Martirizimi i Hazret Uthmanit r.a., Kalifit të Tretë | pjesa VI
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Martirizimi i Hazret Uthmanit r.a., Kalifit të Tretë | pjesa VI

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Po vijon tema rreth Hazret Osmanit r.a.. Rebelët dhe ngatërrestarët kishin nisur të mbillnin pështjellim në haxhin e fundit të Hazret Osmanit r.a., pothuaj një vit para se të martirizohej ai. Hazret Amir Muavija e kishte nuhatur fort këtë rrezik.

Kërkesat e Hazret Muavijes r.a.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka shkruar që duke u kthyer nga haxhi, Hazret Muavija e shoqëroi Hazret Osmanin deri në Medinë. Pas qëndrimit disa ditor në Medinë, Hazret Muavija vendosi të kthehej. Para se të nisej, ai takoi Hazret Osmanin kur ai qe i vetëm dhe i shtroi një kërkesë duke thënë: “Më duket se kjo ngatërresë po vjen duke u përshkallëzuar.  Nëse lejoni, dua t’ju shpreh diçka lidhur me këtë gjendje”. Hazret Osmani i dha leje dhe e porositi për t’u shprehur lirisht. Hazret Muavija i tha: “Kërkesa ime e parë është që të vini me mua në Siri, sepse aty sundon paqja dhe nuk ekziston asnjëlloj trazire. Kam frikë që (këtu) gjendja mund të trazohet papritur dhe ndoshta nuk mund të organizohet diçka përnjëherë”. Hazret Osmani iu përgjigj: “Unë nuk mund të lë në asnjë mënyrë fqinjësinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. edhe nëse më çjerrin dhe shqyejnë trupin”.

Hazret Muavija i tha: “Atëherë, kam kërkesën e dytë, të më lejoni për të vendosur një çetë ushtarësh sirianë për mbrojtjen tuaj. Nga prania e tyre, asnjëri nuk do të guxojë të bëjë ndonjë ngatërresë”. Hazret Osmani iu përgjigj: “Unë nuk mund të rëndoj bejtul Malin (thesarin e shtetit) vetëm për të ruajtur jetën e Osmanit dhe as nuk dua të shqetësoj banorët e Medinës me praninë e ushtarëve”.

Hazret Muavija i tha: “Atëherë, më lejoni t’ju parashtroj kërkesën e tretë. Meqë jetojnë sahabë të tjerë (në Medinë), prandaj këta (rebelë) po guxojnë të mendojnë për t’ju zëvendësuar me dikë tjetër, në rast se ju ndodh diçka. Andaj, shpërndajini (sahabët) në vende të ndryshme”. Hazre Osmani iu përgjigj: “Si mund të ndodhë që unë t’i shpërndaj dhe t’i hallakat ata njerëz, të cilët i ka grumbulluar vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.”.

Përgjigja e tij, e preku Hazret Muavijen në zemër, dhe ai nisi të qante, dhe i tha me ngashëri: “Nëse nuk pranoni asnjërin nga mendimet e mia, që ju kam paraqitur për sigurinë tuaj, atëherë të paktën shpallni që nëse do të pësoni diçka të keqe, Muavija do të ketë të drejtë të hakmerret për ju. Ndoshta kjo do t’u kallë frikë njerëzve e ata nuk do të guxojnë t’ju sjellin ndonjë dëm”. Hazret Osmani iu përgjigj:

“O Muavije! Ajo që ka për të ndodhur, nuk mund të shmanget. Unë nuk mund të pajtohem as me këtë, pasi jeni i rreptë nga natyra, dhe kam frikë se do të silleni ashpër me muslimanët”.

Pasi dëgjoi përgjigjet e Hazret Osmanit, ai u ngrit i emocionuar dhe i tha: “Më duket se ky është takimi ynë i fundit”. Kur doli jashtë, ai u bëri thirrje sahabëve duke u thënë që (ekzistenca e) Islamit tani varet prej tyre. Hazret Osmani është plakur, ndërsa ngatërresa po katandiset si mos më keq”. Ai u la amanet që të kujdeseshin për Hazret Osmanin dhe vetë u nis drejt Sirisë.

vullneti i paepur i Hazret Osmanit r.a. përballë rebelëve

Lidhur me vullnetin e paepur dhe kurajën e tij, Muxhahidi rrëfen se Hazret Osmani r.a. vështroi rebelët rrethues dhe u tha: “O populli im! Mos bëni atentat ndaj meje, sepse jam sundimtari i kohës dhe vëllai juaj musliman. Betohem në Zot, unë gjithmonë jam përpjekur të bëj reformë, pavarësisht a kam pasur mendim të drejtë apo kam pasur gabim. Mbani mend, nëse ju do më vrisni mua, nuk do të falni më namazin e as të kryeni xhihadin duke qenë të bashkuar, madje nuk do të më ndani plaçkat e luftës në mënyrë të drejtë e të barabartë”.

Transmetuesi rrëfen se kur rebelët hodhën poshtë fjalën e Hazret Osmanit, ai u tha “Unë ju pyes duke u betuar në Zot, se kur ndërroi jetë Prijësi i Besimtarëve Hazret Omeri, a nuk ishit ju të gjithë të bashkuar dhe të vendosur fuqishëm në fe dhe në të vërtetë? A nuk kishit bërë lutje për kalifatin? A tashmë doni të thoni se Allahu i Madhërishëm nuk ju paska pranuar lutjet, apo Ai nuk shqetësohet më për fenë? A doni të thoni që kam uzurpuar këtë Kalifat përmes shpatës apo rrëmbimit të dhunshëm, dhe nuk e kam arritur me mendimin njëzëshëm të sahabëve? Apo dëshironi të thoni që Allahu nuk paska ditur çështjet, në fazën e parë të kalifatit tim, që Ai ka mësuar më vonë? Përkundrazi Allahu i Madhërishëm është i Gjithëdijshëm”. Por, kur rebelët prapë nuk përfillën fjalën e Hazret Osmanit, ai u lut me këto fjalë. Ai tha:

“O Allah! Numëroji mirë këta dhe shpartalloje secilin prej tyre dhe mos e lër asnjërin prej tyre.”. Muxhahidi ka transmetuar që çdo njeri, i cili ka pasur gisht në këtë ngatërresë, është bërë pre e dënimit të Allahut”.

Ebu Lejla Kundi shkruan: “Unë e kam parë Hazret Osmanin, në gjendjen e rrethimit. Ai iu drejtua rebelëve nga dritarja dhe u tha: O njerëz! Mos më vrisni! Nëse jam fajtor, më jepni mundësi për t’u penduar. Pasha Allahun! Nëse më vrisni, nuk do të falni më namazin duke qenë të bashkuar dhe as të ballafaqoheni me armikun si një grup. Do t’ju linden mosmarrëveshjet dhe ju do të koklaviteni e do të ngatërroheni keq me njëri-tjetrin, sikur këto duar kur lidhen fort me njëra-tjetrën”. Pastaj ai recitoi ajetin:

وَيَا قَوْمِ لَا يَجْرِمَنَّكُمْ شِقَاقِي أَن يُصِيبَكُم مِّثْلُ مَا أَصَابَ قَوْمَ نُوحٍ أَوْ قَوْمَ هُودٍ أَوْ قَوْمَ صَالِحٍ ۚ وَمَا قَوْمُ لُوطٍ مِّنكُم بِبَعِيدٍ ۝

Dhe o populli im! Armiqësia me mua le të mos bëhet shkak që t’ju godasë e njëjta gjë që e goditi popullin e Nuhut, popullin e Hudit ose popullin e Salihut. Edhe populli i Lutit nuk është larg prej jush. (Kurani Famëlartë 11:90)

Porosia e vijueshme e Hazret Osmanit r.a. për muslimanët

Hazret Osmani r.a. i dërgoi një mesazh Hazret Abdullah ibn Selamit. Ai erdhi te Hazret Osmani dhe e pyeti: Çfarë është mendimi juaj mbi këtë çështje? (pra lidhur me gjendjen kaotike në Medinë). Hazret Osmani r.a. i tha: Ruhuni nga konflikti dhe lufta, pasi kjo sjellje do t’ju mbështetë më fort, si një argument i fort”.

Muhammed ibn Sirini transmeton se Hazret Zejd ibn Thabit el-Ensariu shkoi te Hazret Osmani r.a. dhe i tha: Ensarët po qëndrojnë para derës dhe ata po thonë që nëse ju pëlqen ata janë të gatshëm për t’u bërë sërish ensarët e Allahut. Hazret Osmani i ndaloi rreptësisht nga çdolloj konflikti.

Hazret Ebu Hurejra r.a. transmeton se në Jomud-dar (pra ditën kur u martirizua Hazret Osmani) ai shkoi te Hazret Osmani dhe i tha: “O Prijësi i Besimtarëve! Tashmë nuk ka mbetur asnjë zgjedhje tjetër, veçse të vringëllojmë shpatën”. Hazret Osmani r.a. e pyeti: O Ebu Hurejre! A do të pëlqeni të kërdisni krejt njerëzimin dhe të më vrisni mua”. Hazret Ebu Hurejra iu përgjigj: Jo. Atëherë Hazret Osmani i tha: Betohem në Zot! Nëse vret qoftë dhe një njeri të vetëm, është sikur i ke vrarë krejt njerëzimin”. Hazret Ebu Hurejra ka transmetuar se ai u kthye në shtëpi dhe nuk u përfshi në atë mosmarrëveshje.

Hazret Abdullah ibn Zubejri gjithashtu ka treguar se gjatë kohës së rrethimit, ai e pyeti Hazret Osmanin: O Prijësi i Besimtarëve! Bëni luftë kundër këtyre njerëzve, pasi Allahu i Madhërishëm ju ka lejuar të luftoni me ta. Hazret Osmani iu përgjigj: Betohem në Allah! Unë kurrë nuk do të luftoj me ta”. Pastaj rebelët hyrën në shtëpinë e tij, teksa ai ishte i agjërueshëm. Hazret Osmani e kishte caktuar Hazret Abdullah ibn Zubejrin si përgjegjës te dera e shtëpisë dhe kishte lajmëruar “Çdo njeri që dëshiron të më bindet mua, le t’i bindet Hazret Abdullah ibn Zubejrit.

Hazret Abdullah ibn Zubejri ka transmetuar që ai e pyeti Hazret Osmanin: O Prijësi i Besimtarëve! Sigurisht, një grup gjendet brenda shtëpisë suaj, i cili gëzon mbështetjen e fuqishme të Allahut, dhe ata janë në numër shumë të ulët, në krahasim me rebelët rrethues. Prandaj, unë ju kërkoj leje që të luftoj me rebelët”. Hazret Osmani i tha: Unë ju kërkoj që të betoheni në Allah! Unë ju këshilloj në emër të Allahut që askush të mos derdhë gjakun e tij për mua dhe as t’i derdhë gjakun dikujt tjetër.

Martirizimi i Hazret Osmanit r.a.

Hazret Musleh el-M’oudi r.a. ka përshkruar martirizimin e Hazret Osmanit r.a. në mënyrë të hollësishme, si dhe ngjarjet që e parapritën atë. Ai shkruan:

Biseda e Hazret Osmanit r.a. me negociatorin e rebelëve

Meqë rebelët tashmë po dukeshin në pozicionin mbizotërues, ata për të bërë hilen e fundit, dërguan një person për të negociuar me Hazret Osmanin, i cili i kërkoi që të dorëhiqej nga Kalifati. Ata ia ofruan këtë zgjidhje, pasi mendonin se duke u dorëhequr vetë, Hazret Osmani nuk do të ketë më autoritetin për të ndëshkuar muslimanët ose ndryshe rebelët. Pas bisedës, Hazret Osmani iu përgjigj përfaqësuesit: “Unë i jam shmangur së keqes edhe në kohën e injorancës dhe qëkur kam pranuar Islamin, nuk kam shkelur asnjërin nga urdhrat e tij. Atëherë për ç’arsye të dorëhiqem nga kjo detyrë, që Zoti ma ka besuar mua. Unë nuk do ta heq kurrë mantelin, që Zoti i Madhërishëm më ka veshur mua”.

Negociatori u kthye te shokët e tij dhe u dha këtë mesazh: “Pasha Zotin! Na ka zënë belaja. Pasha Zotin! Ne nuk mund të heqim qafe muslimanët, veçse duke vrarë Osmanin. Sepse vrasja e tij, do të shkaktojë përmbysjen e shtetit, dhe një krizë të rëndë në rendin shtetëror. Në këtë gjendje kaotike, asnjëri nuk do të kërkojë llogari. Ndonëse vrasja e tij nuk është e drejtë, por nuk kemi as ndonjë zgjidhje tjetër”.

Këto fjalë jo vetëm që dëshmojnë gjendjen e rebelëve se i kishte zënë frika, por tregojnë gjithashtu që Hazret Osmani deri në atë çast, nuk kishte bërë asnjë veprim të tillë, që rebelët mund të merrnin për shkak. Ata ishin të vetëdijshëm se vrasja e Hazret Osmanit nuk mund të përligjej në asnjë mënyrë.

Biseda midis Hazret Abdullah ibn Selamit dhe rebelëve

Teksa rebelët po përgatisnin komplotin dhe diskutonin planin e vrasjes së Hazret Osmanit, u erdhi Hazret Abdullah ibn Selami. Ai gëzonte një respekt të veçantë te populli i tij, edhe atëherë kur nuk e kishte pranuar Islamin, dhe hebrenjtë e quanin si lider të tyre dhe një dijetar të pazëvendësueshëm. Ai qëndroi te dera, dhe iu drejtua njerëzve duke i këshilluar dhe duke i ndaluar nga vrasja e Hazret Osmanit. Ai u tha: “O njerëz! Mos e tërhiqni shpatën e Zotit. Pasha Zotin! Po e zhveshët njëherë shpatën e Zotit, nuk do të keni më mundësi, për ta ngjeshur më në këllëf, dhe ajo do të vringëllojë gjithmonë mbi muslimanët dhe ata nuk do të pajtohen kurrë. Merreni mend dhe gjykoni me arsye. Sot, ju i nënshtroheni kamxhikut, (meqë shumica e shkeljeve në sheriat, dënohen me kamxhik), por nëse e vrisni atë (d.m.th. Hazret Osmanin), nuk mund të sundohet vendi pa ndihmën e shpatës. Të dini! Janë engjëjt që mbrojnë qytetin e Medinën sot dhe nëse ju e vrisni atë, edhe engjëjt do ta braktisin Medinën”.

Në vend që të fitonin nga porosia e Hazret Abdullah ibn Selamit, sahabiun e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ata e qortuan rëndë. Pastaj, e fyejnë duke iu referuar fesë së mëparshme dhe i thanë “O bir hebreje! Ç’lidhje ke me punët tona?” Mjerë për ata njerëz, që nuk harruan se Abdullah ibn Selami ishte bir hebreje, por harruan se ai kishte lidhur bejat me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Ata harruan se edhe Profeti s.a.v.s. kishte shprehur kënaqësinë për Islamin e tij. Ata harruan gjithashtu se Abdullah ibn Selami kishte shoqëruar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në çdo situatë qoftë i gëzimit apo i hidhërimit. Por ata gjithashtu kishin harruar se lideri i tyre Abdullah ibn Seba, i cili i kishte nxitur dhe i kishte ushqyer me mëri, i cili e quante Hazret Aliun trashëgimtarin legjitim të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe i cili i kishte shtyrë ata për t’iu kundërvënë Hazret Osmanit, ishte gjithashtu bir hebreje, madje qe vetë hebre, i cili Islamin e përdorte vetëm për fasadë. Hazret Abdullah ibn Selami pasi dëgjoi fjalët e rebelëve, u largua me dëshpërim.

Komploti i rebelëve dhe përditshmëria e Hazret Osmanit r.a.

Rebelët pas kësaj bisede, menduan për zbatimin e planit të tyre. Ata arritën në përfundimin që sulmi nga dera kryesore e shtëpisë ishte i vështirë, pasi aty qëndronin disa muslimanë besnikë, të cilët ishin të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka për ndalimin e çdo sulmi të mundshëm. Në këtë situatë, ata arritën në përfundimin që të kapërcenin murin rrethues të ndonjë fqinji dhe të zbrisnin në shtëpinë e Hazret Osmanit dhe ta vrisnin atë.

Duke pasur këtë qëllim, ata u hodhën në shtëpinë e Hazret Osmanit dhe hyrën direkt në dhomën e tij. Kur ata hynë brenda, e gjetën Hazret Osmanin duke recituar Kuranin Famëlartë. Qëkur kishin vënë rrethimin, Hazret Osmani kishte të njëjtën përditshmëri. Ditë e natë, ai ose falte namazin ose recitonte Kuranin, dhe nuk i kushtohej asnjë pune tjetër. Gjatë atyre ditëve, ai kishte bërë një punë: para se të bastisej shtëpia nga rebelët, ai kishte caktuar dy persona për të ruajtjen e thesarit qendror.

Sipas transmetimeve, atë natë Hazret Osmani kishte takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në ëndërr, i cili i kishte thënë “O Osman! Sonte agjërimin do të çelni me mua”.

Pas kësaj ëndrre, ai ishte bindur që ai do të martirizohej, prandaj ai caktoi dy persona të bënin rojë në hyrje të thesarit, që askush të mos guxojë për ta grabitur atë gjatë gjendjes kaotike. Kur atentatorët hynë brenda, ata e gjetën Hazret Osmanin duke recituar Kuranin Famëlartë.

Atentatorët hyjnë në dhomën e Hazret Osmanit r.a.

Një ndër atentatorë ishte Muhammed ibn Ebu Bekri, i cili për shkak të autoritetit dhe epërsisë ndaj tyre, dhe duke u mburrur për lidhjen e tij me Hazret Ebu Bekrin, e konsideronte për detyrë të ishte i pari në çdo punë. Ai doli përpara, dhe ia shkuli mjekrën Hazret Osmanit me forcë. Hazret Osmani i tha vetëm kaq: “O djali i vëllait tim! Po të ishte i gjallë babai yt Ebu Bekri, ai kurrë nuk do të të lejonte ta bëje këtë veprim. Çfarë të ka ndodhur? A mban mëri ndaj meje vetëm për shkak të Zotit, apo ke ndonjë arsye tjetër që të ka ngritur nervat? A je zemëruar prej meje, vetëm se të kam detyruar të përmbushësh detyrat ndaj Zotit?” Muhammed ibn Ebu Bekri u bë pishman për sjelljen e tij, dhe u kthye mbrapsht. Por, personat e tjerë nuk u larguan nga vendi.

Lajmi për mbërritjen e ushtrisë nga Besra, tashmë ishte përhapur në Medinë, dhe ata dinin se ky do të ishte shansi i tyre i fundit për të vrarë Hazret Osmanin. Ata kishin vendosur se nuk do të ktheheshin pa e kryer misionin e tyre.

Sulmi përfundimtar i rebelëve dhe reagimi i Hazret Osmanit r.a.

Njëri prej tyre doli përpara dhe e goditi Hazret Osmanin në kokë me një shufër hekuri, pastaj gjuajti Kuranin tutje, që gjendej para tij, dhe shkelmoi me këmbë. Kurani Famëlartë u rrëzua pranë tij dhe pikat e gjakut filluan të binin mbi faqet e tij. Kush mund të guxojë të çnderojë Kuranin, por kjo sjellje demaskoi sinqeritetin dhe ndershmërinë e tyre.

Ajeti, mbi të cilin, ranë pikat e gjakut, përmbante një profeci madhështore, e cila do të përmbushej në kohën e saj. Kjo profeci qe kaq e jashtëzakonshme, saqë përballë shkëlqimit të tij verbues, mbyllën sytë edhe njerëzit më të vrazhdë. Ai ajet është si në vijim:

فَسَيَكْفِيكَهُمُ اللَّـهُ ۚ وَهُوَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ

Ty do të të mjaftojë Allahu kundër tyre. Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi.  (el-Bekare 2:138)

Sjellja e ulët e rebelëve ndaj grave

Pastaj doli një person tjetër, që quhej Sodan, dhe ai deshi ta qëllonte Hazret Osmanin me shpatë. Goditjen e parë, Hazret Osmani e ndaloi me dorë, por atij iu gjymtua dora. Ai i tha “Pasha Zotin! Kjo është ajo dorë, e cila ka shkruar Kuranin për herë të parë”. Sodani ngriti shpatën sërish, për t’i dhënë goditjen e dytë, me qëllim që t’i jepte fund Hazret Osmanit, por bashkëshortja e tij, Naile e vuri veten para tij. I ligu nuk u tërhoq aspak që t’i shmangej një gruaje, përkundrazi e qëlloi mbi të, duke i prerë gishtat asaj. Ajo tashmë ishte tërhequr, prandaj, ai e qëlloi sërish Hazret Osmanin me shpatë, duke e plagosur rëndë. Duke menduar që Hazret Osmani akoma nuk kishte dhënë shpirt, dhe ndoshta ai mund t’i mbijetonte plagët të marra, ndërkohë ai përpëlitej nga dhembja e padurueshme madje kishte rënë të fikët, ky shpirtzi nisi t’ia shtrëngonte fort grykën dhe nuk e lëshoi derisa shpirti i Hazret Osmanit u nda nga kafazi i trupit dhe u ngjit në amshim duke iu përgjigjur thirrjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ina lil-lahi ve ina ilejhi raxhiun.

Në fillim, bashkëshortja e Hazret Osmanit, duke qenë e tmerruar nga lemeria e pamjes, nuk mundi të shprehte diçka, por më vonë mblodhi fuqinë, dhe lëshoi thirrje për ndihmë. Njerëzit që bënin rojë te dera, vrapuan brenda, por ndihma e tyre tashmë ishte e vonuar. Ajo që kishte për të ndodhur, tashmë kishte marrë fund.

Një shërbëtor i liruar nga Hazret Osmani nuk mundi të duronte Sodanin, i cili mbante në dorë shpatën, që rridhte gjak. Pa humbur asnjë moment, ai iu vërsul atij dhe ia preu kokën. Por, shokët e tij e vrau atë.

Tashmë froni i shtetit islamik kishte mbetur pa kalif. Banorët e Medinës arritën në përfundimin se çdo përpjekje tjetër (kundër rebelëve) ishte e kotë dhe e panevojshme, dhe e mbylli veten brenda katër mureve të shtëpisë. Pas vrasjes së Hazret Osmanit, keqbërësit u përqendruan te shtëpia e tij. Kur bashkëshortja e Hazret Osmanit vendosi të largohej nga shtëpia, dikush nga atentatorët i drejtoi një koment jashtëzakonisht të ndyrë e pamoralshëm. Padyshim, është e padurueshme për çdo njeri të ndërgjegjshëm, pavarësisht cilit besim i përket, se në momentin kur këta njerëz sapo kishin ekzekutuar njërin prej sahabëve më të vjetër të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhëndrin e tij, mbretin e të gjitha shteteve muslimane dhe Kalifin e kohës, ata shprehin mendime tejet të ndyra e të ulëta. Ata kishin kaluar çdo kufi të imoralitetit, prandaj mund të pritej çfarëdo shthurje apo rënie morale prej tyre.

Çfarë përfaqësonin rebelët?

Ata nuk ishin ngritur për një kauzë të shenjtë e fisnike, as grupi i tyre nuk përbëhej nga njerëz të drejtë e të moralshëm. Disa prej tyre ishin mashtruar nga Abdullah ibn Sebai dhe i thurnin lëvdata mësimeve të tij anti-islame. Disa prej tyre ishin magjepsur nga socializmi madje në një shkallë më të lartë nga bolshvizmi. Disa ishin kriminelë të dënuar që donin të hakmerreshin, duke shfryrë mllefin e tyre të akumuluar prej kohësh. Disa ishin grabitës e plaçkitës, të cilët në këtë ngatërresë, nuhatnin mbarësi. Prandaj, imoraliteti dhe sjellja e tyre e shthurur nuk përbën asnjë çudi, përkundrazi mosshfaqja e kësaj sjelljeje do të përbënte një çudi të madhe.

Teksa po rrëmbenin çka u binte në dorë, një shërbëtor nuk duroi dot thirrjet e familjarëve të Hazret Osmanit, dhe ai iu vërsul personit, i cili kishte vrarë shërbëtorin e parë dhe arriti ta vriste atë. Por, rebelët e mbytën edhe atë. Pastaj, nisën t’u rrëmbenin grave stoli të ndryshme nga trupi dhe dolën nga shtëpia duke brohoritur me gëzim.

Në një vend tjetër, Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. përshkruan gjendjen e katandisur e të mjerueshme të rebelëve, me këto fjalë:

“Çfarë bënë ata? Ata e martirizuan Hazret Osmanin dhe ndërsa ai po përpëlitej në gjak, vrasësit lëshonin fjalë më të pahijshme për bashkëshorten e tij dhe komentonin rreth trupit të saj. Pastaj, kaluan dhe një hap tjetër, dhe biseduan rreth Hazret Aishes r.a.. Duke dëgjuar këto fjalë, unë mund të them se Zoti i Madhërishëm më ka bekuar me një pozitë të lartë dhe jam krenar për këtë. Megjithatë, kam një dëshirë të madhe të kisha jetuar në atë kohë dhe t’i kisha copëtuar këta njerëz. Ata e detyruan Hazret Aishen të zbulonte fytyrën e saj, dhe këta komentuan se ajo ishte e re.

Hazret Osmani një trim i madh që nuk i frikësohej kurrë vdekjes

Të gjitha ngjarjet e Hazret Osmanit tregojnë qartazi që ai nuk frikësohej nga asgjë dhe nuk mendoi kurrë se si do të silleshin rebelët me të. Historia tregon se rebelët shpërndaheshin në xhami, gjatë kohës së namazit, dhe nuk lejonin që banorët e Medinës të grumbulloheshin. Edhe në një kohë të tillë kaotike e të rrëmujshme, Hazret Osmani vinte rregullisht në xhami. Askush nuk e shoqëronte dhe as ai nuk ndiente ndonjë rrezik prej askujt. Ai erdhi vazhdimisht në xhami, derisa i ndaluan daljen e tij nga shtëpia. Kur ngatërresa u përshkallëzua dhe rebelët sulmuan shtëpinë e tij, Hazret Osmani, në vend që të siguronte dhe të mbronte shtëpinë e tij, ai u kërkonte në emër të Zotit, për t’u kthyer në shtëpi dhe të mos rrezikonin jetën e tyre për të. A mund ta bëjë këtë një person, i cili i frikësohej vdekjes. A një njeri i tillë, mund t’u bëjë thirrje pasuesve të tij besnikë për ta lënë atë dhe për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Të gjitha dëshmitë tregojnë qartazi se ai nuk i trembej vdekjes.

Një tjetër ngjarje që na jep dëshmi të fortë mbi këtë aspekt, është ajo që kam cituar në fillim të hutbes. Pra, në kohën kur këto ngatërresa kishin nisur të shfaqeshin, Hazret Muavija erdhi për të kryer haxhin. Pas Haxhit dhe para se të nisej drejt Sirisë, ai e takoi Hazret Osmanin në Medinë dhe parashtroi kërkesën që ai të vendosej në Siri, pasi ajo qe më e sigurte dhe më e mbrojtur nga përpjekjet dashakeqe të armiqve. Hazret Osmani iu përgjigj se ai fqinjësinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., nuk mund të zëvendësonte me askënd. Hazret Muavija u këmbëngul dhe kësaj here i kërkoi leje Hazret Osmanit, për të vendosur një çetë luftëtarësh sirianë në Medinë, për mbrojtjen e tij. Hazret Osmani iu përgjigj: “Unë nuk mund të pakësoj rriskun e muslimanëve, duke vendosur një ushtri të tërë, vetëm për mbrojtjen time”. Hazret Muavija vazhdoi bisedën dhe i tha: “O Prijës i Besimtarëve! Njerëzit do t’ju vrasin me hile ose ndoshta do të shpallin kundër jush”. Hazret Osmani iu përgjigj “Unë frikësohem aspak nga kjo dhe mua më mjafton Zoti im”. Hazret Muavija në fund i shtroi një kërkesë dhe i tha: “Nëse nuk pranoni asnjërën nga kërkesat e mia, të paktën lejoni diçka. Këta ngatërrestarë krenohen duke përmendur disa sahabë të mëdhenj, dhe kujtojnë se pas jush, ata do të marrin udhëheqjen, dhe në këtë mënyrë ngatërrestarët po i mashtrojnë njerëzit duke përdorur emrat e këtyre sahabëve. Ju duhet të largoni këta sahabë nga Medina dhe vendosini në vende të ndryshme dhe në këtë mënyrë do t’u presim shpresën këtyre sherrxhinjve. Ata do të kuptojnë se fërkimi me ju nuk do t’u sjellë asgjë, pasi nuk ka kush të udhëheqë punën në Medinë”.

Por Hazret Osmani nuk e pranoi as këtë kërkesë së fundit dhe i tha: “Si mund të dëboj ata, të cilët i kishte grumbulluar i Dërguari i Allahut s.a.v.s.”. Hazret Muavija u mallëngjye nga kjo përgjigje dhe ai i tha: “Nëse nuk dëshironi të bëni asgjë, atëherë të paktën bëni një shpallje se Muavija do të hakmerret për gjakun tim”. Hazret Osmani i tha: “Muavija! Je i rreptë nga natyra. Frikësohem se do të sillesh me ashpërsi me muslimanët, prandaj nuk mund të bëj një shpallje të tillë”.

Ndonëse, lidhur me Hazret Osmanin, është përhapur se ai ishte njeri i butë dhe i dobët. Por, mendoni pak se kush mund të tregojë një guxim të tillë? A mund të thuhet akoma se ai kishte frikë, ndërkohë gjenden dëshmi të shumta që i kundërvihen këtij nocioni? Po të kishte frikë, Hazret Osmani vetë do t’i kërkonte Muavijes një njësi ushtarake për mbrojtjen e tij. Po të kishte frikë, ai do të shpallte si njoftim se nëse dikush vepron kundër tij, Muavija do të hakmerrej për të. Megjithatë, historia tregon ndryshe. Hazret Osmani i tha vetëm kaq “O Muavije! Je i rreptë nga natyra. Frikësohem që nëse të jap këtë të drejtë, do të silleni me ashpërsi ndaj muslimanëve.

Madje, në fund, kur armiqtë e sulmuan, duke kapërcyer murin, ai vazhdoi të recitonte Kuranin pa asnjë frikë. Kur djali i Hazret Ebu Bekrit doli përpara dhe ia shkuli mjekrën, Hazret Osmani ngriti kokën dhe i tha vetëm kaq: “O djali i vëllait tim! Po të ishte babai yt këtu, ti nuk do të kishe vepruar kështu”. Ai u rrëqeth i tëri nga këto fjalë dhe u kthye i penduar nga kishte ardhur. Pastaj, doli një person tjetër, i cili e goditi Hazret Osmanin në kokë me një shufër hekuri dhe shkelmoi Kuranin me këmbë, që gjendej përpara tij. Kur u nda ai, erdhi një tjetër, i cili e qëlloi me shpatë derisa e martirizoi atë. Duke parë të gjitha këto ngjarje, kush mund të thotë se Hazret Osmani i frikësohej vdekjes.

Rëndësia dhe vlera e Kalifatit

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. shkruan:

“Hazret Mesih i Premtuar a.s. ka ardhur njësoj siç kanë ardhur Hazret Nuhu, Hazret Ibrahimi, Hazret Daudi, Hazret Sulejmani dhe të dërguar të tjerë. Pas tij u nis sistemi i kalifatit, njësoj siç u themelua pas profetëve të mëparshëm. Nëse shohim me arsye, dhe mundohemi për të gjetur të vërtetën, do të arrijmë se Kalfiati është një ndërmarrje madhështore. Madje, dua të them që nëse 10 mijë gjenerata të sakrifikohen për vijimësinë e tij, ato nuk mbajnë asnjë vlerë.

Unë nuk mund të them për të tjerët, por të paktën di për veten time se pas leximit të historisë nga koha e Profetit a.s., dhe duke parë sprovat e rënda që duhet të duronte Hazret Osmani, dhe në anën tjetër duke vështruar atë dritë dhe atë shpirtërore që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte ngjallur atij, arrij në përfundimin se nëse po të lindnin dhjetë mijë gjenerata pas meje, dhe mund të shmangej ngatërresa në kohën e tij, nëse do t’i sakrifikoja këto gjenerata pasardhëse, unë do ta quaja këtë pazar të mbarë. Kjo do të ishte njësoj sikur të këmbeje një morr për një elefant. Në të vërtetë, shpeshherë ne kuptojmë vlerën e diçkaje, vetëm atëherë kur e kemi humbur. Vlera dhe rëndësia e Kalifatit u kuptua vetëm pas martirizimit të Hazret Osmanit.

Pozita e lartë e Hazret Osmanit

Pas vdekjes së Hazret Omerit, për pozitën e Kalifatit, sytë e sahabëve ishin përqendruar vetëm tek Osmani r.a. Ai u zgjodh për këtë pozitë, nga mendimi i sahabëve të shquar. Ai qe dhëndri i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ai u martua njëra pas tjetër me dy vajzat e tij. Kur ndërroi jetë vajza e dytë e Profetit a.s., ai kishte thënë: “Po të kisha një vajzë tjetër, unë edhe atë do ta kisha martuar me Osmanin”. Kjo tregon që Hazret Osmani gëzonte një pozitë dhe status të veçantë në sy të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Edhe banorët e Mekës i kushtonin një pozitë të dalluar. Sipas gjendjes së arabëve, ai ishte njeri i pasur. Ai ishte njëri prej atyre personave, të cilët Hazret Ebu Bekri, pasi ishte bërë musliman, e kishte përzgjedhur për thirrjen e Islamit. Zgjedhja e tij nuk ishte e gabuar dhe vetëm pas pak ditësh, Hazret Osmani pranoi Islamin dhe u bë ndër وَالسَّابِقُونَ الْأَوَّلُونَ  pra prej fitimtarëve të parë dhe ndër grupin e pararendësve të Islamit, të cilët Kurani Famëlartë ka përshkruar me fjalë lavdëruese.

Për të kuptuar pozitën dhe statusin e tij të lartë ndër arabët, mjafton vetëm një ngjarje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s., në bazë të një ëndrre kishte vendosur të shkonte në Mekë për të bërë Umre, ndërkohë banorët e Mekës, të cilët ishin verbuar nga inati dhe armiqësia nuk i lejuan këtë udhëtim. Atëherë Profeti a.s. vendosi të dërgonte ndonjë person të besueshëm, i cili do të zhvillonte biseda me banorët e Mekës mbi këtë çështje. Ai e zgjodhi Hazret Omerin për këtë detyrë, por ai iu përgjigj: “O i Dërguar i Allahut! Unë jam i gatshëm të shkoj, por nëse dikush mund të negociojë me ata në Mekë, ai është vetëm Osmani, pasi ai gëzon një respekt dhe nderim të veçantë në sy të mekasve. Nëse shkon dikush tjetër, nuk mund të garantohet suksesi njësoj siç pritet me Osmanin”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e vlerësoi këtë mendim, dhe këtë detyrë i besoi Hazret Osmanit. Kjo ngjarje tregon se Hazret Osmani gëzonte një pozitë të veçantë edhe në sy të mosbesimtarëve.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu i kushtonte një nderim të veçantë në sjellje. Njëherë ai ishte shtrirë dhe hyri Hazret Ebu Bekri r.a. për ta takuar atë. Profeti s.a.v.s. nuk lëvizi nga vendi dhe vazhdoi të shtrihej. Pas pak hyri Hazret Omeri r.a., dhe Profeti a.s. prapë mbeti i shtrirë. Pak më vonë erdhi dhe Hazret Osmani r.a. dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. menjëherë rregulloi rrobat dhe tha “Osmani është i turpshëm nga natyra, prandaj unë i respektoj ndjenjat”.

Hazret Osmani ishte ndër ata njerëz të rrallë, të cilët edhe para Islamit, nuk kishin futur alkoolin në gojë dhe nuk i ishin afruar kurvërisë. Këto ishin cilësi të rralla, pasi në arabi përdorimi i alkoolit dhe kurvëria konsideroheshin diçka të zakonshme dhe vetëm disa njerëz u shmangeshin atyre. Hazret Osmani nuk qe njëri i thjeshtë, por shquhej për morale dhe veti të larta. Edhe nga ana shoqërore dhe materiale, ai gëzonte një pozicion të dalluar. Ishte ndër të parët që kishin pranuar Islamin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte gjithmonë i kënaqur me të. Hazret Omeri ka cilësuar atë, si njërin prej atyre 6 personave, të cilët gëzuan pëlqimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. deri në momentin e tij të fundit. Ai qe njëri prej Ashere mubesh-shere, عشرہ مبشرہ pra ndër ata dhjetë njerëz, të cilët ishin përgëzuar me xhenet gjatë jetës së tyre.

Qefinosja dhe varrimi i Hazret Osmanit r.a.

Në lidhje me ditën e martirizimit të Hazret Osmanit, ka transmetimeve të ndryshme, sipas të cilave ai ishte martirizuar në ditën e së xhumasë, më 17/18 Dhil Hixha 35 hixhri. Sipas Ebu Usman Nehdiut, Hazret Osmani ishte martirizuar në mes të ditëve të Teshrikut, saktësisht më 12 dhul Hixha. Sipas Ibn Is’hakut ngjarja e martirizimit të Hazret Osmanit kishte ndodhur 11 vjet 11 muaj dhe 22 ditë pas vdekjes së Hazret Omerit r.a., ndërsa 25 vjet pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Sipas transmetimi të Hazret Abdullah ibn Amru ibn Osmanit, Hazret Osmani ishte martirizuar, ditën e së xhumasë, më 18 dhul Hixha 36 hixhri në moshën 82 vjeçare. Në kohën e martirizimit, ai ishte i agjërueshëm.

Sipas Ebu Mush’irit Hazret Osmani ishte 75 vjeç, kur ai ndërroi jetë.

Për sa i përket qefinosjes dhe xhenazes së Hazret Osmanit r.a., Nijar ibn Mukremi ka thënë se ata ishin katër persona, të cilët kishin marrë trupin e Hazret Osmanit ditën e shtunë, midis namazit të akshamit dhe jacisë. Këta persona ishin Nijar ibn Mukremi, Xhubejr ibn Mut’imi, Hakim ibn Hizami dhe Ebu Xhuhum ibn Hudhjefa. Namazin e xhenazes e kishte udhëhequr Xhubejr ibn Mut’imi. Muavija ka vërtetuar këtë dëshmi. Këta katër persona kishin zbritur edhe në varrin e tij.

Sipas një transmetimi tjetër, Hazret Xhubjer ibn Mut’imi kishte drejtuar namazin e xhenazes bashkë me 16 njerëz të tjerë. Allama ibn Sa’adi ka shprehur mendimin se transmetimi i parë, në të cilin janë përmendur 4 persona, është më i besueshëm.

Abdullah ibn Amru ibn Osmani ka rrëfyer se Hazret Osmani ishte varrosur ditën e shtunë, midis namazeve të akshamit dhe jacisë në Hush Kokab.

Rabi ibn Maliku transmeton nga babai i tij që “Hush” do të thotë kopsht i vogël, ndërsa Kokab ishte emri i atij ensariu, i cili zotëronte këtë pronë. Ky kopsht ndodhej pranë “Xhenetul Baki”. Hazret Osman ibn Afani kishte thënë se së shpejti do të vdesë një burrë fisnik dhe i dëilrë, dhe do të varroset në të (d.m.th. në Hush Kokab) dhe njerëzit do ta pasojnë atë.

Malik ibn Ebu Amiri tregon se Hazret Osmani ishte i pari, i cili ishte varrosur atje. Lidhur me varrimin e tij, ne gjejmë gjithashtu këtë transmetim që ngatërrestarët nuk kishin lejuar varrimin e Hazret Osmanit për ditë radhazi. Në Tarikh Tabari përmendet se Ebu Beshir Abidiu ka thënë që trupi i Hazret Osmanit kishte mbetur për tri ditë pa qefin dhe rebelët nuk lejonin varrimin e tij. Pastaj Hazret Hakim ibn Huzami dhe Xhubejr ibn Mit’ami biseduan me Hazret Aliun mbi këtë çështje, që ai të merrte leje nga familjarët e Hazret Osmanit. Hazret Aliu ashtu veproi dhe mori leje nga familja e tij.

Kur rebelët mësuan këtë lajm, ata u vendosën në rrugë dhe kishin mbledhur gurë me vete. Xhenazja e Hazret Osmanit duhet të shkonte drejt Hush Kokabit, ku hebrenjtë varrosnin të vdekurit e tyre. Kur doli xhenazja e Hazret Osmanit, njerëzit e qëlluan me gurë dhe tentuan ta rrëzonin kufomën. Kur Hazret Aliu mësoi këtë lajm, ai menjëherë u dërgoi mesazh dhe i lajmëroi për t’iu shmangur një veprimi të tillë dhe ata u ndalën menjëherë.

Hazret Osmani përfundimisht u varros në Hush Kokab. Kur Amir Muavija mbizotëroi vendin, ai urdhëroi rrëzimin e murit rrethues derisa ai të bashkohej me varrezën kryesore Baki. Ai gjithashtu porositi muslimanët për të varrosur të vdekurit e tyre rreth varrit të Hazret Osmanit derisa ai vend u bashkua me varrezën e muslimanëve. Sipas disa veprave të historisë, Hazret Osmani e kishte blerë vetë këtë tokë dhe e kishte bashkuar me Xhenetul Baki. Ka mbetur edhe pak material mbi këtë temë, dhe kjo do të vijojë edhe në të ardhmen.

[Pas kësaj, Huzuri, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, njoftoi se pas namazit të së xhumasë do të udhëhiqte xhenazet gaib të këtyre të ndjerëve, dhe gjithashtu përmendi shkurtimisht të dhënat e jetës dhe vlerat e tyre si besimtarë të devotshëm muslimanë:

  1. I ndjeri Maulvi Muhammed Idrees Tirho sahib, Misionar në Bregun e Fildishtë
  2. E ndjera znj. Amina Naiga Kare, Uganda
  3. I ndjeri Nui Kazak, Siria
  4. E ndjera Farhat Nasim Sahiba, Rabvah, Pakistan]

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp