Virtytet janë të domosdoshme për besimin
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Virtytet janë të domosdoshme për besimin

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Përkthim në shqip i fjalimit të së xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 02.03.2018.

(Për hutben e plotë, ju lutemi, ndiqeni videon!)

Pjesë të shkëputura

Allahu i Madhërishëm, duke iu drejtuar Profetit tonë selallahu alejhi ueselem, thotë:

اِنَّکَ لَعَلٰی خُلُقٍ عَظِیۡمٍ

Ti ke morale madhore. Kuptimi i këtij ajeti është pikërisht sipas shpjegimit të dhënë më parë, domethënë, të gjitha moralet, si: bujaria, trimëria, drejtësia, mëshira, mirëbërësia, vërtetësia, vullneti etj. janë mbledhur te ai. Pra, të gjitha ndjenjat që ka zemra e njeriut, si respekti, turpi, sinqeriteti, butësia, sedra, qëndrueshmëria, dëlirësia, pastërtia, baraspeshimi, dhembshuria, trimëria, bujaria, falja, durimi, mirëbërësia, vërtetësia, besnikëria etj, nëse shfaqen me udhëzimin e mendjes në kohën e në vendin e duhur, atëherë të gjitha ato do të quhen morale, por, realisht ato janë gjendjet dhe emocionet instinktive të njeriut të cilat, quhen morale, vetëm kur realizohen me vullnetin e njeriut në kohën e në vendin e duhur.

Njerëzit paraqesin justifikime të ndryshme dhe përpiqen t’i shpërfillin, por virtyti i njeriut është një mrekulli e tillë, të cilën askush nuk mund ta kundërshtojë. Kjo është arsyeja që mrekullia më e madhe dhe më e fortë që i është dhënë Profetit tonë të Allahut s.a.v.s., ka qenë pikërisht ajo e virtyteve. Siç thotë:

Sigurisht, ti qëndron mbi virtyte madhore. (El-Kalem 68:5)

Ndonëse mrekullitë e Profetit Muhammed s.a.v.s., në çdo aspekt, ishin më shumë se sa të gjithë profetët e mëparshëm, por e para prej tyre ishte ajo e virtyteve, shembulli i të cilit nuk gjendet në historinë e botës.

Sipas mendimit tim, çdokush që heq dorë nga moralet e këqija dhe sjelljet e gabuara të tij dhe përvetëson virtyte të mira, kjo është mrekullia e tij. Për shembull, ai që është shumë i rreptë në natyrë dhe që zemërohet shpejt, nëse arrin t’i largojë këto sjellje dhe përvetëson dhembshurinë dhe faljen; ose ai që është koprrac, nëse heq dorë nga koprracia, duke e zëvendësuar me bujarinë; ose ziliqari shpëton nga zilia dhe krijon dhembshuri në veten e tij, kjo pa dyshim është mrekulli. Gjithashtu, kur njeriu heq dorë nga vetëpëlqimi dhe vetëlavdërimi dhe përvetëson modesti dhe përulësi, përulësia e tij është mrekullia e tij.

Andaj, kush është nga ju që nuk dëshiron të bëhet mrekullibërës? E di që çdokush dëshiron të bëhet i tillë. Atëherë, dijeni se kjo është mrekulli e gjallë dhe e përhershme, që njeriu të arrijë ta përmirësojë moralin e tij. Sepse, kësaj mrekullie kurrë nuk i humbet vlera, madje dobia e saj përhapet deri larg.

Besimtarit i duhet që të bëhet mrekullibërës si para krijesave (njerëzve), ashtu edhe para Krijuesit. Ka shumë nga ata që ishin pijanecë dhe qejfli, të cilët nuk u bindën nga asnjë shenjë e jashtëzakonshme, por ulën kokën, kur dëshmuan virtytet e dikujt dhe nuk gjetën asnjë rrugë, përveçse ta pranonin atë. Në jetëshkrimet e shumë njerëzve mund të lexoni se ata e kanë pranuar besimin, vetëm sepse panë mrekullinë e virtyteve.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp