Çlirimi i Mekës - Triumfi mbi Mekën
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
Related Contents from Topics
kabe Haxhi umra

Në ramazan të vitit 8 të hixhretit, përkatësisht, në dhjetor të vitit 629, Profeti Muhammed s.a.v.s. u nis për betejën e fundit, e cila përfundimisht do ta vendoste Islamin në gjithë Arabinë. Fijet e kësaj ngjarjeje lidhen me traktatin e Hudejbijes, ku ishte marrë vendimi mbi lirinë e fiseve arabe për t’iu bashkuar qoftë mohuesve apo Profetit Muhammed s.a.v.s. si dhe vendimi për armëpushimin për dhjetë vjet të ardhshëm, ku palët nuk do të luftonin me njëra-tjetrën, por, nëse ndonjëra prej tyre do të sulmonte tjetrën, marrëveshja do të quhej e shfuqizuar. Duke gjetur përkrahjen nga kjo marrëveshje, fisi Kheza’a iu bashkua Profetit s.a.v.s. kurse fisi Benu Bekër mbeti me mohuesit.

Mohuesit prishin marrëveshjen e Hudejbijes

Mohuesit arabë u kushtonin pak rëndësi marrëveshjeve, e aq më pak, kur ajo ishte me muslimanët. Dy fiset që u përmendën kanë pasur hasmëri të vjetër me njëra-tjetrën. Kur kaloi pak kohë pas marrëveshjes së Hudejbijes, njerëzit e fisit Benu Bekër u lidhën me mekasit dhe thanë që Benu Kheza’a, për shkak të marrëveshjes, dukej e qetë, andaj, ishte tamam koha që të hakmerreshin me të. Kështu një natë, kurejshët e Mekës dhe njerëzit e Benu Bekrit e sulmuan Benu Kheza’anë në befasi dhe vranë shumë njerëz. Të Kheza’asë kur morën vesh që në këtë sulm morën pjesë edhe kurejshët, menjëherë nisën 40 veta me deve të shpejta drejt Medinës, për ta njoftuar Profetin s.a.v.s. për këtë pabesi dhe për t’ia kujtuar obligimin sipas marrëveshjes, që ai të hakmerrej për ta duke bërë agresion mbi Mekën. Kur kjo dërgatë mbërriti në Medinë dhe u takua me Profetin s.a.v.s., ai tha:

“Shqetësimi juaj është shqetësimi im. Unë jam i vendosur në marrëveshjen që kam bërë. Si kjo re që po derdhet e po lëshon shi (atëherë po binte shi), në të njëjtën mënyrë, së shpejti, ushtritë muslimane do të vijnë për t’ju ndihmuar”.

Mekasit u frikësuan tej mase kur morën vesh për këtë dërgatë dhe, pa humbur kohë, e nisën Ebu Sufjanin në Medinë, që t’i ndalonte gjithsesi muslimanët për të bërë sulmin. Pasi mbërriti në Medinë, Ebu Sufjani filloi t’i rrinte mbi kokë Profetit s.a.v.s. duke thënë se ngaqë ai vetë nuk ishte i pranishëm gjatë marrëveshjes së Hudejbijes, u dashka të bëhej marrëveshja edhe një herë. Por, Profeti s.a.v.s. nuk i dha asnjë përgjigje, në mënyrë që sekreti të mbahej i fshehur. Në gjendje dëshpërimi dhe frike, duke qëndruar në xhami, Ebu Sufjani foli:

“O njerëz! Në emër të mekasve, ju njoftoj për ripërtëritjen e marrëveshjes për paqe”.[1]

Muslimanët qeshën për marrëzinë e tij, ndërsa Profeti Muhammed s.a.v.s. tha:

“O Ebu Sufjan, kjo shpallje është e njëanshme. Ne nuk kemi bërë asnjë marrëveshje të tillë me ty”.

Gjatë kësaj kohe, Profeti s.a.v.s. nisi në të katër anët lajmëtarë drejt fiseve muslimane dhe kur erdhën lajme që tashmë fiset ishin të gatshme për t’iu bashkuar Profetit s.a.v.s. gjatë rrugëtimit të tij drejt Mekës, atëherë, ai dha urdhër që muslimanët e Medinës të armatoseshin. Më 1 janar, kjo ushtri u nis nga Medina. Rrugës, nga të katër anët, fiset muslimane vinin dhe i bashkoheshin. Kishin kaluar vetëm disa milje, kur kjo ushtri hyri në pyllin e Faranit. Numri i saj, sipas profecisë së Profetit Sulejmanas kishte arritur në dhjetë mijë.

“Mos ka zbritur ndonjë ushtri prej qiellit?”

Këndej ushtria po marshonte pa pushim drejt Mekës, kurse andej, në Mekë, heshtja që kishte kapluar atmosferën, u shtonte frikë mekasve çdo çast e më shumë. Përfundimisht, ata sërish e bindën Ebu Sufjanin që të dilte nga Meka e të merrte vesh se çfarë donin të bënin muslimanët. Vetëm pas udhëtimit njëditor nga Meka, natën, Ebu Sufjani e gjeti pyllin të ndriçuar me zjarr. Profeti s.a.v.s. kishte porositur që të ndiznin zjarret para çdo tende. Zjarret e tendave të dhjetë mijë njerëzve jepnin një pamje të llahtarshme.

“Çfarë është kjo?”, pyeti Ebu Sufjani shokët e tij, “Mos ka zbritur ndonjë ushtri prej qiellit? Nuk ka ndonjë popull arab që ka një ushtri kaq të madhe si kjo!” Shokët i numëronin emrat e fiseve të ndryshme, por ai mohonte secilin duke përsëritur:

“Asnjë popull arab nuk ka një ushtri kaq të madhe”.

Tek po bëhej kjo bisedë, diku në errësirë u dëgjua një zë që thërriste: “Ebu Henzla” (ishte nofka e Ebu Sufjanit) “O Abas, ç’bën këtu?” iu përgjigj Ebu Sufjani duke e njohur zërin. Abasi tha:

“Ja ku është ushtria e Profetit Muhammed s.a.v.s., dhe ju, nëse nuk do të merrni ndonjë masë, humbja dhe disfata do të jenë në fatin tuaj”.

Abasi, ngaqë ishte një mik i vjetër i Ebu Sufjanit, e bindi që t’i hipte devesë së tij e të paraqitej te Profeti s.a.v.s.. Ai e kapi përdore, e ngjiti sipër dhe i nguli mamuzet devesë së tij. Shumë shpejt ata ishin pranë Profetit Muhammed s.a.v.s.. Abasi druhej se Omeri r.a., që ishte rojë bashkë me të, do ta vriste Ebu Sufjanin, por Profeti s.a.v.s. kishte dhënë udhëzim paraprakisht që të mos e vrisnin, nëse e gjenin.

Duke parë këto pamje mbresëlënëse, gjatë kohës kur po sillej te Profeti s.a.v.s., Ebu Sufjanit i kishte filluar të ndryshonte zemra. I dyndeshin mendime në kokë se, vetëm para pak vitesh, ata e kishin detyruar Profetin s.a.v.s. të arratisej nga Meka me një njeri të vetëm, dhe sot, kur kishin kaluar vetëm shtatë vjet nga mërgimi, Profeti s.a.v.s., bashkë me dhjetë mijë të sinqertë do të sulmonte Mekën me të drejtë dhe me duar të papërlyera me mizori e dhunë, kurse mekasit nuk e kishin as forcën për ta bllokuar atë! Pra, gjatë kohës që po vinte te Profeti s.a.v.s., Ebu Sufjani ishte i hutuar, pak për shkak të mendimeve që e kishin kapluar së fundmi dhe pak për shkak të frikës dhe llahtarisë që ndiente. Profeti s.a.v.s. kur e pa gjendjen e tij, tha:

“Abas! Merreni Ebu Sufjanin dhe mbajeni sonte me vete dhe sillmani në mëngjes”.[2]

Natën Ebu Sufjani e kaloi me Abasin r.a. dhe kur u soll në mëngjes te Profeti s.a.v.s., ishte koha e namazit të sabahut. Nga të mësoheshin arabët të çoheshin në të gdhirë e të faleshin! Ebu Sufjani pa rreth tij sesi muslimanët nguteshin me ibrikë uji në duar. Disa merrnin abdes dhe disa të tjerë ishin bërë gati për t’u rreshtuar në namaz. Nga frika, ai kujtoi që po vendosej një mënyrë e re ndëshkimi për të. I hutuar e pyeti Abasin: “Ç’po bëjnë këta kaq herët?!”.

“Ti mos u frikëso”, e siguroi Abasi, “po rreshtohen të falin namaz”.

Ebu Sufjani pa që mijëra e mijëra muslimanë u radhitën mbrapa Profetit s.a.v.s.. Çdo herë kur Profeti s.a.v.s. përkulej, përkuleshin të gjithë dhe çdo herë kur ai binte në sexhde, ashtu binin të gjithë. Duke qenë në detyrën e rojës, Abasi nuk kishte marrë pjesë në namaz, prandaj Ebu Sufjani e pyeste për çdo detaj:

“Çfarë po bëjnë tani? Po shoh që çdo gjë që bën Muhammedi, po e bëjnë të gjithë!”

Abasi i tregoi: “Ç’kujton ti! Këta po falen. Por, nëse Profeti s.a.v.s. do t’i urdhërojë të heqin dorë nga ushqimi dhe uji, edhe këtë do ta bëjnë”. Ebu Sufjani u shpreh i befasuar: “Kam parë edhe oborrin e Kisrasë, edhe oborrin e Kejserit, por asnjë popull nuk kam parë kaq flijues për udhëheqësin e tij sesa popullin e Muhammedit të flijojë veten ndaj tij”.[3]

Pastaj Abasi e sugjeroi: “A nuk mund t’i lutesh sot Profetit që ai ta falë popullin e tij (mekasit)?” Kur mbaroi namazi, Abasi e solli Ebu Sufjanin te Profeti s.a.v.s.. “O Ebu Sufjan”, e pyeti Profeti s.a.v.s., “akoma nuk të ka ardhur koha që të kuptosh realitetin se përveç Allahut nuk ka zot tjetër?” “U flijofshin prindërit e mi për ju”, u shpreh ai, “jeni shumë përdëllimtar, shumë fisnik dhe shumë i mëshirshëm ndaj farefisit. Tashmë e kam të qartë se po të ekzistonte ndonjë zot tjetër përveç Allahut, do të na ndihmonte”. “O Ebu Sufjan”, e pyeti sërish Profeti s.a.v.s., “akoma nuk të ka ardhur koha që të kuptosh se unë jam i dërguar i Allahut?” Ai tha: “Vdekshin prindërit e mi për ju. Akoma kam disa dyshime rreth kësaj çështjeje”.

Por, megjithë mëdyshjen e tij, dy shokët e Ebu Sufjanit që kishin ardhur bashkë me të, e pranuan Islamin. Njëri prej tyre ishte Hekim ibni Hezami. Pas tyre edhe Ebu Sufjani u bë musliman, por si duket, zemra iu hap plotësisht vetëm pas triumfit mbi Mekën.

Paqja për të gjithë ata që kërkojnë paqen

Pas pranimit të Islamit, Hekim ibni Hezami e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, e keni sjellë këtë ushtri për ta shkatërruar popullin tuaj?” Profeti s.a.v.s. iu përgjigj: “Ata kanë bërë mizori. Kanë bërë gjynah. Keni shkelur marrëveshjen që bëmë bashkë në Hudejbije dhe bëtë agresion të dhunshëm kundër fisit Kheza’a dhe, edhe këtë, e bëtë në vendin e shenjtë, të cilin Zoti e quajti si vend të paqes”. “O i Dërguar i Allahut”, tha Hekimi, “keni të drejtë. Kështu ka bërë populli juaj. Por, në vend të sulmonit Mekën, a nuk duhet që të sulmonit Hevazinin?” Profeti tha: “Edhe ata janë mizorë, por unë shpresoj nga Zoti që Ai do të realizojë prej meje edhe çlirimin e Mekës, edhe fitoren e Islamit, edhe humbjen e Hevazinit”.

Pastaj, Ebu Sufjani pyeti: “O i Dërguar i Allahut, nëse mekasit nuk do të ngrenë shpatën, a do të jenë në paqe?” Profeti s.a.v.s. tha:

“Po. Çdokush që mbyll derën e shtëpisë së tij, atij do t’i jepet paqja”.

“Hakmarrje” për Bilalin

Abasi r.a. i sqaroi Profetit s.a.v.s. “O i Dërguar i Allahut, Ebu Sufjani është një njeri që dëshiron ta ketë krenarinë e tij dhe ju pyet nëse do t’i ruani ndonjë nder”. Profeti s.a.v.s. tha: “Mirë, edhe atij që hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit, do t’i jepet paqja.[4] Edhe atij që futet në Qabe, në Xhaminë e Shenjtë, do t’i jepet paqja. Edhe atij që lëshon armën e tij, do t’i jepet paqja. Edhe atij që qëndron i mbyllur në shtëpinë e tij, do t’i jepet paqja. Edhe atij që futet në shtëpinë e Hekim ibni Hezamit, do t’i jepet paqja”. Pastaj, duke iu drejtuar Ebu Ruvejhaut r.a., të cilin Profeti s.a.v.s. e kishte bërë vëlla të Bilalit, skllavit zezak, tha: “Flamurin tonë, tani do t’ia japim Ebu Ruvejhaut. Nuk do t’i themi gjë as atij që vjen nën flamurin e Ebu Ruvejhaut”. Kurse Bilalit r.a. i tha: “Vazhdo të njoftosh që atij që vjen nën flamurin e Ruvejhaut, do t’i jepet paqja”.[5]

Vallë, me ç’urtësi të madhe e kishte dhënë këtë porosi Profeti s.a.v.s.! Njerëzit e Mekës, Bilalit dikur ia lidhnin këmbët me litar dhe e zvarritnin nëpër rrugica. Për Bilalin, rrugicat dhe fushat e Mekës nuk ishin vende paqësore, por ndëshkuese, poshtëruese dhe tallëse. Profeti Muhammed s.a.v.s. e mori me mend që Bilali tani do të ishte i pushtuar nga ndjenjat e hakmarrjes, andaj, ndjeu të domosdoshme që të kujdesej për hakmarrjen e shokut të tij besnik, por, ishte e domosdoshme edhe diçka tjetër:  hakmarrja t’i përshtatej madhështisë së Islamit.

Prandaj, Profeti s.a.v.s., për Bilalin r.a. nuk u hakmor duke u prerë kokat armiqve të Bilalit me shpatë, por duke i dhënë vëllait të tij një flamur të madh dhe duke e caktuar atë vetë për të njoftuar: “Çdokush që vjen nën flamurin e vëllait tim, i mundësohet paqja”. Ç’hakmarrje madhështore dhe e shkëlqyeshme qe kjo, kur Bibali r.a. me zë të lartë njoftonte: “O njerëzit e Mekës, ejani dhe qëndroni nën flamurin e vëllait tim, se do t’ju jepet paqja”! Kjo, me siguri, ia zbrazte zemrën nga dëshira e hakmarrjes dhe ai ndiente se nuk mund të kishte hakmarrje më madhështore dhe më të bukur sesa ajo që i kishte mundësuar Profeti Muhammed s.a.v.s..

Fuqia e Zotit dhe e Profetit të Tij

Kur kjo ushtri nisi të marshonte drejt Mekës, Profeti s.a.v.s. e porositi Abasin r.a. që të merrte Ebu Sufjanin dhe shokët e tij e të qëndronte në një cep të rrugës, në mënyrë që ata të shihnin ushtrinë muslimane dhe devotshmërinë e saj. Abasi r.a. e zbatoi porosinë. Para tyre filluan të ecnin varg fiset arabe, njëri pas tjetrit, për të cilat, Meka shpresonte se do ta ndihmonin atë, por tanimë, nuk mbanin flamurin e mohimit, por atë të Islamit. Gjuhët e tyre lëshonin parulla të njëshmërisë së Zotit të Plotfuqishëm. Ata nuk luftonin më për t’ia marrë jetën Profetit Muhammed s.a.v.s., siç mekasit shpresonin prej tyre, por tani ata ishin gati për të derdhur deri edhe pikën e fundit të gjakut për hir të Profetit s.a.v.s. dhe synimi i tyre më i lartë ishte pikërisht ai, që të vendosnin njëshmërinë e Zotit dhe këtë thirrje ta bënin në të gjithë botën.

Ndërsa po marshonin ushtritë, njëra pas tjetrës, kaloi edhe ushtria e fisit Eshxhe. Fytyrat e parullat e tyre rrezatonin dhe pohonin fuqishëm dashurinë dhe ndjenjat e tyre të sakrifikimit ndaj Islamit. Ebu Sufjani pyeti: “O Abas! Kush janë këta?” “Është fisi Eshxhe”, iu përgjigj ai. Ebu Sufjani shikonte i befasuar fytyrën e tij duke thënë: “Armiq më të mëdhenj të Profetit sesa këta, nuk gjendeshin në Arabi”. “Ky është bekimi i Zotit, i Cili, kur deshi, ua futi në zemrat dashurinë e Islamit”, i sqaroi Abasi r.a..

Në fund, kaloi Profeti Muhammed s.a.v.s. me çetën e muhaxhirëve dhe të ensarëve, që përbëheshin prej dy mijë ushtarëve, të cilët, nga koka gjer në këmbë, ishin të mbuluar me veshje luftarake. “Ecni me hapa të kujdesshëm, që rreshtat të jenë në ekuilibër”, thoshte Omeri r.a. teksa po i rregullonte rreshtat. Frymëzimi, vendosmëria dhe patosi i tyre u shkëlqenin në fytyra këtyre flijuesve të vjetër të Islamit. Ebu Sufjanit i drithëroi zemra kur i pa. “Po këta, kush janë?” e pyeti Abasin r.a.. “Po shkon Profeti Muhammed s.a.v.s. së bashku me batalionet e muhaxhirëve e të ensarëve”, iu përgjigj ai. “Vallë, kush mund të guxojë në botë të përballet me këtë ushtri!”, u shpreh Ebu Sufjani dhe tha “O Abas, nipi yt, sot është bërë mbreti më i madh i botës”. “Ende nuk t’u hapën sytë! Kjo nuk është mbretëri, por profetësi” i tha Abasi r.a.. “Po mirë e ke, ky është profetësi”, pohoi Ebu Sufjani.[6]

Gjatë kohës kur kjo ushtri po kalonte para Ebu Sufjanit, Sa’ad ibni Ubada r.a., komandanti i ensarëve iu drejtua Ebu Sufjanit dhe tha: “Sot, Zoti na bëri të lejueshme hyrjen me forcën e shpatës në Mekë. Sot, do të poshtërohet përfundimisht populli kurejsh”. Kur Profeti s.a.v.s. kaloi pranë Ebu Sufjanit, ai e thirri ankueshëm:

“O i Dërguari i Allahut, a i keni dhënë leje popullit tuaj për vrasje? Kështu po thoshte komandanti i ensarëve Sa’adi r.a. që kaloi pak para jush. Ai më tha se ju keni pohuar se sot do të bëhet luftë dhe se shenjtëria e Mekës nuk do t’ju ndalojë nga kjo dhe që kurejshët do t’i poshtëroni patjetër. O i Dërguari i Allahut, ju jeni njeriu më i mirë, më i mëshirshëm dhe më përdëllimtar ndaj farefisit në botë. A nuk do t’i harroni sot mizoritë e popullit tuaj?”

Fjalët e Ebu Sufjanit u ngjallnin mëshirë në zemër edhe muhaxhirëve, të cilët dikur zvarriteshin dhe rriheshin nëpër rrugicat e Mekës, që përjashtoheshin nga pronat dhe pasuritë e tyre. Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut, nuk e dimë se si do të sillen me kurejshët, ensarët që dinë të gjithë historinë e barbarisë që bënin mekasit”. Profeti s.a.v.s. tha: “Ebu Sufjan, Sa’di r.a. e ka gabim. Sot është dita e mëshirës. Sot, Allahu i Lartësuar do të bekojë me nder kurejshët dhe Qaben”. Pastaj, Profeti i dërgoi Sa’adit një njeri me urdhrin që flamurin që po mbante ai, t’ia dorëzonte djalit të tij, Kejsit, sepse ai do ta zëvendësonte në postin e komandantit të ensarëve.[7] Në këtë mënyrë, Profeti s.a.v.s. u dha zemër mekasve dhe njëherësh i mbrojti edhe ensarët që të mos lëndoheshin në shpirt.

Për sa i përket Kejsit r.a., Profeti s.a.v.s. kishte besim të plotë tek ai, sepse ai ishte jashtëzakonisht shpirtmirë. Për butësinë e tij përmendet në histori. Në kohën kur ai ishte afër vdekjes, disa njerëz i shkuan për vizitë dhe disa jo. Atëherë, ai pyeti shokët e tij për mos ardhjen e atyre që ai i njihte. ata thanë:

“Jeni një njeri i pasur dhe çdokujt i jepni hua kur ai gjendet në vështirësi. Shumë nga njerëzit e qytetit ju kanë borxhe. Ata nuk po vijnë, sepse kujtojnë se ndoshta keni nevojë për para dhe ju do t’jua kërkoni borxhet”.

Kejsi tha: “Po më vjen shumë keq. Miqtë e mi për kot u futën në vështirësi. Njoftoni nga ana ime në gjithë qytetin që çdokush që i ka borxh Kejsit, i falet”.

Pas këtij njoftimi, kaq shumë njerëz erdhën për ta vizituar Kejsin, saqë iu thyen shkallët e shtëpisë.[8]

Kur ushtria kaloi, Abasi r.a. i tha Ebu Sufjanit:

“Shpejto me devenë tënde në Mekë dhe njoftoi njerëzit që Profeti Muhammed s.a.v.s. ka ardhur dhe ai u ka dhënë paqe mekasve në këto mënyra”.

Ebu Sufjani, i ngazëllyer në zemër nga mendimi që po ua sillte mekasve rrugën e shpëtimit hyri në Mekë. Gruaja e tij Hinda, e cila, që nga fillimi i Islamit u mësonte njerëzve të kishin vrer dhe armiqësi me muslimanët dhe, edhe pse ishte mohuese, por qe edhe guximtare, i doli përpara burrit, ia kapi mjekrën dhe zuri t’i thërriste mekasit:

“Ejani dhe vriteni këtë plak budalla. Në vend që t’ju thotë se shkoni dhe luftoni për nder të qytetit tuaj gjersa të vriteni, ju njoftuaka për paqe!” Ebu Sufjani i këshilloi: “Je ti budallaqe. Nuk është kjo koha për të thënë këto gjëra. Shko dhe zhduku në shtëpi! Unë e kam parë atë ushtri, që nuk mund ta sfidojë as e gjithë Arabia”.

Më pas, ai ua tregoi me zë të lartë kushtet e paqes dhe njerëzit, filluan të vraponin papërmbajtur drejt atyre shtëpive apo vendeve, për të cilat ishte siguruar paqja.[9] Vetëm 11 burrave dhe 4 grave u ishte shpallur dënimi me vdekje. Këta ishin ata, për të cilët ishte vërtetuar se kishin bërë vrasjet më makabre dhe sherret më të dhunshme, pra, që ishin të përfshirë në krime lufte. Pra, ata nuk ishin thjeshtë fajtorë se kishin mohuar apo kishin luftuar, por sepse kishin bërë krime lufte.

E vetmja përplasje me mohuesit dhe arsyeja e saj

Atë ditë, Profeti s.a.v.s. i kishte thënë rreptësisht Halid ibni Velidit r.a. që nëse nuk sulmohej nga dikush, të mos sulmonte askënd. Por, në drejtimin nga kishte hyrë Halidi r.a., ende nuk kishte mbërritur mesazhi i paqes, ndaj, njerëzit e asaj zone e sulmuan Halidin. U vranë 24 veta në këtë sulm. Njerëzit e dinin se Halidi ishte gjaknxehtë, prandaj, dikush prej tyre shkoi me vrap te Profeti s.a.v.s. që ta ndalonte Halidin r.a. përpara se ai t’i vriste gjithë mekasit. Profeti s.a.v.s. menjëherë e thirri dhe i kërkoi sqarim se përse kishte luftuar, edhe pse ai e kishte ndaluar nga kjo.

“O i Dërguari i Allahut”, tha Halidi, “ju më kishit ndaluar, por ata na sulmuan të parët dhe na vërshuan me breshëri shigjetash. Unë nuk bëra gjë për pak kohë dhe u thashë – mos na sulmoni, sepse nuk duam t’ju sulmojmë – por, kur pashë që ata nuk na bindeshin në asnjë mënyrë, atëherë edhe unë luftova me ta. Zoti i theu dhe i davariti në katër anë”.[10]

Pra, përveç këtij incidenti të vogël, nuk ndodhi asnjë gjë tjetër e kësaj natyre.

Meka përfundimisht ra në duart e Profetit Muhammed s.a.v.s. Kur ai hyri në të, njerëzit e pyetën:

“O i Dërguari i Allahut, a do të qëndroni në shtëpinë tuaj?”

“A ka lënë Akili (djali i xhaxhait të Profetit s.a.v.s.) ndonjë shtëpi për ne?”, u përgjigj Profeti s.a.v.s..

Domethënë, pas mërgimit të tij, të afërmit e tij ia kishin gllabëruar dhe shitur gjithë pasurinë, duke mos lënë asgjë për të. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shprehu dëshirën: “Do të qëndrojmë në Henif ibni Kenanën”, një fushë e Mekës, ku dikur mekasit dhe njerëzit e fisit Kenana bashkërisht kishin bërë betime: “Derisa bijtë e Hashimit dhe bijtë e Abdul Mutelibit nuk do të na dorëzojnë Profetin s.a.v.s. dhe nuk do ta braktisin atë, ne nuk do të kemi as marrëdhënie shoqërore e as tregtare me ta”. Pas këtij betimi të tyre, Profeti s.a.v.s., bashkë me xhaxhanë Ebu Talib dhe gjithë anëtarët e xhematit të tij morën strehë në tokën e Ebu Talibit, për të kaluar tri vite me radhë, me mundime tepër të rënda, deri sa Zoti i shpëtoi nga ato.

Nga kjo mund të merret me mend se sa e bukur ishte zgjedhja që kishte bërë Profeti s.a.v.s., ditën e triumfit mbi Mekën, për të qëndruar atje. Mekasit mu aty kishin marrë betime që nuk do të pajtoheshin me njerëzit e fisit, derisa këta të fundit nuk do t’ua dorëzonin Muhammedin s.a.v.s.. Tani, Profeti s.a.v.s. do të zbriste pikërisht në atë fushë dhe dukej sikur u thoshte mekasve:

Ja ku erdha aty ku donit, por a mund të guxoni sot të më bëni ndonjë mizori? Po, jam mu aty, ku ju donit të më shikonit të poshtëruar e të turpëruar dhe kërkonit që bash në këtë vend, populli im, mua të më dorëzonte te ju. Sot jam këtu, por në një gjendje, që jo vetëm populli im, por e gjithë Arabia qëndron me mua. Sot, populli im nuk më dorëzoi mua te ju, por ju ju dorëzoi tek unë.

Ka qenë ditë e hënë. Sa i Madh është Zoti! Sepse pikërisht e hënë ka qenë kur Profeti s.a.v.s., së bashku me Ebu Bekrin r.a., kishte dalë nga shpella Theur për të mërguar nga Meka në Medinë, ditën kur ai, duke iu drejtuar qytetit të tij kishte shprehur me dhimbje e me mall:

“O Mekë! Je më e bukura e dheut për mua, por banorët e tu nuk më lejojnë të jetoj këtu”.[11]

Ndërsa po hynte në Mekë, Ebu Bekri i kishte mbajtur frerin devesë së Profetit s.a.v.s. dhe, duke biseduar me të vazhdonte të përsëriste fjalët e sures El-Feteh, në të cilën ishte paralajmëruar çlirimi i Mekës. Profeti s.a.v.s. hyri drejt e në Qabe dhe ashtu i hipur në deve, bëri shtatë rrotullime rreth saj. Ai kishte një shkop në dorë. Qabja ishte ndërtuar nga Ibrahimias dhe djali i tij Ismailias për të adhuruar Zotin e Vetëm, e cila, më vonë, ishte shndërruar në një idhujtore nga pasardhësit e tyre të devijuar. Deri në kohën e Profetit s.a.v.s., aty gjendeshin plot treqind e gjashtëdhjetë idhuj. Duke shëtitur rreth saj, Profeti s.a.v.s., me shkopin e tij, i rrëzonte një nga një, njëherësh, vazhdonte të përsëriste fjalët e Kuranit:

“Erdhi e vërteta dhe u zhduk e pavërteta; sigurisht, e pavërteta ishte për t’u zhdukur”.[12],[13]

Ky është ai ajet i sures Beni Israil (El-Isra) që i kishte zbritur Profetit s.a.v.s. para mërgimit, në të cilin ishin paralajmëruar edhe mërgimi, edhe çlirimi i Mekës. Studiuesit europianë të Kuranit janë të bindur që kjo sure i përket periudhës para mërgimit. Pikërisht në këtë sure është përmendur:

Thuaj: “O Zoti im, më mundëso të hyj me vërtetësi, më mundëso të dal po me vërtetësi dhe më dhuro prej Vetes Sate triumf dhe ndihmë!” [14]

Pra, ky ajet i mëson Profetit të lutej:

“O Zoti im, më mundëso të hyj me vërtetësi në këtë qytet (në Mekë), domethënë, pas mërgimit të hyj i fituar dhe triumfues dhe më mundëso të dal nga ky qytet po me vërtetësi, domethënë në kohën e mërgimit. Gjithashtu, o Zoti im, më dhuro prej Vetes Sate mjetet e triumfit dhe të ndihmës”. Dhe thuaj: “Erdhi e vërteta, kurse e pavërteta, domethënë shirku, u zhduk i humbur. Sigurisht, e pavërteta përherë është e destinuar të zhduket e humbur”.

Përmbushja, fjalë për fjalë, e kësaj profecie dhe ndjenjat që përshkonin në zemrat e muslimanëve dhe të mohuesve gjatë recitimit të këtyre fjalëve, nuk mund të përshkruhen me fjalë. Shkurt, atë ditë, vendi i Ibrahimitas sërish u veçua për adhurimin e Zotit të Vetëm dhe idhujt u thyen përgjithmonë. Kur Profeti s.a.v.s. goditi me shkopin e tij idhullin e quajtur Hubul dhe ai ra nga vendi i tij dhe u thye, atëherë, Zubejri r.a., duke buzëqeshur e pa Ebu Sufjanin dhe tha:

“O Ebu Sufjan, a të kujtohet dita e betejës Uhud, kur muslimanët të dërrmuar nga plagët e tyre qëndronin në një cep dhe ti krenarisht lëshoje thirrjen: “Rroftë Hubuli! Rroftë Hubuli” dhe që Hubuli ju kishte dhënë fitore mbi muslimanët? A e sheh që si Hubuli u copëtua para nesh?”

Ebu Sufjani tha:

“Lëri këto fjalë. Tashmë e dimë shumë mirë që po të ekzistonte ndonjë zot tjetër përveç Zotit të Profetit s.a.v.s., në asnjë mënyrë nuk do të ndodhte kjo që po e shohim sot”.[15]

Për pikturat e Ibrahimitas dhe të tjerëve që gjendeshin brenda Qabes, Profeti s.a.v.s. urdhëroi që të fshiheshin. Aty ai fali dy nafile, në shenjë mirënjohjeje për përmbushjen e premtimeve të bëra prej Zotit të Lartësuar. Më pas, ai doli jashtë dhe, edhe atje fali dy nafile. Profeti s.a.v.s. kishte caktuar Omerin r.a. për t’i fshirë pikturat brenda Qabes. Duke kujtuar që Ibrahimin edhe muslimanët e besonin si profet, pikturën e tij, ai nuk e fshiu. Profeti s.a.v.s. kur e pa, i tha: “O Omer, çfarë ke bërë! A nuk ka thënë Zoti që:

Ibrahimi nuk ishte as hebre, as i krishterë, por ishte tërësisht i nënshtruar ndaj Zotit të Lartësuar dhe tërësisht i bindur në të gjitha vërtetësitë e Tij dhe ishte vetëm rob i Tij?”.[16],[17]

Pas urdhrit të Profetit s.a.v.s. u fshi edhe ajo pikturë.

Çaste mbresëlënëse

Çastet mbresëlënëse, kur Profeti Muhammed s.a.v.s. kërkoi ujë nga burimi Zemzem[18] për të pirë e për të marrë abdes dëshmonin sesa shumë po mbusheshin muslimanët me besim në zemrat e tyre dhe sa shumë u shtohej besimi edhe në madhështinë e Profetit s.a.v.s.. Asnjë pikë uji nuk binte në tokë nga trupi i tij, sepse për muslimanët ato pika ishin kaq të bekuara, saqë menjëherë i prisnin, e lyenin trupin e tyre me to. “Nuk kemi parë ndonjë mbret në botë, që nderohet kaq shumë nga njerëzit e tij”, shprehnin me habi idhujtarët.[19]

“Sot nuk do t’ju jepet asnjë lloj ndëshkimi”

Kur Profeti s.a.v.s. u lirua nga këto gjëra dhe mekasit u sollën para tij, ai u tha:

“O mekas, a dëshmuat sesi shenjat e Zotit u përmbushën, fjalë për fjalë? Më thoni tani se çfarë dënimi meritoni për gjithë atë mizori dhe dhunë që u bëtë adhuruesve të shkretë të Zotit të Vetëm?”

Mekasit thanë: “Ne shpresojmë të njëjtën sjellje nga ju, që Jusufias kishte bërë ndaj vëllezërve të tij”.

Kjo ishte vetëm madhështia e Zotit që mekasit shprehën të njëjtat fjalë që Kurani Famëlartë, në formë profecie, i kishte përmendur në suren Jusuf. Kështu, dhjetë vjet para se të vinte ky çlirim i Mekës, Zoti i kishte treguar Profetit s.a.v.s. që ai do të sillej me mekasit në të njëjtën mënyrë siç ishte sjellë Jusufi me vëllezërit e tij. Gjuhët e mekasve po vërtetonin që Profeti s.a.v.s. ishte shëmbëlltyrë e profetit Jusufas dhe që Zoti i Lartësuar atij i kishte dhënë fitore mbi vëllezërit e tij, mu ashtu siç ndodhi edhe me Jusufinas. Profeti Muhammed s.a.v.s. sakaq shpalli:

“Pasha Zotin! Sot nuk do t’ju jepet asnjë lloj ndëshkimi, e as që do të qortoheni në ndonjë mënyrë!”[20]

Brenga e ensarëve dhe dashuria e Profetit ndaj tyre

Kur Profeti s.a.v.s. ishte i zënë në adhurim gjatë vizitës në Qabe dhe tregonte mëshirë dhe falje ndaj popullit të tij, ensarëve po u mbetej zemra pa shpresë. Ata i pëshpëritnin njëri-tjetrit që, sot, ndoshta po e ndanin Profetin s.a.v.s. nga vetja, sepse Zoti i Lartësuar, tashmë ia kishte dhënë triumfin mbi qytetin e tij dhe edhe fisi i tij e kishte përqafuar Islamin. Atëherë, Zoti i Madhërishëm, nëpërmjet shpalljes së Tij, e njoftoi Profetin s.a.v.s. për këto dyshimet e ensarëve. Profeti s.a.v.s. ngriti kokën dhe iu drejtua ensarëve:

“O ensarë, a menduat që Profeti po çmallet me qytetin e tij dhe se dashuria ndaj popullit të tij po ia guduliste zemrën?”

Ensarët thanë: “Është e vërtetë o i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Ne kështu mendojmë”. Profeti s.a.v.s. tha: “A dini se si quhem unë? Jam rob i Allahut dhe i dërguar i Tij. Si është e mundur atëherë që të shkoj diku tjetër duke ju lënë ju, që sakrifikuat jetët tuaja kur feja Islame gjendej e dobët! O ensarë, kurrsesi nuk mund të ndodhë kështu. Jam rob i Allahut dhe i dërguar i Tij. Unë e kisha braktisur qytetin tim për hir të Zotit, andaj, nuk mund të kthehem më sërish atje. Jeta ime është nga jeta juaj dhe, edhe vdekja ime është nga vdekja juaj”.

Muslimanët e Medinës po qanin me lot kur e dëgjonin dhe shikonin dashurinë dhe besnikërinë e tij ndaj tyre. Ata dolën përpara dhe thanë:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Pasha Zotin! E paragjykuam Zotin dhe të Dërguarin e Tij.[21] Por, ne nuk duruam dot as në imagjinatë që i Dërguari i Zotit të na lërë ne dhe qytetin tonë dhe të shkojë diku tjetër”. Profeti s.a.v.s. tha: “Zoti dhe i Dërguari i Tij ju pandehin të pafajshëm dhe e vërtetojnë sinqeritetin tuaj”.

Ndërsa po bëhej kjo bisedë dashurie e respekti midis Profetit s.a.v.s. dhe ensarëve, mekasve nëse nuk u lotonin sytë, zemrat me siguri u qanin që Zoti u kishte dhënë diamantin më të çmuar, të pakundshoq në botë, por ata e kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Dhe tani, kur ai u kthye në Mekë me bekimin dhe ndihmën e Zotit, duke përmbushur premtimin e tij, ai do të kthehej në Medinë, duke e lënë sërish Mekën, kësaj radhe, nga vullneti dhe dëshira e tij.

Profeti e fal shumicën e atyre që kishin dënimin me vdekje

Për njerëzit, që për shkak të vrasjeve dhe dhunës së tyre, Profeti s.a.v.s. u kishte shpallur dënim me vdekje, shumica prej tyre u falën, me rekomandimin e disa muslimanëve.

Profeti e fal edhe Ekramanë dhe ai e pranon Islamin

Ndër ta ishte edhe Ekramaja, djali i Ebu Xhehelit. Bashkëshortja e tij, me zemër ishte bërë muslimane. Ajo iu përgjërua Profetit s.a.v.s.: “O i Dërguari i Allahut s.a.v.s. faleni edhe Ekramanë”. “Mirë, e falim”, i ishte përgjigjur Profeti s.a.v.s.. Deri atëherë Ekramaja ishte larguar për të shkuar në Abisini. Nga dashuria ndaj të shoqit, e shoqja doli në kërkim të tij dhe e gjeti në portin detar të Jembuasë. Ekramaja teksa ishte në anije për t’u larguar përjetë nga Arabia, e shoqja, me flokë të shpupurishur dhe me fytyrë të shqetësuar, e thirri burrin: “O djali i xhaxhait tim, (arabet bashkëshortët e tyre i thërrisnin si djalë të xhaxhait)! “Ku po shkon duke e braktisur një njeri kaq të mëshirshëm si Profeti Muhammed s.a.v.s.?” Ekramaja u habit dhe e pyeti: “A thua se Profeti s.a.v.s. do të më falë pas gjithë asaj armiqësie që kam pasur ndaj tij?” “Po padyshim. Ai më dha besë që do të të falë ty”, ia ktheu e shoqja.

Kur ai erdhi te Profeti s.a.v.s. e pyeti: “Gruaja ime më tha që më keni falur edhe mua”. “Po, ashtu është. Ne të kemi falur edhe ty” e pohoi Profeti s.a.v.s.. Ekramaja tha: “Njeriu që mund të falë edhe një armik kaq të madh, nuk mund të jetë gënjeshtar. Dëshmoj që Allahu është Një, Ai nuk ka ndonjë ortak dhe o Muhammed s.a.v.s., dëshmoj që jeni rob dhe i Dërguar i Tij”. Ndërsa ai po rrinte kokëvarur, Profeti s.a.v.s. e ndjeu gjendjen e tij të turpëruar dhe, duke i dhënë zemër, tha: “O Ekrama, unë jo vetëm që të kam falur, por, çfarëdo që të më kërkosh sot, dua të ta jap, nëse ajo ekziston brenda mundësive të mia”. Ai tha:

“O i Dërguari i Allahut, çfarë mund të jetë dëshira më e madhe për mua, sesa t’i luteni Zotit të Lartësuar që Ai të m’i falë të gjitha padrejtësitë që ju kam bërë juve”.

Profeti s.a.v.s. iu drejtua Zotit dhe u lut:

“O Zoti im, të gjitha padrejtësitë që Ekramaja ka bërë ndaj meje, falja. Falja edhe të gjitha sharjet që nxori për mua”.

Më pas, Profeti s.a.v.s. u ngrit dhe e mbuloi atë me çarçafin e tij dhe tha:

“Ai që na vjen duke besuar Allahun, shtëpia jonë është e atij dhe vendi ynë është i atij”.[22]

Përmbushet një profeci

Me pranimin e Islamit nga Ekramaja, u përmbush ajo profeci, që Profeti s.a.v.s. para shumë vitesh u kishte treguar sahabëve të tij. Ai kishte thënë: “Kam parë në ëndërr që sikur jam në xhenet. Atje pashë një bistak rrushi dhe pyeta njerëzit që ishin atje se për kë ishte. Dikush më tha se është për Ebu Xhehelin. U çudita nga kjo përgjigje dhe thashë që në xhenet nuk mund të hyjë askush përveç besimtarit. Si ka mundësi atëherë që Ebu Xhehelit iu mundësua rrush në xhenet”. Kur Ekramaja e përqafoi besimin, atëherë Profeti s.a.v.s. tha që rrushi ishte i Ekramasë dhe në vend të djalit, Zoti i kishte treguar emrin e babait të tij,[23] ashtu siç ndodh shpesh në ëndrra.

Njëri ndër ata për të cilët ishte shpallur dënim me vdekje, ishte edhe Hebari, shkaktari i vdekjes së Zejnebes r.a., të bijës së Profetit s.a.v.s.. Ai i kishte prerë nënbarkëzën devesë së Zejnebes r.a., e cila ishte shtatzënë. Ajo u rrëzua përtokë dhe i dështoi barra dhe, pas pak ditësh, ndërroi jetë. Përveç krimeve të tjera, edhe kjo dhunë ia siguronte Hebarit dënimin me vdekje. Por, edhe ai erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, unë isha përvjedhur dhe kisha shkuar drejt Persisë. Pastaj mendova që Zoti i Lartësuar, nëpërmjet të Dërguarit të Tij, na largoi besëtytnitë tona të shirkut dhe na shpëtoi nga vdekja shpirtërore. Në vend që të shkoj te të huajt, pse mos të shkoj tek ai, t’i dorëzohem e t’i kërkoj falje për të gjitha mëkatet që kam bërë”.

Profeti s.a.v.s. tha:

“O Hebar, nëse Zoti të solli dashurinë ndaj Islamit në zemër, atëherë pse mos t’i falë gjynahet e tua. Shko se të kam falur. Islami t’i ka fshirë të gjitha gabimet e mëparshme”.[24]

Këtu nuk kam mundësi ta zgjas më shumë këtë temë, edhe pse, aq të dhimbshme dhe drithëruese janë ato ngjarje, që tregojnë se si Profeti Muhammed s.a.v.s. fali kriminelët më të mëdhenj dhe që rrezatojnë fort mëshirën e tij, saqë edhe një njeri zemërgur nuk mbetet pa marrë mbresë kur i lexon ato.


[1]  Siret Ibni Hisham, vëll. IV, Egjipt, 1936, f. 39.
[2]  Siret Ibni Hisham, vëll. IV, Egjipt, 1936, f. 44-45.
[3]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 92.
[4]  Siret Ibni Hisham, vëll. IV, Egjipt, 1936, f. 45-46.
[5]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 93.
[6]  Siret Ibni Hisham, vëll. IV, Egjipt, 1936, f. 47.
[7]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 95.
[8]  Po aty.
[9]  Siret Ibni Hisham, vëll. IV, Egjipt, 1936, f. 47.
[10]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 97.
[11]  Es-siratul-Halabija, vëll. II, Egjipt, 1935, f. 31.
[12]  Kurani Famëlartë: 17:82.
[13]  Siret Ibni Hisham, vëll. IV, Egjipt, 1936, f. 59.
[14]  Kurani Famëlartë: 17:81-82.
[15]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 99.
[16]  Kurani Famëlartë 3:68.
[17]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 100.
[18]  Burimi që Zoti i Madhërishëm kishte çelur mrekullisht për Ismailinas, të birin e Ibrahimitas. (Autori)
[19]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 101.
[20]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 89.
[21]  Siret Ibni Hisham, vëll. IV, Egjipt, 1936, f. 59.
[22]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 106-107.
[23]  Po aty.
[24]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 106.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp