Terrorizëm në Francë, dhe si duhet të reagojnë muslimanët?
Më 16 tetor 2020, një mësues francez, Samuel Paty u vra brutalisht në rrugët e qytetit francez të Conflans-Sainte-Honorine nga një ekstremist i dhunshëm, i cili, me emër, mund të ketë qenë një musliman, por sigurisht jo me vepër.
Përveç kësaj, më herët sot (29.10.2020), tre persona janë vrarë me thikë në Nice, në një sulm terrorist. Në mënyrë të pashmangshme, këto sulme të tmerrshme, të kryera me pretekstin e rremë të mbrojtjes së nderit të Profetit të Islamit, kanë çuar në zemërim dhe kanë acaruar tensionet midis muslimanëve në Francë dhe pjesës tjetër të shoqërisë franceze.
Në ditët e fundit, pasojat janë thelluar pasi disa vende muslimane, të drejtuara nga Turqia, kanë bërë thirrje për bojkot të produkteve franceze në përgjigje të komenteve të bëra nga Presidenti francez Emmanuel Macron duke thënë:
“islamikët kërkojnë të ardhmen tonë”
dhe se:
“ne nuk do të heqim dorë nga karikaturat tona”.
Nga ana tjetër, vendet perëndimore janë rreshtuar për të shprehur solidaritetin e tyre me Francën.
Lidhur me gjendjen e përshkallëzuar të situatës, në një deklaratë, Shenjtëria e tij, Hazret Mirza Masrur Ahmed (a.b.a.) deklaron:
“Vrasja dhe prerja e kokës të mësuesit Samuel Paty dhe sulmi në Nice që u bë më herët sot, duhet të dënohen në termat më të fortë të mundshëm. Sulme të tilla makabre janë plotësisht kundër mësimeve të Islamit. Feja jonë nuk lejon terrorizëm ose ekstremizëm në asnjë rrethanë dhe kushdo që pretendon ndryshe, vepron kundër mësimeve të Kuranit të Shenjtë dhe në kundërshtim me karakterin fisnik të Profetit Muhammed s.a.v.s..
Si udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, u shpreh ngushëllimet tona më të thella të dashurve të viktimave dhe kombit francez. Le të jetë e qartë se dënimi dhe urrejtja jonë ndaj sulmeve të tilla nuk është diçka e re, por këto kanë qenë gjithmonë pozicioni dhe qëndrimi ynë.
Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia dhe Pasardhësit e tij gjithmonë kanë refuzuar kategorikisht të gjitha format e dhunës a të gjakderdhjes në emër të fesë.
Pasojat e këtij akti të neveritshëm kanë përkeqësuar më tej tensionet midis botës Islamike dhe Perëndimit dhe midis muslimanëve që jetojnë në Francë dhe pjesës tjetër të shoqërisë. Ne e konsiderojmë këtë si një burim keqardhjeje të thellë dhe një mjet për të minuar më tej paqen dhe stabilitetin e botës.
Ne duhet të bashkohemi të gjithë për të çrrënjosur të gjitha format e ekstremizmit dhe për të inkurajuar mirëkuptimin dhe tolerancën e ndërsjellë. Nga perspektiva jonë, Xhemati Musliman Ahmedia nuk do të kursejë asnjë përpjekje në misionin tonë për të nxitur në botë një kuptim më të mirë të mësimeve të vërteta dhe paqësore të Islamit.”
Dhuna kurrë nuk mund të ndihmojë kauzën muslimane
Si mësues, Samuel Paty po vepronte brenda ligjit francez dhe brenda kufijve të kurrikulës arsimore laike të miratuar. Në këtë mënyrë, pavarësisht nëse muslimanët i konsiderojnë karikaturat si ofenduese, z. Paty ishte një viktimë krejtësisht i pafajshëm.
Përgjigjja me dhunë ose mbështetja e një reagimi fanatik u shërben atyre që dëshirojnë ta portretizojnë Islamin si një fe fundamentaliste dhe ekstremiste. Ajo shërben vetëm për të ngulitur edhe më fort pozicionin e atyre që kërkojnë të justifikojnë botimin e karikaturave ndaj Profetit të Shenjtë Muhammed s.a.v.s., si çështje e lirisë së shprehjes.
Andaj, sulme të tilla të poshtra jo vetëm që nuk do të pengojnë ose zvogëlojnë perspektivat e karikaturave që mund të botohen në të ardhmen, përkundrazi, do të çojnë në botimin dhe përhapjen e tyre më shumë se përpara.
Historia ka provuar se kjo pikë është e vërtetë – reagimi i dhunshëm që pasoi botimin fillestar të karikaturave që përshkruanin Profetin e Shenjtë Muhamed s.a.v.s. në vitin 2005, nuk i pengoi të tjerët të bënin të njëjtën gjë, përkundrazi shërbeu për të trimëruar dhe për të forcuar vendosmërinë e të tjerëve që edhe ata t’i ndiqnin karikaturistët.
Duhet bojkotuar apo jo?
Për sa i përket presionit ekonomik, e vërteta është se bojkotimi i produkteve franceze ose perëndimore ose masa të tjera të ngjashme nuk ka gjasa të ketë ndonjë efekt të rëndësishëm ose të qëndrueshëm. Duke pasur parasysh realitetet e gjeo-politikës-së-ndërlidhur, nuk është realiste që bojkotet ose embargot e tilla të qëndrojnë ose të përhapen gjerësisht. Miliona muslimanë jetojnë në perëndim dhe thjesht nuk është e mundur që ata të marrin pjesë në bojkotime të tilla.
Kështu që, thirrja për të bojkotuar produktet franceze është një përgjigje emocionale, sesa një përgjigje racionale. Për më tepër, muslimanët nuk duhet të marrin pjesë në protesta që dëmtojnë prosperitetin e kombit të tyre, kudo që jetojnë.
A duhet të ketë kufizime në lirinë e shprehjes?
Ne i konsiderojmë karikaturat që përshkruajnë Profetin e Shenjtë Muhammed s.a.v.s., të botuara nga Charlie Hebdo dhe ato të botuara në të kaluarën nga ente të tjera, si fyese, shqetësuese dhe provokuese. Ky është një reagim i natyrshëm njerëzor i bazuar në dashurinë dhe përkushtimin tonë ndaj Profetit të Shenjtë Muhammed s.a.v.s., të cilin ne e konsiderojmë si një model perfekt për njerëzimin. Gjithashtu, ne konsiderojmë si fatkeqësi që shenjtëria e fesë po gërryhet dita-ditës.
Bashkë me lirinë vjen përgjegjësia dhe kështu, kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes, ajo duhet të përdoret me një shkallë të kujdesit. Në shoqërinë e sotme, tema të caktuara konsiderohen jashtë kufijve, pavarësisht nga vlera që i kushtohet fjalës së lirë. Fatmirësisht, pjesa dërrmuese e shoqërisë nuk toleron gjuhë raciste ose gjeste antisemitike. Janë vendosur kufizime në shprehje për përmirësimin e shoqërisë. Ne besojmë se kjo duhet të shtrihet edhe në atë që njerëzit fetarë e konsiderojnë të shenjtë.
Njëkohësisht, ne gjithashtu tregojmë se kur kundërshtarët e Profetit Muhammed s.a.v.s. e sulmuan ose e përqeshën personalisht figurën e tij, ai iu përgjigj me paqe dhe kurrë nuk lejoi asnjë nga shokët e tij të reagonte ndryshe.
Për të përmendur vetëm një shembull, shikoni se si Profeti i Shenjtë Muhammad s.a.v.s. iu përgjigj ‘Abdullah bin Ubej bin Selulit, i cili e përqeshi dhe e abuzoi atë pa kufi. Pas ofendimeve dhe sulmeve verbale të shumta kundër Profetit të Shenjtë, djali i vetë ‘Abdullah bin Ubej bin Selulit, që qe musliman, i kërkoi leje Profetit për ta vrarë babanë e tij për fyerjet lënduese dhe dashakeqe që ai i kishte drejtuar Profetit të Shenjtë. Megjithatë, duke dhënë një shembull të durimit dhe të tolerancës, jo vetëm për shokët e tij, por edhe për muslimanët e ardhshëm, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ndaloi një rekurs të dhunshëm dhe në vend të kësaj, tha:
“Unë do të sillem me butësi dhe mëshirë me babanë tënd.”[1]
Dhe historia dëshmon se ai kështu veproi. Sigurisht, përgjigja e Profetit të Islamit demonstron padrejtësinë e madhe të atyre që marrin armët për të “hakmarrë” për Profetin.
Dhuna është pranim i humbjes intelektuale
Gjatë kohës së Themeluesit të Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., u botua një libër “Ummehatul-Mu’minin”, në të cilin u përdor një gjuhë jashtëzakonisht poshtëruese dhe urrejtëse për të përshkruar Profetin e Shenjtë të Islamit s.a.v.s., si dhe gratë e tij.
Pas botimit dhe shpërndarjes së librit në fjalë, u ndezën protesta në të gjithë Indinë. Përveç kërkesës që libri të ndalohej, ato shkaktuan sabotime dhe çrregullime gjerësisht. Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia dënoi këtë reagim duke e quajtur si joislamik dhe tha se protestat për ndalimin e librave dhe nxitja e dhunës janë përgjigjet e atyre që kanë pranuar humbje intelektuale.
Në vend të dhunës apo të forcës, Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia u përpoq të bindte paqësisht ata që ishin në pushtet për nevojën e një debati të civilizuar dhe për dobinë e mbarë shoqërisë që të vendosnin disa kufi ndaj lirisë së shprehjes, për hir të paqes dhe të unitetit të shoqërisë. Në vend që të përgjigjej me dhunë, Themeluesi i nderuar i Xhematit Ahmedia u përpoq të shfaqte karakterin e vërtetë dhe fisnik të Profetit të Shenjtë s.a.v.s., dhe u bëri thirrje edhe muslimanëve të tjerë të bënin të njëjtën gjë.
Përvetësoni virtytet e Profetit të Shenjtë s.a.v.s.
Njësoj si në rastin e librit që u cek më sipër, në fund të viteve 1920, u botua një libër tjetër të titulluar “Rengila Resul”, që keqtrajtonte padrejtësisht karakterin e Profetit të Shenjtë të Islamit. Edhe një herë, muslimanët u indinjuan, por Kalifi i Dytë i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Bashir-ud-din Mahmud Ahmed r.a. dënoi të gjitha format e dhunës. Në vend të kësaj, ai u bëri thirrje muslimanëve të mbajnë kongrese e programe kushtuar portretizimit të karakterit dhe personalitetit të vërtetë të Profetit të Shenjtë të Islamit s.a.v.s..
Në atë kohë, Kalifi i Dytë i Xhematit Musliman Ahmedia r.a. tha:
“O vëllezër! Unë them edhe një herë me dhembshuri nga thellësie e zemrës se nuk është trim ai që merr armë në dorë dhe nis të luftojë. Ai është frikacak sepse është mposhtur nga vetja e tij. Sipas një hadithi, trimi është ai që shtyp zemërimin e vet. Thuhet se trimi është ai që i futet një kauze me vendosmëri dhe pastaj nuk tërhiqet prej saj derisa ta arrijë atë … Zotohuni për tri gjëra për përparimin e Islamit:
- Para së gjithash, të keni frikë nga Zoti dhe nuk do të trembeni për fenë. Pra, së pari reformoni veten.
- Së dyti, angazhohuni tërësisht në përçimin e mesazhit të Islamit. Mësimet e Islamit duhet të arrijnë çdo individ në botë. Duhet të njihen cilësitë e Profetit të Shenjtë s.a.v.s., virtytet e jetës së tij të bukur dhe modeli i tij i bekuar.
- Së treti, duhet të përpiqeni maksimalisht t’i shpëtoni muslimanët nga nënshtrimi social dhe ekonomik.”[2]
Xhemati Musliman Ahmedia udhëhoqi këtë drejtim dhe deri më sot vazhdon të mbajë evente dhe konferenca të rregullta në të gjithë botën, në mënyrë që të edukojë dhe të ndriçojë jomuslimanët për karakterin e vërtetë të Profetit të Shenjtë s.a.v.s..
Reagimi i gabuar
Pas botimit të karikaturave nga gazeta daneze Jyllands-Posten në vitin 2005, Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Masrur Ahmadi a.b.a. bëri të qartë se ata muslimanë që dogjën ndërtesa ose figura dhe protestuan dhunshëm duke shkaktuar çrregullime, vepruan në një mënyrë të papajtueshme me mësimet e Islamit.
Në atë kohë, Hazret Mirza Masrur Ahmedi a.b.a. tha:
“Atyre që e quajnë veten muslimanë, pavarësisht se janë ahmedianë, shia, suni apo i përkasin ndonjë sekti tjetër të Islamit, dua t’u them se kur sulmohet personaliteti i Profetit të Shenjtë s.a.v.s., në vend që të shfaqin pasion të çastit duke djegur flamuj, duke shkaktuar dëme dhe shkatërrime dhe duke sulmuar ambasada, të reformojnë veprat dhe virtytet, në mënyrë që të tjerët të mos kenë mundësi të drejtojnë gishtin drejt tyre. A besojnë vallë se zjarrvënie, djegie flamujsh a pronash të ndonjë ambasade, janë gjithçka që demonstron nderin dhe modelin e Profetit të Shenjtë s.a.v.s.! Patjetër që jo. Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga një mendim i tillë!”
Në vend të kësaj, Shenjtëria e tij përsëriti nevojën që muslimanët të portretizojnë në botën mbarë karakterin e vërtetë të Profetit të Muhammed s.a.v.s..
Hazret Mirza Masrur Ahmed a.b.a. vijoi duke thënë:
“Ne jemi pasues të atij Profeti të Shenjtë s.a.v.s., i cili erdhi për të ndalur luftën, i cili ishte Ambasadori i dashurisë dhe Princi i paqes. Prandaj, në vend që të ndërmerrni veprime të dhunshme, jepini botës këtë mësim të bukur.”[3]
Reagimi i duhur
Pas vrasjes së mësuesit Samuel Paty, Xhemati Musliman Ahmedia në Francë menjëherë lëshoi një deklaratë duke dënuar sulmin dhe duke pohuar se autori i këtij akti shkeli dhe përdhosi mësimet e Kuranit të Shenjtë. Në deklaratë gjithashtu u shprehu ngushëllime të dashurve të viktimës dhe shoqërisë më të gjerë franceze.
Në ditët që pasuan, muslimanët ahmedianë që jetonin në Francë morën pjesë në memoriale të mbajtura në nderim të Samuel Paty dhe mbajtën postera lart në të cilat proklamohej:
“Dashuri për të gjithë, Urrejtje për askënd”.
Në një përkujtimore në qytetin e tij të lindjes, muslimanët ahmedianë formuan një zinxhir njerëzor dhe marshuan përpara në solidaritet me kombin francez dhe në mbrojtje të mesazhit të vërtetë të Islamit. Ata vunë lule në shkollën ku Samuel Paty kishte dhënë mësim. Shumë jomuslimanë lokalë shprehën habinë e tyre që muslimanët erdhën për të dënuar sulmin si jo-islamik.
Për më tepër, përfaqësuesit e Xhematit Musliman Ahmedia takuan përfaqësuesit e medies kombëtare dhe lokale në Francë dhe dhanë intervista që u transmetuan në televizione kombëtare në primetime, si dhe në në rrjetet sociale.
Një nga organizatorët muslimanë të Xhematit Ahmedia, Dr. Talha Rashid përshkruan reagimin:
“Kur arritëm në marshime përkujtimore, ishim shumë të druajtur. Nuk e dinim se si do të na prisnin, pasi klima nuk mund të përshkruhej si “miqësore për muslimanët”. Sidoqoftë, jomuslimanët në Francë u lehtësuan shumë kur dëgjuan mesazhin tonë dhe madje u emocionuan kur dëgjuan mesazhin e dashurisë dhe të paqes që mbanim në zemrat tona dhe në bluzat tona. Ky zinxhir paqësor njerëzor që ne formuam tërhoqi vëmendjen. Marshimi ynë si pjesë e shoqërisë franceze, i intrigoi të gjithë.
Shumë shpejt media erdhi për të na bërë të njëjtat pyetje: “Çfarë doni të thoni ju me praninë tuaj këtu?” Pyetje, së cilës iu përgjigjëm se kemi ardhur duke mbartur këtë mesazh dashurie dhe paqeje që na mësoi Islami dhe Profeti i Shenjtë i Islamit s.a.v.s..
Gjatë kësaj shëtitje, u intervistuam nga dy radio të ndryshme kombëtare, një tjetër radio lokale, dy kanale televizive kombëtare dhe ne u filmuam drejtpërdrejt nga dy media online që kishin përkatësisht rreth 2 milionë dhe 6 milionë ndjekës. Thamë se kemi ardhur për të dënuar dhunën e ndodhur, por gjithashtu për të përçuar mesazhin e vërtetë të Islamit dhe për të thyer barrierat që ekzistojnë midis Islamit dhe shoqërisë së gjerë.”
Dr. Talha Rashid vijon:
“Presidenti lokal i Xhematit Musliman Ahmedia ngriti një banderolë së bashku me djemtë e tij me fjalët” “Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd”. Efekti ishte i menjëhershëm. Njerëzit duartrokitën, dhe buzëqeshën. Ata kishin nevojë ta dëgjonin këtë mesazh nga komuniteti musliman. Përveç kësaj, mediat gjithashtu u dyndën për të bërë një foto të banderolës. Presidenti lokal u intervistua në kohën më të mirë nga BFM TV, i cili është një nga kanalet më të shikuara të lajmeve në Francë.”
Gjatë intervistës në BFM TV, Presidenti lokal i Xhematit Musliman Ahmedia, z. Abdelghani Belarbi tha:
“Xhemati Musliman Ahmedia ka qenë gjithmonë i pranishëm në të gjitha tubimet dhe në të gjithë Francën, sa herë që ka pasur një sulm terrorist, për të thënë që ky nuk është Islam. Islami është paqe, dashuri dhe tolerancë. Slogani që mbajmë, “Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd”është ajo që kemi në zemrat tona për francezët. Unë kam lindur në Francë dhe jam i tronditur që një mësuesi i është prerë koka.
Vargu (ajeti) i parë që iu shpall Profetit të Shenjtë ishte “Ikre” që do të thotë “Lexo”. Kështu që, terroristi jo vetëm që sulmoi një mësimdhënës që është shtylla kurrizore e republikës franceze, pra, ai që na mësoi të lexojmë e të shkruajmë, por gjithashtu sulmoi një sistem të tërë që është një pjesë integrale e republikës franceze, pavarësisht se me besim jemi hebrenj a muslimanë, ose ateistë qofshin. Ne të gjithë mund të jetojmë së bashku. … Unë kam lindur dhe jam rritur në këtë vend dhe këta njerëz të dhunshëm nuk duhet të kenë sukses të na ndajnë.”
Rrjedhimisht, në ditët pas sulmit, Xhemati Musliman Ahmedia arriti të përfaqësonte dhe të paraqiste mësimet e vërteta të Islamit para një audience prej të paktën 18 milionë francezëve përmes platformave të ndryshme. Dhe, si përgjigje morëm, qindra mesazhe vlerësimi, si nga jomuslimanët ashtu edhe nga muslimanët.
Për shkak të këtij mbulimi mediatik, një musliman që nuk i përket Xhematit Ahmedia, komentoi:
“U gëzova të shoh se më në fund dikush po mbron muslimanët në media, dhe mbi të gjitha, duke cituar një ajet të Kuranit.”
Një musliman tjetër joahmedian pohoi:
“Ishte një mesazh i shkëlqyeshëm që paraqiti vlerat e Republikës sonë, së bashku me vlerat e Islamit.”
Një i krishterë francez shkroi:
“Më vjen keq që nuk i dëgjojmë më shpesh mesazhe të tilla.”
Ne pajtohemi plotësisht me ndjenja të tilla. Nëse muslimanët dëshirojnë të ndryshojnë rrëfimin e rremë që ka deformuar pamjen e Islamit në pjesën më të madhe të botës, ata duhet të përpiqen të ilustrojnë dhe të përçojnë mësimet e vërteta të tij dhe të mbysin mesazhin e ekstremistëve dhe të terroristëve duke shfrytëzuar çdo mundësi. Të shpresojmë se muslimanëve paqësorë t’u jepen platformat për të amplifikuar mësimet e vërteta të fesë së tyre përmes mediave dhe gjetkëm, jo vetëm si përgjigje ndaj ngjarjeve të tilla tragjike, por edhe në situata normale.
Koha për reflektim
Vrasja e mësuesit Samuel Paty dhe vala e sulmeve terroriste të kohëve të fundit nga të ashtuquajturit xhihadistë, i kanë shkaktuar dëm të madh kauzës së Islamit. Në vend që të veprojnë me dhunë ose të bëjnë thirrje për bojkot, muslimanët duhet t’i përgjigjen çdo forme provokimi duke shtuar lutjet përpara Allahut të Madhërishëm dhe duke dërguar selavate dhe duke kërkuar bekime mbi Profetin e Shenjtë s.a.v.s..
Ne si muslimanët duhet të përpiqemi të reformojmë vetveten shpirtërisht e moralisht dhe të ndjekim gjurmët e Profetit Muhammed s.a.v.s., i cili u dërgua nga Allahu i Madhërishëm si mëshirë për mbarë njerëzimin. Ne si muslimanët duhet të përpiqemi të portretizojmë karakterin e Profetit tonë fisnik dhe të hyjmë në dialog konstruktiv me qeveritë, autoritetet lokale dhe shoqërinë e gjerë, në mënyrë që të promovojmë nevojën për tolerancë dhe ndjeshmëri.
Lutemi për paqe dhe për një botë në të cilën të gjitha bashkësitë dhe njerëzit të bashkëjetojnë në harmoni me respekt të ndërsjellë, të sigurt nga përpjekjet e urryera të ekstremistëve që kërkojnë të shfrytëzojnë ndarjen, për të cilën ata vetë janë përgjegjës.
Siç thotë Hazret Mirza Masrur Ahmed a.b.a.:
“Njerëzit duhet të kuptojnë se fjalët mund të kenë pasoja shumë të mëdha, andaj, në vend që të flasin për një “përplasje të civilizimeve” ose për të ngritur pa nevojë tensionet midis komuniteteve të ndryshme, duhet të përmbahen nga të sulmuarit e mësimeve fetare të njëri-tjetrit … Le bashkohemi të gjithë, pavarësisht nga dallimet tona, dhe të punojmë me një frymë respekti, tolerance dhe dhembshurie të ndërsjellë për paqen në botë dhe për të promovuar lirinë e besimit.”
[1] Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed, “Jeta e Muhammedit s.a.”, Tiranë, 2013, f. 130.
[2] “Anwarul ‘Ulum”, Vëll. 9, f. 555-556.
[3] “The Blessed Model of the Holy Prophet Muhammad s.a. and the Caricatures”, f. 22-23.