Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar
i Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore
Z.David Cameron
10 Downing Street, Londër
SW1A 2AA
Mbretëri e Bashkuar
15 prill 2012
I dashur Kryeministër,
Për shkak të rrethanave të rrezikshme dhe gjendjes së pasigurt që ka kapluar botën, ndjeva që është e nevojshme t’ju shkruaj juve. Si Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, keni autoritetin për të marrë vendime, që do të ndikojnë në të ardhmen e vendit tuaj, dhe në botën më gjerë. Sot, bota është në nevojë urgjente për paqe, sepse shkëndijat e luftës po shihen gjithkund në botë. Konfliktet midis vendeve në një shkallë të vogël po kërcënojnë të shpërthejnë në një konflikt global. Vërejmë se situata e botës sot është e ngjashme me atë të vitit 1932, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Ka shumë ngjashmëri dhe paralelizma të tjerë, të cilët kur kombinohen së bashku, formojnë sot të njëjtin imazh që ishte dëshmuar pak para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Nëse këto shkëndija do të marrin flakë, do të dëshmojmë skenarin e tmerrshëm të Luftës së Tretë Botërore. Me një numër të madh vendesh, të mëdha e të vogla, që posedojnë armë bërthamore, një luftë e tillë padyshim do të shndërrohet në një luftë bërthamore. Armët që janë në dispozicion sot, janë aq shkatërruese saqë ato mund të bëjnë që fëmijët, brez pas brezi, të lindin me defekte të rënda gjenetike dhe fizike. Japonia është një vend që ka përjetuar pasoja të neveritshme të luftës atomike, kur ajo u sulmua nga bombat bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur u asgjësuan dy nga qytetet e saj. Megjithatë, bombat bërthamore që ishin përdorur në atë kohë dhe që shkaktuan shkatërrime të mëdha, ishin shumë më pak të fuqishme se armët atomike që posedojnë edhe disa shtete të vogla sot. Prandaj, është detyrë e superfuqive që të ulen së bashku për të gjetur një zgjidhje, për të shpëtuar njerëzimin që gjendet në prag të shkatërrimit.
Ajo që krijon më shumë frikë është, fakti se armët bërthamore në vendet e vogla mund të përfundojnë në duart e njerëzve të papërgjegjshëm, që tregohen të lumtur për sa kohë mbajnë gishtin në këmbëz, të cilët ose nuk kanë aftësi të mendojnë thellë, ose nuk duan të vrasin mendjen për pasojat e veprimeve të tyre. Nëse fuqitë e mëdha nuk veprojnë me drejtësi, nuk eliminojnë frustrimet e vendeve të vogla dhe nuk përvetësojnë politika të mençura e madhore, atëherë situata do të përdridhet për të dalë jashtë çdo kontrolli dhe, shkatërrimi që do të ndjekë, do të jetë përtej dijes dhe imagjinatës sonë. Edhe shumica e popullsisë së botës, që do paqen, do të ngulfatet nga ky shkatërrim.
Kështu që, dëshira dhe lutja ime e zjarrtë është që ju dhe udhëheqësit e të gjitha vendeve të mëdha të arrini ta kuptoni këtë realitet të tmerrshëm, dhe në vend që të miratoni politika agresive e të shfrytëzoni forcën për të arritur qëllimet dhe objektivat tuaja, të përpiqeni për të përvetësuar politikat që promovojnë dhe sigurojnë drejtësinë.
Nëse shohim të kaluarën e afërt, Britania sundoi shumë vende dhe la pas një standard të lartë të drejtësisë e të lirisë fetare, sidomos në nën-kontinentin e Indisë dhe të Pakistanit. Kur Themelues i Xhematit Musliman Ahmedia uroi Madhërinë e Saj, Mbretëreshën Viktoria, me rastin e Jubileut të diamantë (60 vjetorit) të saj, duke i përcjellë mesazhin e Islamit, ai iu lut Zotit veçanërisht që të shpërblejë bujarisht qeverinë britanike për shkak të mënyrës së qeverisjes së saj të drejtë dhe të paanshme. Ai e vlerësoi shumë qeverinë britanike për politikat e saj të drejta dhe për dhënien e lirisë fetare. Sot, qeveria britanike nuk e sundon më nën-kontinentin, megjithatë parimet e lirisë fetare janë të ngulitura thellë ende në shoqërinë britanike dhe në ligjet e saj, përmes të cilave çdo person e gëzon lirinë e fesë dhe të drejtat e barabarta. Këtë vit, po kremtohet Jubileu i diamantë i Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth II, rast i cili i jep Britanisë një mundësi për të demonstruar para botës standardet e saj të drejtësisë e të ndershmërisë. Historia e Xhematit Musliman Ahmedia tregon se ne gjithmonë e kemi njohur këtë drejtësi, sa herë që u shfaq nga Britania dhe shpresojmë se edhe në të ardhmen, drejtësia do të mbetet karakteristikë e qeverisë britanike, jo vetëm në çështjet fetare, por në çdo aspekt, dhe ju nuk do të harroni kurrë cilësitë e mira të kombit tuaj të së kaluarës, dhe gjithashtu shpresojmë që, në situatën e tanishme botërore, Britania të luajë rolin e saj në vendosjen e paqes në mbarë botën.
Kërkesa ime është që ne bashkërisht duhet të përpiqemi deri në maksimum për të shuar flakët e urrejtjes në çdo nivel dhe në çdo drejtim. Vetëm nëse do të jemi të suksesshëm në këtë përpjekje, do të mund t’u garantojmë një të ardhme të ndritshme brezave tanë të ardhshëm. Por, nëse do të dështojmë në këtë detyrë, nuk duhet të dyshojmë se si rezultat i luftës bërthamore, pasardhësve tanë do t’u duhet të përballen me pasoja të tmerrshme të veprimeve tona kudo dhe ata kurrë nuk do t’i falin paraardhësit e tyre që e çuan botën në një katastrofë globale. Unë përsëri ju kujtoj se edhe Britania është një nga ato vende që kanë dhe mund të ushtrojnë ndikim në botën e zhvilluar, si dhe në vendet në zhvillim. Ju mund ta udhëhiqni këtë botë, duke përmbushur kërkesat e barazisë dhe drejtësisë, nëse keni dëshirë për të vepruar në këtë mënyrë. Kështu që, Britania dhe fuqitë e tjera të mëdha duhet të luajnë rolin e tyre për vendosjen e paqes në botë. Zoti i Plotfuqishëm mundësoftë që ju dhe udhëheqësit e tjerë botërorë ta kuptoni këtë mesazh.
Me urimet më të mira dhe me lutje
Juaji sinqerisht
Mirza Masrur Ahmedi
Khalifatul Masih V (Kalifi i Pestë i Mesihut)
Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia