Trashëgimia e Uthmanit r.a. dhe disa nga kontributet e tij në historinë e Islamit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Trashëgimia e Hazret Uthmanit r.a. dhe disa nga kontributet e tij në historinë e Islamit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesa VII)

Po ju tregoja rreth Hazret Uthmanit r.a.. [Në xhumanë e kaluar] ju tregova ngjarjen e martirizimit të tij. Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. ka shkruar përmbledhtas disa detaje edhe rreth ngjarjeve pas rënies dëshmor të Hazret Uthmanit. Ai thotë:

Medina pas rënies dëshmor të Hazret Uthmanit

Medina tashmë ishte nën kontrollin e rebelëve. Veprimet që ata bënë gjatë këtyre ditëve, ishin çnjerëzore. Hazret Uthmanin e kishin vrarë. Por tani donin të pengonin edhe varrimin e tij. Muslimanët për tri ditë nuk e varrosën dot. Në fund, një grup sahabësh mori guximin dhe e varrosi në errësirë të natës. Rebelët tentuan t’i pengonin edhe këta, por disa prej sahabëve i kërcënuan me një luftë të ashpër, vetëm atëherë rebelët u tërhoqën.

(Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Islam main ikhtilafat ka agaz”, “Enwarul-‘ulum”, vëllimi IV, fq. 333.)

Profecitë e Profetit Muhammed s.a.v.s. në lidhje me Hazret Uthmanin r.a.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri disa profeci në lidhje me Hazret Uthmanin që janë si vijon:

Tre xhenetlinj që hyjnë në një pemishte

Hazret Ebu Musa Esh’eriu r.a. rrëfen:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. hyri në një pemishte dhe mua më porositi të qëndroja roje te dera e saj. Ndërkohë erdhi një njeri dhe kërkoi leje për të hyrë brenda. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Le të hyjë ai dhe atij jepi lajmin e mirë të xhenetit!

Unë e pashë dhe ai qenkësh Ebu Bekri r.a.! Pastaj, erdhi edhe një njeri tjetër dhe kërkoi leje për të hyrë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Le të hyjë ai dhe jepi lajmin e mirë të xhenetit!

Unë e pashë dhe ai qenkësh Omeri r.a.! Më pas, erdhi edhe një tjetër dhe kërkoi leje për të hyrë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. heshti për disa çaste e më pas tha:

– Le të hyjë ai dhe jepi lajmin e mirë të xhenetit, por ai do të kalojë një sprovë të rëndë!

Unë e pashë dhe ai qenkësh Uthman ibën Afani r.a.!

(Sahih el-Bukhari, kitab: “Fedailu as’habun-Nebijj s.a.v.s.”, bab: “Menakibu ‘Uthman bin ‘Affan r.a.”, hadithi nr. 3695.)

“Mbi ty po qëndrojnë një Profet, një sidik dhe dy dëshmorë!”

Hazret Enesi rrëfen:

Njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ngjit në malin Uhud dhe atë e shoqëronin Hazret Ebu Bekri, Hazret Omeri dhe Hazret Uthmani. Mali filloi të lëkundej. Profeti tha:

– Mbahu, o Uhud!

Rrëfimtari vijon – kam përshtypjen se Profeti s.a.v.s. i ra edhe me këmbë malit, dhe vijoi:

– Mbi ty po qëndrojnë një Profet, një sidik dhe dy dëshmorë!

Do të vritej padrejtësisht

Hazret Ibni Omeri r.a. tregon:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s., duke parashikuar një kohë trazirash, tha për Hazret Uthmanin:

– Ky njeri do të vritet gjatë këtyre trazirave duke qenë i shtypur.

(Xhami‘u et-Tirmidhi, kitab: “El-Menakib”, hadithi nr. 3708.)

Trashëgimia e Hazret Uthmanit r.a.

Trashëgimia që la Hazret Uthmani r.a. përmendet në histori. Ubejdullah bin Abdullah bin ‘Atbe rrëfen:

Ditën kur Hazret Uthmani ra dëshmor, thesarmbajtësi i tij kishte 30,500,000 (tridhjetë milionë e pesëqind mijë) dirhamë dhe 150,000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) dinarë. Rebelët i grabitën të gjitha. Gjithashtu, ai kishte lënë një mijë deve në vendin e quajtur Rabza.

Rabza është një fshat në rrugë të Hixhazit, tri ditë udhëtimi larg nga Medina.

Po kështu, Hazret Uthmani la pas 200,000 (dyqind mijë) dinarë si sadaka në Berades, Khejber dhe Vadiul-Kura. Me këto para ai shpesh bënte sadaka.

(Muhammed ibn Sa’d, “Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, kapitulli: “‘Uthman bin ‘Affan”, shtëpia botuese: “Ihjaut-turath el-‘arabijj”, Bejrut 1996, fq. 42.
“Ferheng-e-Siret”, botues: “Zawar Academy Publications”, Karaçi 2003, fq. 130.)

Më herët ju tregova një rrëfim ku Hazret Uthmani thotë:

– Unë isha i pasur dhe tani kam vetëm dy deve që kam mbajtur për haxh.

(Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Islam main ikhtilafat ka agaz”, “Enwarul-‘ulum”, vëllimi IV, fq. 294.)

Kështu që, ka mundësi që e gjithë kjo trashëgimi që u përmend më sipër të ishte në thesarin kombëtar dhe rrëfimtari përmendi sikur ato të ishin të Hazret Uthmanit. Ose mundet që edhe sikur të ishin të atij, ai më nuk i përdorte për vete, por i përdorte për sadaka dhe për qëllime kombëtare. Sidoqoftë, jua tregova rrëfimin e mësipërm ngaqë gjendet në histori.

Përveç kësaj, duke iu referuar vetë Hazret Uthmanit, ju tregova rrëfimin se ai i kishte porositur thesarmbajtësit ta ruanin thesarin, gjë që gjithashtu tregon se thesari ishte i popullit dhe ai kishte caktuar rojat.

(Po aty, fq. 329.)

Rrëfime të ndryshme të sahabëve për martirizimin e Hazret Uthmanit r.a.

Njerëzit pyetën Hazret Aliun:

– Na trego diçka rreth Hazret Uthmanit.

Ai iu përgjigj:

– Ai ishte një njeri që edhe në Parinë Hyjnore quhej “zotëruesi i dy dritave”.

(Ibn Haxher el-Askalani, “El-Isabeh fi temjiz es-Sahabeh”, vëllimi IV, shtëpia botuese: “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2005, fq. 378.)

Pra, ai ishte “zotëruesi i dy dritave” edhe pranë Allahut. Hazret Aliu thotë:

– Uthmani ishte më i miri ndër ne për sa i përket mbajtjes së lidhjeve farefisnore.

Kur Hazret Aishja mori lajmin se Hazret Uthmani kishte rënë dëshmor, ajo tha:

– E paskan vrarë! Kurse ai ishte njeriu më i mirë në mbajtjen e lidhjeve farefisnore dhe më i druajturi ndaj Zotit të tij!

(Po aty, f. 378)

Lutja e Profetit a.s. për dhëndrin e tij

Përmendet një lutje e Profetit Muhammed s.a.v.s. që ai kishte bërë për dhëndrin e tij. Në librin El-isti’ab është shkruar:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Iu luta Allahut xhella sha’nuhu që Ai të mos e fusë në zjarr atë që është dhëndri im dhe as atë, i cili mua më ka dhëndër.

(Ibn ‘Abdul-Birr, “El-Isti‘ab fi ma’rifetul-As’hab”, vëllimi III, kapitulli: “‘Uthman ibn ‘Affan”, shtëpia botuese: “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2002, fq. 156.)

Veshja dhe pamja e Hazret Uthmanit r.a.

Për veshjen dhe pamjen e Hazret Uthmanit, Mahmud bin Lebidi rrëfen se ai e pa Hazret Uthman bin Afanin të hipur në mushkë dhe të veshur me dy çarçafë të verdhë.

Hakam bin Theldi thotë: Im atë më tregoi se ai e pa Hazret Uthmanin duke ligjëruar dhe ai qe i veshur me një çarçaf të zi dhe kishte lyer flokët me këna.

Sulejm Ebu ‘Amiri tregon se ai e pa Hazret Uthmanin të mbuluar me një çarçaf jemeni, që kushtonte njëqind dirhamë.

Muhammed bin Omeri rrëfen se ai pyeti ‘Amri bin Abdullahun, Urve bin Khalidin dhe Abdurrahman bin Ebu Zenadin në lidhje me pamjen e Hazret Uthmanit. Ai tha: Që të gjithë pa ndonjë kontradiktë më pohuan:

Ai nuk ishte as shumë i gjatë dhe as shumë i shkurtër. Ishte i pashëm. Lëkurën e kishte të butë, mjekrën të dendur e të gjatë, ishte ngjyrë gruri, ishte me shpatulla të gjera dhe me flokë të dendur në kokë. Ai lyente mjekrën me këna.

Vakid bin Ebu Jasiri tregon:

– Hazret Uthmani kishte lidhur dhëmbët me një fije ari.

Musa bin Talha tregon:

E kam parë Uthmanin r.a. që dilte ditëve të xhumasë i veshur me dy çarçafë të verdhë. Më pas ulej te minberi. Myezini pasi mbaronte ezanin, ai çohej duke u mbështetur me një shkop që kishte dorezë të përthyer dhe duke e mbajtur shkopin në dorë, ligjëronte hutben. Më pas zbriste nga minberi dhe myezini thoshte ikametin.

Hasani rrëfen:

Kam parë Hazret Uthmanin kur ai po flinte në xhami, duke përdorur si jastëk çarçafin e tij të mbështjellë.

(Muhammed ibn Sa’d, “Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, kapitulli: “‘Uthman bin ‘Affan”, shtëpia botuese: “Ihjaut-turath el-‘arabijj”, Bejrut 1996, fq. 32-34.)

Musa bin Talha rrëfen:

E kam parë Hazret Uthmanin ditën e xhumasë, kur ai po qëndronte duke iu mbështetur një shkopi. Ai ishte më i bukuri ndër të gjithë. Mbulonte veten me dy çarçafë të verdhë, me njërin pjesën e sipërme të trupit dhe me tjetrin pjesën e poshtme të tij. Vinte dhe ulej në minber.

(Nuruddin el-Hejthemi, “Mexhme‘uz-zewaid we menbe‘ul-fewaid”, vëllimi IX, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2001, kitab: “El-Menakib”, bab: “Sifetuhu radijall-llahu ‘anhu”, hadithi nr. 14493, fq. 57.)

Unaza e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në dorën e Hazret Uthmanit r.a.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte një unazë me mbishkrimin “Muhammedi i Dërguari i Allahut”, që Profeti s.a.v.s. e përdorte. Ka një rrëfim në lidhje me unazën që lidhet edhe me Hazret Uthmanin r.a..

Hazret Enes bin Maliku rrëfen:

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi t’i shkruante letër Mbretit Bizantin, sahabët i thanë se mbreti nuk do ta lexonte letrën në qoftë se letra nuk do të kishte ndonjë vulë. Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi të përgatitej një unazë prej argjendi, në të cilën ishin të gdhendura fjalët:

Muhammed Resulullah (Muhammedi, i Dërguari i Allahut)

Rrëfimtari pohon:

Sikur e kam përpara syve atë unazë të bardhë në dorën e bekuar të tij!

(Sahih el-Bukhari, kitab: “El-Libas”, bab: “Ittikhadhul-khatemi lijukhteme bihish-shej’u, ew lijuktebe bihi ila ehlil-kitabi we gajrihim”, hadithi nr. 5875.)

Pra, ai e kishte shumë të qartë kujtesën e saj. Dhe vijon:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e mbajti në dorë unazën. Pas tij ajo kaloi në dorën e Hazret Ebu Bekrit. Dhe pas tij, në dorën e Hazret Omerit. Gjatë Hilafetit (Kalifatit) të Hazret Uthmanit, një ditë Hazret Uthmani qe ulur mbi një pus që quhej ‘Aris.

Rrëfimtari vijon:

Hazret Uthmani r.a. nxori unazën nga gishti dhe filloi ta luante me dorë. Në këto momente, unaza i ra në pus. Ne bashkë me Hazret Uthmanin, e kemi kërkuar për tri ditë. E zbrazëm edhe ujin e pusit, por nuk e gjetëm dot. Pas kësaj, Hazret Uthmani njoftoi për një shpërblim të madh për këdo që do ta gjente unazën. Ai ishte shumë i brengosur për humbjen e saj.

Kur nuk kishte asnjë shpresë që ta gjente sërish atë, ai porositi të përgatitej një unazë tjetër të ngjashme. Kështu që, u përgatit unaza identike me të mëparshmen dhe me të njëjtin mbishkrim “Muhammed Resulullah!” Këtë unazë ai e mbajti deri në fund të jetës së tij. Pas rënies së tij si dëshmor, dikush i panjohur ia mori unazën.

(Sahih el-Bukhari, kitab: “El-Libas”, bab: “Hel jexh‘alu nakshul-khatemi thelathete esturin”, hadithi nr. 5879.
Muhammed ibn Xherir et-Taberi, “Et-Tarikh”, vëllimi V, kapitulli: “Thumme dekhalet senetu thelathin / Dhikru el-khaberu ‘an sebebu sukutel-khatemi min jedi ‘Uthmane fi bi’ru Aris”, shtëpia botuese: “Darul-Fikr”, Bejrut 2002, fq. 111-112.)

Hazret Uthman bin Afani r.a. ishte një nga 10 Sahabët e përgëzuar me Xhenet

Hazret Uthmani r.a. ishte një nga 10 Sahabët e përgëzuar me xhenet. Hazret Abdurrahman bin Akhnesi rrëfen se ai qe në një xhami, ndërkohë dikush përmendi Hazret Aliun në mënyrë të padenjë. Atëherë Hazret Se’id bin Zejdi u ngrit dhe tha:

Dëshmoj se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: Dhjetë persona do të hyjnë në xhenet. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. do të jetë në xhenet. Ebu Bekri do të jetë në xhenet. Omeri do të jetë në xhenet. Uthmani do të jetë në xhenet. Aliu do të jetë në xhenet. Talha do të jetë në xhenet. Abdurrahman bin Aufi do të jetë në xhenet. Zubejr bin el-Avami do të jetë në xhenet. Sa’d bin Maliku do të jetë në xhenet. Dhe nëse dëshiroj, mund të them edhe emrin e të dhjetit.

Rrëfimtari pohon se njerëzit e pyetën – Kush është i dhjeti?

Hazret Se’id bin Zejdi qëndroi i heshtur pak kohë. Atëherë njerëzit e pyetës sërish – Kush është i dhjeti?

– Se’id bin Zejdi, pra unë jam i dhjeti, iu përgjigj ai.

(Sunen Ebu Davud, kitab: “Es-Sunneh”, bab: “Fil-Khulefa”, hadithi nr. 4649.)

Këtë rrëfim ju kam përmendur edhe në hutben në lidhje me Se’id bin Zejdin.

Hazret Uthmani r.a., shoqëruesi i Profetit s.a.v.s. në xhenet

Ka rrëfime që tregojnë për shoqërimin e Hazret Uthmanit r.a. me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Hazret Talha bin Ubejdullahu rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

Çdo Profet ka një shoqërues dhe shoqëruesi im në xhenet do të jetë Uthmani.

(Xhami‘u et-Tirmidhi, kitab: “El-Menakib”, bab: “We refiki fil-xhenneti ‘Uthmanu”, hadithi nr. 3698.)

Hazret Xhabiri tregon:

Një herë ne ishim në një shtëpi bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., me një grup muhaxhirësh, ndër të cilët ishin: Ebu Bekri, Omeri, Uthmani, Aliu, Talha, Zubejri, Abdurrahman bin Aufi, dhe Se’id bin ebi Vekkasi. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha – Secili të qëndrojë me shokun e tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. qëndroi me Uthmanin, e përqafoi atë dhe tha:

انت ولیّ فی الدنیا و ولیّ فی الاخرۃ

– Ti je shoku im edhe në këtë dynja, edhe në ahiret.

(Nuruddin el-Hejthemi, “Mexhme‘uz-zewaid we menbe‘ul-fewaid”, vëllimi IX, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2001, kitab: “El-Menakib”, bab: “Mewalatuhu radijall-llahu ‘anhu”, hadithi nr. 14528, fq. 66.)

Ghulam Ebu Sehla, Skllavi i liruar i Hazret Uthmanit, rrëfen: Ditën kur rebelët do ta vrisnin Hazret Uthmanit (Jeumud-dar), i thashë:

– O Emir i besimtarëve! Lufto kundër ngatërrestarëve.

Hazret Uthmani m’u përgjigj:

Pasha Allahun! Nuk do të luftoj kundër tyre. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. më kishte thënë diçka dhe unë dëshiroj që fjala e tij të plotësohet.

(Ali ibn el-Ethir, “Usdul-ghabeh fi ma’rifetus-Sahabeh”, vëllimi III, kapitulli: “‘Uthman bin ‘Affan”, shtëpia botuese: “Darul-fikr”, Bejrut 2003, fq. 483-484.)

Disa akuza ndaj Hazret Uthmanit dhe përgjigja e tyre

Disa njerëz ngrenë akuza që Hazret Uthmani nuk mori pjesë në Luftën e Bedrit, u arratis në Luftën e Uhudit dhe nuk ishte i pranishëm as në Bejatin e Ridvanit. Hipokritët që ishin aty i bënin edhe këto akuza. Uthman bin Meuhebi rrëfen:

Një egjiptian erdhi në Mekë për haxh. Ai pa disa njerëz që ishin ulur diku. Tentoi të përhapte disa fjalë për të krijuar përçarje. Pyeti dikë se kush ishin ata që ishin ulur në grup. I thanë se ishin kurejshë. – Po ai plaku, kush është? – Abdullah bin Omeri, i thanë. Ai shkoi te grupi dhe tha:

– O Abdullah bin Omer! Dua të pyes për diçka. A e di që Uthmani ishte arratisur në Luftën e Uhudit? Po, i tha Abdullah bin Omeri. Pastaj ai e pyeti – A e di që ai nuk mori pjesë në Luftën e Bedrit? – Po, iu përgjigj ai. Më pas ai e pyeti – A e di që ai nuk kishte marrë pjesë as në Bejatin e Ridvanit? – Po, iu përgjigj Abdullah bin Omeri. Atëherë ai u shpreh i çuditur – Allahu Ekber!

Hazret Ibni Omeri tha: Eja këtu!

Pra, nuk dëgjoi vetëm akuza, por donte t’u përgjigjej akuzave të tij. Dhe tha:

Për arratisjen e tij në Luftën e Uhudit jap dëshminë time se Allahu i Madhërishëm e ka falur atë.

Situata gjatë Luftës së Uhudit ishte kaq kautike, saqë ishte përhapur lajmi që edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte rënë dëshmor. Në këtë gjendje të pakontrolluar, bashkë me shumë të tjerë, edhe Hazret Uthmani ishte arratisur. Sidoqofët, Hazret Ibni Omeri vijon:

Për sa i përket mungesës së tij në Luftën e Bedrit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vetë e kishte porositur që ai të qëndronte pranë gruas së tij, të bijës së Profetit, pasi ajo ishte e sëmurë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i pati thënë:

– Qëndro me gruan tënde, dhe ti do të llogaritesh ndër pjesëmarrësit e Bedrit dhe do të përfitosh edhe nga plaçkat e luftës.

Kurse në Bejatin (besëlidhjen) e Ridvanit ai kishte munguar për një arsye. Mbajeni mend! Për mekasit, në qoftë se do të ishte ndokush tjetër më i nderuar se Uthmani, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. atë do ta dërgonte si emisar të tij drejt mohuesve. Por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e dërgoi Uthmanin. Dhe Bejati i Ridvanit ndodhi në kohën kur Uthmani ishte dërguar në Mekë. Në këtë besëlidhje i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me dorën e tij të djathtë e kapi dorën e tij të majtë dhe tha se kjo është dora e Uthmanit. Kështu, vendosi fort dorën e majtë mbi të djathtën duke thënë – Kjo është e Uthmanit.

Pasi i dha këto përgjigje, Hazret Ibni Omeri i tha egjiptianit

– Merri këto përgjigje dhe mbaje mend, nuk ka asnjë vend për akuzë.

(Sahih el-Bukhari, kitab: “Fedailu as’habun-Nebijj s.a.v.s.”, bab: “Menakibu ‘Uthman bin ‘Affan r.a.”, hadithi nr. 3698.)

Rrëfimi i mësipërm gjendet në Buhari.

Zgjerimi i Xhamisë së Profetit dhe kontributi i Hazret Uthmanit r.a.

Xhamia e Profetit s.a.v.s. u zgjerua gjatë kohës së Profetit, dhe në këtë projekt, Hazret Uthmani r.a. pati mundësinë të bënte sakrifica. Ebu Melihu përmes babait të tij rrëfen:

Për të marrë një truall në kuadër të zgjerimit të xhamisë, I Dërguari i Allahut s.a.v.s. bisedoi me një ensari (musliman të Medinës) dhe i tha – Do të kesh një shtëpi në xhenet në këmbim të këtij trualli. Por ai refuzoi ta lëshonte tokën. Hazret Uthmani shkoi tek e ensariu në fjalë dhe i propozoi:

– A do të ma shesësh këtë tokë për dhjetë mijë dirhamë?

Ai ia shiti tokën Hazret Uthmanit. Hazret Uthmani shkoi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe tha:

O i Dërguari i Allahut! Dua të ta “shes” tokën që i kam blerë atij ensariu me dhjetë mijë dirhamë.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia “bleu” tokën Hazret Uthmanit në këmbim të një shtëpie në xhenet dhe Profeti s.a.v.s. i tha të njëjtat fjalë që i kishte thënë personit tjetër – Do të kesh një shtëpi në xhenet.

Më pas, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi gurthemelin duke vënë një tullë. Pastaj thirri Ebu Bekrin dhe edhe ai vendosi një tullë. Më pas Hazret Omeri vendosi tullën dhe pas tij edhe Hazret Uthmani vendosi tullën e tij. Më pas, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha të gjithëve – Tani ju të gjithë vendosni tullat.

(Nuruddin el-Hejthemi, “Mexhme‘uz-zewaid we menbe‘ul-fewaid”, vëllimi IX, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2001, kitab: “El-Menakib”, bab: “Men ‘amile minel-khajri minez-zijadeti fil-mesxhidi we gajre dhalike”, hadithi nr. 14524, fq. 65.)

Ata kështu vepruan dhe kështu xhamia e Profetit u zgjerua për herë të parë.

Thumame bin Hazem Kushejri rrëfen:

Kam qenë i pranishëm gjatë kohës kur rebelët e kishin rrethuar shtëpinë e Hazret Uthmanit. Ai nxori kokën nga një dritare dhe iu drejtua njerëzve:

– Ju jap besën e Allahut dhe të Islamit dhe ju pyes: a e dini se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. erdhi në Medinë, muslimanët nuk kishin asnjë burim uji të pijshëm, përveç pusit Ruma, dhe atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte bërë thirrje: Kush është që mund ta blejë pusin Ruma dhe kovën e tij ta bashkojë me kovën e të gjithë muslimanëve, që të gjejë një shpërblim më të mirë në xhenet?, dhe atëherë unë e bleva këtë pus me paratë e mia personale dhe bashkova kovën time me kovat e të gjithë muslimanëve?! Dhe ju sot më keni bërë të ndaluar ujin e të njëjtit pus dhe më detyroni të pi ujin e detit?!

– Për Allahun, ke të drejtë!, iu përgjigjën njerëzit.

Pastaj Hazret Uthmani sërish i pyeti:

–  Ju jap besën e Allahut dhe të Islamit dhe ju pyes: a e dini që unë e kam përgatitur ushtrinë e muslimanëve me paratë e mia në betejën ‘usra, në betejën e Tebukut?

– Për Allahun, ke të drejtë!, iu përgjigjën njerëzit.

Hazret Uthmani vijoi sërish:

– Ju jap besën e Allahut dhe të Islamit dhe ju pyes: a e dini se kjo Xhami e Profetit kur u ngushtua për namazfalësit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë – Ai që do t’i blejë tokë filan fisit e më pas do ta dhurojë atë për xhaminë, do të ketë një shtëpi në xhenet!, atëherë unë e bleva tokën me paratë e mia personale dhe ia dhurova xhamisë?! Dhe tani jeni ju që nuk më lejuakeni të fal dy rekate namaz në të njëjtën xhami.

– Për Allahun, ke të drejtë!, iu përgjigjën njerëzit.

Hazret Uthmani vazhdoi t’i pyeste:

Ju jap besën e Allahut dhe të Islamit dhe ju pyes: a e dini që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur ishte mbi malin Sebir dhe atë e shoqëronim unë, Ebu Bekri dhe Omeri, dhe kur mali filloi të lëkundej, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ra me këmbë malit dhe tha – “Mbahu, o Sebir! Mbi ty po qëndrojnë një Profet, një Sidik dhe dy dëshmorë!”?!

– Për Allahun, ke të drejtë!, iu përgjigjën njerëzit.

– Allahu Ekber! Për Zotin e Qabes! Këta e dhanë dëshminë e tyre për mua që do të jem dëshmor!, shqiptoi Hazret Uthmani.

(Sunen en-Nesai, kitab: “El-Ihbas”, bab: “Wakful-mesaxhidi”, hadithi nr. 3638.)

Pra, ata vetë dëshmuan që Hazret Uthmani së shpejti do ta gëzonte gradën e dëshmorit.

Zgjerimi i Xhamisë së Profetit s.a.v.s. ndër vite

Zgjerimi drastik i Xhamisë së Profetit, për herë të parë, u bë në kohën e Hazret Uthmanit. Për shkak të kontekstit, do t’ju tregoj shkurtimisht historikun zgjerimit të xhamisë së Profetit që u bë ndër vite. Ju tregova më lart se zgjerimi i parë i xhamisë ishte bërë vetë gjatë jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s.

Kur filloi ndërtimi i Xhamisë së Profetit dhe kur përfundoi ai?

Gurthemeli i Xhamisë së Profetit u vu nga dora e bekuar e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në muajin Rebiul-Evel të vitit 1 h, gjegjësisht, në fund të tetorit të vitit 622 e.s.. Themelet ishin afërsisht 1.5 metra thellë. Në themel u vunë gurë dhe tulla, kurse muri sipër themeleve u ndërtua prej dheu dhe u tha në diell. Pra, muret ishin ndërtuar me tulla dheu të lagur, që u thanë në nxehtësinë e diellit.

(‘Abdul-hamid Kadiri, “Xhustexhu-e-Medineh”, botues: “Oriental Publications”, Pakistan 2007, fq. 430.)

Muret e xhamisë kishin trashësi prej 75 cm, dhe lartësinë afërisht 3.5 metra.

(Po aty, fq. 432)

Ndërtimi i xhamisë përfundoi në muajin Sheval të vitit 1 h., gjegjësisht në prill të vitit 623 e.s..

(Po aty, fq. 435.)

Hazret Kharixhe bin Zejd bin Thabiti rrëfen:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. xhaminë e tij ndërtoi me përmasa 34 metra (70 zira’) gjatësinë dhe 30 metra (60 zira’) gjerësinë, përafërsisht.

(Po aty, fq. 437-438.)

Zgjerimi i parë i Xhamisë së Profetit s.a.v.s.

Zgjerimi i parë i xhamisë së Profetit gjatë kohës së tij u bë në muajin Muharrem të vitit 7 h., gjegjësisht në qershor të vitit 628 e.s.. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye si fitues nga Lufta e Khejberit, lëshoi urdhrin për zgjerimin e xhamisë së tij.

Zgjerimin e xhamisë nuk e bëri në drejtimin jugor të saj, në drejtim në të cilin ishte Kibla, dhe as në drejtimin lindor. Shumicën e zgjerimit e bëri në drejtimin verior dhe pjesërisht edhe në drejtimin perëndimor të saj.

Në pjesën perëndimore të xhamisë, kishin disa shtëpi të sahabëve të ndryshëm. Një sahab i Medinës (ensari) kishte rezerva për të lëshuar shtëpinë e tij. Atëherë (siç ju kam thënë më herët), Hazret Uthman bin Afani ishte ai që ia bleu shtëpinë me dhjetë mijë dirhamë dhe ia dhuroi të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Vetëm atëherë u bë e mundur që zgjerimi i xhamisë të bëhej në pjesën veriore dhe atë perëndimore të saj. Pas këtij zgjerimi, sipërfaqja e xhamisë u bë 50 me 50 metra (100 me 100 zira’).

(Po aty, fq. 446-447.)

Zgjerimi i dytë i Xhamisë së Profetit gjatë Hilafetit të Hazret Omerit r.a.

Zgjerimi i dytë i Xhamisë së Profetit u bë gjatë Halifatit të Hazret Omerit r.a., në vitin 17 h.. Hazret Abdullah bin Omeri rrëfen:

Gjatë kohës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Xhamia e Profetit muret i kishte me tulla dheu, çatinë me gjethe e degë hurme, kurse shtyllat ishin trungje hurme. Hazret Ebu Bekri r.a., gjatë Hilafetit të tij, nuk ndërhyri në konstruksionin e xhamisë dhe e la siç ishte në kohën e Profetit s.a.v.s..

Hazret Omeri realizoi zgjerimin e saj, por pa e prishur konstruksionin e vjetër. Pra, edhe zgjerimi u bë në të njëjtën formë me atë të mëparshme. Çatinë e kishte lënë përsëri me degë e gjethe hurme, por shtyllat i vendosi prej druri. Këtë zgjerim, Hazret Omeri r.a. e bëri nën mbikëqyrjen e tij dhe e përfundoi po në vitin 17 h.. Sipërfaqja e xhamisë nga 50 me 50 metra që ishte, u bë 60 me 70 metra (120 me 140 zira’).

Ky rrëfim tregon se Xhamia e Profetit gjatë Kalifatit të Hazret Ebu Bekrit mbeti e paprekur dhe zgjerimi i saj i parë pas vdekjes së Profetit s.a.v.s., u realizua gjatë Kalifatit të Hazret Omerit dhe ishte një zgjerim i konsiderueshëm.

(Po aty, fq. 459.)

Rindërtimi dhe zgjerimi i Xhamisë së Profetit gjatë Halifatit të Hazret Uthmanit r.a.

Më pas, gjatë Kalifatit të Hazret Uthmanit r.a., në vitin 29 h., Xhamia e Profetit u rindërtua dhe u zgjerua më tej. Në këtë projekt rindërtimi, Hazret Uthmani e zbukuroi xhaminë dhe e forcoi atë dhe për këtë ai përdori gips dhe ornamente të ndryshme. Muret e xhamisë i bëri me gurë me ornamente zbukuruese. Për herë të parë u përdor gëlqerja për të lyer Xhaminë e Profetit. Në çati u përdorën dru.

Hazret Uthmani kur u zgjodh Kalif i Tretë në vitin 24 h., besimtarët i kërkuan që Xhamia e Profetit ishte bërë e ngushtë dhe duhej zgjeruar. Ata theksuan që sidomos ditë xhumaje ose gjatë takimeve të mëdha, xhamia bëhej kaq e ngushtë saqë ata shpesh detyroheshin të faleshin në pjesën e jashtme. Atëherë Hazret Uthmani u këshillua me sahabët. Të gjithë pohuan që xhamia e vjetër të rrëzohej dhe në vend të saj të ndërtohej xhami e re.

Kështu që, një ditë ai ligjëroi pas namazit të drekës duke qëndruar në minber dhe tha:

Lavdia i takon Allahut. Dua ta rrëzoj xhaminë dhe në të njëjtin vend të ndërtoj xhami të re. Dëshmoj se kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë – Ai që ndërton një xhami, Allahu i madhërishëm i dhuron një shtëpi në xhenet. Përpara meje, Hazret Omeri realizoi zgjerimin e Xhamisë së Profetit, gjë që për mua është një shembull për t’u ndjekur. Jam këshilluar me Sahabët e rëndësishëm dhe ata që të gjithë ndajnë mendimin që xhamia e vjetër të rrëzohet dhe ajo të rindërtohet.

Gjatë kohës kur Hazret Uthmani parashtroi këtë projekt, kanë qenë disa sahabë, ndonëse pak, që kishin rezerva ndaj projektit. Sipas tyre, xhamia e vjetër nuk duhej rrëzuar. Ndër ta ishin edhe ata sahabë, të cilët shtëpitë i kishin të ngjitura me xhaminë ose shumë afër saj, dhe dukej që ato do të prekeshin për shkak të projektit. Përfundimisht, shumica e mbështeti projektin dhe një numër i vogël sahabësh e kundërshtuan. Hazret Afleh bin Hamidi rrëfen:

Kur Hazret Uthmani deshi të vinte në minber dhe t’u kërkonte mendim njerëzve, Mervan bin Hakemi i tha:

– Kjo vepër pa dyshim që është e mbarë, andaj, çfarë nevoje ka që t’u merrni mendimin gjithë njerëzve?

Hazret Uthmani, duke e qortuar atë, tha:

– Qofsh i mirë ti o njeri! Unë nuk imponoj asgjë mbi njerëzit dhe patjetër që do të këshillohem me ta.

Kështu që, Hazret Uthmani vetëm kur u sigurua që Sahabët kryesorë e pranonin realizimin e këtij projekti, u realizua blerja e shtëpive që ishin në drejtimin verior të xhamisë. Ndonëse Hazret Uthmani u kishte siguruar një shumë të madhe parash për t’ua shpronësuar pronat, megjithatë, disa prej sahabëve insistonin të mos i lëshonin tokat e tyre. Kaluan katër vite, por pa ndonjë rezultat pozitiv.

Hazret ‘Ubejdullah Kheulani rrëfen:

Kur njerëzit kundërshtonin për të lëshuar pronat e tyre dhe negociatat vetëm po zgjateshin, kam dëgjuar Hazret Uthmanin duke thënë:

– Njerëzit vetëm po japin justifikime. Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: Ai që ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu i Madhërishëm do t’i dhurojë një shtëpi të ngjashme në Xhenet.

Po kështu, Hazret Mahmud bin Lebidi rrëfen:

Kur Hazret Uthmani vendosi të bënte rindërtimin e Xhamisë së Profetit, disa njerëz nuk e pranuan projektin e tij. Ata insistonin që Xhamia e Profetit të lihej ashtu siç ishte në kohën e Profetit s.a.v.s.. Atëherë, Hazret Uthmani tha: Ai që ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu i Madhërishëm do t’i dhurojë një shtëpi të ngjashme në Xhenet.

Kur Hazret Uthmani r.a. arriti t’i bindte njerëzit, në muajin Rebiul-Evel të vitit 29 h., përkatësisht në nëntor të vitit 649 e.s., nisi punimet e rindërtimit. Xhamia e re përfundoi së ndërtuari vetëm brenda 10 muajsh dhe, më 1 muharrem të vitit 30 h., ajo ishte gati për t’u falur në të. Hazret Uthmani vetë mbikëqyri të gjitha punimet. Ditën agjëronte dhe natën, nëse e detyronte gjumi, pushonte në kantierin e xhamisë.

Hazret Abdurrahman bin Sefina rrëfen:

Kam parë që ustallarët sillnin materiale ndërtimi te Hazret Uthmani që ai t’i shikonte. Gjithashtu, kam parë që ai rrinte në këmbë duke mbikëqyrur punimet dhe ustallarët. Kur vinte koha e namazit, e falte së bashku me ta. Dhe herë-herë aty edhe flinte.

Hazret Uthmani r.a. e zgjeroi Xhaminë e Profetit në drejtimin jugor, pra në drejtimin e Kibles, duke e sjellë mihrabin deri aty ku ai ekziston edhe sot e kësaj dite. Në pjesën veriore, ai e zgjeroi rreth 25 metra (50 zira’) dhe pak metra e zjgeroi edhe në pjesën perëndimore. Kurse në pjesën lindore, aty ku ishin edhe disa dhoma të bekuara, ai nuk e zgjeroi xhaminë.

Pas zgjerimit, Xhamia e Profetit u bë 70 me 80 metra (150 me 160 zira’). Gjatë Kalifatit të Hazret Uthmanit r.a., numri i dyerve të kësaj xhamie ishte gjashtë. Për herë të parë në Xhaminë e Profetit, u gdhendën ornamente nëpër gurët e saj. Xhamia u lye.

Sipas Hazret Kharixhe bin Zejdit, Hazret Uthmani hapi disa dritare në Xhaminë e Profetit në pjesën lindore dhe atë perëndimore të saj. Njëra prej shtëpive që Hazret Uthmanit iu desh t’i merrte për rindërtimin e Xhamisë së Profetit ishte edhe ajo e Hazret Hafsasë. Ajo u shpronësua me një shtëpi tjetër ngjitur me murin e Kibles së Xhamisë në pjesën jug-perëndim të saj. Aty hapën dhe një derë të vogël, e cila mundësonte që ajo të vinte lehtësisht nga shtëpia për të hyrë në xhami.

Përveç kësaj, u ble gjysma e shtëpisë së trashëgimtarëve të Hazret Xhafer bin Ebu Talibit në këmbim të 100,000 dirahamëve. Kështu që, një pjesë e Shtëpisë së Abasit tashmë u përfshi në Xhaminë e Profetit.

Përveçse muri i Kibles ishte spostuar në drejtimin jugor, u bë një ndryshim tjetër më i rëndësishmi, që edhe Mihrabi i Profetit u spostua nga vendi i tij aq sa ishte spostuar muri i Kibles. Ky mur i Kibles ishte zgjeruar deri në vendin ku sot shohim Mihrabin e Uthmanit. Aty ishte ndërtuar një Mihrab si shenjë. Në vend të dheut, në ndërtimin e xhamisë, u përdor guri i shtypur. Shtyllat prej guri u forcuan me rrase hekuri. U morën parasysh në mënyrë të veçantë që shtyllat e reja të ngrinin mu aty ku ishin trungjet e hurmave gjatë kohës së Profetit Muhammed s.a.v.s..

Materiali i ndërtimit që ishte përdorur ishte i ngjashëm me atë që bizantët e kishin përdorur në ndërtimin e Kupolës së Shkëmbit të Jeruzalemit. Në çati u përdor druri i një peme tjetër dhe u vendos mbi trarët të cilët ishin vënë mbi shtyllat e gurit të forcuara me hekur.

Hazret Omeri u sulmua në Mihrabin e Profetit, gjatë kohës kur ai po drejtonte namaz. Për të siguruar që një ngjarje e tillë të mos përsëritej në të ardhmen, Hazret Uthmani ndërtoi meksure, një pjesë të veçuar për imamin afër minberit, ku ai të drejtonte namazin. Kjo pjesë ishte ndërtuar me dhe e tulla, dhe kishte edhe dritare në atë mënyrë që namazfalësit të mund ta shikonin imamin. Pra, për herë të parë ishte ndërtuar diçka në Xhaminë e Profetit që i shërbente sigurisë së imamit, gjë e cila më vonë do të bëhej pjesë e protokollit të sigurisë në Damask për Kalifët e Benu Umejjes.

(‘Abdul-Hamid Kadiri, “Xhustuxhu-e-Medineh”, botues: “Oriental Publications”, Pakistan 2007, fq. 463-465.
“Urdu Lughat Tarikhi Usul Pur”, përgatiti: Ministria Federale e Arsimit, Qeveria e Pakistanit, vëllimi XVIII, botues: “Urdu Lughat Purd”, Gulshan-e-Ikbal, Karaçi, qershor 1990, fq. 492.)

Pra, Mihrabi ishte rrethuar me një mur në atë mënyrë që edhe namazfalësit të mund ta shikonin imamin.

Xhamia e Profetit edhe në kohëra të ndryshme edhe pas kësaj vazhdoi të zgjerohej.

Fjalët e Imamit të Kohës

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Unë e shëmbëllej Hazret Uthmanin me Profetin Sulejman, sepse të dy e kishin pasion ndërtimin. Gjatë kohës së Hazret Aliut, trazirat e brendshme ishin në kulm. Nga njëra anë ishte Muavija dhe në anën tjetër ishte Aliu dhe për shkak të këtyre trazirave, shumë muslimanë u vranë. Për gjashtë vjet, asnjë zhvillim për Islamin nuk u bë dot. Realisht, zhvillimet e Islamit u sosën deri në kohën e Uthmanit. Më pas filloi një luftë civile.

(Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Malfuzat”, vëllimi VIII, fq. 278.)

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Nuk është e domosdoshme që xhamia të jetë patjetër e zbukuruar dhe të jetë me ndërtesë të fortë. Mjafton të siguroni tokën, të vendosni kufijtë, të hidhni një çati prej bambuje ose diçkaje tjetër, që të mbroheni nga shiu, dielli etj.. Allahu i Madhërishëm nuk e pëlqen luksin. Xhamia e Profetit Muhammed s.a.v.s. ishte me ca degë hurme dhe kështu vijoi për një kohë të gjatë. Më vonë Hazret Uthmani ngaqë e kishte pasion ndërtimin, e rindërtoi atë në mënyrë të fortë. Hazret Sulejmani dhe Uthamani edhe emrat i kanë gati-gati homonimë. Ndoshta për këtë arsye, që të dy kanë pasur disa aspekte të përbashkëta.

(Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Malfuzat”, vëllimi VII, fq. 119.)

Zgjerimi i Xhamisë së Shenjtë (Qabja)

Në vitin 26 h., Hazret Uthmani rivendosi kufijtë e Xhamisë së Shenjtë duke e zgjeruar atë. U blenë shtëpitë që ishin përreth për t’u bërë pjesë e Xhamisë së Shenjtë. Disa e shitën shtëpinë me pëlqimin e tyre, por disa e kundërshtuan. Hazret Uthmani u përpoq duke përdorur çdo metodë të mundshme për t’i bindur ata, por ata nuk tërhiqeshin. Më në fund, me urdhrin e Hazret Uthmanit, këto shtëpi u rrëzuan dhe Hazret Uthmani vlerën e tyre e kreditoi në Arkën Qendrore (bejtul-mal). Banorët protestuan, atëherë Hazret Uthmani lëshoi urdhrin që t’i arrestonin e t’i fusnin në burg. Duke iu drejtuar këtyre, Hazret Uthmani u tha:

A dini se pse guxoni të më kundërshtoni në këtë projekt? Guximi juaj është vetëm për shkak se unë jam treguar i duruar me ju. Kështu kishte vepruar edhe Hazret Omeri me ju, por ju nuk patët guximin ta kundërshtonit atë dhe as të bënit ndonjë protestë.

Më pas, Abdullah bin Khalid bin U’sejdi bisedoi me Hazret Uthmanin për protestuesit dhe në fund ata u lanë të lirë.

(Muhammed ibn Xherir et-Taberi, “Et-Tarikh”, vëllimi V, kapitulli: “Thumme dekhalet senetu sitte we ‘ishrin…”, shtëpia botuese: “Darul-Fikr”, Bejrut 2002, fq. 92.)

Ushtria e parë detare e muslimanëve

Ushtria e parë detare e muslimanëve u formua për herë të parë, në vitin 28 h., gjatë Kalifatit të Hazret Uthmanit. Emir Muavije bin Ebi Sufjani ishte i pari i cili përgatiti një ushtri detare muslimane gjatë Kalifatit të Hazret Uthmanit. Emir Muavije më së pari i kërkoi Hazret Omerit që ai t’ia lejonte formimin e ushtrisë detare, por ai nuk e lejoi diçka të tillë. Kur Hazret Uthmani u bë Kalif, Emir Muavije edhe atij i kërkoi për të disten herë të njëjtën gjë. Më në fund, Hazret Uthmani i dha leje duke thënë:

– Nuk duhet të zgjedhësh vetë njerëzit dhe as nuk duhet të bësh short midis tyre. Por jepu të drejtën e zgjedhjes. Kushdo që dëshiron të marrë pjesë në luftën detare, le të hyjë në këtë ushtri. Më pas ndihmoje atë.

Emir Muavije kështu veproi. Ai caktoi Abdullah bin Kejsin kryekomandant të ushtrisë detare, i cili gjatë verës dhe gjatë dimrit, bëri rreth pesëdhjetë beteja në det. Në të gjitha këto beteja, asnjë ushtar musliman nuk u mbyt dhe as nuk pati ndonjë dëm tjetër material.

(Po aty, fq. 97.)

Profeti a.s.: “Më i ngjashmi me mua në virtyte është Uthmani”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Ndër të gjithë njerëzit, më i ngjashmi me mua në virtyte është Uthmani.” Hazret Abdurrahman bin Uthmani rrëfen:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vizitoi të bijën e tij, ndërkohë ajo po i lante kokën Uthmanit. Ai tha:

– Sillu mirë me Abu Abdullahun (d.m.th. me Uthmanin), moj bije, sepse ndër të gjithë sahabët e mi, ai është më i ngjashmi me mua në virtyte.

(Nuruddin el-Hejthemi, “Mexhme‘uz-zewaid we menbe‘ul-fewaid”, vëllimi IX, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2001, kitab: “El-Menakib”, bab: “Ma xhae fi khulukihi radijall-llahu ‘anhu”, hadithi nr. 14500, fq. 58.)

Hazret Jahja bin Abdurrahman bin Hatibi rrëfen: Kam dëgjuar babanë tim duke thënë:

Ndër sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., nuk kam parë njeri tjetër përveç Hazret Uthmanit më të mirë në parashtrimin e çështjeve, edhe pse ai shmangte të bisedonte me të tjerët.

(Muhammed ibn Sa’d, “Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, kapitulli: “‘Uthman bin ‘Affan”, shtëpia botuese: “Ihjaut-turath el-‘arabijj”, Bejrut 1996, fq. 32.)

Hazret Ebu Hurejre rrëfen:

Shkova te Rukejja, e bia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Ka mundësi që rrëfimtari, në vend të Hazret Umi Kulthumit e ka përmendur emrin e Rukejjes, sepse sipas rrëfimeve, Hazret Rukejja kishte ndërruar jetë në kohën e Luftës së Bedrit dhe Hazret Ebu Hurejre (rrëfimtari) e kishte pranuar Islamin 5 vjet pas kësaj ngjarjeje. Kurse Umi Kulthumi kishte ndërruar jetë në vitin 9 h., andaj ka mundësi që në këtë rrëfim i referohet vajzës tjetër të Profetit s.a.v.s., pra, Umi Kulthumit. Sidoqoftë, rrëfimtari vijon:

Ajo më tha – Sapo është larguar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nga unë. Tek po i krihja flokët, më pyeti: “Si e ke gjetur Ebu Abdullahun (d.m.th. Uthmanin)?” “Shumë mirë”, iu përgjigja. Pastaj më tha: “Respektoje atë sepse ndër sahabët e mi, ai është më i ngjashmi me mua në virtyte.”

(Nuruddin el-Hejthemi, “Mexhme‘uz-zewaid we menbe‘ul-fewaid”, vëllimi IX, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2001, kitab: “El-Menakib”, bab: “Ma xhae fi khulukihi radijall-llahu ‘anhu”, hadithi nr. 14501, fq. 58.)

Këtu përfundon për sot përmendja e Hazret Uthmanit.

Disa xhenaze

[Pas kësaj, Huzuri, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, njoftoi se pas namazit të së xhumasë do të udhëhiqte xhenazet gaib të këtyre të ndjerëve, dhe gjithashtu përmendi shkurtimisht të dhënat e jetës dhe vlerat e tyre si besimtarë të devotshëm muslimanë:

  • I ndjeri Mubashar Ahmad Rind
  • I ndjeri Muneer Ahmad Farrukh
  • I ndjeri Bregadier Muhammad Latif
  • I ndjeri Konok Baik Omur Bakuf

Për të ditur ngjarjet e këtyre të ndjerëve që përmendi Huzuri, ju lutem ndiqeni videon.]

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp