Jeta e Hazret Uthman bin Afanit, Kalif i Tretë i Profetit a.s. | pjesa IV
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Hazret Uthman bin Afanit, Kalif i Tretë i Profetit a.s. | pjesa IV

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në hutbet e fundit, është folur mbi betejat dhe fitoret e Hazret Uthmanit r.a.. Këtë temë do ta vazhdoj edhe sot.

Fitoret dhe pushtimet gjatë periudhës së Hazret Uthmanit r.a.

Ali ibn Muhammed Madejniu rrëfen: “Në periudhën e Hazret Uthmanit r.a., Hazret Se’id ibn Asi r.a. bëri një betejë në Tabaristan [i cili i referohet provincës Mazanderan të Iranit të sotëm – shën. i përkth.] në vitin e 30-të pas Hixhretit dhe pushtoi kështjellën”.

Beteja e “Sevarit”

“Sevari” u pushtua gjithashtu në vitin e 31-të pas hixhretit. Shumë libra të historisë nuk tregojnë saktësisht vendndodhjen e kësaj beteje. Alama Ibn Halduni ka shkruar që vendndodhja e kësaj beteje qe Aleksandri. Sipas një dëshmie, muslimanët dhe romakët kishin zhvilluar një betejë në vitin 31 pas hixhretit, dhe kjo ngjarje quhet Sevari. Sipas thënies së Ebu Mahsherit, beteja e Sevarit, ishte zhvilluar në vitin 34 pas hixhretit. Beteja e parë e Asabidës u zhvillua në vitin 31 pas hixhretit. Sipas Vakidiut, betejat Sevari dhe Asabida kishin ndodhur në vitin e 31 hixhri.

Fitorja e Hazret Abdullah ibn Sa’ad Ibn Ebi Sar’hut ndaj francezëve dhe barbarëve në Afrikë dhe Andaluzi, nxiti mërinë te romakët. Ata iu drejtuan Kostandinit birit të Herakliusit. Ata ngritën një ushtri kaq të madhe kundër muslimanëve, që ata nuk kishin parë që nga fillimi i Islamit. Me pesëqind anije në flotën e tyre, ata u nisën kundër muslimanëve. Amir Muavija e caktoi Hazret Abdullah bin Sa’ad Ibn Ebi Sarhun si kryekomandant i flotës detare. Kur u ballafaquan të dy ushtritë, u zhvillua një betejë e ashpër. Në fund, me mbështetjen e Zotit, muslimanët mbizotëruan. Kostandinit dhe ushtrisë së tij iu desh të tërhiqeshin.

Pushtimi i Armenisë

Pushtimi i Armenisë u arrit në vitin 30 hixhri, ndërsa sipas Vakidiut, Armenia kishte rënë në vitin 31 hixhri, përmes Habib ibn Meslemes.

Pushtimi i Horasanit dhe Mervit

Pushtimi i Horasanit u shënua në vitin 31 hixhri. Hazret Abdullah Ibn Amiri kishte marshuar drejt Horasanit, dhe kishte pushtuar qytetet si Abraha, Tus, Ebi Verd dhe Nasah. Këto vende ndodhen në Iranin e sotëm. Ushtria muslimane mbërriti deri në qytetin Sarhas. Banorët e qytetit Merv, i cili sot ndodhej në territorin e Turkmenistanit, lidhën një marrëveshje me muslimanët.

Përparimi në territorin e Perandorisë Romake

Përparimi drejt Perandorisë Romake ndodhi në vitin 32 hixhri, kur Amir Muavija zhvilloi një betejë kundër saj, dhe mbërriti deri në portën e Kostandinopojës. Në vitin 32 hixhri, Hazret Abdullah ibn Amiri pushtoi vendet Meruruz, Talkan, Farjab, Xhozaxhan dhe Tarihstan. Të gjitha këto vende ndodhen në territorin e Afganistanit. Ai gjithashtu pushtoi qytetib Belkh.

Ebul Ashab Sadiu transmeton nga babai i tij, se Ahnab Ibn Kejsi zhvilloi betejën me banorët e qyteteve Merv, Ruz, Talkan, Farjab dhe Xhozaxhan deri në errësirën e natës dhe Allahu i Madhërishëm u siguroi muslimanëve një fitore bindëse ndaj kundërshtarëve. Ahnab ibn Kejsi dërgoi Akrah Ibn Habisin në Xhozaxhan me një çetë, për të ndjekur ushtrinë, të cilën Ahnab ibn Kejsi kishte mundur në betejë. Akra ibn Habisi zhvilloi një betejë të ashpër. Ai humbi mjaft kalorës në këtë përpjekje dhe pavarësisht martirizimit të shumë prej luftëtarëve të tij, Allahu u siguroi një fitore madhështore.

Fitorja e qyetit Belkh

Pushtimi i qytetit Belkh ndodhi në vitin 32 hixhri. Ahnab ibn Kejsi ishte nisur nga Meruruzi drejt qytetit Belkh dhe muslimanët e rrethuan qytetin. Belkh është një qytet antik [në Afganistan]. Ky ishte një nga qytetet më të vjetra të Afganistanit të sotëm, rrënojat e të cilit kanë mbetur edhe sot e kësaj dite. Qyteti ndodhet 12 kilometra në lindje të lumit Belkh. Banorët propozuan të paguanin 400 mijë dirhamë si kompensim, të cilin Ahnab ibn Kejsi kishte pranuar.

Pushtimi i Haratit

Harati u pushtua në vitin 32 hixhri. Hazret Uthmani r.a. kishte dërguar Hulejd ibn Abdillah ibn Henefiun në Harat dhe Bazaghes, i cili arriti të pushtonte të dy vendet. Por, më vonë ato shpallën kryengritje dhe ata u lidhën në aleancë me Karinin. Në vitin 32 hixhri, Hazret Abdullah ibn Amiri emëroi Kejs ibn Haithemin si zëvendës në Horasan dhe u nis për ta shtypur kryengritjen, pasi Karini kishte përgatitur një ushtri të madhe për të luftuar muslimanët. Në anën tjetër, Kejs ibn Haithemi gjithashtu ia dorëzoi udhëheqjen Abdullah ibn Hazimit dhe iu bashkua Hazret Abdullah ibn Amirit me ndihmë dhe forcë. Meqë ushtria armike ishte akoma shumë e madhe në numër, andaj edhe Abdullah ibn Hazimiit iu desh të nisej me 4,000 ushtarë të tij për të luftuar Karinin.

Ai dërgoi 600 ushtarë si pararojë dhe me pjesën tjetër të ushtrisë i ndoqi nga mbrapa. Forcat e pararojës arritën pranë ushtrisë së Karinit në mesnatë dhe menjëherë u hodhën në sulm. Për shkak të këtij sulmi të befasishëm, armikun e zuri një gjendje frike e paniku dhe me mbërritjen e ushtrisë kryesore muslimane, armiku pësoi një humbje të rëndë. Karini u vra gjithashtu në këtë përpjekje. Ushtria muslimane ndoqi çetat armike, të cilat tashmë po zmbrapseshin. Në këtë ndjekje, shumë ushtarë armike u vranë, dhe një pjesë e madhe u zu si rob lufte.

Mbërritja e Islamit në Nënkontinentin Indian

Në periudhën e Hazret Uthmanit r.a. Islami arriti deri në nënkontinentin Indian. Imam Jusufi në veprën e tij “Kitab-ul-Khiraj” duke iu referuar Imam Zuhriut ka konstatuar se Egjipti dhe Siria ishin pushtuar në periudhën e Hazret Omerit r.a., ndërsa Afrika (veriore), Horasani dhe disa zona të provincës Sind ishin pushtuar gjatë kohës së Hazret Uthmanit r.a..

Lidhur me ardhjen e Islamit në nënkontinentin Indian, ekziston edhe tradita e mëposhtme: Në periudhën e Hazret Uthmanit r.a., një batalion u dërgua në Mekran dhe Sind nën udhëheqjen e Hazret Abdullah ibn Muamirit. Ai shfaqi trimëri të madhe në pushtimin e Mekranit, dhe pak më vonë, atij iu besua edhe administrimi i këtyre zonave të pushtuara.

Lidhur me Hazret Muxhashe ibn Masud Sulami është shkruar që ai udhëhoqi një batalion të ushtrisë muslimane dhe bëri xhihad kundër armiqve të Islamit në Kabul, i cili është kryeqyteti i Afganistanit të sotëm. Sipas historianëve, në atë kohë, Kabuli bënte pjesë në Indi. Gjatë periudhës së Hazret Uthmanit r.a., Hazret Muxhashe luftoi gjithashtu kundër armiqve të Islamit në provincën Baluçistan të Pakistanit të sotëm, dhe arriti të ngrinte flamurin e Islamit në provincën e Sistanit. Pastaj muslimanët u vendosën në këto zona të nënkontinentit Indian dhe i quajtën këto vende si atdheu i tyre.

Shfaqja e trazirave në kohën e Hazret Uthmanit r.a.

Lidhur me trazirat në periudhën e Hazret Uthmanit r.a., ekzistojnë dhe disa profeci nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. .

Disa profeci lidhur me fitne e trazira në periudhën e Hazret Uthamnit r.a.

Hazret Aisheja trasnmsron se i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  kishte thënë: “O Uthman! Mund të ndodhë që Allahu të veshë ty një këmishë. Nëse njerëzit të kërkojnë ta heqësh atë, ti në asnjë mënyrë nuk duhet t’u bindesh atyre”. Ky transmetim gjendet në Tirmidhi.

Në Sunen Ibn Maxha transmetohet si në vijim: Hazret Aisheja ka transmetuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  ka thënë: “O Uthman! Mundet që Allahu këtë çështje ta besojë ty. Atëherë hipokritët do të kërkojnë me ngulm duke përdorur çdo mënyrë që të heqësh këmishën që të ka veshur Allahu”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. përsëriti këto fjalë tri herë. Numani, i cili ka transmetuar këtë rrëfim, shton se ai e pyeti Hazret Aishën se për ç’arsye nuk e kishte përmendur këtë rrëfim, dhe ajo u përgjigj se e kishte harruar.

Hazret Ka’b ibn Uxhrehu transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  u foli për një trazirë të madhe, që do të ndodhej së shpejti. Teksa Profeti a.s. na përshkruante këtë ngjarje, një person kaloi aty pranë, i cili e kishte mbuluar kokën dhe u kishte hedhur mantel krahëve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s.  tha se në ato trazira, ky njeri do të jetë në të drejtë. Transmetuesi tregon se ai e ndoqi atë person dhe e ndaloi atë. Ai qe Hazret Uthmani r.a.. Transmetuesi e kapi përdore dhe e shoqëroi atë deri te Profeti i Shenjtë s.a.v.s.  dhe e pyeti: “A e keni fjalën për këtë person”. Ai s.a.v.s.  iu përgjigj: “Po pikërisht, ky njeri”.

Hazret Aisheja r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  gjatë kohës që ishte i sëmurë, kishte thënë: “Unë dua që disa shokë të qëndrojnë pranë meje”. Ne e pyetëm atë: ‘O i Dërguar i Allahut! A dëshironi të thërrasim Ebu Bekrin?” Por ai nuk u përgjigj. Ne e pyetëm nëse do të thirrnim Omerin? Por, ai vazhdoi të heshtë. Atëherë e pyetëm nëse duhet të thërrisnim Uthmanin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u përgjigj “po”. Pas pak erdhi Hazret Uthman r.a. erdhi dhe Profeti s.a.v.s. e takoi në vetmi. Teksa i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) i fliste dhe Hazret Uthmanit i ndryshoheshin shprehjet e fytyrës. Kejsi tregon se atij i kishte thënë Ebu Sehlai, robi i liruar i Hazret Uthmanit r.a., se në Jomud-Dar (ditën e martirizimit të Hazret Uthmanit), ai i kishte thënë atij “I Dërguar i Allahut s.a.v.s. më ka dhënë një porosi të prerë dhe unë shkoj drejt saj. Transmetuesi tregon se Hazret Uthmani i kishte thënë:

أنا صابرٌ عليه
Unë i qëndroj me durim asaj.

“Jomud-Dar” është dita në të cilën hipokritët ia kishin rrethuar shtëpinë Hazret Uthmanit r.a. dhe pastaj e kishin martirizuar mizorisht.

Hazret Musleh Mo’udi r.a. ka përshkruar në mënyrë të hollësishme fillimin e trazirave në kohën e kalifatit të Hazret Uthmanit r.a. si dhe motivet e shkaqet që i sollën ato. Ai r.a. shkruan:

Statusi i lartë i Hazret Uthmanit r.a. dhe Hazret Aliut r.a.

“Hazret Uthmani r.a. dhe Hazret Aliu r.a., janë dy personalitete të përkushtuar nga muslimanët e parë, dhe shokët e tyre janë gjithashtu ndër frytet më të mira të Islamit. Me të vërtetë, të vihen në dyshim sinqeriteti dhe druajta e tyre ndaj Zotit, është t’i përshkruajmë një shëmti Islamit. Çdo musliman që e analizon sinqerisht dhe ndershmërisht të vërtetën, pa dyshim do të arrijë në përfundimin se ata qëndronin shumë lartë nga çdolloj grupacioni dhe sektarizmi. Kjo nuk është ndonjë parullë e pavërtetuar, por çdonjëri i cili i shqyrton faqet e historisë me sy të hapur e të vëmendshëm, do ta vërtetojë këtë fakt”.

Kush i nxiti trazirat?

“Për sa i përket hulumtimit tim, përshkrimet negative që u atribuohen këtyre burrave të shquar si dhe pasuesve të tyre janë veprimet e armiqve të Islamit . Ndonëse, pas vdekjes së sahabëve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. , disa njerëz që e identifikonin veten si muslimanë duke ua dorëzuar dëshirave të tyre të ulëta, kanë akuzuar njërin ose tjetrin, megjithatë gjithmonë ka dominuar e vërteta, dhe realiteti kurrë nuk ka lejuar të mbytet nga errësira”.

Hazret Musleh Mo’udi r.a. i shqyrton trazirat kundër Hazret Uthmanit r.a. dhe shkruan:

“Tani shtrohet pyetja, nga lindi kjo kryengritje? Disa e kanë fajësuar Hazret Uthmanin r.a. për të, të tjerët kishin Hazret Aliun r.a.. Disa besojnë se Hazret Uthman r.a. solli disa risi në sheriat që u nxiti pakënaqësi muslimanëve. Nga ana tjetër, disa pretendojnë se Hazret Aliu r.a. bëri përpjekje të fshehta për të uzurpuar kalifatin. Ai nxiti kundërshtimin ndaj Hazret Uthmanit r.a. dhe komplotoi vrasjen e tij në mënyrë që të bëhej vetë kalif pas tij.

Megjithatë, të dy pretendimet janë të gabuara e të pabazë. As Hazret Uthmani r.a. nuk solli ndonjë risi në fe dhe as Hazret Aliu r.a. nuk bëri ndonjë komplot për vrasjen e Hazret Uthmanit, për t’u bërë Kalif pas tij. Madje, Hazret Aliu nuk ka pasur asnjë gisht në planifikimin e vrasjes së Hazret Uthmanit.

Kjo kryengritje kishte shkaqe krejtësisht të tjera. Hazret Uthmani r.a. dhe Hazret Aliu r.a. janë plotësisht të pafajshëm përballë akuzave të tilla. Ata ishin njerëz të shenjtë e të dëlirë. Hazret Uthmani r.a. ishte po ai, për të cilin i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë: “Ai i ka bërë Islamit aq shumë shërbime saqë tani mund të bëjë çfarë të dojë, Zoti nuk do t’i kërkojë më llogari”. [Tirmidhi]

Hazret Musleh Mo’udi r.a. ka qartësuar gjithashtu se kjo nuk do të thoshte se edhe nëse do të largohej nga Islami, Zoti nuk do t’i kërkojë llogari. Përkundrazi, kjo do të thoshte që ai kishte përvetësuar aq shumë cilësi të mira dhe kishte arritur një shkallë kaq të lartë shpirtërore në ndjekjen e veprave të mira, saqë tashmë ishte e pamundur që ndonjë nga veprimet e tij të shkelte ligjin e Zotit.

Hazret Uthmani r.a. nuk ishte dikush që të shpikte risi në fe apo të vepronte duke iu kundërvënë ligjit të Islamit dhe as Hazreti Aliu r.a. nuk ishte dikush që të thurte plane tinëzare për të arritur kalifatin.

Përparimi i Islamit në kohën e Hazret Uthmanit r.a.

Hazret Musleh Mo’ud r.a. gjithashtu ka shkruar:

“Në gjashtë vitet e para të kalifatit të Hazret Uthmanit në detyrë, nuk shikojmë asnjë gjurmë trazirash. Përkundrazi, ne shohim që njerëzit ishin në përgjithësi të kënaqur me udhëheqjen e tij”. [Tabari] Madje, historia tregon se në periudhën e tij, Hazret Uthmani r.a. ishte më i pëlqyer se Hazret Omeri r.a.. Dhe jo vetëm kaq, Hazret Uthmani r.a. kishte një madhështi të veçantë në karakter. Një poet i asaj kohe ndriçon këtë aspekt në poezinë e tij. Ai shkruan:

“O njerëz të ligë! Mos ua përlani pasurinë njerëzve nën sundimin e Uthmanit r.a., pasi Ibn Afani është ai, të cilin tashmë e keni provuar. Ai vret banditët sipas urdhërimeve të Kuranit. Ai është një mbrojtës i përkushtuar ndaj Kur’anit dhe zbaton ligjin e tij mbi gjymtyrët e njerëzve”. [Tabari]

Lëvizja e rebelëve nuk ishte kundër Hazret Uthmanit r.a.

Por pas gjashtë vjetësh, pikërisht në vitin e shtatë të kalifatit të tij, ne vërejmë një lëvizje që nuk drejtohej kundër Hazret Uthmanit r.a., por kundër disa sahabëve ose guvernatorëve. Historiani Tabariu raporton se Hazret Uthmani r.a. mundohej shumë për të mbrojtur të drejtat e njerëzve, megjithatë ata që ishin të mëvonshmit në Islam, të cilët nuk kishin pranuar Islamin në fillim dhe që nuk kishin ndonjë kontribut të veçantë apo pozitë të dalluar në shoqëri, nuk merrnin të njëjtën njohje apo respekt në kuvendet e muslimanëve. Këta muslimanë të mëvonshëm nuk merrnin të njëjtin përfaqësim në administratë dhe në shpërblimet financiare, siç gëzonin muslimanët e parë dhe të hershëm.

Me kalimin e kohës, disa njerëz filluan ta kritikonin këtë dallim në raport me të drejtat e muslmianëve, qofshin të hershëm apo të mëvonshëm. Ata e quanin këtë një padrejtësi të madhe.

Meqë këta kundërshtarë kishin frikë nga muslimanët në përgjithësi, dhe u kallte frikë reagimi i tyre, prandaj ata i shmangeshin një kundërshtimi të hapur. Për këtë arsye, ata shmangeshin të shprehnin mendimet e tyre publikisht, dhe parapëlqenin të nxisnin pakënaqësi dhe urrejtje kundër sahabëve në mënyrë të fshehtë. Sa herë që ndesheshin me ndonjë shërbëtor beduin apo me një musliman të thjeshtë, ata i shpalosnin të gjitha ankesat e tyre. Të shtyrë nga naiviteti, padituria apo interesat personale, edhe njerëzit dalëngadalë filluan t’i bashkoheshin kësaj lëvizje dhe ky numër filloi të shtohej në mënyrë graduale. [Tabari]

Kur fillon ndonjë rezistencë apo revoltë, motivet e tyre gjithashtu nisen të grumbullohen në një mënyrë të jashtëzakonshme. Nga njëra anë, ndjenjat keqdashëse ndaj sahabëve po rriteshin ndër njerëzit që ishin pushtuar nga ndjenjat ziliqare dhe nën anë tjetër, po tkurrej e ftohej besimi e këtyre muslimanëve të rinj. Ata nuk kishin shijuar shoqërinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe as nuk kishin mundësinë të takoheshin me ata njerëz që kishin përfituar nga shoqëria e tij. Thjesht duke përqafuar Islamin, ata kujtonin se kishin mësuar gjithçka. Ndërsa zelli për Islamin po u zbehej, po dobësohej edhe ndikimi i tij në zemrat e tyre. Ata edhe njëherë kënaqeshin në sjelljen mëkatare, njësoj siç gëzoheshin në jetën para-islame. Ndërkohë, kur u ndërmorën masat disiplinore e ndëshkimore kundër tyre, për shkak të shkeljeve të tyre, në vend që të përmirësoheshin apo të reformoheshin ata donin të hakmerreshin ndaj zbatuesve të ligjit. Përfundimisht, ata u shfaqën si një lëvizje kundër bashkimit të muslimanëve. Qendra kryesore e këtij grupi ishte Kufa. Por çuditërisht edhe në Medinë ndodhi një ngjarje që tregon se disa muslimanë në atë kohë ishin po aq të paditur nga Islami sa ata njerëz primitivë që banojnë në zona plotësisht të izoluara, shumë larg civilizimit njerëzor.

Ngjarja e Umran ibn Avanit në Medinë

Umran ibn Avani ishte ai njeri i cili ishte kurorëzuar me një grua, e cila po kalonte periudhën e idetit (të pritjes). Kur Hazret Uthmani r.a. mësoi këtë ngjarje, ai shprehu zemërimin e tij. Ai jo vetëm që ndau gruan prej tij por edhe e dëboi Umranin nga Medina dhe e dërgoi në Basra.

Nga kjo ngjarje, ne kuptojmë që edhe në atë kohë, disa njerëz, thjesht duke pranuar Islamin dhe duke pasur një dije sipërfaqësore, e konsideronin veten si dijetarë të Islamit dhe nuk e konsideruan të nevojshme rëndësinë e hulumtimeve të mëtejshme.

Po ashtu, është e mundshme që, nën ndikimin e ideve të ndryshme liberale, ata e quanin të padobishme bindjen ndaj ligjit të sheriatit.

Hazret Musleh Mau’ud r.a. shkruan:

“E vërteta është që kjo kryengritje ishte rrjedhoja e një komploti të fshehtë, të cilin e kishin thurur hebrenjtë, të cilëve u ishin bashkuar disa muslimanë të rinj, që ishin shkëputur nga besimi dhe ishin zhytur në interesat e botës.

Guvernatorët e provincave, të cilët i kishte caktuar Hazret Uthmani r.a., nuk ishin as fajtorë për këtë revoltë dhe as përgjegjës për shpalljen e kryengritjes. Ishin disa hebrenj që e nxitën atë dhe disa myslimanë u bashkuan me ta. Ndonëse ishin plotësisht të pafajshëm, faji i vetëm i guvernatorëve ishte që Hazret Uthmani r.a. i kishte zgjedhur për të përmbushur këto detyra.

Hazret Uthmani r.a. vetë ishte fajtor, sepse pavarësisht moshës së madhe, dhe pafuqisë fizike, ai shtrëngonte fort litarin e bashkimit musliman dhe mbante mbi supet barrën e krejt umetit. Përveç kësaj, ai gjithmonë mundohej të vendoste sheriatin dhe nuk i lejonte rebelët dhe kriminelët zullumqarë të dhunonin të dobëtit dhe t’i shtypnin të pafuqishmit.

Këtë e vërteton gjithashtu ngjarja e mëposhtme: Rebelët u tubuan në Kufe dhe diskutuan për të ndezur trazira midis muslimanëve. Të gjithë shprehën mendimin e tyre njëzëri: [Arabisht]

لا والله لا يرفع رأساً ما دام عثمان على الناس

d.m.th. Askush nuk mund ta ngrejë kokën derisa sundon Uthmani r.a..

Uthmani r.a. qëndronte si një mur i pakapërcyeshëm, që pengonte përparimin e rebelëve. Eliminimi i tij ishte e domosdoshëm për të arritur planet e tyre të ndyra papengesë.

Dëgjimi i ankesave të rebelëve dhe përgjigja e Hazret Uthmanit r.a.

Në përshkrimin e mëtejshëm të kësaj trazire, Hazret Musleh Mo’udi r.a. tregon:

“Hazret Uthmani r.a. mblodhi rebelët, si dhe tuboi sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Kur të gjithë u mblodhën, ai u rrëfeu gjithçka të pranishmëve. Në atë moment, u ngritën dhe dy informatorë si dëshmitarë dhe treguan se si rebelët po përpiqeshin për të ndezur trazira në vend.

Mendimi i prerë i sahabëve kundër rebelëve

Duke dëgjuar këtë, sahabët dhanë mendimin e tyre njëzëri se rebelët duhet të ekzekutoheshin, pasi ata në emër të reformës, po tentonin të mbillnin trazira e anarki në vend. Ata gjithashtu tregun se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë “Mallkimi i Allahut qoftë mbi atë, i cili u bën thirrje muslimanëve që t’i binden atij, ndërkohë ekziston një imam (udhëheqës) në mesin e tyre. Muslimanët duhet ta vrasin atë, pavarësisht se kush është”. (Muslimi)

Sahabët pastaj ia kujtuan thënien e Hazret Omerit r.a. kur ai kishte thënë që “Unë nuk e konsideroj të lejueshme për ju dënimin me vrasje, në të cilin unë vetë nuk jam përfshirë, vetëm nëse shteti jep një vendim të tillë”.

Përgjigja e Hazret Uthmanit ndaj tri akuzave të rebelëve

Pasi dëgjoi mendimin e sahabëve, Hazret Uthmani r.a. u tha, “Jo, ne do t’i falim ata dhe do t’i pranojmë kritikat e tyre. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i bindur ata. Ne nuk do të kundërshtojmë askënd, derisa ai nuk shkel ndonjë kufi të sheriatit apo deklaron hapur mosbesimin e tij”.

Pastaj ai tha: “Këta kanë përhapur disa fjalë rreth meje, të cilat ju gjithashtu tashmë i dini. Ata kujtojnë se do të debatojnë me mua mbi këto çështje, me qëllim që kur të kthehen në vendet e tyre, t’u tregojnë njerëzve se gjoja unë nuk isha në gjendje t’i hidhja poshtë ato.

Këta akuzojnë që unë nuk kam shkurtuar namazin gjatë udhëtimit në Mekë, ndërkohë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka shkurtuar namazin gjatë udhëtimit. Unë kam falur namazin e plotë vetëm në Mina dhe kam vepruar kështu për dy arsye:

  1. Së pari, sepse kam pronë atje dhe unë jam martuar atje.

  2. Së dyti, sepse në ato ditë njerëzit nga të katër anët ishin mbledhur atje për haxh. (Nëse do të falja shkurt) vizitorët që nuk kanë dije të mjaftueshme, do të kishin përshtypjen se derisa Kalifi kryen vetëm dy rekate, edhe namazi përbëhet nga vetëm dy rekate, e jo katër. A nuk është kështu?” Sahabët iu përgjigjën: “Po, kjo është e vërtetë”.

Ai pastaj tha: “Gjëja e dytë për të cilën këta më akuzojnë është se unë kam shtuar një risi në fe duke përcaktuar tokën e kullotave publike. Kjo akuzë është gjithashtu e pabazë, pasi kullota publike është krijuar para meje, dhe atë e ka përcaktuar Hazret Omeri r.a., ndërsa unë vetëm e kam zgjeruar për shkak të rritjes së numrit të deveve të zekatit. Për më tepër, toka që është caktuar për zgjerimin e kullotës nuk i përket askujt, por është pronë publike. Unë nuk fitoj asgjë prej saj. Tani kam vetëm dy deve. Kur u bëra Kalif, isha njeriu më i pasur në Arabi, por tani më kanë mbetur vetëm këto dy deve, që i kam për haxh. A nuk është kështu?” Sahabët sërish iu përgjigjën: “Po, kjo është e vërtetë”.

Pastaj ai tha: “Ju më akuzoni më tej se paskam emëruar vetëm të rinj si guvernatorë. Përkundrazi, unë caktoj si guvernatorë vetëm ata njerëz që zotërojnë karakter të shkëlqyer dhe moral të lartë. Ata njerëz që kanë qenë para meje, kanë emëruar guvernatorë akoma më të rinj sesa ata që kam caktuar unë. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. caktoi Osama ibn Zejdin r.a. si kryekomandant të ushtrisë, njerëzit iu drejtuan atij më shumë kritika se unë. A nuk është e vërtetë kjo?” Sahabët u përgjigjën: “Po, kjo është e vërtetë”. Hazret Uthmani r.a. u tha: “Edhe pse këta rendisin vetëm të metat, nuk paraqesin faktet reale”.

Në këtë mënyrë Hazret Uthmani r.a. i është përgjigjur një nga një çdo kritike dhe i ka hedhur poshtë ato me argumente të pamohueshme. Sahabët këmbëngulnin për vrasjen e rebelëve, por Hazret Uthmani r.a. ua refuzoi kërkesën kategorikisht dhe i la të lirë.

Tabari thotë: أبى المسلمون إلا قتلهم، وأبى عثمان إلا تركهم

d.m.th. “Të gjithë muslimanët nuk pranonin asgjë përveç vrasjes së tyre, ndërsa Hazret Uthman r.a. nuk pajtohej me asgjë përveç lirimit të tyre”.

Nga kjo ngjarje mund të vihet re se rebelët përdornin lloj-lloj shpifjesh dhe mashtrimesh. Në atë kohë, kur nuk ekzistonin shtypi apo mjetet e transportit, siç i kemi sot, rebelët e kishin më të lehtë të mashtronin njerëz të thjeshtë.

Rebelët nuk kishin asnjë arsye për të përligjur revoltën e tyre

Me të vërtetë, rebelët nuk dispononin asnjë arsye objektive, që të përligjte revoltën e tyre. E vërteta nuk ishte as në anën e tyre dhe as ata nuk ishin me të vërtetën. Të gjitha veprimet e tyre bazoheshin vetëm në gënjeshtra dhe shpifje. Ishte vetëm mëshira dhe dhembshuria e Hazret Uthmanit r.a. që i mbronte ata, përndryshe muslimanët do t’i kishin copëtuar ata. Sahabët kurrë nuk mund të pajtoheshin se paqja dhe siguria që ata kishin arritur duke sakrifikuar jetën e tyre, të humbnin thjesht përmes intrigave të disa keqbërësve. Ata e dinin që nëse rebelët nuk do të ndëshkoheshin shpejt, do të përmbysej i gjithë shteti islamik.

Sjellja e mëshirshme e Hazret Uthmanit r.a. ndaj rebelëve

Nga ana tjetër, Hazret Uthmani r.a., i cili ishte një mishërim i mëshirës, ​​shpresonte që ata të udhëzoheshin dhe të mos vdisnin në mosbesim. Ai u jepte afat dhe puçin e tyre si dhe veprimet e tjera të qarta të tradhtisë, i interpretonte thjesht si një qëllim tradhtie. Si rrjedhojë, ai vazhdoi të shtynte dënimin e tyre.

Sahabët ndienin neveri për rebelët

Kjo ngjarje gjithashtu tregon se sahabët ishin neveritur prej tyre dhe i urrenin plotësisht. Ky përfundim mbështetet nga fakti se vetë rebelët kanë dëshmuar se kishin vetëm 3 qytetarë të Medinës si bashkëpunëtorë. Po të kishin sahabë të tjerë, si mbështetës, ata do t’i kishin përmendur me emër. Së dyti, sahabët gjithashtu demonstruan, përmes veprimeve të tyre, se ata i dënonin veprimet e tyre dhe i interpretonin ato kaq shumë kundër sheriatit, saqë sipas tyre dënimi nuk duhej të ishte aspak më i vogël se dënimi me vdekje.

Po të ishin sahabët aleatë me ta, ose qytetarët e Medinës të ishin mbështetësit e tyre, atëherë ata nuk do të kishin nevojë për të sajuar ndonjë arsye apo plan. Ata duhet të kishin ekzekutuar Hazret Uthmanin r.a.­ menjëherë në vend dhe të kishin zgjedhur ndonjë person tjetër për kalifat.

Por ne shohim se në vend që të arrinin të vrisnin Hazret Uthmanin r.a., vetë jeta e tyre qe në rrezik nga shpatat e zhveshura të sahabëve. Ata mundën të ktheheshin të gjallë, vetëm për shkak të favorit dhe mëshirës së këtij të mëshirshmi dhe dashamirësi, të cilin ata kërkonin të vrisnin dhe kundër të cilit kishin shkaktuar kaq shumë trazira.

Njeriu tmerrohet nga shkalla e urrejtjes dhe mungesa e frikës ndaj Zotit të këtyre rebelëve. Ata nuk morën asnjë mësim nga kjo ngjarje. Akuzat e tyre u përgjigjën me hollësi e argumente një nga një dhe u vërtetua se të gjitha pretendimet ishin të rreme dhe të pabazuara. Ata dëshmuan mëshirën dhe faljen e Hazret Uthmanit r.a. dhe jeta e secilit prej tyre dëshmonte se nuk mund të gjendej një person kaq të mëshirshëm në botë në atë kohë. Megjithatë, në vend që të pendoheshin për mëkatet e tyre dhe të ndjeheshin fajtorë për shkeljet dhe gabimet e tyre, ose të distancoheshin nga dredhitë e tyre, ata fryheshin akoma më shumë në zjarrin e zemërimit.

Heshtjen e tyre përpara përgjigjeve të Hazret Uthmanit r.a.  ata e interpretuan si turpërim dhe fyerje. Po ashtu faljen e Hazret Uthmanit r.a. ata ia atribuuan dredhisë së tyre. Kështu ata u kthyen duke u menduar se si mund t’i vinin kapak pazarit të mbetur në të ardhmen.

Këtë temë do të vazhdoj edhe në të ardhmen. In-sha-Allah

Përmendja e disa besimtarëve që kanë ndërruar jetë

Tani dua të përmend disa persona, të cilët kanë ndërruar jetë kohët e fundit. I pari prej tyre është një dëshmor.

1.      Abdul Kadir sahibi u martirizua më 11 shkurt 2021 në Peshaver, Pakistan

Abdul Kadir sahibi nga Bazejd Khejl Pishavar, i cili u martirizua më 11 shkurt. Inna lil-lahi ve in-na ilejhi raxhiun.

Sipas detajeve, i ndjeri Abdul Kadir sahibi punonte në klinikën e xhaxhait të tij dr. Manzur Ahmed sahibi, e cila ndodhej në Bazejdkhel, Pishaver. Atë ditë, i ndjeri bashkë me anëtarët e xhematit ndodhej në klinikë dhe po bëhej gati për të falur namazin e drekës me xhemat, kur dikush i ra ziles. I ndjeri Abdul Kadir sahibi hapi derën, por një djalë i armatosur, i cili kishte ardhur si i sëmurë, hapi zjarrin duke e plagosur rëndë. Kishte marrë dy plumba në gjoks. E transportuan urgjentisht në spital, por i ndjeri nuk mundi t’i mbijetonte plagët dhe u martirizua. Inna lil-lahi ve in-na ilejhi raxhiun.

I ndjeri ishte 65 vjeç. Njerëzit mbizotëruan autorin e vrasjes dhe ia dorëzuan policisë.

Familja e të ndjerit si dhe familjet e tjera ahmediane, po përballeshin me një kundërshtim të ashpër prej kohësh. Edhe përpara, më 19 janar 2009, disa ekstremistë kishin bërë atentat ndaj kësaj klinike dhe i ndjeri Abdul Kadir sahibi kishte marrë një plumb në këmbë. Pas kësaj ngjarje, kjo familje ishte detyruar të mërgohej në qyteti Peshavar dhe pas një periudhe të gjatë ishte kthyer sërish.

Para dy muajsh, në një valë të re kundërshtimi ndaj xhematit, ai ishte larguar nga qyteti familjarisht, sipas udhëzimit të xhematit dhe ishin vendosur në Rebvah. Familja e të ndjerit është akoma në Rebvah, ndërsa i ndjeri ishte kthyer në Peshaver për shkak të punës në klinikë në Bazkhel dhe aty kishte dhe banimin.

Familja e këtij dëshmori, ishte njohur me Ahmediatin, përmes gjyshit të tij nga babai të nderuar Nizamudin Ahmed, i cili kishte pranuar xhematit duke lidhur bejatin në dorën e Hazret Kalifit I r.a.. Gjyshi i të ndjerit kishte dhe dy vëllezër më të mëdhenj dr. Fatahdin kirurg i përgjithshëm në Peshaver dhe inxh. Abdul Latif sahib. Dr. Fatahdini kishte dëgjuar për Mesihun e Premtuar a.s. gjatë kohës kur qe në shkollë dhe kishte vizituar Kadianin në 1902. Hazret Mesihu i Premtuar e kishte përkëdhelur me shumë dashamirësi dhe i kishte thënë se është një djalë i sjellshëm. Megjithatë, ai arriti të bënte bejat në dorën e Mesihut të Premtuar a.s.. Më vonë, ai fitoi një bursë, dhe për arsimin e lartë në mjekësi erdhi në Angli. Në vitin 1908, kur mësoi se Mesihu i Premtuar a.s. ka ndërruar jetë, ai shkoi në Kadijan dhe bëri bejat në dorën e Kalifit I r.a.. Vëllai tjetër Abdul Latif sahibi gjithashtu bëri bejat në kohën e Hazret Kalifit I r.a. së bashku me vëllain e tij.

Më vonë, nga thirrja e këtyre dy vëllezërve, disa anëtarë të familjes, përfshirë dhe gjyshin e të ndjerit pranuan xhematin.

I ndjeri shquhej për cilësi të shumta. Kishte një lidhje të fort besnike m Kalifatin dhe një raport të sinqertë me zyrtarët e xhematit. I ndjeri gjithmonë ushqente dëshirën e thirrjes, dhe shpesh përballej me situatë kundërshtuese. Në këto rrethana, gjatë 2 viteve të fundit, kishte ndërruar 7 herë banesën, megjithatë i qëndroi besnik Ahmediatit.

Përveç namazeve të detyrueshëm dhe tahaxhudit, recitonte rregullisht Kuranin Famëlartë. Ishte njeri i dashur, i dhembshur dhe mjaft i sjellshëm. Nuk pati asnjë mosmarrëveshje apo konflikt me dikë, gjatë gjithë jetës.

Bashkëshortja e të ndjerit shkruan se në jetë kemi përjetuar ulje ngritje, por i ndjeri kurrë nuk u tregua agresiv apo i ashpër. Nëse i flisja disi ashpër, ai gjithmonë përgjigje me butësi dhe me fëmijët gjithmonë sillej dhembshuri e dashuri.

Kishte një dëshirë të zjarre për t’u rënë dëshmor. Ai gjithmonë thoshte që nëse do të përballej me ndonjë sprovë, do të zgjidhte vdekjen sesa të largohej nga Kalifati Ahmedia.

Namazet i falte me përkushtim, bënte lutje kaq të gjata në sexhde, saqë familjarët e preknin me dorë, për të parë se mos i kishte ndodhur diçka. I ndjeri kishte shërbyer gjithashtu si sekretar i Terbijetit në Bazejdkhel.

Përveç bashkëshortes znj. Saxhida Kadir, i ndjeri ka lënë pas 4 djem dhe 5 vajza. Allahu ia lartësoftë shkallët në xhenet dhe i mbrojttë dhe i ndihmoftë pasardhësit! Allahu ua mundësoftë fëmijëve të tij për të vijuar mirësitë e të ndjerit!

2.      Akbar Ali sahib, ndërroi jetë në gjendje burgimi në rrugë të Allahut, më 16 shkurt 2021

Akbar Ali sahibi ishte një “Esir Rahe Mola” (i burgosur në rrugën e Allahut), djali i Ibrahim Sahibit i Rrethit Nankana, ndërroi jetë si pasojë e sulmit kardiak në burg më 16 shkurt në moshën 55 vjeçare. Ahmedijati iu prezantua familjes së tij përmes babait të tij në vitin 1920. Ai kishte dalë në pension nga ushtria si Havaldar. Ai e donte shumë predikimin, ishte shumë mikpritës dhe kujdesej për nevojtarët. Ai la pas dy vejusha, një djalë dhe një vajzë.

3.      Khalid Mahmud-ul-Hasan Bhatti sahibi, ndërroi jetë më 16 shkurt 2021, në Pakistan

Khalid Mahmud-ul-Hasan Bhatti sahibi Vakil-ul-Mal III, Zëvendës-kryetar i Mexhlis Ansarullahut të Pakistanit dhe Zëvendës-përgjgjës i Xhelsa Salanës së Rabvas, ndërroi jetë më 16 shkurt, në moshën 67 vjeçare. Ai bëri Master në Shkencat Politike dhe Histori në Universitetin e Punxhabit dhe më pas punoi si pedagog në shërbimin qeveritar për dy vjet. Ai dha dorëheqjen nga posti i tij në vitin1982 dhe dedikoi jetën në shërbim të Xhematit. Ai i shërbeu Xhematit në cilësi të ndryshme për rreth 38 vjet. Ai gjithashtu kishte mundësinë të vizitonte Indonezinë, Singaporin, Birmaninë, Siri Lankën, Nepalin dhe Ugandën, ku ai punoi me përpikëri dhe ndihmoi në forcimin e lidhjeve të anëtarëve me Xhematin dhe Kalifatin. Ai ishte anëtar i komiteteve të ndryshme, përfshirë Kudam-ul-Ahmedia, Mexhlis Amila të Ansarullave, dhe në Bordin e Kadasë. Ai ishte shumë i kujdesshëm në mbrojtjen e pasurisë së Xhematit. Ai ishte besnik ndaj Kalifatit dhe një respektues i traditave të Xhematit. Ai ka lënë mbrapa gruan e tij, një djalë, Hurrem Usman Sahibi i cili është gjithashtu i dedikuar për xhemait dhe dy vajza.

4.  Mubarak Ahmed Tahir sahibi, ndërroi jetë mlë 17 shkurt 2021

Mubarak Ahmed Tahir sahibi, Këshilltar Ligjor i Sadr Anxhuman Ahmedia, ndërroi jetë me 17 shkurt në moshën 81 vjeçare. Ahmedijati erdhi në familjen e tij në vitin 1927 përmes babait të tij Sufi Ghulam Muhamed Sahib. Në vitin 1970, pasi përfundoi Master në Ekonomi dhe Baçelor në Shkencat Juridike, ai e dedikoi jetën në bazë të një ëndrre. Në më shumë se 50 vjet shërbimi, ai shërbeu gjithashtu në Vakalat Mal Thani, si Këshilltar Ligjor i Tahrike Xhedidit dhe si mësues në Uganda. Në vitin 1983, Hazret Kalifi i IV r.a. e emëroi atë si Këshilltar Ligjor të Sadr Anxhuman Ahmedia të Pakistanit dhe ai shërbeu në këtë cilësi deri në vdekje. Ai ishte një njeri i dhembshur që ndante hidhërimet e të tjerëve. Ai ishte i hareshëm, i rregullt në faljen e nafileve, recitimin e Kuranit Famëlartë dhe dërgimin e selavateve!  Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) tha: Kur kam shërbyer si Nazir Ala dhe gjithashtu para kësaj, unë shpesh kam rënë në kontakt me të në lidhje me çështje të ndryshme. Ai kishte besim të përsosur në Allahun dhe në lutjet e Kalifit. Çdo detyrë e niste gjithmonë me lutje dhe sadaka. Allahu i kishte dhënë begati dhe ai e përdori atë për të ndihmuar të varfërit dhe nevojtarët.

Ai ka lënë mbrapa gruan e tij, katër djem dhe dy vajza. Një nga djemtë e tij, Hafiz lxhaz Ahmed Tahiri është misionar dhe ligjërues në Fakultetin e Xhematit në Mbretërinë e Bashkuar. Një djalë tjetër, Nasr Ahmed Tahir Sahibi, është një dedikues i jetës që punon për revistën e Xhematit Review of Religions në Kanada.

Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) u lut: Allahu u dhëntë të gjithë të ndjerëve një status të lartë në xhenet! Amin

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp