njihej si një djalë i guximshëm dhe i patrembur. Edhe në të kaluarën, kundërshtarët kishin ushtruar dhunë ndaj tij dy herë gjatë festave të Bajramit, mirëpo Allahu e mbrojti. Por tani, Allahu kishte caktuar diçka tjetër për të.

    Dëshmori i ndjerë ka lënë pas babanë, të nderuarin Munavar Ahmad Sahib, President i Xhematit në L-Plot, rrethi Okarah, nënën, Shamshad Kauther Sahiba, si dhe bashkëshorten, znj. Farzana Irum dhe tre fëmijë të mitur: Kamar Islam 6-vjeç, Bedr Islam 4-vjeç e gjysmë dhe vajzën Sehr, 1 vjeç e 6 muaj. I ndjerit ka lënë edhe katër vëllezër: mes të cilëve, Zuhur Ilahi Tokir Sahib është një misionar që shërben në zyrën qendrore të Institutit Kërkimor dhe Hafiz Enwar Ahmed Sahib është një misionar që shërben në Pakistan. Një vëlla është në Londër dhe tjetri në Rabwah. Ai ka lënë pas edhe tri motra: njëra jeton këtu në Britaninë e Madhe dhe është bashkëshortja e Zishan Khalit Sahibit nga Mançesteri, një motër jeton në Kuvajt dhe motra e tretë jeton gjithashtu në Londër.

    Allahu i Madhëruar ia ngritë gradat shehidit dhe i dhëntë vendin më të lartë në Xhenet! Allahu i ruajttë dhe i ndihmoftë fëmijët e mitur, bashkëshorten, prindërit dhe të gjithë të afërmit e të ndjerit! Ai është martirizuar në sy të fëmijëve të pafajshëm. Cila do të jetë gjendja e tyre emocionale e psikologjike, vetëm Allahu e di më së miri. Djali i madh, i cili është 6 vjeç dhe ka parë krejt ngjarjen me sy, tani për tani është plotësisht i heshtur. Vetëm Allahu mund t’i dhurojë durim dhe forcë! Allahu i ruajttë vetë fëmijët dhe e dënoftë armikun për veprat e tyre të këqija!

  1. Përmendja e dytë është e Zulfikar Ahmed sahibit, djali i Sheik Saidullah Sahibit nga Fejselabad, Pakistan, i cili ka ndërruar jetë ditët e fundit në moshën 36-vjeçare për shkak të arrestimit kardiak, në një hotel gjatë udhëtimit në Azerbajxhan.  إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ (Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi).Ahmediati hyri në këtë familje nëpërmjet stërgjyshit të të ndjerit Hazret Shejh Rahmetullah Sahibit r.a. i cili ishte sahab i Mesihut të Premtuar a.s. dhe ishte i biri i Hazret Shejh Xhenda Sahibit r.a., gjithashtu sahab i Mesihut të Premtuar a.s.. Hazret Shejh Rahmetullah sahibi r.a. kishte një dyqan ushqimor pranë Xhamisë Mubarek, në Kadian. Pas pranimit të xhematit, ai ishte shpërngulur në Kadian nga fshati i tij i afërt Tokal Wala. Një herë dikush u ankua te Hazret Mevlana Nuruddin Sahibi r.a., Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar se nuk duhet të lejohej ai dyqan kaq afër xhamisë. Hazret Maulvi Sahib r.a. ia përmendi këto fjalë Mesihut të Premtuar a.s., i cili tha se këta njerëz ishin Eshab-e-Suffah. Allahu i Plotfuqishëm pastaj u dha lehtësi këtyre njerëzve të grupit “Eshab-e-Suffah” në çdo mënyrë dhe u shtoi gjithashtu pasardhësit e tyre.

    Në vitin 2005, i ndjeri mori një diplomë Baçelor në shkencat komputerike e inxhinieri në fushën e tekstilit nga Universiteti i Mançesterit. Më vonë, i ndjeri u kthye në Pakistan dhe mori përsipër drejtimin e biznesit familjar. Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm në biznes, përulësia e tij ishte shembullore. Ai shoqërohej me njerëz nga të gjitha sferat e jetës dhe i trajtonte të gjithë me shumë respekt dhe nderim, sikur ishin miqtë dhe vëllezërit e tij. Ai kujdesej veçanërisht për punëtorët e tij dhe sillej me dashamirësi me ta.

    I ndjeri ishte gjithmonë në krye kontribuuesve dhe gjithashtu merrte pjesë në dhënien e donacioneve për spitalet, etj. Ai paguante detyrime financiare si anëtar i Xhematit në çdo kategori. Madje, ai vetë do t’i kujtonte Sekretarit të Financës që të mblidhte kontributet e tij, dhe ta informonte për skema të ndryshme. Ai mori pjesë në projekte të ndryshme që u realizuan nga Humanity First. Ai ndërtoi banesa për njerëzit në nevojë dhe dha përkrahje financiare për martesat e familjeve të varfra. Sa herë që takohej me dikë, i ndjeri gjithmonë përpiqej të mësonte diçka të dobishme prej tij dhe mundohej ta zbatonte atë në jetën e tij. Ai veçanërisht ndihmonte të tjerët gjatë muajit të Ramazanit.

    I ndjeri dhe prindërit e tij kishin ndërtuar një xhami në Belize e cila ishte një projekt madhështor dhe falë mëshirës së Allahut, sot aty qëndron një objekt shumë i bukur. Është shkruar se i ndjeri ndërpriste çdo angazhim gjatë kohës së namazit dhe gjente kohë për të falur namazin. Ai gjithashtu e recitonte Kuranin Famëlartë rregullisht. Gjatë kohës së pandemisë, kur nuk lejohej namazi nëpër xhami, ai kishte siguruar që çdo namaz të falej me xhemat në shtëpi. Gjatë një vizite në Malajzi, kur policia erdhi në një nga xhamitë tona dhe arrestoi disa anëtarë të Xhematit, i ndjeri ishte gjithashtu njëri prej të arrestuarve. Kështu edhe ai pati nderin të burgosej në rrugën e Allahut për një kohë të shkurtër.

    I ndjeri ka lënë pas bashkëshorten, dy fëmijët, prindërit, 5 vëllezërit dhe një motër. Nëna e tij Asifa Said Sahiba është Kryetare e Lexhna Imailah për rrethin Fejselabad. Allahu u dhëntë durim e forcë të gjithë të pikëlluarve!

    Dr. Hamid Mahmud Sahibi ka shkruar: “I ndjeri Zulfikar Ahmed sahibi kishte një lidhshmëri dhe dashuri të veçantë për Ahmediatin dhe Kalifatin. Ai përdorte kontaktet e tij shoqërore, politike dhe administrative që t’u vinte në ndihmë njerëzve dhe e konsideronte detyrën e tij të bënte çdo gjë të mundshme për ata që kishin nevojë për ndihmë. Ai e konsideroi si detyrim moral për të ndihmuar fshehurazi këdo që shihte se po përballej me vështirësi.

    Dr Masudulhasan Nuri Sahibi thotë: “Zulfikari ishte një djalë ahmedian shumë i devotshëm, i përkushtuar dhe i sinqertë”. Ai thotë: “Qëkur e kam njohur, i kam zbuluar mirë aftësitë e tij. Ai ishte në krye të sakrificave financiare si dhe për skemat e ndryshme të Humanity First. Angazhimi i tij në sakrificat bujare ishte i një niveli shumë i lartë dhe jepte qindra mijëra rupi për bamirësi duke shprehur një përulësi të skajshme.

    Allahu i Madhëruar e faltë dhe mëshiroftë të ndjerin dhe u dhuroftë durim e forcë prindërve dhe bashkëshortes së ti!. Allahu i ruajttë fëmijët e të ndjerit dhe i mundësoftë të përvetësojnë virtytet e tij!

  1. Përmendja e tretë është e të nderuarit Melik Tabasum Maksud Sahibit nga Kanadaja, i cili ndërroi jetë këto ditë të fundit. إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ (Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi).
    Babai i tij Melik Maksud Ahmad Sahibi kishte rënë dëshmor më 28 maj 2010 në sulmin në Xhaminë “Darudhikr”. Gjyshi i të ndjerit nga nëna, ishte Hazret Malik Ali Bakhsh Sahib r.a. nga Bhopal, Indi,  i cili ishte sahab i Mesihut të Premtuar a.s. I cili kishte lidhur bejat me Mesihun e Premtuar a.s. pasi dëgjoi Ligjëratën e tij në Sialkot.
    Në vitin 1991, Melik Tabassum Meksud Sahibi kishte dedikuar jetën e tij në shërbim të Xhematit. Në vitin 2006, ai u emërua në Nazarat Umoor-e-Amma ku shërbeu si Naib Nazir Umoor-e-Amma. Më pas në vitin 2011, ai u emërua Këshilltar Ligjor në Tehrike Xhedid. Më pas në vitin 2016 me lejen time ai shkoi në Kanada bashkë me familjet e tjera të dëshmorëve. Fillimisht ai nuk donte të shkonte, por më pas pranoi të ndiqte këshillën time. Në Kanada ai shërbeu në departamentet si Umur-e-Amma, Xhaidad dhe gjithashtu si Nazim Darul Kada.Ai ishte i rregullt në faljen e namazit dhe agjërimin. Falte rregullisht namazin e tehexhudit, kishte një lidhje të thellë me Kuranin Famëlartë, ishte i lidhur fort me Kalifatin dhe dëgjonte thirrjen e Kalifit të kohës. Ai ishte shumë i devotshëm dhe i sjellshëm. Ai ka lënë nënën, bashkëshorten, një djalë dhe 3 vajza. Djali i tij i vetëm dr. Et’her Ahmad ka dedikuar gjithashtu jetën në shrërbi të Xhematit. Po ashtu, dhëndri i tij Omar Faruk Sahib është një misionar. I ndjeri ishte gjithashtu nipi i Tahir Ahmad Sahibit, Amiri i Xhematit për rrethin Lahore.

    Vajza e të ndjerit, znj. Razia Tabassum shkruan: “Ai kishte një pasion për Tabligh. Një natë ai kishte dalë për Tabligh, kur disa djem e sulmuan. Ai arriti të shpëtonte por gjatë konfrontimit me djemtë, ai u godit në sy, duke i shkaktuar një lëndim dhe është kthyer në shtëpi me shumë vështirësi. Ai nuk ia përmendi këtë ngjarje askujt. Shumë vite më vonë, kur filloi të ndiejë problem me syrin e tij, ai iu drejtua mjekëve. Kur mjekët i thanë se dhimbja vinte si pasoja e një dëmtimi të vjetër, me ç’rast ai përmendi ngjarjen që i kishte ndodhur. Ai ishte shumë i kënaqur me faktin se shikimi i tij ishte dobësuar duke përhapur mesazhin e Mesihut të Premtuar a.s..

    Malik Tahir Ahmad Sahib shkruan: “Tabassum Maksudi ishte i prirur drejt virtyteve që nga fëmijëria e tij. Ai shërbeu si në organizatat ndihmëse ashtu edhe në administratën e Xhematit. Ai ishte i lidhur fort pas Kalifatit dhe gjithmonë kujdesej që t’i qëndronte i bindur sistemit të Xhematit. Ai ishte modest dhe i besonte fuqimisht Zotit. Ai rriti e edukoi fëmijët e tij në mënyrë të shkëlqyeshme dhe u përpoq të ushqente ata një dashuri të fortë me Kalifatin dhe sistemin e Xhematit.”

    Hafiz Muhammed Akram Kurejshi Sahib, Naib Wakeelul Mal II thotë: “E kam njohur për një kohë shumë të gjatë dhe kemi qenë edhe fqinjë. Ai ishte shumë i sinqertë, besnik dhe i sjellshëm. Ai kishte një dëshirë të papërmbajtshme për t’i shërbyer njerëzimit dhe ishte tërësisht i përkushtuar ndaj Kalifatit. Ai kishte besim të fortë në Zotin e Plotfuqishëm. Një herë, ai po i shpjegonte dikujt për njohjen e Zotit dhe pashë lot që i rridhnin nga sytë nga dashuria për Zotin dhe Madhështinë e Tij.”

    Më tej ai shkruan: “Një herë, dikush që ka punuar me të më tha se i ndjeri e kishte këshilluar duke thënë: Porosia ime është të mos shikoni nga ajo që bëjnë të tjerët dhe të mos dëgjoni dikë tjetër. Më mirë ruani besimin tuaj dhe mos e lëshoni kurrë mantelin e Kalifatit, sepse nuk ka paqe askund tjetër, jashtë tij”.

    Ai ishte thellësisht i lidhur me Xhematin që nga koha e tij në Khudamul Ahmedia dhe ishte gjithmonë i gatshëm të sakrifikonte jetën, pasurinë, kohën dhe nderin e tij. Ai ishte një i ri aktiv, i shëndetshëm dhe i pashëm. Ai ishte i fortë, shtatlartë dhe sportist i regjur. Ai përdorte të gjitha aftësitë e tij për të ndihmuar Xhematin. Licencën për ushtrimin e profesionit si jurist në Gjykatën e Lartë e kishte marrë në moshë të re. Ai kishte aftësi dhe përvojë të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme dhe gjithashtu kishte udhëtuar nëpër botë.”

    Ai nk ishte një njeri që jeton në botën e vet. Ishte i përulur dhe kurrë nuk shfaqte asnjë grimcë mendjemadhësie apo arrogance. Allahu i Madhëruar e faltë dhe e mëshiroftë të ndjerin dhe pasardhësve të tij u mundësoftë të vazhdojnë virtytet e tij! Amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp