Letër liderit suprem të Republikës Islamike të Iranit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Lideri Suprem i Republikës Islamike të Iranit
Ayatollah Syed Ali Hosseini Khamenei
Tehran, Iran

14 maj 2012

I nderuari Ajetullah,

Es-selam alejkum ue rahmatullahi ue barakatuhu

Allahu i Plotfuqishëm ju mundësoi t’i shërbeni Islamit në Iran dhe aktualisht, edhe qeveria iraniane funksionon nën mbikëqyrjen tuaj dobiprurëse. Kjo kërkon që ne të bëjmë maksimumin tonë për t’i përcjellë botës mësimet e vërteta të Islamit. Si muslimanë, ne duhet të mundohemi për t’i mësuar botës sesi ajo të jetojë në paqe, në dashuri dhe harmoni. Sidomos liderët muslimanë duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj nevoje të ngutshme. Për këtë arsye, kërkesa ime ndaj jush është që t’i tërhiqni vëmendje qeverisë suaj për përgjegjësitë e saj në kuadër të vendosjes së paqes në botë. Nëse Irani sulmohet, ai ka të drejtën e vetëmbrojtjes për ta shpëtuar vendin, megjithatë ai nuk duhet të nxitohet për të bërë agresion dhe për të bërë hapin e parë në ndonjë konflikt. Përkundrazi, duhen bërë përpjekje për të anashkaluar dallimet fetare e për të sjellë njerëzit tek vlerat e përbashkëta. Siç e dimë, ishte pikërisht kjo qasje që ishte aplikuar edhe në historinë e Islamit.

Po ju shkruaj këtë letër për shkak se jam besimtar, pasardhës dhe Kalif i Mesihut të Premtuar dhe Imam Mehdiut (paqja qoftë mbi të), ardhja e të cilit në këtë epokë ishte e parashikuar nga Profeti i shenjtë Muhammed (paqja qoftë mbi të). Xhemati që ai themeloi njihet si Xhemati Musliman Ahmedia. Me mëshirën e Allahut, ky Xhemat deri më tani është përhapur në 200 vende të botës dhe ka miliona ndjekës të devotshëm anembanë botës. Është dëshira jonë e zjarrtë që ta udhëzojmë botën drejt paqes, drejt një jete të dashurisë së ndërsjellë. Për këtë qëllim, unë vazhdimisht u tërheq vëmendjen njerëzve të të gjitha sferave. Prandaj, kohët e fundit i kam shkruar Kryeministrit të Izraelit, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe liderëve të tjerë të botës. I kam shkruar gjithashtu edhe Papës Benediktit XVI në lidhje me këtë.

Shpresoj që ju, si një lider shpirtëror i një kombi të madh islamik, do të pajtoheni për faktin se nëse i gjithë Umeti musliman do të bashkohet e të bashkëpunojë, paqja botërore do të mund të vendoset. Ne nuk duhet t’i frymë në mënyrë të pakuptimtë zjarrit të armiqësisë dhe mërisë, madje, ne duhet të kërkojmë mundësi për të vendosur paqe dhe qetësi. Edhe sikur të kemi armiqësi dhe kundërshtime ndaj dikujt, ato nuk duhet të jenë boshe nga drejtësia. Pikërisht kjo na është mësuar neve në Kuranin Famëlartë:

“O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm për hir të Zotit, duke dëshmuar për drejtësinë. Kurrsesi nuk duhet t’ju nxisë urrejtja ndaj ndonjë populli për të bërë padrejtësi. Gjithmonë bëni drejtësi! Kjo është më afër pëlqimit të Zotit. Frikësojuni Allahut. Pa dyshim, Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë që bëni ju”. (Kurani Famëlartë 5:9)

Allahu e mundësoftë gjithë umetin musliman dhe të gjitha qeveritë islamike që ta kuptojnë mesazhin tim, në mënyrë që ata të përgatiten për të luajtur rolet e tyre në vendosjen e paqes në botë.

Ajo që më ka shtyrë ta shkruaj këtë letër është dashuria ime ndaj njerëzimit, po ashtu dashuria ndaj gjithë Umetit musliman, dhe gjithashtu për arsye se jam një njeri që i përkas Umetit të atij që ishte “mëshirë për të gjithë njerëzimin”. Allahu i mundësoftë liderët e botës që t’i kuptojnë fjalët e mia dhe të luajnë një rol aktiv në vendosjen e paqes botërore. Përndryshe, nëse nxitimi dhe pamaturia e ndonjë shteti do të shkaktojë ndezjen e një lufte të mirëfilltë midis dy shteteve, konflikti i tyre nuk do të mbetet vetëm brenda kufijve tyre, por flakët e luftës do ta gllabërojnë të gjithë botën. Prandaj, ka shumë gjasa të shpërthejë një luftë botërore, ku nuk do të luftohet vetëm me armë tradicionale, por edhe me armë bërthamore. Një luftë bërthamore do të shkaktojë pasoja kaq të frikshme e të llahtarshme, saqë ato nuk do të ndikojnë vetëm te njerëzit që jetojnë sot në botë, por pasojat e tyre afatgjata do t’u bëjnë “dhuratë” të tmerrshme edhe brazave të ardhshëm, të cilët do të lindin të paaftë dhe me të meta. Për këtë arsye, asnjë shtet nuk duhet të pretendojë se do të jetë i sigurt nga ky shkatërrim kërcënues.

Prandaj, edhe një herë, në emër të Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe për shkak të dhembshurisë e dashurisë ndaj njerëzimit, ju lutem të luani rolin tuaj në vendosjen e paqes në botë.

Me urimet më të mira e me lutje

Ues-selam

Juaji sinqerisht

Mirza Masrur Ahmedi
Khalifatul Masih V (Kalifi i Pestë i Mesihut)
Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp