Jeta shembullore e sahabëve të Profetit a.s. | Fjalim i së xhumasë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta shembullore e sahabëve të Profetit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Jeta shembullore e sahabëve të Profetit s.a.v.s.

Mesihu i Premtuar a.s. ka përshkruar sakrificat dhe pozitën e lartë të sahabëve të Profetit s.a.v.s. dhe bekimet e Zotit ndaj tyre me këto fjalë:

“Hazret Ebu Bekri r.a. dha gjithçka që i përkiste nga pasuria në rrugën e Zotit. Ai kishte mbetur vetëm me një batanije, por Zoti e shpërbleu pamasë. Ai e bëri mbret për mbarë Arabinë. Përmes tij, Zoti i dha Islamit një frymë të re, e bëri Ebu Bekrin r.a. mbizotërues ndaj arabëve kryengritës dhe i dha mbarësi dhe epërsi të tillë që askush nuk kishte imagjinuar.

Sinqeriteti, besnikëria, përulësia dhe dhembshuria e tyre janë shembullore për çdo musliman. Jeta e sahabëve është aq e shkëlqyer, që shembulli i tyre nuk mund të gjendet në ndjekësit e ndonjë profeti tjetër.

Me të vërtetë, derisa njeriu nuk paraqitet në oborrin e Zotit duke u shkëputur tërësisht nga dëshirat dhe interesat vetjake, ai nuk përfiton asgjë, madje e shpie veten në humbje. Por, kur ndahet nga të gjitha dëshirat dhe qëllimet vetjake, dhe gjunjëzohet te pragu i Zotit duke qenë i zbrazur materialisht por i pastër shpirtërisht, e bekon Zoti dhe i plotëson çdo nevojë. Megjithatë, kjo kërkon që robi të jetë i gatshëm për t’u flijuar në rrugën e Zotit, dhe të pranojë trimërisht çdo poshtërsi dhe humbje për hir të Tij.

Kjo botë është kalimtare e askush nuk ka fituar përjetësi këtu. Megjithatë, kënaqësitë e saj i ndiejnë vetëm ata që ia kanë kthyer shpinën për hir të Zotit. Prandaj, robi që përparon në afërsi me Zotin, i shtohet fama edhe në këtë botë, ndërkohë të tjerët bëjnë çmos për të fituar një titull, për të zënë një karrige pranë njerëzve të oborrit apo shtesave të larta.

Ai që gatitet për të sakrifikuar dhe për të humbur çdo gjë për hir të Zotit, fiton nderim e respekt nga gjithsecili, dhe i jepet një famë e posaçme.

Mesihu i Premtuar a.s. në një kuvend gjithashtu u shpreh që:

“Njeriu që humbet sadopak për hir të pushteteve tokësore, fiton nderim dhe vlerësime të posaçme. Mirëpo, nëse robi sakrifikon diçka për hir të Zotit, a nuk do të shpërblehet prej Tij? Me të vërtetë, robërit e tillë, nuk vdesin, derisa të shpërblehen disa herë më tepër se sa kishin dhënë në rrugën e Zotit. Zoti nuk mban borxh prej askujt, por rrallë janë ata që e kanë zbuluar këtë realitet.

Shembujt e sinqeritetit dhe besnikërisë, të përulësisë dhe mirëdashjes të sahabëve janë aq madhështorë, saqë i ngjallin pafund çudi njeriut.

Fuqia mbresëlënëse e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. jo vetëm që ua ndryshoi kryekëput kahjen e dashurisë, por ua lartësoi shkallën e dashurisë që nuk e kishte njohur bota më parë”.

Jeta e sahabëve shkëlqen me këto tipare të jashtëzakonshme. Dua të ndaj shembujt nga jeta e tyre, që tregojnë se ata ia kishin nënshtruar veten e tyre pëlqimit të Allahut.

Abad bin Bishri r.a.

Abad bin Bishri r.a. ishte një sahab medinas. Ai ra shehit në lulen e rinisë në moshën 35 vjeçare. Hazret Aisheja r.a. ka rrëfyer një ngjarje që tregon përkushtimin e tij ndaj adhurimit të Allahut dhe dashurisë ndaj leximit të Kuranit Famëlartë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. zgjohej herët për namazin e tehexhudit. Një natë kur u zgjua ai për t’u falur, dëgjoi tingujt e Kuranit nga drejtimi i xhamisë. Ai pyeti “A mos është ky zëri i Abadit?” Aisheja r.a. u përgjigj që edhe asaj i dukej zëri i tij. Profeti a.s. u lut për të dhe tha “O Allah! Mëshiroje Abadin”. Sa të lumtur ishin këta njerëz, që gjallëronin netët e tyre në adhurimin e Zotit dhe këndimin e Kuranit, dhe kështu përfituan drejtpërdrejt nga lutjet e Profetit s.a.v.s. Ata zgjoheshin herët për të fituar pëlqimin e Zotit dhe i përgjëroheshin për mëshirë. Në bazë të një ëndrre, Abadi r.a. ishte i bindur se do të binte dëshmor. Ebu Seid el-Huduriu r.a. ka rrëfyer se Abadi r.a. kishte parë në ëndërr që ishte hapur qielli, dhe ai kishte hyrë brenda tij. Sa hyri brenda, qielli u mbyll sërish. Kjo ëndërr e bindi që Zoti do t’i japë shkallën e dëshmorit. Në betejën e Jamamasë, duke luftuar trimërisht, ai ra dëshmor. Toga këmbësore e ensarëve ku bënte pjesë edhe Abadi, theu ushtrinë armike, mirëpo ai vetë u martirizua në këtë përpjekje. Ebu Seidi r.a. ka thënë që ai kishte marrë aq shumë plagë në luftë, saqë nuk arrinim t’ia njihnim fytyrën, dhe u identifikua vetëm pas zbulimit të një shenje në trup.

Heram bin Melhani r.a. dhe sakrifica e 70 muslimanëve

Historia e Islamit na mëson për një sahab tjetër që quhej Heram bin Melhan. Ky djalosh i shquar ua mësonte Kuranin të rinjve të tjerë. Ai gjithmonë u shërbente njerëzve të varfër dhe sahabëve që jetonin në xhaminë e Profetit dhe njiheshin si es’habus sufah. Njëherë erdhi një grup nga fisi Beni Amir dhe i kërkoi Profetit disa muslimanë që t’ua mësonin fenë islame. Ata kishin kurdisur një intrigë kundër muslimanëve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha që nuhas rrezikun nga ju. Druaj që njerëzit tuaj t’u sjellin telashe njerëzve të mi. Kryetar i fisit, që nuk e kishte pranuar Islamin, tha “Unë hyj dorëzanë për këta. Këta që të gjithë do të jenë në mbrojtjen time”. Duke dëgjuar fjalët e tij, Profeti s.a.v.s. zgjodhi një grup muslimanësh dhe caktoi Heramin si kryetar i tyre. Kur këta mbërritën te pusi Mauna, Herami parandjeu rrezikun. Mirësjellja që e bënin për sy e faqe, paralajmëronte për djallëzinë që kishin fshehur në shpirt. Prandaj Herami u tha muslimanëve të tjerë të prisnin atje. Nuk ishte e arsyeshme që të gjithë të shkonin bashkërisht, sepse në rast sulmi të pabesë, ata mund të rrethoheshin shumë lehtë. Ai i porositi që të qëndronin atje. Nëse nuk ndodh diçka e keqe, edhe ata mund t’i bashkoheshin, për ndryshe, le të gjykonin sipas rrethanave, ose të ktheheshin mbrapsht, ose të luftonin me ta.

Duke thënë këto fjalë, Heram bin Melhani r.a. bashkë me një shok tjetër iu afruan kryetarit të fisit. Në kohën kur Herami fliste me kryetarin e fisit, ai i bëri me shenjë dikujt, që erdhi nga mbrapa dhe ia nguli shtizë në qafë Heramit. Atij iu derdh gjaku rrëke nga sulmi i pabesë. Ai vuri dorën mbi plagë dhe tha:

Allahu është më i Madhi. Pasha Zotin e Qabes, kam fituar.

Pastaj u martirizua pabesisht edhe shoku i tij që e shoqëronte. Pas këtyre vrasjeve, u martirizuan barbarisht edhe 70 hafizë të tjerë. Kur po vriteshin tradhtisht, ata po luteshin “O Allah! Pranoji sakrificat tona dhe lajmëroje Profetin për gjendjen tonë”. Hazret Gjibrili a.s. ia përcolli Profetit selamin e këtyre martirëve dhe ia tregoi atë që kishte ndodhur. Martirizimi i shtatëdhjetë sahabëve ishte një ngjarje tejet e rëndë, që e kishte brengosur thellë Profetin a.s. Ai njoftoi muslimanët e tjerë për këtë ngjarje dhe e quajti një sakrificë madhështore. Profeti a.s. u lut tridhjetë ditë rresht kundër këtyre fiseve dhe i kërkoi Zotit ndëshkimin e tyre.

Besnikëria e sahabëve

Mesihu i Premtuar a.s. duke vlerësuar dashurinë dhe besnikërinë e sahabëve dhe duke nderuar sakrificat e tyre vetëmohuese, ka shkruar:

“Dashuria është një ndjenjë e fuqishme, që mund të nxisë njeriun për të bërë çdo gjë. Kur ai bie në dashuri me dikë, mund të shkelë çdo kufi për hir të dashurës së tij. Njëherë një vajzë u dashurua me dikë. Të afërmit e saj e mundonin dhe torturonin. Ata e lëndonin dhe i shkaktonin sfilitje të rënda, por ajo duronte çdo vuajtje dhe thoshte se ato i jepnin kënaqësi. Nëse ndjenjat e rreme të pëlqimit dhe dashuria që buron nga shthurja dhe rënia morale, ka fuqinë për të ngjallur kënaqësinë pas çdo mundimi e vuajtje, atëherë imagjinoni se çfarë ndjenjash qetësie e lumturie mund të përjetojë i dashuri i Zotit që i nënshtrohet pragut të Tij dhe heq besnikërisht çdo vuajtje në këtë dashuri.

Hidhni një sy jetës së sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta). Ata përballuan vuajtjet sfilitëse në Mekë. Disa prej tyre u robëruan me dhunë dhe hoqën tortura të rënda. Jo vetëm burrat, por edhe gratë i nënshtroheshin shtypjes aq mizorisht e barbarisht, që edhe sot nëse i sjellim ndërmend atë vuajtje, na zënë të dridhurat. Ata fare lehtë mund të ishin pajtuar me kundërshtarët mekas, dhe kishin lidhje gjaku me ta, do të gëzonin respekt prej tyre. Por çfarë i nxiti ata për tu qëndruar heroikisht përballë vorbullës së mundimeve e kundërshtimeve? Ai ishte i njëjti burim kënaqësie dhe lumturie, që dilte nga shpirti i tyre për shkak të lidhjes së tyre me të vërtetën”.

Besimtari i sinqertë nuk u trembet fatkeqësive

Mesihu i Premtuar a.s. duke iu referuar kësaj ngjarjeje në një vend tjetër ka shkruar:

“Është përmendur që një sahabiu kur ia prenë dorën, ai u shpreh se tashmë po marr abdes. Kur ia thernin kokën, ai dha shpirt duke thënë që po binte në sexhde. Ai ishte lutur që Zoti ta njoftonte Profetin s.a.v.s. për këtë ngjarje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndodhej në Medinë, kur Gjibrili a.s. iu paraqit. Ai e përshëndeti me selam dhe e lajmëroi për këtë ngjarje.

Pas kësaj lumturie që robi përjeton në praninë e Zotit, ai nuk druhet as nga një vdekje e rëndë. Kur ai sahabi deklaroi se “Pasha Zotin e Qabes, kam triumfuar”, në atë çast ai kishte arritur kulmin e dashurisë. Prandaj, për një besimtar, fatkeqësitë më të rënda bëhen të lehta. Me të vërtetë, besimtari dallohet nga të tjerët, sepse ai gjithmonë është i gatshëm për t’u flijuar. Kur kërcënohet dikush për t’u bërë krishterë apo për t’u vrarë, duhet parë se çfarë i thotë ndërgjegjja? A e pranon vdekjen apo pranon për t’u bërë i krishterë? Nëse parapëlqen vdekjen, atëherë qenka besimtari, për ndryshe është mohues.

Fatkeqësitë që bien mbi besimtarët përmbajnë edhe kënaqësi. Po të mos ishin kënaqësi këto sprova, përse do t’u zgjatej të dërguarve aq shumë shtjellja e vështirësive”.

Fuqia shpirtërore e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. u kishte ngjallur sahabëve një frymë të tillë, që ata edhe duke dhënë shpirt thoshin “Pasha Zotin e Qabes, fituam”. Këta njerëz bënin vepra të mira dhe ishin viktimë të mizorisë. Ata luftonin kundër tiranisë, por kurrë nuk silleshin me mizori.

Abdullah bin Amr bin Harami r.a.

Abdullah bin Amr bin Haram r.a. ishte një sahab Ansari (i Medinës). Para se të nisej në luftën e Uhudit, ai iu drejtua djalit të tij dhe tha “Do të jem i pari që do të martirizohet sot. Prandaj, kujdesu për motrat e tua pas meje. Kam marrë borxh nga një hebre. Shlyejani borxhin nga të ardhurat e hurmave. Ky ishte niveli i druajtjes, sinqeritetit, përmbushjes së detyrave dhe besnikërisë së tyre ndaj Allahut. Ai po nisej për luftë, por nuk e trembte vdekja, madje ngazëllehej se do të bjerë dëshmor. Ai nuk shqetësohej as për vajzat e tij, madje i mbështetej vetëm te Zoti. Porositi që djali të kujdesej për to si më i madhi i familjes. Ai shqetësohej për borxhin që kishte marrë, prandaj la amanet që ai të shlyhej nga të ardhurat e hurmave. Pra, nuk deshi të rëndojë djalin për detyrimet e tij financiare, madje e bëri të qartë se mund të merrte pjesë nga trashëgimia vetëm pas shlyerjes së borxhit.

Allahu pranoi sakrificën e Abdullahut r.a. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjeti djalin e tij të pikëlluar pas martirizimit të të atit, ai e ngushëlloi duke thënë: “Dua të jap një myzhde. Kur shpirti i babait tënd iu paraqit Zotit dhe u ul përballë Tij, Zoti i tha “Kërko çfarë të do zemra, dhe Unë do të plotësoj dëshirën tënde”. Abdullahu iu përgjigj “O Allah! Unë si të Të kërkoj diçka, kur nuk kam përmbushur detyrat e mia ndaj Teje. Është vetëm mirësia dhe mëshira jote, ndryshe unë nuk meritoj asgjë. Por nëse më pyet dëshirën, unë dua që të më kthesh në botë, dhe të luftoj bashkë me të Dërguarin Tënd dhe të bie dëshmor edhe njëherë”. Allahu iu përgjigj se “Unë kam vendosur që atij që ia marr shpirtin njëherë, nuk e kthej sërish në dynja”.

Amr bin el-Xhemuhu r.a.

Historia e Islamit na tregon edhe për sakrificën e Hazret Amru bin Xhemuhut r.a. Ai ecte duke çaluar për shkak të këmbëve të sëmura. Djemtë e tij nuk e lanë të merrte pjesë në luftën e Bedrit. Në luftën e Uhudit, kur armiku sulmoi befasisht kampin e muslimanëve, ai u tha djemve të që bëni si të doni, unë do të shkoj patjetër në luftë. Ai shkoi te Profeti s.a.v.s. dhe i tha që djemtë e mi nuk duan të marr pjesë në luftë, por unë dua të bashkohem me ju në këtë xhihad. Pasha Allahun! Jam i bindur që Ai do të më plotësojë dëshirën dhe do të më mundësojë të vdes si dëshmor e të hy në xhenet me këmbë të sëmurë”. Profeti i tha që edhe pse nuk ju obligohet pjesëmarrja në këtë luftë për shkak të gjymtimit tuaj, por nëse keni dëshirë, mund të merrni pjesë. Profeti u tha edhe djemve të tij që ta mos pengojnë. Hazret Amru luftoi si trim dhe gjithnjë lutej që o Allah! Më mundëso të vdes si dëshmor e të mos kthehem si i dështuar dhe i humbur. Zoti ia plotësoi dëshirën dhe ai u martirizua në fushëbetejën e Uhudit.

Secili nga sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. gjendej në shkallën më të lartë të besimit e bindjes. Ata kishin ushqyer shpirtin me devotshmëri, besnikëri dhe ndjenjat vetëmohuese për hir të Zotit. Nuk i trembte asnjë sakrificë në rrugën e Zotit.

Ebu Telha el-Ensariu r.a.

Hazret Ebu Telhai r.a. ishte një shigjetar i zoti. Ai kishte treguar veprat e trimërisë me harkun e tij në luftën e Bedrit. Profeti i shenjtë s.a.v.s. kishte porositur për t’i dhënë sa më shumë shigjeta Ebu Telhasë, sepse ai qëllonte me shpejtësi dhe saktësi. Në luftën e Uhudit, ai qëndroi para Profetit s.a.v.s. si një mburojë, për të pritur çdo shigjetë që drejtohej nga ai. Ebu Telhai r.a. ishte ensar (medinas) dhe tregoi trimërinë e tij duke qëndruar burrërisht para Profetit s.a.v.s. Ai ishte luftëtar i pafrikshëm që parapëlqente të qëndronte në pozita më të rrezikshme të luftës. Ata kurrë nuk nxitën luftën, por kur u sulmuan nga një armik i cili me çdo kusht donte të zhdukte Islamin, ata bënë luftë mbrojtëse për vendosjen e paqes dhe zhdukjen e tiranisë. Ata kurrë nuk u larguan nga fushëbeteja si burracak, por duke synuar pëlqimin e Zotit, përdorën çdo aftësi dhe treguan trimërinë legjendare.

Sahabët ishin të jashtëzakonshëm

Mesihu i Premtuar a.s. ka shkruar:

“Kur Zoti cakton diçka, ajo ndodh patjetër. Mjetet nuk luajnë asnjë rol në këtë caktim. Allahu ka treguar që duke ndjekur rrugën Time, mund të fitoni thesare të shumta. Nëse dikush vepron me ndërgjegje të pastër, i bashkohet vullneti i Zotit. Nëse njeriu vuan nga ndonjë sëmundje, Zoti e shëron tërësisht.

Studioni jetën e sahabëve, sepse tek ata mund të gjeni shembullin e të gjithë profetëve. Zotit i pëlqejnë vetëm veprat, dhe sahabët e vërtetuan këtë duke u flijuar si bagëti. Koncepti i profetësisë ekzistonte qysh prej Ademi a.s. por njerëzit e thjeshtë nuk e kuptonin dot. Por sahabët me shkëlqimin e tyre manifestuan sinqeritetin dhe besnikërinë e të gjithë profetëve.

Askush nuk ia theu besën Musait a.s., por dishepujt e tradhtuan Jezusin për tridhjetë rupi. Kurani Famëlartë na tregoj se ata kishin dyshime rreth tij, prandaj kërkuan një sofër prej qielli dhe dëshmuan و نعلم ان قد صدقتنا d.m.th. tashmë kemi mësuar që kishe thënë të vërtetën. Pra, qëllimi i tyre ishte të zbulonin a ishte i vërtetë apo gënjeshtar. Kjo tregon që para zbritjes së sofrës, ata nuk ishin në gjendje të gjykonin vërtetësinë e tij.

Nuk mund të gjejmë tjetërkund shembullin e jetës së tyre plotë mundime e sfilitje. Grupi i sahabëve ishte i jashtëzakonshëm. Jeta e tyre ishte shembullore dhe e lavdishme, dhe zemrat u ishin mbushur me besim. Në të vërtetë, kur njeriu fillon të besojë, ai fillimisht sakrifikon paratë, dhe kur përparon në bindje, dëshiron të sakrifikojë edhe jetën për hir të Zotit”.

(Melfuzat, vëll. V, f. 42, botuar në 1985, Angli)

Abdullah bin Amru r.a.

Bindja e tyre ndaj Zotit, përmes ndikimit shpirtëror të Profetit s.a.v.s. rritej gjithnjë më shumë. Edhe në punët e përditshme, ata dëshmonin besnikërinë e tyre ndaj Profetit s.a.v.s. Hazret Abdullah bin Amru r.a. gjithmonë kërkonte mundësinë për t’i shprehur Profetit s.a.v.s. ndjenjat e dashurisë. Njëherë ai i dërgoi Profetit a.s. një ëmbëlsirë përmes djalit të tij Xhabir. Kur u kthye ai, e pyeti se çfarë i kishte thënë Profeti. Xhabiri tha që Profeti më pyeti se a kisha sjellë mish? Abdullah bin Amru e kuptoi se Profeti s.a.v.s. kishte dëshirë për mish. Ai menjëherë theri një dhi dhe i dërgoi mish të pjekur Profetit s.a.v.s. Duke marrë këtë dhuratë Profeti s.a.v.s. u lut për familjen e Abdullahut.

Amr bin el-Xhemuhu r.a.

Fillimisht sahabët hasnin vështirësi të mëdha për të përçuar mesazhin e Islamit tek të afërmit e tyre. Nëse djali kishte pranuar Islamin, babai e mohonte. Nëse vetëm një anëtar kthehej në Islam, ai duhet të përballonte kundërshtimin e gjithë familjes, të cilët e ngacmonin në lloj-lloj mënyrash. Djali i Amr bin Xhemuhut kishte pranuar Islamin para tij ndërsa ai ishte ende idhujtar. Kur nuk gjeti ndonjë mënyrë për t’i dhënë mesazhin e Islamit babait të tij, ai mori idhullin e zbukuruar të babait dhe e hodhi në gropën e mbeturinës. Amr bin el-Xhemuhu e kërkoi gjithkund, dhe më në fund e gjeti në mbeturinë. Ai u bë si i xhindosur dhe lajmëroi që do ta dënonte ashpër këdo që kishte bërë këtë mëkat me idhullin e tij. Çdo ditë djali e merrte idhullin dhe hidhte përjashta në mbeturinë, kurse babai e gjente dhe e sillte prapë në shtëpi. Një ditë, Amru e pastroi mirë idhullin, e zbukuroi dhe vuri shpatë përbëri tij. Pastaj, iu drejtua idhullit dhe tha “Unë nuk di se kush po sillet me ty në këtë mënyrë. Prandaj, po lë shpatën time këtu, tani mbroje veten”. Ditën tjetër, idhulli ishte zhdukur prapë nga vendi. Kur e kërkoi, e gjeti të varur në qafën e një qeni të ngordhur. Kjo e shtyju Amrun të reflektonte se ky idhull që e konsideroj si perëndi, nëse nuk e mbron dot as veten edhe duke pasur shpatë me vete, si mund të më mbrojë mua. Kështu ai iu drejtua idhullit dhe tha “Po të ishe zoti i vërtetë, nuk do të kishe përfunduar kështu në qafën e një qeni. Prandaj, e madhëroj Allahun e Madhërishëm e të Lartësuar, i Cili furnizon krijesën e Tij dhe gjykon me drejtësi midis tyre”. Amru ishte i fundit që përqafoi Islamin në radhët e ensarëve. Dhembshuria e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. me sahabët e tij dhe lidhja e tyre e sinqertë me Allahun përmes ndikimit shpirtëror të Profetit tregon pozitën dhe nivelin shpirtëror të sahabëve.

Ubej bin K’abi r.a.

Hazret Ubej bin Kab r.a. shquhej për lidhjen e tij me Zotin. Imam Buhariu r.a. ka shënuar një hadith në përmbledhjen e tij që tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha “Allahu më ka urdhëruar që të ta këndoj ty Kuranin”. Hazret Ubej bin Kabi r.a. e pyeti me habi “A ju ka thënë Allahu Zoti i gjithësisë, duke përmendur emrin tim, që të më recitoni Kuranin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha po. Ubej bin Kabi r.a. i pushtuar nga ndjenjat e fuqishme, nisi të qajë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia recitoi suren el-Bejene.

Njëherë, dikush e pyeti Ubej bin Kabin r.a. se si kishte ndier kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha këto fjalë? Ai iu përgjigj se derisa Allahu na ka porositur për t’u ngazëllyer duke parë mëshirën dhe mirësinë e Tij, prandaj si të mos gëzohesha. Ubej bin Kabi r.a. kishte njohuri të gjerë rreth botëkuptimit të Kuranit. Njëherë i Dërguar i Allahut pyeti se cili është ajeti më madhështor i Kuranit? Ubej bin Kabi r.a. fillimisht u shpreh që Zoti dhe i Dërguari i Tij dinë më së miri. Por, Profeti a.s. e kërkoi me ngulm, ai u përgjigj se është ajeti i kursiut. Profeti s.a.v.s. shprehu kënaqësinë e tij dhe tha “O Ubej! Allahu ta bekoftë dijen. Me të vërtetë ajeti i kursiut është ajeti më madhështor i Kuranit. Sipas një transmetimi, në ramazanin e fundit të jetës së tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përfundoi leximin e Kuranit me Ubej bin Kabin. Sipas porosisë së Umerit r.a., ai ua mësonte Kuranin të tjerëve, dhe u shpjegonte tefsirin e tij.

Këta ishin sahabë të shkëlqyer të Profetit s.a.v.s, të cilët përparuan në mënyrë graduale, dhe përfundimisht arritën në pozitën më të lartë. Mesihu i Premtuar a.s. ka shkruar që zhvillimi gjithmonë bëhet në mënyrë graduale, prandaj edhe sahabët kaluan fazat e zhvillimit shkallë-shkallë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. donte t’i shikonte ata në shkallën më të lartë të zhvillimit, por kjo lartësi varet në një kohë të caktuar. Përfundimisht, sahabët arritën atë që nuk kishin imagjinuar të tjerët.

Pozita e sahabëve në fjalët e Mesihut të Premtuar a.s.

Mesihu i Premtuar a.s. përshkruan gjendjen e sahabëve me këto fjalë:

“Nëse vështrojmë gjendjen e sahabëve, i gjejmë njerëz të thjeshtë e të dëlirë. Shpirti i tyre ishte i pastër si një enë e kristaltë së cilës i janë hequr njollat. Zemrat e tyre rrezatojnë dritën e fjalës së Zotit, ndërsa brendësia e shndritshme është e kthjellët nga ndryshku i hipokrizisë. Ata ishin mishërim i fjalëve Kuranore “d.m.th. ai që e pastroi shpirtin ka fituar”. Ata manifestuan shembullin më të shkëlqyeshëm të sinqeritetit. Ata nuk hoqën dorë vetëm nga idhujtaria dhe adhurimi i krijesës, por u ishte ftohur dhe dashuria e kësaj bote. Ata tashmë e shikonin Zotin, dhe ndiqnin rrugën e Tij me aq shumë zell, sikur secili prej tyre ishte Ibrahim. Nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ngjante trupit, sahabët e tij ishin gjymtyrë.

Allahu na mundësoftë të kuptojmë ashtu siç duhet pozitën e sahabëve, dhe duke përvetësuar shembujt e tyre, të shtojmë dëlirësinë dhe besnikërinë tonë. Amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp